“Vargje mbi lot Çamërie” – Agim Desku

0
1435

Dr. Zejnepe Alili Rexhepi

ÇAMËRIA – në vargjet e poetit

Vargje mbi lot Çamërie” është vëllimi i ri poetik i Agim Deskut, që më shumë se frymëzim poetik është identifikim i historisë shqiptare, i dhimbjes njerëzore për atë copë toke, të quajtur Çamëri. Ndër shekuj, për të, u sajuan histori përplot inskenime, drama e tragjedi që e harkojnë dhembjen dhe plagët shqiptare, kësisoj: “Një varg pa lot e me lot ma shkruaj”. Me intonacion e figuracion të goditur që e tipizon Çamërinë dhe fatin e kësaj pjese të kombit, dëshmojnë vargjet përgjatë tërë veprës. Janë dëshmi për kohë të vështira, tragjedi që nuk i shlyen koha…, kjo është e vërteta Çame!

Agim Desku, poet për fëmijë e të rritur, vargu i të cilit shpreh thellësi dhe vlera interpretuese, përpara lexuesit shqiptar dhe më gjerë është prezantuar me disa vepra. Ka botuar: “Pëshpëritje drite” (poezi për të rritur, 1995, Pejë), “Kënga e Pranverës” (poezi për fëmijë, Klinë, 1996), “Në cilin varg mbes” (poezi për të rritur, Pejë, 2007), “Dua të pi verë Çamërie”, Tiranë, 2011), “Vargje që sjellin lot Çamërie” (i dedikohet dhimbjes dhe plagës Çame), “Këngë Ilirshte”, 2015, “Monografi për mësuesin Tahir Abaz Berisha”, 2015, “Rrefej diellit”, Athinë, 2015 (përkthyer në gjuhën greke). Këto edhe e përbëjnë opusin krijuest të Deskut.

Në veprën e fundit “Vargje mbi lot Çamërie” hedh më shumë shkëndija për fatin ogurzi; ideologjitë e rafinuara që në mënyrë meskine fshehin të vërtetën; padrejtësitë dhe fatin tragjik të një pjese të kombit tonë, që vjen si një almanak kujtimesh përmes vargjeve.

Rrjedha poetike e atdhetarizmit, për poetin, është më shumë se emocion që vibron mbi ngjarjet historike, është revoltë e heroizëm, është mall e lot – vetë simbolika e sakrificës Çame. Jo gjithmonë fati ishte me ne! Kjo e bën poetin që herë të shkruaj vargun e zjarrtë e rebel, herë vargun urtak, me lutje e uratë.

Frymëzimi kombëtar, as që kërkon referenca historike për një poet, por mjafton atdhedashuria përtej nocioneve të ngurta, dhe bashkëndjesinë vëllazërore të qëndrueshme edhe pa sendërtime vargjesh mbi parime estetike, ashtu siç sajohet që nga poezia e parë “ Vargje mbi lot Çamërie” (9), identifikuese e tërë veprës që pothuajse është përmbledhur në këtë strofë.

Eh, Evropë mallkim e ferr burgu
njëqind vjet ëndërr mbeta
histori e pashkruar e atdheut tim
herë të lirë e herë të ndarë e të sharë.

(Vargje mbi lot Çamërie, 8 – 9).

Vargjet shprehin mllefin ndaj padrejtësive shqiptare dhe ndjeshmërinë e poetit për vëllazërinë Çame, për atë copë Atdheu, që ndonëse e shkëputur gjeografikisht, vazhdon të mbetet ai zinxhiri narrativ, që e plotëson tragjiken shqiptare. Është e dhimbshme kur gjenocidi grek mbi popullsinë Çame u lejua para syve të Evropës…, dhe poezitë e Deskut, megjithëse pa ndonjë ndarje të mirëanalizuar motivesh, ofrojnë pasazhe lirike të një linje kohore, jo dhe aq të largët.

Janë të shumta poezitë, në të cilat ngacmohen plagët e hershme për t’u rindjerë dhembja Çame, dhimbje kjo që vazhdon të mbajë pas grilash shqiptarët që pafajsisht gjeografia i vendosi në kufijtë e një marrëzie fqinjësore (greke). Poezitë: “Je rrënjë Çamërie” (13), “Varg i kthyer në shpirt” (24-27), “Pak varg mora nga ti (36-38), “Në cilën fjalë” (39-40), “Më fal një fjalë të bukur” (89-90) e disa të tjera, artikulojnë ndjenjën sublime të poetit dhe dashurinë e pa kusht ndaj Çamërisë, kësaj toke shqiptare që pështjellon zymtësinë e trishtimin e jetës, për shtrembërimin e historisë, nga ata që nuk u lodhën së kërkuari identitetin e nëpërkëmbur nëpër hartat e trojeve shqiptare.

Sa kulmore tingëllojnë vargjet nga një shpirt poetik i brumosur me atdhedashuri:

Sonte u grinda me zotat
për ty fjala ime Çamëri
si nuk arrite në udhëtimin tënd
drejt një pike atdheu.

(Pak varg mora nga ti, 36 – 39).

Në poezitë: “Flamuri” (44), “Dy mijë vjet jam Shqipëri” (49), “Ora e historisë” (50), “Ilirishte” (54), “Shqipe” (57-58) e shumë të tjera të së njëjtës tematikë, janë mozaik i përsiatjes së poetit, herë me krenarinë e pafundme që ndien për Atdheun, herë me zymtësi e lot, përderisa udhëton me ëndrrën shekullore të bashkëkombësve.

HISTORI

Është histori ëndrra ime për liri
për vuajtjet vetëm shqip
të secilit brez.
Deri këtu njëqind vjet për secilën kohë
isha pavarësi në shpirtin tim
dhe kisha fatin t’i marr me vete
udhëtimit tim.
Herë me pushkë, herë me laps
ta mundi secilën luftë për këtë tokë, si djallin
ta flakë nga toka e nga koka.

Fjala e poetit trimërohet mbi dhembjen e forcën Çame njëkohësisht, si dhunti krijuese për të ilustruar tragjeditë e vjetra, me freskinë e kohës përmes Un-it lirik që e identifikon poetin Agim Desku. Me perceptime ndryshe të një linje të hershme kohore, poeti shpërfaq ngjarjet me ndjenjën e dhembshurisë dhe rebelimit njerëzor, me faktin që i tillë ishte fati, e tillë ishte historia. E pra, gjithmonë vargu është identifikuesi më i saktë i sendërtimit të një shpirti krijues!