Dominimi i kulturës politike autoritare

0
585
Nikë Gashaj

Nikë Gashaj

Kur federalizmi ka qenë i vendosur në Jugosllavi, njësitë federale kanë qenë kryesisht të organizuara në bazë të kombeve etnike, sipas modelit Sovjetik. Në të ashtuquajturën Jugosllavinë e Dytë, marrëdhëniet ndërmjet kombeve etnike, që nga viti 1960, gjithnjë e më tepër janë keqësuar. Duke analizuar eksperiencat dhe shkaqet e dezintegrimit Jugosllav, Sovjetik dhe Çekosllovak, teoricienti Valeri Bans thekson se struktura federative ka qenë shkaku më i rëndësishëm, që ka çuar deri te shthurja, sepse federalizmi njëpartiak, në kontekstin socialist i ka krijuar proto-kombet dhe proto-shtetet.

Dezintegrimi ka ndodhë për arsye se struktura politike-administrative e këtyre shteteve federative ka qenë e themeluar në njësitë të cilat kanë qenë të caktuara në kategoritë etnoterritoriale (Valerie Bunce). Nuk ka dyshim, përpos shkaqeve të tjera, se edhe defektet e inkorporuara në sistemin politik dhe karakteristikat konfederative e kanë lehtësuar shthurjen respektivisht dezintegrimin.

Arsyeja kryesore e kundërshtimit dhe e rezistencës së federalizmit është eksperienca me federalizmin, që ka shërbyer si udhë e secesionizmit dhe e shthurjes së tri ish-federatave komuniste. Mu për këtë arsye, federalizmin e shikojnë si një mjet që me hapa gradualë e sendërton secesionizmin.

Pas vdekjes së Titos në Jugosllavi ka arrdhur deri te tensionimi i gjendjes politike dhe acarimi i marrëdhënieve etnike dhe konfliktet e armatosura. Si pasojë e kësaj, në disa republika, veçanërisht në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë ka arrdhur deri te koncentrimi i pushtetit në duar të kryetarëve të republikave të lartpërmendura, kurse në popull ka qenë i përhapur një botëkuptim, të cilin mund ta vlerësojmë si shprehje e dominimit të një kulture politike autoritare, e cila ka rezultuar në personalitete autoritare, të cilët i ka përkrahë pjesa dërmuese apo absulute e popullatës aktive politike, e shkaku kryesor nuk ishte dashria ndaj udhëheqësve, por frika për identitet kolektiv dhe ekzistencë, në qoftë se në konflikt të fuqisë dhe të interesit mbeten pa koordinatorë ose dirigjentë.

Pa marrë parasysh se autorët e orientimit liberalo-demokratik si psh. Huan Linc, Arend Lajphart, Alfred Stepan dhe të tjerë, që merren me problematikën e transformimit nga format politike autoritare në ato demokratike në Amerikën Jugore, në Europën Jugore (me çka më së pari mendohet në Spajë dhe Portogali, pastaj në Itali, Greqi dhe Turqi) dhe në Europën Lindore (duke përfshirë dhe Ballkanin) theksojnë përparësitë, të cilat për një transformim të tillë do t’iu afrojë sistemi parlamentar, atyre iu është dashur të konstatojnë shtrirjen dhe zgjerimin e madh të sistemit presidencial, kryesisht me presidenta të fortë, çka kur të merret parasysh tradita autoritare dhe kultura politike, manifeston (me përjashtime) më tepër autoritarizëm sesa ndonjë tipar tjetër të bindjes politike.

Kur presidenti rus ishte në konflikt me parlamentin, i cili ka arritur kulmin më 1993, në përpjekjet që me ndërrimin e kushtetutës ta forcojë poziten e vet, disa shkencëtarë amerikanë, njohës të mirë të Rusisë, si Robert Daniels, e kanë përshkruar pozitën dhe ambicjet e tij si lindje “të mbretit të ri”. Në të njëjten kohë, një pjesë e mirë e shtypit perëndimor e ka parë si një interes për momentin më të rëndësishëm, që në pushtet të mbetet negociatori i gatshëm për koncesione, sesa të vihet deri te zhvillimi i institucioneve demokratike dhe i pushtetit ligjor, nëpërmjet ndarjes dhe baraspeshës së pushtetit, si dhe i forcimit të sistemit parlamentar.

Situatë e ngjashme ishte edhe në vendet e tjera të Europës Lindore dhe në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik.

Ne këtu duhet të cekim se teoreticientët e demokracisë konsociale vlerësojnë se parlamentarizmi, për mbrojtjen dhe për mbushjen e synimeve të pakicave etnike (nacionale), është më i mirë se sa presidencializmi.

Rreziqet e trilluara dhe diktatura politike

Disa hulumtime të opinionit publik dhe stereotipet dominuese në kulturën politike në hapësirën e Serbisë dhe Malit të Zi kanë treguar, e për këtë ekziston edhe një numër i madh indikatorësh në mbishkrime, në korrespodencat e lexuesve dhe në deklaratat e botuara, që një numër i madh i qytetarëve ka menduar dhe mendon se situata detyron pranimin e presidentit të fortë si udhëheqës.

Në një mënyrë kjo ka të bëjë në mënyrë të ngjashme me situatat e rrezikshme ose të rreziqeve të supozuara, në të cilat romakët e vjetër dikuj ia kanë besuar pushtetin e pakufizuar. Rreziku për ç‘arsye kërkohen autorizime të jashtëzakonshme mund të jetë i trilluar dhe joreal, ndërsa efektet në pikëpamje të përkrahjes janë gati të njëjta.

Romakët atë formë fillestare të diktaturës e kanë kufizuar në pikëpamje kohore dhe të përmbajtjeve të kompetencave, e kur ka kaluar koha e caktuar ose eliminimi i rrezikut, përsëri janë kthyer në një formë “normale” të jetës politike. Mirëpo, edhe atëherë është dëshmuar se paraftyrimet mbi rreziqet ose vetërreziqet mund të përkrahen apo të mbahen edhe artificialisht dhe ashtu të vazhdohet diktatura.

Nuk guxojmë të mos e kemi parasysh fatin se një numër i madh i argumentave dhe rezoneve në favor të decentralizimit, vetëqeverisjes, demokracisë, të kufizimit të pushtetit etj. mund të kundërshtohet me heshtje, ose shprehimisht me një sërë kundërargumentash nga katalogu i “arsyeve shtetërore”, të “interesave kombetare”, të “arsyeve të sigurimit kombëtar”, të teorisë së sovranitetit, të nevojave dhe detyrave të shtetit për të ruajtur rendin publik si supozim të paqes shoqërore dhe të pengojë trendet nga fragmentizmi i mëtejshëm, që mund të rrezikojë jo vetëm integritetin e tij territorial, por mund të çojë edhe deri te konfliktet me përpjestime të mëdha dhe me pasoja jashtëzakonisht tragjike.

Xhon Loku – prijësi i ideve demokratike

Si prijës i ideve dhe i institucioneve të demokracisë liberale, e cila kërkon edhe vetëqeverisje, decentralizim dhe ndarjen e pushtetit, në një masë të madhe konsiderohet Xhon Loku. Ndërsa, si përfaqësues dhe ithtar radikal i mbrojtjes së rendit autoritar, të rregullit publik dhe sigurimit të shtetit ose interesave kombëtare (shtetërore), mund të merret Tomas Hobs.

Loku e ka paraparë dhe supozuar një situatë, ku trupi politik dhe qeveria formohen mbi bazat e veprimit racional dhe të marrëveshjes së njerëzve mbi të ashtuquajturat sende themelore, që kanë të bëjnë me karakterin e jetës së përbashkët nën pushtetin e zgjedhur dhe në bazë të respektimit reciprok të të drejtave dhe lirive themelore.

Ai është nisur nga një koncept i karakterit njerëzor, që llogarit në mprehtësinë e arsyes, të urtësisë dhe të gjykimit njerëzor. Por, në qoftëse dikush supozon ndryshe karakterin e njeriut, duke parë në të egoizmin dhe karrierizmin si tipare kryesore, dhe nëse e konsideron se ajo manifestohet në mënyra të ndryshme në jetën e përditshme (krime, pasiguria e jetës dhe e pronës, korrupsioni, lufta rreth pushtetit nga grupet mafioze deri në krye të shtetit) dhe përpos kësaj, po ashtu shton se në përpjestimet botërore gjatë tërë historisë zhvillohet lufta për superioritet dhe dominim, atëherë një paraftyrim i tillë i zi mund edhe për zgjidhjen e problemeve të pushtetit dhe të rendit publik, të drejtojë me mjete të tjera.

Tomas Hobsi-ithtar i pushtetit autoritar

Udhë tjetër është ajo mbi të cilët kanë treguar mbrojtësit e shumtë të pushtetit të fortë, dhe zakonishtt të pakufizuar. Për një rezonim të tillë është vendi reprezentues nga Leviatani, ku Hobsi e shqyrton karakterin dhe mënyrën e themelimit të shtetit: mënyra e vetme që të vendoset pushteti i tillë i përbashkët, i cili mund të jetë i aftë për t’i mbrojtur njerëzit nga pushteti i jashtëm dhe nga lëndimet që ia bëjnë njëri tjetrit dhe t’i sigurojnë që me zellin e tyre dhe me frytet e tokës mund të ushqehen dhe t’i kënaqin nevojat dhe kërkesat e veta, është e domosdoshme që tërë forcën dhe fuqinë e vet t’ia besojnë një njeriut, ose një grupi të njerëzve të cilët do të kenë mundësi që të gjitha dëshirat e tyre nëpërmjet shumicës së votave të reduktohen në një dëshirë.

E kjo do të thotë të caktojmë një njeri ose një grup njerëzish të cilët do të jenë mbartësit e personalitetit të tyre dhe gjykimeve të tyre. Dhe në tërë atë qëndron esenca e shtetit të cilin do ta definojnë si një personalitet ku mbartësi i këtij personaliteti quhet sovran dhe thuhet se atij i takon pushteti sovran, ndërsa të gjithë qytetarët e tjerë janë shërbëtorë të tij.

Shumë fakte ne na drejtojnë në konkludim se pikërisht ndeshemi me shumë elemente të shtetit autoritar Leviatan: mirëpo, shteti në fjalë nuk përmbush atë rol të cilin një shteti të tillë ia ka përcaktuar Hobsi në teorinë e vet. Ky rol kishte për synim ofrimin e paqes dhe sigurisë.

Sovraniteti shtetëror rigjid- pengesë e demokratizimit

Pa marrë parasysh se mendojmë që do të ishte e preferueshme dhe e nevojshme që shtetet e Ballkanit Prendimor: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia dhe BeH, të zhvillohen në drejtim demokratik, të sendërtimit adekuat të pushtetit ligjor, të decentralizimit demokratik dhe të vetëqeverisjes rajonale dhe lokale, të respektimit, mbrojtjes dhe realizimit konsekuent të të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare, duhet të themi se ekzistojnë disa grupe të faktorëve të cilët do të drejtojnë në një drejtim të kundërt.

Në rend të parë, kryesisht, koncepti i pushtetit ka qenë dhe është i përcaktuar me botëkuptimet mbi sovranitetin shtetëror dhe ndërtimin e shtetit nacional, i cili ka më tepër ngjashmëri me kompetencat dhe me zgjidhjet institucionale nga e kaluara historike e sistemit politik centralist sesa me idetë dhe institucionet liberal-demokratike.

Mu për këtë arsye një ndër potezat kryesorë të pushtetit tek këto shtete, që në fillim të ashtuquajturës – periudhë të transicionit, ka qenë koncentrimi i pushtetit dhe i resurseve.

Pastaj, interesat e pushtetmbajtësve që të ruajnë pushtetin dhe fotelet kanë imponuar nevojën e shpenzimit të një energjie të madhe dhe të mjeteve për të realizuar atë qëllim duke mos u kujdesur që shteti ta arsyetojë veten, madje as me përmbushjen e këtyre qëllimeve dhe detyrave, për çka sipas Hobsit edhe formohet shteti, e ajo është sigurimi i rendit shoqëror, paqes dhe sigurisë, nga jashtë dhe nga brenda. Në këtë situatë pushtetmbajtësit janë shumë të rrezikuar, sikur të inicionin reformat e vërteta, të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit juridik dhe demokratik, të cilat do të “shkrinin” dhe do të dobësonin sistemin e tyre rigjid të kontrollit, i cili është treguar joefikas, jozhvillimor dhe jodemokratik.