Shkruan: Florim Zeqa, 09.08.2019
Si rezultat i zhgënjimit nga kuvendi i fundit të ashtuquajtur të LDK-së, vërehen levizjet e para të simpatizuesve dhe elektoratit të LDK-së. Pa dyshim se ato levizje janë më të theksuara në drejtim të partive tjera dhe nismave qytetare.
Kësaj radhe pakënaqësia dhe revolta e votuesve të LDK-së, më e madhe se ndaj kryetarit të sapo emëruar është ndaj mashtruesve që deri dje çirreshin dhe shtirreshin kinse janë kundërshtarë të klanit të Isa Mustafës, të cilët pas rinominimit të tij edhe për një mandat (të tretin më radhë), të ngazllyer i ranë në përqafim diktatorit per t’i uruar fitoren dhe pritnin në radhë për të bërë foto-“selfije” për fitoren “historike”.
Këto skena të llahtarshme do të mbesin të pashlyera në kujtesën e elektoratit të zhgënjyer rugovian. Ishte tepër e dhimbshme për elektoratin dhe simpatizantët e flaktë të frymës rugoviane të shihnin në përqafim me Isa Mustafën idolët e tyre të deridjeshëm, që ua mbanin gjallë shpresat me premtimin për ndryshime.
Të rebeluarit e rrëjshëm kundër Isa Mustafës, për interesa personale dhe ambicie pushteti brenda ditës u konvertuan në mbështetës të kryetarit të sapo ri-emëruar.
Ky është pak më tepër se mashtrim, është tradhti e pastër që matrapazët politik, të maskuar si “kundërshtarë” të kryetarit dhe “reformator” i bën elektoratit rugovian të LDK-së.
Pas kësaj tradhtie, elektoratit dhe simpatizantëve të zhgënjyer e thyer shpirtërisht të LDK-së i kanë mbetur dy rrugë e një mundësi. Të ndjekin rrugën e matrapazëve apo të largohen nga LDK-ja.
Megjithatë ekziston mundësia që të qëndrojnë të palëkundur si elektorat besnik i vizionit rugovian, që ndëshkon më votë pengmbajtësit dhe matrapazët politikë që shitën lëkurën e tyre për privilegje pushteti tek kundërshtarët e LDK-së rugoviane dhe tradhtarët e interesave shtetërore.
Është në dorën e elektoratit të pastër rugovian që në zgjedhjet e parakohshme të ndëshkojë me mos votim abuzuesit e vullnetit të tyre në kuvendin e IX-të zgjedhor, që të ndëshkojë me mos votim abuzuesit që po thirren në unitetitn e brendshëm të LDK-së pas përçarjes së madhe që i shkaktuan më 3 gusht 2019.
Pai të bashkuar përkrah njëri-tjetrit janë vetëm mashtruesit dhe lakmitarët e pushtetit, por jo edhe elektorati i LDK-së në misionin e tyre.
Thirrje elektoratit rugovian
Elektorat besnik i vizionit rugovain në LDK, zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme që ka mbetur për t’i larguar nga skena politike e LDK-së uzurpatorët dhe puçistët, matrapazët dhe varrëmihësit e filozofisë politike rugoviane.
Vllëzër e motra dardane, mos u largoni nga LDK-ja pa e shfrytëzuar edhe mundësinë e fundit për ndryshime. Zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme dhe ideale pas kuvendit mashtrues që të largoni sojin e keq që ngufati vullnetin e juaj duke ua mohuar shprehjen përmes votës së lirë, si aktin më të lartë të demokracisë së një vendi.
Le të jenë zgjedhjet e parakohshme nacionale një referendum për elektoratin e LDK-së.
Elektorat i LDK-së mos u mashtroni edhe më tutje me gënjeshtrat e klanit puçist, se kinse nuk do të bëjnë koalicion me këtë apo atë subjekt politik, se do bëjnë këtë apo atë.
Mos u mashtroni as në emra sorrosian që ju ofron klani puçist kinse për kryeminstër të ardhshëm të vendit, për shkak se pikërishtë aty qëndron mashtrimi që kanë përgatitur kësaj radhe për ju.
Klani puçist me sloganin “Lidhja” ka kohë që nuk punon për të mirën e LDK-së. E gjithë strategjia e tyre është e orjentuar kah pushteti. Drejtuesit e këtij klani mendjen nuk e kanë tek qytetarët, por tek milionat që ua siguron i ëmbli pushtet.
Prandaj, nëse dëshironi të bëni shkëputjen në mes klanit puçist dhe frymës rugoviane në LDK, ndëshkojeni me mos votim listën zgjedhore të klanit puçist, të klanit që theu shpresat e juaja dhe qytetarëve të vendit në disa palë zgjedhje rresht.
Mos votimi i klanit puçist, përkatësisht bojkotimi i zgjedhjeve të kurdisura, do të ishte përgjigja më e mirë ndaj kapësve të LDK-së dhe shtetit në përgjithësi.
Elektorat i pastër rugovian, të paktën kësaj radhe, mos lejoni që më votën tuaj klani puçist t’i dërgojë edhe një herë tri shkrojnat e arta në shtratin e SHIK-ut.
Le të shkojnë vetë ku janë nisur e të bëjnë çfarë të donë matrapazët politikë, por ju mos u bëni krushq të një martese të re PDK-LDK.
Me mos pjesëmarrje në zgjedhjet e kurdisura do t’i shpëtoni mallkimit të historisë dhe do t’i hapni rrugë një ndryshimi të madh nesër.
Ka ardhur koha që më përbuzjen më të madhe të ndëshkohen me mos votim dhe bojkotim të zgjedhjeve matrapazët politikë që nuk lanë gjë pa bërë duke u thirrur në emrin e tri shkronjavet të arta “LDK”.
Të ndëshkohen ata që për 11 vite pas pavarësisë (në dy mandate qeverisëse) punuan vetëm për interesat e tyre, u ngriten në karrierë dhe u pasuruan, punësuan familjarë dhe farefisin e tyre në institucione shtetërore, duke e lënë në harresë të plotë elektoratin e LDK-së.
Ky soj i keq i politikanëve, që elektoratit i ofrohen vetëm në prag të fushatave zgjedhore, sa për ta mashtruar dhe rrëmbyer votën duhet të ndëshkohen e jo të ndihmohen në misionin e tyre.
Ky soj i keq i politikanëve që nuk mbajnë fjalën dhe premtimin e dhënë e meritojnë ndëshkimin e elektoratit rugovian të LDK-së.
Lexues të këtyre rreshtave, edhe pse kësaj radhe nuk u lëshova në emra të përveqëm, besoj që e keni kuptuar më qartë se asnjëherë më parë qëllimin dhe mesazhin e këtij shkrimi.
Reagimet e “buta” të ditëve të fundit nuk janë personale, janë në funksion të vetëdijësimit akoma më të madh të elektoratit rugovian që mos të bie në grackën e mashtruesve ordinerë, që për qëllim kanë pushtetin përmes shtratit të SHIK-ut, e jo mbrojtjen e interesit të shtetit siq trumbetojnë parreshtur.