IDRIZ ZEQIRAJ
Ishte një interesim i veçantë, për Kuvendin Zgjedhor të LDK-së. Edhe mediet e bënë namin. Dhe, fundi ishte: “U mbars mali dhe polli një mi!”
Kam qenë delegat i tri Kevendeve radhazi. Asnjëri nuk ka qenë për “marshallah”. Por, ky i fundit kulmon me zhgënjimin e madh. Kjo u vërejtë edhe në fytyrat e delegatëve, pjesëmarrja e të cilëve ishte e tepërt, meqë nuk thanë asgjë dhe nuk u pyetën për asgjë! Kësaj i thonë: “Shko e eja si Adem Peja!” Gjithçka ishte vendosur paraprakisht, siç është më se keqi për LDK-në dhe, rrjedhimisht, edhe për Kosovën.
Emërimi i Kryesisë së Punës, ishte parathënia e një cenzure tipike, ultra-moniste. Të gjithë anëtarë të Kryesisë dhe asnjë nga delegatët rishtorë. Madje, vet kryesuesi i tavolinës, ishte kapoja i klanit. Dhe, për mua, kjo garniturë, ishte shqetësuese, krejt e papranueshme.
Reagova zëshëm, nga salla. Një gazetar fisnik më ofroi mikrofonin dhe, veç tjerash, thashë se, të paktën, sot, për disa minuta, duhet të jemi të barabartë. Kryesia të propozohet nga delegatët në sallë. Debati, konkurrenca e ndershme, votimi i fshehtë demokratik – janë tri parimet bazë të demokracisë. Uroj t`i aplikoni, zbatoni sot, në këtë Kuvend. Praktika që ju keni zgjedhur, është moniste, staliniste.
Miku im Bahtir Kastrati, delegat nga Beneluksi, më tha: “S`ka gjë, kjo është veç kryesi e punës!” Keqardhje, pse kryetari i LDK-së në Beneluks, nuk kuptonte se sot ka vetëm monolog. Dhe, ashtu ndodhi!
Rrjedha “kuvendore” vërtetoi shqetësimin tim të shprehur dhe të përsëritur, për një muaj radhazi në media, se “frika e ndarjes”, është e stisur, e shpikur, e shpifur nga klani brenda Kryesisë Qendrore. Qëllimi: ngrirja formale në krye të LDK-së të Isa Mustafës, për ta vazhduar sundimin klanorët rreth tij. Dhe, ashtu u bë, mjerisht!
Të jemi realistë: Nënkryetarët nuk vijnë nga rruga. Përkundrazi, janë familje konak. Agim Veliu është djalë i një babe të zëshëm në Llap e Gollak dhe më gjerë. Edhe vet Agimi ishte i shënjestruari i SHIK-ut. Lutfi Haziri kishte një baba të vyeshëm e fisnik, veprimtar i Mërgatës, fort i angazhuar për mbijetesën dhe çlirimin e Kosovës. Haki Rugova, pinjoll i Familjes Institucion Rugova, me meshkuj të flijuar për Atdhe, me një histori tej dy shekullore, me burra të vrarë dhe pa varre, pëfshi edhe dy prindërit e tij. Që të tre kuadro të Ibrahim Rugovës. Madje, shumë të suksesshëm në drejtimin komunave nga vijnë. Edhe anëtarët tjerë të kryesisë, që nuk janë pjesë e klanit, punojnë me përkushtim, për LDK-në dhe Kosovën.
Por, pritshmëria e delegatëve, anëtarësisë, elektoratit, si edhe e shqiptarëve, në Kosovë dhe botë, ishte për reforma, ndryshime, pa përjashtuar as të lakuarit, për ta realizuar unitetin partiak e kombëtar dhe ngritjen e LDK-së në vendin që i takon. Dhe, unë që kundërshtova zënien e vendit në kryesinë e punës së Kuvendit, jo vetëm që nuk kisha asgjë personale me ata, përkundrazi, disave prej tyre ua kisha dhënë edhe votën time, për kryetar të LDK-së. Por, në parim, kryesia e punës duhej të zgjidhej nga delegatët dhe jo të emërohen nga kryetari në largim.
Fjala e kryetarit Mustafa ishte e zbehtë, duke shmangur një raport të mirëfilltë, që, zakonisht, kërkohet ndërmjet të dy kuvendeve. Dhe, kjo shpjegohet me faktin se ai me klanin e tij bënë shumë gabime, deri në faje. Veç tjerash, aprovimin e “Zajednicës”; nënshkrimin dhe aprovimin e Demarkacionit; zgjedhja e dy kryekriminelëve Hashim Thaçit e Kadri Veselit, përkatësisht, president e kryeparlamentar; aprovimin e shpenzimeve, për mbrojtjen e kriminelëve në Hagë, që, njëkohëshëm, eshtë edhe rehabilitimi i tyre; fillimi i pagesës të 33.300 “veteranëve” të rrejshëm, duke e dëmtuar buxhetin shtetëror, si dhe sigurimin e klientelës elektorale, për partinë-bandë AAK-në; shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, kur ai po hetonte “pedagogët” e SHIK-ut, për diplomat e blera, e tjera batakçillëqe.
Procedimi i punës të Kuvendit, paralajmëronte përjashtimin e debatit, të konkurrencës së mirëfilltë, të votimit demokratik. Këtu reagoi kandidati për kryetar të LDK-së, Fatmir Sejdiu. Koritet, më saktë, turpërohet kushdo që akuzon ish-Presidentin Sejdiun, për sjelljen e tij në “Kuvend”. (E thojëzoj, sepse asnjë element kuvendor nuk ka pasur.) Flala e Fatmir Sejdiut ishte korrekte, e qartë dhe shumë domëthënëse.
Ai tha se është shkarkuar nga Presidenti, pse nuk ka aprovuar 6 pikëshin e Baki Munit. Por, nuk shtoi atë akuzën e tij, të bërë për PAN-istët e sotëm se “veprimtarët e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës, nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët”. (Lexo: Isa Mustafa tha se unë besoj fuqishëm në pafajësinë e të akuzuarit. Fjala ishte për një kryekriminel, vrasës të shqiptarëve, për motive politike, më sakt, për pushtet!) Nuk e tha as atë, që na kishte thënë në një pritje, të bërë Kryesisë të Degës të LDK-së, në Gjermani, duke u betuar edhe në fëmijtë e tij se “mua me ka shkarkuar nga president Hashim Thaçi, në bashkëpinim me ish-këshilltarin tim, Isa Mustafa”.
“Hiç një kashtë, e dalin gjashtë“, – thotë populli. Është fakt se Isa Mustafa erdhi në krye të LDK-së, nëpërmjet protestave të organizuara nga SHIK-u. “Duam Isa Mustafën kryetar të LDK-së”, thërrisnin bulevardeve të Prishtinës, njerëz shumë të dyshimtë! Në varjen e afisheve janë filmuar edhe militantët e SHIK-ut!
Kërkesa e kandidatit Sejdiu, për heqjen e kushtit linçues 50+1, ishte kërkesë edhe e delegatëve. Kur unë kërkova heqjen e kushtit monstrum të klanit Mustafa, pra, 50+1, siç kishim vepruar në Kuvendin e Degës tonë në Gjermani, sepse ai përjashton konkurrencën, delegatët aprovuan me duartrokitje.
Por, kryesia e punës, me “kokëfortësinë e mushkut”, “bëri veshin e shurdhër”, nuk e pranoi. Sepse, humbja ishte e sigurtë për Isa Mustafën, në votim të fshehtë, madje, më këdo që do të përballej. Njësoj si Presidenti Ramiz Alia, që e humbi garën për deputet, më 1991, me një inxhinier, që as banorët e pallatit ku banonte, nuk ia dinin emrin!
Fjalën e kërkoi edhe Milihate Tërmkolli, bashkëpunëtorja e afërt e Dr. Ibrahim Rugovës. Ironi unike! Vajza trime, Melihate Tërmkolli, përkrah heroit UKë Bytyçi e Zymer Lulaj, u shquan ndër 10 delegatët e Kuvendit, të cilët kundërshtuan heqjen e Autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, sot, sfidohej me mohimin e fjalës në Kuvendin Zgjedhor, pikërisht, nga ai që ndryshe mendonte, më saktë, vepronte.
Shokon përfaqësuesi i Kryesisë, në debatin T7, në mbrëmjen e 5 gushtit: “Tërmkolli mund të mos jetë vërejtur se ka kërkuar fjalën!?!” Edhe gënjeshtra duhet të këtë një kufi!
Kryesuesi i punës në “Kuvend” tha se votimi i hapur, aklamativ, për të dy kandidatët, do të bëhet ndaras, veç e veç. Së pari, zoti Mustafa; së dyti, zoti Sejdiu!!?
Unë, përsëri, reagova zëshëm e thekshëm: Konstatoj se shumë më i lirë, shpirtërisht dhe mendërisht, kam qenë unë në Burgun e Burrelit, siç njihet në botë “Burgu i Vdekjes”, ku uria ishte e gjithmonshme dhe dajaku normë, ku 5 (pesë) dyer të hekurta, të mbyllura me dryna, ndanin mini-oborrin për ajrosje pak minutshe, me mure 6 metra të lartë, nga ku shihej vetëm Bjeshka e Macukullit dhe qielli, se sa delegatët, të kollarisur dhe të hekurosur në rroba e fytyrë, në sallën komode të Hotel “Emerald”! Më neveritë frika e juaj, delegatë të këtij “Kuvendi farsë”! Mos heshtni, kundërshtoni këtë maskaradë “zgjedhore”. Pendesa do të jetë e pashmangshme!
Për habinë time, disa më kishin keqkuptuar mua: Sikur, me ragimet e mia, të përsëritura, po mbështesja kandidatin Fatmir Sejdiu! Realisht, mua më shqetësonte shkelja e parimeve më elementare, në rastin konkret, kushti i qëllimshëm e monstrum, 50+1, të cilin nuk e kishim pranuar në Degën tonë në Gjermani dhe votimi aklamativ, që është hiç demokratik dhe supër-kriminal, i kohës skëterrë rankoviçiane.
Jo, votimit ndaras! I futni të dy kandidatët për kryetar, në votën e fshehtë demokratike, – apelova, bëra thirrje unë. Delegatët aprovuan propozimin tim me duartrokitje. Por, kryesia e punës heshti, turpshëm e kriminalisht. Ajo shpërfilli, madje, pa vrarje ndërgjegjeje, vullnetin e delegatëve, rrjedhimisht, të anëtarësisë të LDK-së!
“Kuvendi” shënoi një shkelje të rëndë dhe për këtë ka kërkuar një përgjigje edhe veprimtarja më cilësore, për çështjen e Kosovës në botë, Donikë Gërvalla. Ka shpërputhje të numrit të delegatëve, me numrin e votuesëve. Sipas një përfaqësuesi të Kryesisë të LDK-së, vetëm një delegat ka votuar kundër Isa Mustafës kryetar!? Dhe, ai isha unë, sepse u ngrita në këmbë, me dorën lartë. E vërteta është se komplet delegatët e një Dege, nuk e kanë votuar Isën, por, ka pasur edhe shumë tjerë.
Sërishmi, reagova dhe qortova ashpër, tashmë, delegatët në tufëzim: Ju që ngrisni duartë si robotër, nga frika, nesër do të pendoheni. Çfarë fytyre keni të dilni para anëtarësisë, elektoratit. Jeni ju ata që do të përballeni me anëtarësinë, sepse ju kanë dhënë besimin e përfaqësimit. E dini ju se do të keni të vështirë t`i motivoni për votim anëtarësinë në zgjedhjet e radhës?! Ndërkohë, ju po e keqpërdorni votën e shenjtë, për t`i mbajtur klanorët në sundim të partisë, të cilët e kanë privatizuar LDK-në, dikur krenare, ndërsa sot të përtokur, të përbaltur.
Çfarë të drejte ka Kryesia në largim, për të bërë marrëveshje konsensuale, për ta zgjedhur kryetarin e ardhshëm të LDK-së dhe strukturat e partisë! Ky është provokim i rëndë, që duhet ta denoncojmë dhe stopojmë. Përse kemi ardhur ne, delegatët, sot, në Kuvendin Zgjedhor?! Për të bërë argatin e dreqit?admin! Pse heshtni? Pse votoni me shantazhim e detyrim? Pse jeni kaq të tmerruar nga klani, shpërdorues i demokracisë, imponues i autokracisë staliniste? E turpshme!
Unë, po të kem frikë nga partia ime, siç keni ju, as edhe një ditë nuk kisha qendruar në LDK.
Kryesia e punës u bë qesharake, kur edhe pas emërimit të dhunshëm tëIsa Mustafës “kryetar” të LDK-së, thërriste: “Kush don me kandiduar, për kryetar të LDK-së, lë ta paraqesë tani kandidaturën!!!”
Edhe pse kandidatët e Këshillit të Përgjithshëm, nuk u propozuan nga salla e “Kuvendit”, por, u lexuan të listuar, përzgjedhja më duket më reale. Ky opinion është relativ, ngaqë jo të gjithë i njoh. Ndonëse nuk kishte kundër-kandidatë, unë propozova shtimin e tyre dhe futjen në grup në votimin e fshehtë e demokratik. Delegatët “u ndjenë të gjallë”, me duartrokitje aprovuese. Por, Kryesia e Punës, as duartrokitjet zhurmuese nuk i “dëgjoi “!
Për fund, reagova, duke humbur sensin e masës: Ju, sot, votuat humbësit e mëdhenj, humbësit serikë të të gjitha zgjedhjeve nacionale. Me klane nëpër këmbë, LDK-ja nuk ka ecje të lirë dhe progres. Ju jeni frikacakë, o skllevër të shekullit digjital! Turp të keni!
Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së, ishte farsë e vazhdë i dy “Kuvendeve” paraprake, 7 dhe 8. Shkurt, ishte Kuvendi zhgënjyes i radhës. Keqardhje e dhimbje, deri në lot. Si mësues gjimnazi e gazetar profesionist; si pinjoll i një familje, që është përgjakur në të gjitha sistemet pushtetare, përtej një shekulli dhe ka filluar burgjet politike në vitin 1945, duke u liruar i fundit i familjes tonë më 1991; si shok klase dhe mik i hershëm i Ibrahim Rugovës, e përjetoj rëndë, përtokjen, përdhosjen dhe degradimin e skajshëm LDK-së zëmadhe të Presidentit Rugova.
Megjithatë, për ndryshim nga partitë-banda, të tufëzuara në PAN-in kriminal, LDK-ja ka qenë dhe mbetet më e mira, më serioze dhe më e përkushtuara. LDK-ja bëri Paqen dhe Luftën. Ajo krijoi formacione ushtarake luftë-bërëse, kundër pushtuesit, për çlirimin e Atdheut – Kosovë. Përkundër, LPK-së të djeshme, PAN-it të sotëm, që organizoi bandat, në strukturë vrastare të shqiptarëve, përkatësisht, të veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, që mblidhet ditën e nesërme, nuk duhet ta përsësisë fiaskon dështuese të delegatëve të 3 gushtit 2019. Ai duhet të jetë në nivelin e besimit të dyfishtë: të Anëtarësisë dhe të Delegatëve të LDK-së. Është detyrë e këtij Këshilli t`i disiplinojë, t`i stopojë, frenojë klanorët, në revanshin e tyre, ogurzi, në privatizimin e partisë, LDK-së.
Zhbërja e klanit aktual, është obligim, detyrë parësore e të gjithë përfaqësuesëve të zgjedhur nga anëtarësia, siç janë delegatët. Është përgjegjësi e lartë e strukturave të partisë, ta zhbëjnë rrjetin klanor, që, si marimangë, ia ka zënë frymën partisë. Shpronësimi i LDK-së, është aq akut, aq i domosdoshëm, sa edhe çkapja e Kosovës nga kryekriminelët e PAN-it: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe bandat e tyre vrasëse, korruptive e haraçiste
LDK-ja, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm i saj, nuk duhet të sillet si delegatët e 3 gushtit, sikur Kosova ka mbetur në bujq e barinj dhe të bëhen, si “pula të lagura”, duke aprovuar vazhdimin e despotizmit klanor e nepotik, në kundërshti të hapur me anëtarësinë dhe demokracinë. LDK-ja, parti akademike, i është dorëzuar një komande mediokre, rast unik për shekullin kozmik.
Ne që kemi ndjesinë njerëzore, jemi pjesë e vuajtjes të Familjes Mustafa, për sëmundjen që e ka pllakosur kryezotin e saj, Isa Mustafa. Dhe, urojmë, sinqerisht, për shërimin e tij të shpejt. Kemi punuar vite të tëra në Mërgatë. Kam njohur djemtë e tij rinorë në Tiranë, që, pahamendje, janë të shkëlqyer dhe me një edukatë supreme. Prandaj, është kërkesë e anëtarësisë, elektoratit, por edhe e shqiptarëve të kudondodhur, që Isa Mustafa, me ata që e rrethojnë, të reflektojnë, pikërisht, tani, në të mirë të LDK-së dhe të Kosovës. Reforma kadrovike, është një cytje e drejtëpërdrejtë, për mobilizim e kurajo gjithë-partiake.
Nëse partitë-banda të koalicionuara në PAN, votojnë për kryebanditët e tyre, anëtarësia e LDK-së nuk voton për kryetarin apo kryesinë, por, voton për parimet bazë dhe besimin absolut, se, pavarësisht, kryesimit të saj, ajo mbetet LDK-e e besës dhe e shpresës, – siç e ka cilësuar themeluesi i saj, shtet-bërësi i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Dorëheqjet nuk janë zgjidhje. Kemi mirëkuptim për pakënaqësitë e ligjshme. Por ato duhet të “administrohen” me kujdes, durim e besim. Duhet të jemi gjithnjë kontribues, në mjediset ku jetojmë, për ta begatuar LDK-në me anëtarë të rinj, për t`i kthyer në gjirin e partisë të bërryluarit dhe të hatëruarit, duke ngjallur shpresë e besim, se LDK-ja ka qenë e mbetet e denjë, për të qeverisur dinjitetshëm dhe me atë përgjegjësinë, që na ka mësuar hyjnori ynë Rugovë.