ETNIFIKIMI I POLITIKËS

0
746
Nikë Gashaj

Nikë Gashaj

Implozioni i socializmit ka shkuar në mënyrë simultane me eksplodimin e nacionalizmit. Shkatërrimi i socializmit, veçanërisht në shoqëtritë multietnike dhe shtetet federative, pjesërisht ka qenë i shkaktuar, dhe gjithsesi i shpejtuar, nën presionin e një vale të re dhe të fuqishme të nacionalizmit. Njëri nga historianët më të njohur, Erik Hobsbaum, nacionalzimin bashkëkohor postkomunist e ka quajtur nacionalizëm separatist.

Nga ana tjetër, rënia e socializmit ka pasur edhe domethënien e rënies së një sistemi të tërë të vlerave, çka ndër të tjera e ka hapur dhe shtuar krizën e identitetit kolektiv. Nacionalizmi është në të vërtetë njëri nga përgjegjësit mbi krizën e identitetit kolektiv, që i ka kapur shoqëritë e shumta bashkëkohore.

Në shoqëritë ekskomuniste liderët dhe elitat e reja politike e kanë grabitur atë resurs të identitetit, të cilin e kanë pasur më së afërmi dhe më së lehti për ta aktivizuar. Mirëpo, duhet të theksojmë se as masat nuk janë krejtësisht të pafajshme dhe sjelljet e tyre të shpeshta militante, agresive dhe jotolerante, janë së gjithash ndaj pjesëtarëve të kombeve të tjera nuk mund të jenë të shpjeguara dhe të arsyetuara.

Mobilizimi i resursit të identitetit nacional ka qenë i mundur edhe për shkak të instrumentalizmit relativisht të lehtë të ndjenjave nacionale për sendërtimin e qëllimeve politike të caktuar dhe para së gjithash redistribuimin dhe alokacionin e ri të forcës politike dhe për vendosjen e formave të reja të dominimit politik.

Teza e sociologut të njohur politik nga Gjermania, Claus Offe, mbi etnifikimin e politikës (“ethnification of the politics”) në një mënyrë shumë adekuate e shpjegon atë çka veçanërisht ndodh në shoqëritë në tranzicion. Autori në fjalë tregon se etnifikimi i poltikës paraqitet si diçka tragjike në mikroplanin individual dhe në makroplanin kolektiv.

Teza mbi etnifikimin e politikës e zhvlerëson besimin, i cili ka qenë gjerësisht i përhapur se koha e nacionalizmit ka kaluar përgjithmonë dhe se tani gjendemi në periudhën e shoqërive multinacionale dhe multikulturore dhe që po ashtu jemi në prag të erës postnacionale.

Në qoftëse e pranojmë intencën e tezës mbi etnifikimin e politikës atëherë duhet të pyesim, a ekzistojnë disa arsye të thella të rritjes së re të nacionalizmit, i cili gjithësesi është më evident në vendet postkomuniste, por si fenomen është i pranishëm edhe në shumë vende të demokracisë perëndimore.

Manifestimi i përleshjeve ndërnacionale si konflikt i identiteve

Në kushtet e etnifikimit të politkës vijat kryesore të ndarjeve politike dhe format kryesore të përleshjeve kryesore, bëhen konflikte të identiteteve kolektive. Për dallim prej konflikteve të zakonshme të interesave të ndryshme, konfliktet e identiteteve (në këtë rast konfliktet etnike) kanë disa cilësi specifike, të cilat kanë mundur të vërehen qartë në mapën e konflikteve të ish Jugosllavisë socialiste.

Cilësia e parë dhe më e dukshme e konfliktit të identiteteve në përgjithsi, ndërsa të konflikteve etnike veçanërisht, është një ngarkesë e madhe emocionale, një novel i lartë i pasioneve dhe i ndjenjave të të gjithëve, ose të shumicës së akterëve të përzier në konflikt.

Mu për këtë arsye ato lloje konfliktesh shpesh, në mënyrë jo adekuate, quhen konflikte iracionale. Ndarja sipas së cilës konflikti i interesave materiale i takon grupit racional, ndërsa konfliktet ndëretnike i përksain grupit të përleshjeve iracionale nuk është e saktë, sepse nuk është fjala mbi kundërshtimet dhe dallimet mbi cilësitë racionale apo iracionale të konflikteve, por për faktin se për kuptimin e konflikteve etnike komponenta racionale nuk është e mjaftueshme.

Përndryshe, emocionet dhe përmbajtjet e tjera të pranishme mbi këtë lloj të konflikteve nuk duhet të jenë, parimisht ato as nuk janë iracionale. E dyta, në konfliktet e identiteteve si ato individuale dhe kolektive, shpesh mund të vërehet gadishmëria e palëve në konflikt të sakrifikojnë interesat e veta ekonomike dhe të tjera (madje dhe jetën) nëqoftëse e vlerësojnë se realisht ose potencialisht iu është rrezikuar identiteti.

Ashtu ndodh që sjelljet e akterëve në konfliktin ndëretnik na duken iracionale, si dhe drejtpërsëdrejti të dëmshme për ata vetë, ndërsa në të njëjtën kohë aketerët në konflikt ose ato të cilët e mbrojnë pozicionin e tyre, gjejnë arsyetime për sjelljet e tilla duke u thirrur në pozicionin dhe pikëpmajet emotive, morale dhe historike, apo të një sistemi të vlerave në përgjithësi.

Cilësia e tretë e këtyre konflikteve lidhet me atë të sipërpërmendurin. Prania e pasioneve dhe e ndjenjave me një intensitet të lartë, e kushtëzon dhe e shpjegon pjesërisht faktin se fjala është për tipin e konflikteve që mund të quhet eskluziv.
Ato janë konflikte shoqërore të cilat parimisht i përkasin tipit të konflikteve ose/ose, respektivisht janë konfliktet në të cilat shkalla e eskluzivitetit është jashtëzakonisht e madhe, në njërën anë ndërsa niveli i tolerancës në anën tjetër, është shumë i ulët.

Përndryshe, rrezikimi i identitetit social të ndonjë grupi shoqëror shpie deri te reaksione të ngjashme si dhe situata të rrezikimit të identitetit të individit, i cili angazhohet me tërë fuqinë e vet për mbrojtjen e identitetit personal.

Multikultura dhe politika

E katërta, cilësi me rëndësi e konfliktit të identiteteve, në kuadër të saj dhe të përleshjeve ndërnacionale apo etnike është edhe prania e rolit të frikës. Ajo është frika nga tjetri, frika nga grupi etnik i cili konsiderohet si kundërshtar. Dhe sikurse në organizimin e njëriut elementet e kanosura në situatat e rrezikshme me të shpejtë bëjnë sekrecion apo tajitjet e disa lëngjëve nga gjëndrrat e trupit, ashtu edhe në indin shoqëror disa bashkësi në kushtet e frikës bashkojnë një energji sociale, e cila pret për të eksploduar. Pa marrë parasysh se a është frika e arsyeshme ose siç ndodhë nganjëherë që ajo të rìtrillohet dhe të imagjinohet, ajo bëhet njësoj një fakt real dhe objektiv, i cili dikton sjelljen e grupeve etnike në konflikt. Konfliktet ndëretnike në hapësirën e ish – Jugoslavisë socialiste janë shembull i shkoqitur dhe i qartë që e verteton këtë. Një komponent i rëndësishëm i frikës është situata e pasigurisë, e cila bën një presion të rëndë në gjendjen psikike të njerëzve.

Kërkesa për vetëvendosje nacionale

E pesta, për arsye të një logjike të konflikteve të tilla “krejt ose asgjë”, hapësira për të gjetur një emërues të përbashkët ose zgjidhje kompromise është rreptësisht e zvogëluar, është vështirë për ta definuar dhe më vështirë për ta realizuar. Parimisht, ato janë situata në të cilat minimumi i kërkesave të njërës palë në konflikt kërkon lëshime apo koncesione maksimale të palës tjetër në konflikt. Një shembull tipik për këtë është kërkesa për vetëvendosje nacionale deri te ndarja apo shkëputja e cila në hapësirën e ish – Jugosllavisë socialiste palët në konflikt shpesh i ka prurë në një pozicion shumë të pavolitshëm përkitazi me mundësinë e zgjidhjes së konflikteve. Për ish republikat e Jogosllavisë dhe ish krahinën autonome të Kosovës, të cilat kanë dëshiruar të bëhen shtete të pavarura, kërkesa për vetëvendosje, nga këndi i shikimit të tyre ka qenë i arsyeshëm dhe legjitim.

Nga pikëpamja e të gjitha atyre forcave sociale, politike, nacionale dhe ushtarake në krye me udhëheqësinë shtetërore të Serbisë, të cilët gjoja e kanë mbrojtur unitetin dhe sovranitetin e bashkësisë së mëparshme shtetërore Jugosllave, kërkesat e tilla kanë qenë të cilësuara si secesioniste dhe të papranueshme.
Është e kuptueshme se ndërmjet atyre dy pikëpamjeve dhe qëndrimeve ka qenë vështirë që të vihet deri te zgjidhja kompromise, ashtu që të gjitha projektet mbi “federatën asimetrike”, “federatën – konfederatën” dhe “konfederatën” kanë dështuar relativisht lehtë.

E gjashta, konfliktet e identiteteve, veçanërisht konfliktet ndëretnike kanë paraqitur një veprim të rrezikshëm, të dëmshëm dhe shkatërrues, të cilat nëpërmjet një induksioni social i forcojnë ato ndjenja të cilat i kanë nxitur.

Njëra nga manifestimet e saj është edhe një zgjerim dhe përhapje e një sëmundjeje ngjitëse të solidaritetit të një rrethi më të gjërë të popullatës sesa ata të cilët me të drejtë do të mund t’i quajmë nacionalistë.

E shtata, konfliktet etnike në hapësirën e ish Jugosllavisë kanë treguar se pjesa e atyre që kanë marrë një pozicion neutral në konflikt ka qenë më i vogël dhe se me zhvillimin e konflikteve grupacioni i tillë e ka pasur gjithnjë e më të vështirë, veçanërisht ka qenë vështirë të mbetet neutral atje ku intensiteti i konflikteve ka marrë përmasa të mëdha.

E teta, në natyrën dhe në tiparet psikologjike të këtyre llojeve të konflikteve është e ndërtuar spiralja e rritjes, të cilën ka qenë vështirë për ta ndalur. Me fjalë të tjera, në qoftë se konflikti zgjat, atëherë ai fiton një përkrahje sociale më të madhe.

Ajo më tutje do të thotë se lloji i tillë i konfliktit është më lehtë të neutralizohet apo të amortizohet në fazat fillestare sesa më vonë.

E nënta, konfliktet e identiteteve, në rradhë të parë konfliktet ndërnacionale, fare lehtë mund t’i shmangen kontrollit. Historia është plot shembuj të cilët tregojnë se madje edhe ata të cilët e kanë nisur, ose që kanë dashur që me konflikte të tilla të manipolojnë, pas kalimit të një pragu të caktuar nuk janë në gjendje që një konflikt të tillë ta kontrollojnë apo ta ndalin.