SHISH: Nga rrezikohet Shqipëria, shërbimet e huaja jo-mike që operojnë

0
544
Albania - SHISH

Aktualitet – Opinion.al06/08/19

Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) ka publikuar për herë të parë raportin e punës, të vitit 2018, duke evidentuar dhe rreziqet që i kanosen vendit. Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të SHISH, ndërsa evidentohen edhe kërcënimet më të mëdha. Një nga pikat që theksohet është operimi në Shqipëri i shërbimeve sekrete të huaja.

Monitorimi i veprimtarive dhe operacioneve të agjencive jomike informative apo të sigurisë, është prioritet madhor për SHISH-in. Shqipëria është vend objektiv për arsye politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe intensifikimin e përpjekjeve për integrim në BE, janë shtuar arsyet pse vendi ynë është objektiv me interes në rritje. Përveç ruajtjes së informacionit të klasifikuar kombëtar, Shqipëria ka për detyrë edhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare. SHISH-i vlerëson se, një aktiviteti i shërbimeve informative jo mike është i vijueshëm, i qëndrueshëm në kohë, me prirje rritjeje dhe me ndërthurje të metodave klasike me ato hibride. Interes i tyre mbetet sigurimi i informacioneve mbi zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, në raport me proceset integruese euroatlantike, me dinamikën në marrëdhëniet dypalëshe apo rajonale, informacioni konfidencial dhe i klasifikuar, etj.”, – theksohet në raportin e SHISH.

Sipas raportit, shërbimet e huaja (jo mike, por pa i identifikuar ato) synojnë të pengojnë përpjekjet për integrimin euroatlantik, të dëmtojnë kohezionin mes aleatëve dhe të rrisin ndjeshmërinë e një audience specifike në përputhje me synimet për paraqitjen e aleancës euroatlantike si një faktor kërcënues ushtarak.

Vërehen prirje për grumbullim informacioni të klasifikuar, aktivitete influencuese, përdorim të hapësirës kibernetike, propagandës online, dezinformim, në favor të synimeve të tyre strategjike”, theksohet më tej.

Një tjetër shqetësim është dhe terrorizmi dhe i ashtuquajturi Shteti Islamik. SHISH-i vlerëson se kthime masive të luftëtarëve të huaj terroristë (LHT) nuk janë të pritshme në terma afatshkurtër.

Një pjesë e tyre, mund të tentojë të kthehet në vendet e origjinës ose në vende të treta, nëpërmjet rrjeteve të trafikut njerëzor dhe krimit të organizuar. Më gjasë, organizata do të tentojë të ringrihet në rajone me vakum sigurie”.

KRIMI I ORGANIZUAR, TRAFIKU I LËNDËVE NARKOTIKE, KORRUPSIONI DHE KRIMET NË EKONOMI (pjesë nga raporti)

Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave, grupeve dhe individëve të përfshirë në aktivitet të krimit të organizuar në përgjithësi, dhe atyre në fushën e kultivimit, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në veçanti, si përparësi kryesore e qeverisë dhe agjencive ligj-zbatuese. Si e tillë, ajo përbën një nga fokuset kryesore dhe është objekt i punës së SHISH-it, për shkak të ndikimit negativ në zhvillimin ekonomik, pasojave sociale dhe cenimit të sigurisë kombëtare. Shërbimi ynë bashkëpunon ngushtë në këtë drejtim edhe me shërbimet inteligjente partnere.

SHISH-i vlerëson se, struktura të tilla kriminale janë agresive, kanë prirje për zgjerim dhe përshtatshmëri, për të shmangur masat e shtuara të agjencive të zbatimit të ligjit, përdorim të teknologjisë, komunikimeve të koduara, dokumenteve të falsifikuara, identiteteve të ndryshme, etj. SHISH-i përfaqësohet në Task Forcën Qendrore Ndërinstitucionale “Forca e Ligjit”, e ngritur për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në vendin tonë.

Falë kontributit të SHISH-it në TFQ “Forca e Ligjit”, janë realizuar operacione, të cilat kanë arritur ndërprerjen e veprimtarisë anti-ligjore që kryenin këto grupe kriminale. Goditja dhe ndjekja e kësaj veprimtarie kriminale është shoqëruar edhe me fokus të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive e parave të gjenerura nga kjo veprimtari kriminale. SHISH-i gjithashtu mbledh informacion mbi trafikimin dhe tregtinë e paligjshme të armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse, si dhe mbi veprimtaritë e individëve dhe organizatave të përfshira në prodhimin, trafikimin apo përdorimin e tyre për qëllime kriminale dhe terroriste.

Emigracioni i paligjshëm dhe trafiku i qenieve njerëzore janë, po ashtu, objekt i veprimtarisë së SHISH-it. SHISH-i mbledh informacion, bashkëpunon ngushtë dhe mbështet organet përgjegjëse shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në drejtimin kundër korrupsionit dhe krimeve në ekonomi. Veprimtaria e SHISH-it në këto fusha është e përqendruar në dukuritë e korrupsionit në nivele të larta në sistemin e drejtësisë dhe administratën publike, në evazionin fiskal në përmasa të mëdha dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit, në veprimtarinë e grupeve dhe organizatave të përfshira në pastrimin e parave dhe produktit kriminal, etj. /Opinion.al