Presidenti Wilson – Një fanar për lutjet e shqiptarëve

0
431

Jahja Lluka

U mbushën 100 vite nga Konfereca e Paqes në Paris, kohë nëpër të cilat populli ynë nën zingjirët e fatit të hidhur po rrezikohej nga dëshirat gllabëruese të fqinjëve sllav. Ishte Presidenti i 28-të, i SHBA-ve, Woodrow Wilson (28.12.1856-03.02.1924), i cili në historinë shqiptare njihet si personalitet kyç në ruajtjen e kombit tonë, nga dëshirat e errëta për zhbërjen tonë nga trualli i Ballkanit. Por zor të shkëputen rranjët tona. Edhe pse misioni akademik dhe ushtarak sllav vazhdoi me terror dhe dhunë ndaj nesh deri me 1999, ishte dëshira hyjnore e një populli për liri ajo që triumfoi, duke u kurorëzuar me shtetin e Republikës s’ë Kosovës, një shtet i ri me rranjët përtej kohës dhe historisë.

Isha i nderuar që në pozitën e Këshilltarit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, – z. Ramush Haradinaj të isha pjesë e delegacionit shqiptar i cili pas 100 vitesh, në shenjë falenderimi dhe mirënjohje ndaj veprës sublime të Presidentit Wilson niset për në Amerikë. Pjesë e delegacionit ishin Skender Asani – Drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Dhe poashtu pjesë e Institutit ishin edhe Seferi, Sevdaili dhe miku Adriani. E një falenderim i veçantë shkon për David Hosaflook, pastor protestant në Shqipëri për tri dekada, i cili me shumë dëshirë na u bashkangjit në rrugëtimin tonë.

Poashtu më duhet ta falenderoj zv. ambasadorin e Republikës së Kosovës z. Frymëzim Isufaj në Washington për pritjen. Ishim të entuziazmuar dhe emocionuar, sepse ky udhëtim ishte më shumë se politik, ishte më shumë sesa diplomatik, ne po bartnim me vete falenderimin e brezave, që u shuan me ëndrrën për liri, ne po bartnim bekimin dhe admirimin për Mikun që rrjedh nga kodet e lashta kanunore, e që ndiheshim sikur misionarë për me çu amanetin në vend.

Në shtetin e Virxhinias është një qytezë e vogël që quhet Saunton. Aty është shtëpia e lindjes së Presidentit Wilson. Babai i tij kishte shërbyer si pastor,një njeri i thjeshtë që më vonë do e njehë historia si babai i një burri me personalitet dhe karakter unik i cili si një fanar e misionar me largëpamësinë e tij dhe vendimet në Konferencën e Paqes shpëtoi miliona njerëz, duke mos lejuar të shuheshin e që vendimi i Presidentit Wilson për shqiptarët padyshim që do ishte sublim e që më vonë historia do e quaj shpëtimtar të kombit tonë.

Në shtëpinë e lindjes së Presidentit na pritën zyrtarisht senatori i shtetit të Virginia-s Emmet Hanger, majorja nga Stauntoni Carolyne Dull, isha mëse i nderuar që këto personalitete t’i falenderoja në emrin e të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës. Por në sytë e tyre dhe fjalimet dukej lehtë mirënjohja dhe dashamirësia që gjetëm. Patëm rastin të vizitojmë Muzeun e Presidenit; që dukej madhështor, ndërsa delegacioni ynë u dekorua me mirënjohje nga Këshilli i Qytetit të Staunton-it. Delegacioni ynë në shenjë mirënjohje dhe falenderimi i dhuruam nikoqirëve Pullën Postale me portretin e Presidentit Wilson dhe librin e Kristo Dakos “Albania”.

Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Washington u hap ekspozita me ngjarje dhe dokumente që shënonin 100 vjetorin e Konferencës së Paqes në Paris, si dhe përurimi i Pullës Postale me portretin e Presidentit Wilson. Në këtë ngjarje u përurua libri “Albania”i Kristo Dako. Media të shumta shfaqen interesim për këtë vizitë, në veçanti falenderoj Zërin e Amerikës për korrektësinë dhe mbulimin e aktiviteteve. Delegacioni ynë vizitoi Katedralen Qendrore të Washington-it, ku gjendet varri i Presidentit Wilson. Aty bëmë humazhe para varrit të këtij personaliteti gjigand që me veprën e tij hyjore, mbeti i përjetshëm në historinë njerëzore.

Më pas vizituam shtëpinë ku Presidenti Wilson kishte kaluar pjesën e fundit të jetës së tij. Duke vazhduar vizitën në Muzeun e Holokaustit – ku shkëmbyem kujtime dhe histori nga lidhja tashmë vllazërore e popullit shqiptar me atë hebre. Vizituam më pas, Biblotekën e Kongresit Amerikan në Washington. Ishte një biblotekë gjigande me 160 milionë njësi, 38 milionë libra, që mbikqyreshin nga 3000 punëtorë. Aty na priti z. Grant Harris -shef i seksionit të botimeve europiane. Z. Harris para neve me admirim dhe respekt shfaqi këto botime shqiptare.

“Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit shek. XVI. “Dhiata e Re” e përkthyer nga Vangjel Meksi me shkronja greke të vitit 1826. “Dhiata e Re” (Toskërisht), e përkthyer nga Kristoforidhi e vitit 1920. Ndësa z. Harris na tregoi edhe letrat e studentëve shqiptar të Romës, dërguar Presidentit Wilson me 1919. Vizitën në Washington e përmbyllëm në Institutin e Lirive Religjioze, ku shqiptarët u morën shembull i bashkëjetesës ndërfetare.

Nga kjo vizitë në Amerikën e largët u ndieva i entuziazmuar dhe emocionuar. Më lart nuk hezitova ta quaja këtë delegacion Misionar. Tani kur po kthehesha në Kosovën time, djepin e Dardanisë ndihesha më i lehtësuar. Shekujt e errësirës për kombin tim nga pushtuesit e ndryshëm e të shumtë kishin mbaruar.

Ne amanetin dhe falenderimin e brezave ndaj presidentit Wilson e lamë ne vend.

Dërgoi për publikim, Skënder Mulliqi, gazetar