KUSH PO QAN PËR HASAN RIZANË?

1
1801

Kolec Traboini, 2012 Nga KOLEC TRABOINI

Disa njerëz, që nuk shquhen për ndonjë identitet të fortë, në këto ditë përvëluese vere po vënë duart në kokë, qajnë me bujë e kujë, bot e lot se e paskan gërvisht a heq ndonjë pllakë mermeri (mos e kanë marrë për ndërtim shtëpiash fukarenjtë e Shkodrës) monumentit stërmadh të një gjeneral pashai turko-osman.

Është fjala për gjeneralin i Turqisë me monumentin më madhështor kushtuar ndonjë individi në histori të Shqipërisë, Hasan Riza Pasha. Pikërisht në Shkodër ku nuk ka monument as Teuta që përballoi romakët dhe e çoi lart emrin e Ilirëve, as për mbrojtësit e kështjellës për 10 vjet, pas vdekjes se Gjergj Kastriotit të cilëve as emrat nuk ua dinë megjithëse Barleti i shkruan, ta zëmë një legjendë si kryekomandanti ushtarak i kështjellës Jakob Moneta. As për vëllezërit Lek e Pal Dushmani princër të Shkodrës dhe Zadrimës, bashkëluftëtarët më besnikë të Gjergj Kastriotit në Kuvendin e Lezhës 1444, deri sa dhanë jetën për trojet arbërore. Se për Dedë Gjo Lulin e malësorët kryengritës, që ngritën flamurin kombëtar në Deqiç më 6 prill 1911, as që bëhet fjalë.

Për dijeni të atyre që kërkojnë të lëshojnë shashka tymuese mediatike për të tunduar opinionin, nuk është bërë kaq shumë zallamahi publike kur u shqyen pllakat e bronzit për skrap dhe u pshurr Monumenti i Pavarësisë në parkun Rinia në qendër të Tiranës. Por Media do lajme dhe dikush ka oreks të madh për ti darovitur sikur në Shkodër të qe bërë gjëma e madhe. Mirë kur nuk thanë lajme-pjellësit se Turqia do ti shpall luftë Shqipërisë për dy pllaka mermeri të gjeneral pashait turko-osman. Në të vërtetë ai është irakian, djali i valiut të Bagdadit, Namik Pashës, por Turqia vazhdon të shohë ëndrra perandorake duke ndërruar e asimiluar sa të jetë e mundur historinë e popujve të tjerë.

Padyshim se është një punë e keqe që e kanë dëmtua sadopak monumentin e Hasan Rizait, por mos harroni se i kanë bërë monumentin më të madh në Shkodër dhe jo pa qëllim. E kjo i acaron disa njerëz kur bëjnë krahasime me heronjtë tanë kombëtarë të lënë në harrim. Paratë vërtetë i ka dhënë Turqia me thes. I ka dhënë se kërkon të na blejë historinë. Pra kjo nuk është një investim i saj krejt kot por i qëllimshëm. Me Hasan Riza Pashën edhe im atë ka bashkëpunuar gjatë rrethimit të Shkodrës si ndërlidhës me forcat shqiptare jashtë rrethimit (lexo Mikel Prenushi, Arkiva e Institutit të Historisë “Mbrojtja e Shkodrës 1912-1913”, Dosja A. IV, por edhe Preng Uli në librin “Hasan Riza Pasha – mbrojtësi i Shkodrës” Albin 1995, ku përmendet im atë Palok Traboini, në faqen 39). Ani pse gjeneral e vali turk, Hasan Riza Pasha ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë, ka merita të padyshimta dhe meriton mirënjohje, por ai nuk mund të jetë shenja më e madhe e identitetit tonë si shqiptarë që të këtë monumentin më të madh në Shkodër. Monumenti i At Gjergj Fishtës është kurrgjë para tij në përmasa, aq më tepër kur ndodhën të dy në të njëjtin shesh.

Pse ky gjigantizëm?! Pastaj a ka monument për Teutën, për Baton, për Gentin në Shkodrën e mbretërve ilirë, apo 6 muaj rrethin e eklipsojnë tërë historinë tonë të mëparshme. A kanë ata që qëndruan 10 vjet përballë hordhive të Anadollit në 1468-1479 një të tillë monument. A kanë 300 djemtë shqiptarë të Drishtit të cilëve ua preu kokat një e nga një ushtria turke-osmane përpara mureve të Kalasë së Shkodrës? Jo asnjë shenjë për martirët e trojeve arbërore.

Një pllakë në kala si pjesë e historisë ka qenë e mjaftueshme për Hasan Riza Pashën. Por turkoshakët e Shkodrës (apo turkokallët siç i quante Lasgush Poradeci njerëzit me mendësi anadollake) e duan si një nishan krenarie e identiteti, e jo si një kujtesë e respekt historik.

Më i madh në historinë tonë është Lekë Dukagjini i Arbërisë apo Hasan Riza Pasha i Turqisë? Megjithëse kanë jetuar në epoka të ndryshme dhe çdo krahasim çalon. A ka ndonjë monument të Ded Gjo Lulit në Shkodër Loce? Jo nuk ka. Se nuk duan turkoshakët, se ai na paska vrarë vëllezërit ushtarë mysliman të ushtrisë të gjeneralit tjetër po turk, Shefqet Turkut Pashë mizori, që edhe atij mbase duan ti ngrenë ndonjë monument madhështor. Sepse dihet që turkoshakët e këtij qyteti që kishin njëqind lidhje ekonomike deri dhe krushqi me pushtuesit, bashkëpunuan me ushtritë turke kundër malësorëve. Lexoni analet e historisë dhe ju shfaqet tablloja e turkoshakëve të Shkodrës, por jo vetëm të Shkodrës, se turkoshake kishte anë e mbanë Shqipërisë.

Jo shumë larg në kohë janë lëshuar në revansh, u ngritën si të tërbuar se nuk e donin Nënë Terezën në Baçallëk, guxuan të thonë se do ta rrëzojnë dhe autoritetet vendore u detyruan ta vendosin shtatoren diku tjetër. Turkoshakët e Shkodrës e fituan një betejë. Po edhe me shtatoren gjigande të gjeneralit turk e fituan betejën tjetër. Tani janë ngritur në revansh se duan dhe Kishën e Shën Shtjefnit në kala, të cilën e kanë kthyer me dhunë pushtuesit turko-osmanë në xhami për ushtarët e vet. Mesa duket këta turkoshakët e sotëm ndjehen pjesë e historisë vetëm pas rënies së Shkodrës nën sundimin e tmerrshëm turko-osman më 25 prill të vitit 1479 e më pas. Përpara kësaj data ata ndjehen sikur nuk kanë histori, ose kanë por, meqë u janë mbyllur sytë e mendjes nuk duan ta shohin. E kjo është për të vënë duart në kokë. Kësisoj kanë guximin jo vetëm ti ngrenë një monument madhështor një gjenerali të një shteti pushtues për pesëqind vjet, pra më të madhin monument të qytetit, por edhe dalin aty këtu me ca zëra të kamufluar në rrjeta sociale e kërkojnë as me pak e as më shumë por ta shpallin hero kombëtar të shqiptareve.

Hasan Riza Pasha pati dinjitetin t’u thoshte shkodranëve se nga nëna kishte gjak shqiptar, por ai megjithëse bëri një akt të madh historik qëndrese, nuk arriti të kryente premtimin për ngritjen e flamurit shqiptar në kështjellën e Rozafës dhe të luftonte nën hijen e në emër të tij, ndaj sado mirënjohje që kemi nuk mund të konsiderohet hero kombëtar i shqiptarëve.

Disa njerëz me mendje të çartur orientale mesjetare, Gjergj Kastriotin dhe tërë atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar i konsiderojnë mercenarë të huaj, agjentë të perëndimit, kaçakë malesh, tinëzarë e të pabesë, diku-diku i cilësojnë madje edhe tradhtarë. Po këta vetë çfarë janë? Po kush dreqin i polli dhe i mbolli në trojet shqiptare a e dinë? Pastaj, fundi i fjalës, kur hordhitë turko-osmane morën rrugën e thyen qafën për në Anadoll, kur ndjehen më turq se turqit, pse nuk ikën edhe këta bashkë me të sëmurin e Bosforit, por qëndruan këtu në trojet shqiptare të Gjergj Kastriotit, me një mision shkatërrimi, për të zezën tonë.

Ata që qajnë e çirren me lot krokodili për një pllakë të hequr nga monumentit i Hasan Riza Pashës, ndërkohë që shfryjnë e mallkojnë heronjtë kombëtarë të shqiptarëve, fort mirë e dinë se janë humbës, sepse ky vend i ka qëndruar e i ka mbijetuar pushtimit pesëshekullor e jo më të mposhtet nga pjella e zezë e rasatit dum-babist.

12 korrik 2016

Komentet janë mbyllur.