PARADOKSET NUK KANË TË SOSUR…

0
593

KRISTAQ TURTULLI

(Apologji për vete dhe për të tjerët pjesa e nëntë)

Seç mu kujtua sot për shumë arsye një ngjarje në vitet e para të demokracisë… Mora shkas prej gjetjes së shtatores të përçudnuar të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Prej indinjatës së thellë, të rrëzimit të bustit në Mitrovicë, të shenjtores botërore, të Nënë Terezës. Heqjes së shtatores së Shtjefën Gjeçovit. Sheshi Skënderbe oshtin nga arabishtja. Mbulojnë heroin tonë kombëtar dhe së fundi ngrihet përkujtimore në mes të Tiranës për turqit e Turqisë. Qeveritarët e politikanët tanë e quajnë arritje të shënuar.

Në mesin e natës së 19 Janarit të vitit 2014, në Mitrovicë, u rrëzua përdhe busti i simbolit të veçantë në botë të mirësisë dhe dhembshurisë: NËNË TEREZA. Shenjtorja e gjithë njerëzimit. Kjo është një vepër jashtëzakonisht barbare me një prapavijë shumë të rrezikshme. Bota e do, e nderon, e adhuron, Nobelisten e madhe. Ndërsa disave u vret sytë përmendorja e një NËNE! Disa miq indianë më pyetën prej nga je, u thashë jam nga Shqipëria. Ata tundën kryet me respekt dhe më thanë, je nga vendi ku lindi Nënë Tereza. Presidenti i Amerikës Bill Klinton ka thënë për nënë Terezën: ‘Nënë Tereza ishte para që më dha dashuri për Shqipërinë dhe Shqiptarët dhe jam krenar për ndihmën që u dhashë në luftën e Kosovës, për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave njerëzore.’ Asgjë nuk është rastësore.

Një muaj pas rrëzimit të simbolit të mirësisë Nënë Terezës, ndodhi një hata tjetër, u shfaq një shtatore e përçudnuar:
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për një akt të pakonceptueshëm, tmerrësisht të poshtër. Kush?! U përfol se në Qafë Kashar, befas u hap spondi e një makine dhe prej saj nxorën dhe e flakën përdhe një shtatore. Kush ishin ata djaj të ndyrë që sollën dhe për çfarë qëllimi e prunë në mes të ditës me diell!? Sepse kuptohet nuk mund të jetë kurrë rastësi. Mos janë kapuçonë të zinj, të shkulur me përdhunë prej mesjetës së errët? Gjetësit e parë të kësaj gjëje shtangën prej çuditë se kjo lloj shtatore nuk ishte parë asnjëherë më parë dhe ishte diçka të ngjashme, por që ishte tmerrësisht përçudnuese, me figurën më të madhe që ka kombi shqiptar dhe që do ta kishte për nder çdo komb ta kish të vetin, në mbarë globin tokësor: Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Në këtë gjë përçudnuese heroi ynë, nderi dhe lavdia e mbarë kombit Shqiptar, shfaqet gjysmë njeri e gjysme cjap dhe habiti shumë njerëz. Ndërsa specialistët thonë që kjo shtatore është një përdhosje e imazhit te heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Pra kjo shtatore është një provokim, për shkak te hibridizimit gjysmë njeri dhe gjysmë cjap bërë me qëllim të mbrapshtë për të reflektuar publikisht një urrejtje të verbër ndaj figurës madhështore të Gjegj Kastriotit Skënderbeut. Ky është një turp. Mbasi një nga shpifjet më shoviniste deri në fillim të shekullit XX në publicistikën ballkanase antishqiptare ishte ajo që thuhej që gjoja shqiptarët janë qenie gjysmë njerëz dhe gjysmë kafshë me bisht cjapi ose kali. Prandaj kjo shtatore është shumë fish e shëmtuar ne çdo pikëpamje.

Sipas të dhënave të mëtejshme shtatoren e përçudnuar e sekuestroi policia dhe priten hetime të mëtejshme. Se çfarë bën policia është detyra dhe puna e saj. Por çfarë duhet të bëjë media dhe inteligjencia shqiptare është përgjegjësia dhe detyra e tyre. Rrufetë në qiell të kthjellët kanë flakën dhe përvëlimin pas…

Dhe menjëherë të shkon mendja, ashtu siç vete gjuha aty ku dhemb dhëmbi, në të shkuarën dhe të tashmen e mëmëdheun tonë të dashur, të shumëvuajturës Shqipëri. Rrebeshet e pandërprera të kohërave, tymtajat e mjegullat e mëdha, përplasjet, luftërat, shkatërrimet, lëvizjet, mohimet dhe shpërnguljet e pafundme…

Sa shumë heronj, luftëtarë të paepur, figura të shquara, personalitete, kanë dalë nga gjiri i popullit shqiptar përgjatë rrjedhës së harbuar të shekujve, me mijëra dhe dhjetëra mijëra. Aq sa është e pamundur ti numërosh. Po ta shohësh me kujdes, në bazë të frymës së popullsisë, hapësirës territoriale. Shqipëria ka nxjerre më shumë trima, personalitete, figura të shquara se sa ka shkëmbinj dhe gurë. Shumë prej këtyre heronjve dhe njerëzve te thjeshte që situata i bëri të pamposhtur, që kanë bërë histori dhe qëndresë stoike.

Shumë prej tyre qëllimisht janë përpjekur për ti nëpërkëmbur, mohuar, fshirë nga memoria e bashkëkohësve dhe brezave të ardhshëm. Shumë prej pakujdesisë kohë. Të tjerët nga indiferentizmi, xhelozisë, kushte të vështira të përballimit, të pushtimeve të njëpasnjëshme. Për fat të keq ata janë lënë në haresë, shumë nuk dihen dhe nuk përmenden. Por shumë prej tyre dhe nga neglizhenca dhe mohimi brenda qerthullit të vetvetes.

Shumë nga kështjellat e lashta në Evropë akoma qëndrojnë më këmbë edhe pse janë ndërtuar në thellësi të shekujve. Për fat të keq kështjellat tona, me shumë histori sakrifice dhe qëndrese janë të rrënuara. Shumë prej tyre të rrafshuara për tokë, të humbura pa gjurmë. Kreshnikët, trimat dhe heronjtë e zhdukur arbërorë, të cilët u bënë një qëndresë të jashtëzakonshme të huajve dhe më pas hordhive turke. Të gjithëve nuk u gjendet as nami dhe nishani duke filluar që nga më të hershmit: Pirro i Epirit, Bato, Teuta, Genci, deri tek Gjergj Kastrioti Skënderbeu e Lekë Dukagjini etj!

Mund ti shkrepet dikujt e flet: Na more, ç’thotë ky, a mund të krahasohemi ne me Evropën, Anglinë dhe mbretërimin e lashtë anglez! Po çfarë ka Anglia, komb ai, komb dhe ne. Pastaj miku im, shosharja kur e ka shoshën në dorë, lëvdon shoshën e vet dhe jo të botës. Përse ne gjithnjë lëvdojmë gjënë e botës dhe nënvleftësojmë gjënë tonë?! Pikërisht këtu fillon lëkundja dhe gabimi.

Edhe pse nuk mund të jenë kurrë njëlloj; ta nënvleftësosh, nënçmosh një çështje, një problem, një kauzë, dhe ti neglizhosh ato, të mos u kushtosh rëndësi. Të dyja janë të dëmshme dhe vrastare.

Lumturia e jetës suaj varet nga cilësia e mendimeve tuaja.’ Ka thënë dikur Markus Aurelius, perandori romak, në librin: ‘Meditime dhe shkrime për veten’.

Nuk ka përse të na mundojë inferioriteti dhe kompleksiteti. Ne kemi shumë data, ngjarje dhe histori, si dhe shumë heronj. Në betejën e Fushë Kosovës ish shqiptari Millosh që vrau sulltan Muratin. Më pas ne nuk e ndërpremë përpjekjet. Bëmë një luftë të madhe, u vramë u premë për flamur dhe identitet. Të tjerët kacafyteshin vrisnin njëri tjetrin për fron dhe fqinjët tanë pranuan kompromisin, vasalitetin, zgjatën kokën me bindje përpara satërit dhe lakut turk.

Koha na ndëshkoi me pa të drejtë, por dhe ne më vonë për efekt të incidenteve, rastësore kohore, në vorbullën e rrëmbyeshme ndëshkuam veten. I lidhjes zinxhir të pasgjidhshmësisë, destinimit, rrëmujës edhe paradoksit. Paradokset vazhduan në rrjedhën e turbull të viteve, e vazhdojnë sot e kësaj dite, ngrehim, lartësojmë, rrëzojmë, shkatërrojmë, heronj, figura dhe mite. U japim botës me zemërgjerësi të marri, qeshim pa ditur përse dhe hamë veten pa ditur se çfarë kërkojmë.

Të tjerët nuk kanë të shkuar dhe histori, se janë të rinj. Logjikisht mundohen ta krijojnë, ta ngrenë prej hiçit dhe të mburren me të, duke vënë kudo shënime në pllaka përkujtimore dhe përmendore. Ne shkulëm pllakat përkujtimore dhe rrëzuam përmendoret. I injoruam ato, i përbuzëm, i rrëzuam. Shkatërruam gjithçka që ngriti dhe ndërtoi mbreti Zog. Ai nuk ish i pikuar prej qiellit, por qe rezultati dhe mesatarja e kohës në të cilën jetoi, punoi dhe mbretëroi. Figurat e ndritura si Gjegj Fishta, Thoma Orogollaj, Mustafa Kruja, e shumë të tjerë. I pështymë, i mohuam, i burgosën, i pushkatuam, i flakëm nëpër lumenj dhe humnera të mos u gjendej asnjë eshtër, as nami dhe nishani. Ngritën kulte të tjera i bëmë Zota. I rrëzuam dhe këta, i burgosën, i torturuam, i pushkatuam.

Sikur kuajt të dinin të vizatonin, ata me siguri perënditë e tyre do ti bënin që tu ngjisnin kuajve.’ Ka thënë filozofi i lashtë, Ksenofani i Kolohonit.

Por historia, jo marrëzia. A mund ti ngrihet një turbe dhe të bëhet shenjtor pushtuesi, sulltani Murat që u vra prej shqiptarit Millosh. Sulltan Murati punoi për Turqinë, le ta vlerësoje Turqia. Ky gjakatar ish pushtues jo shenjtor, solli errësirën që ngriti male me koka të pafajshëm? Sulltanët e tjerë shkatërruan gjurmët e civilizimit, dogjën kështjellat, mburojat e maleve tona, morën jeniçerë dhe nëpër hareme fëmijët dhe lulen e kombit. Zhytën Shqipërinë në errësirën më të madhe të pushtimit, vrasjes, shkatërrimit, nxirosjes dhe të zhvleftësimit! Që të bësh shenjtor pushtuesin për shkak servilizmi, budallëku, maskarallëku dhe mungesë identiteti, duket të mohosh historinë, të përmbysësh qëndresën, të ngresh nga balta të vrarët dhe ti rivrasësh martirët e heronjtë e kombit.

Turqia na mbajti 500 vjet të pushtuar. Një periudhë tmerrësisht e gjatë pushtimi. Turqia shfrytëzoi pa mëshirë, thithi, palcën e vlerave dhe bijve më të mirë të vendit. Më thoni ju lutem çfarë vepër, a ndryshim bëri, apo ngriti në Shqipëri? Veç terr obskurantizëm dhe mjerim. Turqia që të mbahet mënd, përveç se ngriti xhami dhe turbe. Të mohosh gjakun e derdhur, nderin dhe dinjitetin, luftën, martirët që vranë dhe ju rrjepën lëkurët në Anadoll, shumë bukur mund të nëpërkëmbësh heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, kalorësin, mbrojtësin e Evropës dhe luftën e tij heroike 25 vjeçare…

Gjithnjë kanë qenë në përgjim dhe dashakeqësi fqinjët tanë serbë a grekë. Ata ngrihen e shfrytëzojnë rastin dhe “pohojnë” se kreshnikët e maleve shqiptare: Muji e Halili, Gjergj Elez Alia, si e shumë të tjerë kreshnikë të gurës dhe traditës Shqiptare dhe mbi të gjitha; Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (alias Jorgjo Kastriotis) na qenka një “hero i madh grek”, një “feudal grek i helenizuar mesjetar”. Ata duan të bëjnë të njëjtën gjë siç morën i greqizuan heronjtë suljotë të revolucionit grek. Të cilët i dhanë lirinë Greqisë si; Marko Boçari, Bubulina, Xhavellat. Kundriotët e shumë e shumë të tjerë. Siç morën dhe greqizuan të gjitha veshjet e mrekullueshme, këpucët me xhufka të kuqe, doket dhe zakonet tona. Dhe ne nuk kemi zë të flasim të themi këtë të vërtetë me zë lartë, edhe pse tani është ‘demokraci.’

Për fat të keq dhe për marrinë tonë, Shqipërisë, mëmëdheut tonë të dashur që i ka rezistuar shekujve dhe rrebesheve si rrallë popull tjetër, i kanë vjedhur dhe po i vjedhin përditë historinë dhe vërtetësinë e pa mohueshme, atë para Krishtit dhe atë pas Krishtit. E përvetësuan grekët Aleksandrin e Madh të Maqedonisë. U turrën dhe përvetësuan heroikën, madhështinë, mendjemprehtësinë e Pirron e Epirit, sepse nëpërmjet tij duan të përvetësojnë dhe ta quajnë troje greke gjithë Epirin.

Tani ata dëgjojnë dhe shohim se çfarë po ndodh në trojet shqiptare. Na nervozon dhe indinjon pafytyrësia e politikanëve, mefshtësinë e pseudo intelektualeve dhe marrëzia e fanatikëve dhe injorantëve. E shohin me trishtim pafuqinë dhe indiferencën e historianëve, intelektualëve, prandaj të tjerët kërkojnë të përvetësojnë historinë e lavdishme, Skënderbeun luftën e pashoqe dhe sakrificat sublime…

Dhe kur nuk mundin ta bëjnë të tyrin NËNË Terezën dhe as të madhërishmin Skënderbe, rrëzojnë dhe krijojnë përçudnime të ndyra…

Po kjo e fundit ç’të jetë? Kur e pagëzuan dhe politikanët tanë?

Maskarallëk mefshtësi, idiotësi, servilizëm, poshtërsi. Ju lutem më thoni çfarë emri ti vëmë?! Po ne kaq të pazotë jemi?!