“VOTOJ VETËM GRA PRESIDENTE”!

0
1143

Foto: Memoriali “Heroinat” përkujton përpjekjet heroike dhe sakrificat e grave shqiptare të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1998-1999 – ishte një iniciativë e deputetes Alma Lama

fakte të besueshme që tregojnë se Alma Lama nuk e ka shitur votën

Arben Çokaj, gazetar dhe analist i pavarur

Thonë se feminizmi është komunizëm, por nuk është krejt ashtu, ndërsa ideja se idealizmi nganjëherë të paraqet budalla, kjo edhe mund të pranohet.

Tregojnë një histori të vjetër sa koha, kur një budalla hodhi një gurë në lumë, dhe u lëshuan 20 të mençur, e nuk mundën ta nxjerrin. Këtë psikologji sociale të manipulimit me turmat kanë luajtur në këtë rast edhe mediat e profilizuara në Kosovë si mainstream media, për ta bërë mizën buall. Ose për të deklaruar një të pavërtetë absolute si të vërtetë dhe duke ushtruar presion mediatik mbi publikun, të krijojnë idenë rreme se, Alma Lama e paska shitur votën e saj pro Hashim Thaçit president, për një post diplomatik.

Por ja që faktet e kundërshtojnë këtë pohim të gënjeshtërt, këtë sulm atavist e akuzë të pavërtetë. Alma Lama nuk ka votuar as në votimin e tretë për Thaçin president, dhe z. Thaçi e ka ditur këtë mjaft mirë, saqë në një bisedë konfidenciale, ai ka deklaruar: “E di se Alma nuk më ka votuar, por ajo ka hyrë në sallë, për të mbrojtur shtetin e Kosovës!” E thënë kjo nga një president, nuk është pak, pavarësisht se Kosova nuk po drejtohet në lartësinë duhur dhe presidenti Thaçi është ndër njerëzit më të kritikueshëm politikisht, për vetë profilin e lartë politik që mban. Politika i ka këto punë, nuk mund t’i bësh të gjithë për vete; një pjesë e njerëzve të duan, e një pjesë të shajnë. Në demokraci shikohen interesat, dhe sigurimi i mbështetjes nga shumica. Ne duhet t’i rrimë konsekuent fakteve, të vërtetës dhe të përpiqemi që të mos e manipulojmë atë, për hir të disa interesave të momentit.

Deputetja e LDK-së në Kosovë, Alma Lama nuk e ka votuar presidentin Thaçi, edhe pse ka hyrë në sallë, në votimin e tretë, “për të ruajtur rendin kushtetues, pavarësinë e brishtë të shtetit të Kosovës” – sipas sqarimit të deputetes së LDK-së. Ashtu ia ka marrë mendja asaj, ashtu ka vepruar. Në vend që ajo të respektohet për këtë veprim me moral të lartë shtet-formues dhe vetë-mohues (duhet pranuar se shumë njerëz në Kosovë dhe jashtë saj, e respektojnë Almën për parimet dhe kontributin e saj në politikën e gazetarinë shqiptare), janë disa që nuk e respektojnë, madje edhe e akuzojnë atë, tashmë edhe për gjëra, që ajo nuk i ka bërë. E dihet mirë se kush janë ata. Një pjesë e opozitës në Kosovë, njerëz që marrin tendera nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe njerëz të lidhur me VV-në. Madje edhe gra aktive në politikën kosovare, sikur i thartuan turinjtë, kur morën vesh se Alma mori një post diplomatik. Dhe pakënaqësia vërshoi lumë, së bashku me akuzat e pa baza.

Turp, u shite edhe ti!” – gërthiti njëra. “Ndjehem e shokuar” – ia përcolli tjetra. “Deputetët shiten” – plotësoi Albulena, e cila si duket ka përvojë me shitblerjen e influencave politike, por këtë herë gaboi. Dhe të gjitha këto i botoi edhe Elida! Por e vërteta është krejt ndryshe. Këto gra aktive në politikën kosovare, zonja të nderuara, me kontribut dhe integritet, duhet të bëjnë siç bëri analisti e filozofi Jon Leka, i cili kërkoi ndjesë publike ndaj Almës, për akuzën e shitjes së votës, sapo ai u bind, se nuk ka fakte reale, që mund ta vërtetojnë këtë akuzë.

Por ja që tani me kalimin e kohës, po del e qartë edhe me fakte, se e vërteta është krejt ndryshe. Alma ka hyrë në sallën e kuvendit, por nuk ka votuar për Thaçin president. E çfarë do të thonë tani ata, që e akuzuan Almën pa fakte? Do të kërkojnë ndjesë për akuzat e pavërteta, apo përsëri nën tendencën e një truri destruktiv, që shikon probleme në çdo zgjidhje, ata do të fillojnë me pretendime të tjera absurde e paradoksale? “Se ajo nuk duhej të kishte hyrë fare në sallë, për të krijuar kuorumin?” etj. Po mirë more, a mos kot po u shkon mendja këtyre elitave devijante, se mos Alma duhet të dalë krejt nga politika, të dëgjojë korin e pavetëdijes së tyre, që të çon për në askund? E për rrjedhojë të pranohet edhe se shteti i Kosovës nuk mund të drejtohet nga shqiptarët, se asnjë shqiptar nuk vlen, etj. A nuk vijmë pra, tek “azili i pavetëdijes” – term i përdorur nga Spinoza këtu e 400 vjet më parë, se Kosovën duhet ta drejtojë kështu ose turku ose serbi, e ata me dhunë, se ndryshe nuk u mbyllet goja disave?!… Jo, o të uruar, jo, e keni gabim. Mos i banalizoni gjërat. Jepni hapësirën e lirisë secilit, për të bërë zgjedhjen e vet, në bazë të disa parimeve dhe një moraliteti të caktuar, mos kërkoni të pamundurën, qiqra në hell!

Të gjitha ato gra, që janë shprehur në një mënyrë ose tjetër, duke e akuzuar Almën për shitje të votës, për një post diplomatik, duhet t’i kërkojnë ndjesë Almës, për këto akuza të rënda e pa lidhje, sepse ato nuk u bazuan mbi fakte, por ishin thjeshtë shpifje. U ngutën dhe u treguan emocionale, gabuan duke u nisur nga interesa të caktuara e ndjenja të përziera. Të gjitha ato zonja që meritojnë respekt, besoj se do e kenë edhe kurajën e duhur civile, që t’i kërkojnë ndjesë tashmë koleges e shoqes së tyre, një gruaje me dinjitet e moral të lartë, që nuk i ka shkelur parimet e saj, edhe në atë idealizëm absurd nganjëherë, që të çon drejt gjykimeve subjektive.

Pasi Alma Lama ka të drejtë të ndihet e fyer dhe e poshtëruar, pikërisht nga këto gra, disa edhe shoqe të saj të idealeve të larta civile për barazi, sepse ajo me kurajë e ka mbrojtur idealin e vet, idealin e tyre, për një Kosovë, ku gratë duhet të respektohen si të barabarta me burrat, se nuk bën ndryshe. Dhe kjo përkundër mijëra kërcënimeve e shantazheve nga qarqe ekstremiste e tru-shpërlara. Ndërsa ato, u treguan meskine dhe e akuzuan atë pa asnjë shkak. Gra të respektuara në Kosovë, si Flaka Surroi, Arbana Xharra, Donika Gëvalla-Schwarz, Vjosa Osmani, etj. do të kishin marrë padyshim votën e Almës për presidente, nëse do të kandidonin, vetëm duke u nisur nga ideali i Almës, që ajo nuk e tradhtoi. Por në fakt, ato e tradhtuan Almën, kur ajo nuk e priste.

Në një fletë votimi të pavlefshme, në votimin e tretë, shkruhet: “Votoj vetëm gra presidente”! dhe i vihet një X i madh fletës së votimit – kjo mund të vërtetohet nga kushdo, edhe nga stili i shkrimit, se kujt i përket. Faktet që mund t’i zbardhë vetëm gjykata, ne i kemi siguruar, por duhet t’i marrim të mirëqena deri atëherë. Prandaj të gjithë ata, që u ngutën, duke akuzuar Almën se ka shitur votën, në këmbim të një posti diplomatik, duket të tërhiqen. Step back!


Shkrimi është publikuar edhe në:
Bota Sot