Disa shënime të veçanta për aktivitetin mbrenda një viti të Shoqatës ”Trojet e Abrit”

0
480

Nue Oroshi

Kaloi plot një vit që Shoqata ”Trojet e Arbrit” në javën e Trojeve të Arbrit kreu katër aktivitete të mëdha kombëtare, duke kryer tri sesione shkencore e akademi, si dhe një film dokumentar. Si gjithëherë tash e pesëmbëdhjetë vjet me radhë të gjitha aktivititet tona i kemi finalizu me sukses. Edhe punët e vitit 2018 kanë filluar të japin rezultate konkrete. Fillimisht me plot sukses realizuam filmin dokumentar kushtuar atdhetarit Emin Fazlia alias Emil Kastrioti me titull: ”Porosi Brezave Shqipërinë Etnike”.

Ky film i realizuar nga TV Prizreni dhe i sponzorizuar nga Shoqata ”Trojet e Arbrit” kishte suksesin e duhur. U punua në mënyrë profesionale duke u kujdesur me shumë sukses nga studiuesi dhe publicisti Enver Sulaj që bëri një punë të shkëlqyer, pa harruar komplet ekipin e TV Prizrenit të udhëhequr nga i riu entuziast Sali Bytyqi. Pasi që në vitin 2018 kishim një seri aktivitetesh të tjera punuam dhe po punojmë në pregatitjën e tre Librave Enciklopedik.

Njëri nga këta tre libra ai për priftin atdhetar don Anton Kçira ka disa muaj qe e ka parë dritën e botimit dhe është në duar të lexuesve. Së shpejti do ti dërgojmë në shtyp edhe dy libra të tjer Librin Enciklopedik për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili do të dërgohet në shtyp kah fundi i muajit gusht, si dhe librin tjetër shumë përmbajtësor i faktografuar me burime të sakta historike dhe dëshmi të bashkëveprimtarëve për veprimtarinë 50 vjeçare në shërbim të kombit shqiptarë të kryetarit tonë shumëvjeçarë prof. dr. Muhamet Shatri.

Mbrenda këtij viti Shoqata ”Trojet e Arbrit” kishte dy dhimbje të mëdha. Humbëm dy studiues dhe dy historianë të spikatur, mr. sc. Mehmet Gjoshajn dhe prof. dr. Riza Sadikun. Të dy këta historianë që nga fillimi i themelimit të Shoqatës për pesëmbëdhjetë vjet me radhë na qëndruan afër duke e dhënë kontributin e tyre shkencor dhe atdhetarë pa prituar asnjëherë. Të dy këta studiues të vyer i falënderojmë nga thellësia e shpirtit për kontributin e dhënë për pesëmbëdhjetë vjet me radhë.

Ne si shoqatë jemi më të varfër se humbëm dy studiues të zëllshëm por kombi shqiptar është më i pasur sepse punimet e të dyve u botuan dhe kanë zënë vendin meritor në nëntëmbëdhjetë veprat enciklopedike të Shoqatës ”Trojet e Arbrit.”

Meqë një mik i imi Mirditor dhe ndjekës i sesioneve tona shkencore që nga fillimi i veprimtarive tona shkencore e atdhetare, publicisti Aleksandër Ndoja në një koment kishte thënë se: ”projektet e Trojeve të Arbrit asnjëherë nuk kanë mbetur apo humbur rrugës.” Kjo është plotësisht e vërtetë. Edhe ideja jonë për ngritjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skëndebreut në Prizren po realizohet më plot sukses.

Aksioni filloi me furi dhe është duke shkuar shumë mirë. Paksa ma të kujdesëshëm dhe me të shpejtë janë treguar mërgimtarët shqiptar në Amerikë dhe në Zvicërr të cilët në mënyrë konkrete kanë tubuar një pjesë të mjeteve për këtë monument kombëtar. Edhe në Gjermani ka filluar aksioni dhe është duke shkuar mirë dhe se shpejti do të fillojmë edhe në Kroaci.

Edhe Shoqata ”Trojet e Arbrit” ka kryer me sukses punën e vet, duke përfunduar marrëveshjen me Komunën e Prizrenit, ndërkohë që edhe Asambleja e Komunës së Prizrenit e ka pranuar kërkesën e Trojeve të Arbrit për monument, duke u votuar nga të gjithë asambleistët. Nuk kemi mbetur mbrapa edhe në përgatitjen e monumentit ku është duke u punuar më të madhe që punët të kryhen me një sukses të plotë.

Shpeshherë realizimi i projekteve në kohën e caktuarë është një sfidë e madhe e Institucioneve shtetërore, kurse për Shoqatat që kryejnë punët në mënyrë vullnetare, është sfidë e dyfishtë. Ne jemi plotësisht të bindur se do të arrijmë me kohë që në Javën e Trojeve të Arbrit që do të mbahet prej 27 deri më 30 nëntor 2019. Më, 28 nëntor ta vendosim Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren, të mbajmë Akademinë Solemne në këtë datë për Gjergj Kastriotin Skënderbeun si dhe më pas më, 30 nëntor në Zym të mbajmë sesionin shkencore madhështor në shenjë respekti me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së at Shtjefën Gjeçovit.

Të kryhen të gjitha këto aktivitete shkencore e kombëtare me kohë të caktuar vetëm nga shpirti atdhetarë dhe puna profesionale e studiuesve shqiptar anë e kënd trojeve tona dhe përkrahjes së veprimtarëve atdhetarë nga Mërgimi, pa asnjë mbështetje institucionale as të Qeverisë së Kosovës dhe as të Qeverisë së Shqipërisë vërtet është një punë e madhe e cila tregon se shpirti atdhetarë e nacionalistë do të ngadhënjejë përmbi çdo pengesë që vjen.