Prokurori që pritet të marrë drejtimin e SPAK, lë pa fjalë vëzhguesin e ONM

0
408
Altin Dumani

Opinion.al30/07/19

Prokurori Altin Dumani, i cili pritet të jetë në krye të SPAK duket se ka kaluar dhe një “pengesë” të madhe. Ai ka dalë këtë të martë para KPK-së, dhe për çudi nuk ka pasur asnjë pyetje për të. Madje dhe nga vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs.

Ky i fundit tha se për herë të parë në prezencën e tij në më shumë se 25 çështje nuk kishte asnjë pyetje. Madje, ai e konsideroi si një ditë me fat për prokurorin Dumani, ndërsa vlerësoi tek ai gjithçka që u tha nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.

Altin Dumani është prokuror i Apelit për Krimet e Rënda dhe në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë u rendit i pari si prokuror i ardhshëm i SPAK. Dumani shihet si kandidati favorit për drejtimin e SPAK, për shkak se është renditur i pari për aftësitë e larta profesionale.

Sa i përket seancës në KPK, ILDKPI ka raportuar se Dumani ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, nuk ka bërë fshehje dhe ka burime të ligjshme financiare. Edhe DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e Altin Dumanit për të vijuar detyrën.

Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda, ndërsa në vitin 2007 u transferua te Prokuroria e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit.

Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 është komanduar si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Dumani është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie dhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës. /Opinion.al