BARBARIZËM JURIDIK!

0
720

AV. XHABIR ZEJNUNI

Përmbajtja. Hyrje. 1. Vendimi Margjeka. 2. (Ç)Vendimi Reka. 3. Kronikë regjistrimi zgjedhor. 4. Kërkesë në kohë. 5. Probleme legjitimiteti. 6. Gjëja e gjykuar (res iudicata). 7. Shqyrtim i të njëjtit objekt nga e njëjta shkallë gjykimi. 8. Legjitimitet kërkimi. 9. Interes legjitim, apo e drejtë subjektive? 10. Titullaritet kërkese. 11. Vetëm “noterizues”?! 12. Gjykues dhe “noter”! 13. Përfundim.

Hyrje.

Drejtësia politike shqiptare, po pasurohet çdo ditë (dhe natë!) me terma të reja, siç janë çdekretet dhe së fundi çvendimet. Rasti më i fundit, lidhet me çvendimin e datës 19 korrik të vendimit të datës 17 korrik të së njëjtës shkallë gjykimi të Gjykatës së Durrësit në lidhje me vërtetimin e mandatit të kandidates socialiste Valbona Sako. Që do thotë se vendimet e gjykatave në Shqipëri nuk është e thënë që të ankimohen në shkallët më të larta të gjykimit siç e parashikon Kushtetuta dhe ligjet përkatëse, por edhe brenda të njëjtës shkallë gjykimi. Pra, tani mund të kemi edhe “apel” brenda të njëjtës shkallë gjykimi!
Kemi një vendim të datës 17 korrik, i cili mban firmën e gjykatëses Mimoza Margjeka.
Kemi edhe çvendimin e datës 19 korrik, i cili mban firmën e gjykuesit Shpëtim Reka.
Duhet thënë se jehonën e vendimit të datës 17 korrik të gjykatëses Mimoza Margjeka, e “eklipsoi” pas dy ditësh kolegu i saj i të njëjtës “zyrë” gjykuesi STAKANOVIST Shpëtim Reka.
Ky është skandali më i madh juridik që mund të ketë njohur ndonjëherë jurisprudenca botërore.
Në 7 faqe çvendim, pjesën më të madhe e zënë normat ligjore, që Reka i sjell (vetëm ato që i interesojnë atij!) për të justifikuar çvendimin e tij dhe fakti (i përsëritur disa herë deri në neveri!!!) që “Legjitimitetin për verifikim e ka jo vetëm kandidati fitues, por edhe partia apo koalicioni partiak që e kanë propozuar atë”. Ndërsa arsyetimi profesional i gjykuesit Reka lën shumë për të dëshiruar!

1. Vendimi Margjeka.

Ja vlen që të analizohet shkurtimisht vendimi i gjykatëses Margjeka, për t’i lënë “pjesën e luanit” pastaj kolegut të saj Reka.
Margjeka thekson se “Pasi Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit ju kërkua nga kandidatja fituese Valbona Sako “VERIFIKIMI i mandatit”, Gjykata konstaton se, vendimi Nr. 230, datë 27.04.2019 i KQZ-së për regjistrimin si subjekt zgjedhor te Partisë “Bindja Demokratike”, është marrë në shkelje të hapur me nenin 64 të Kodit Zgjedhor dhe nenin 9 të Ligjit “Për Partitë Politike” (ligji material), dhe për rrjedhojë, konstatohet nga gjykata si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, sipas neneve 108 dhe 109 të Kodit të Procedurave Administrative”.
Më tej, Margjeka sqaron se “Gjithashtu Partia “Bindja Demokratike”, duke mos qenë e regjistruar në Gjykatë, në momentin e paraqitjes së kërkesës për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, nuk kishte zotësi juridike për të fituar të drejta dhe për të marrë përsipër detyrime, sikurse është marrja pjesë në zgjedhjet e Organeve të Qeverisjes vendore të datës 30.06.2019”.
Arsyetimi i gjykatëses Margjeka është shumë i thjeshtë dhe bindës nga ana profesionale, pasi ajo konstatoi se proçesi i votimit që në fillim ka qenë “absolutisht i pavlefshëm”, për arsyen se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfshirë në votime Partinë “Bindja Demokratike”, e cila në momentin e regjistrimit për në proçesin elektoral, nuk ekzistonte akoma juridikisht si parti politike. Si rrjedhojë, Margjeka me të drejtë nuk e njohu mandatin e Valbona Sakos për kryebashkiake.

2. (Ç)Vendimi Reka.

Vendimi i Margjekës, siç pritej solli një reagim shumë të ashpër nga PS-ja, e cila mori përsipër që të kërkojë edhe njëherë mandatin si “VËRTETIM mandati” në të njëjtën shkallë gjykimi. “Truku” i kërkimit të vërtetimit dhe jo verifikimit të mandatit, i shërbeu PS-së që të evitonte ankimimin në Gjykatën e Apelit, siç do duhej të ishte ishte procedura normale. Por, edhe evitimin (ose frikën!) e konfirmimit nga Apeli të vendimit të Margjekës.
Pra, që në fillim jemi para një “risie juridike” Made in Albania! Kërkesa nga PS-ja, u bë me datën 18 korrik.
Ndërsa çvendimi me rezultat të kundërt (dhe të pritshëm!) u dha me datën 19 korrik nga Shpëtim Reka!
Ja vlen që të analizohen fragmentet më “pikante” të këtij çvendimi, duke qenë se aty shtrohen shumë probleme, të cilat Reka i “zgjidhi” brenda pak orëve!

3. Kronikë regjistrimi zgjedhor.

Reka na informon se:
a. “KQZ-ja me vendimin Nr.148, datë 11.04.2019 të KQZ ka regjistruar PS-në si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019”;
b. “KQZ-ja me vendimin Nr. 251, datë 07.05.2019 ka regjistruar “Aleancën për Shqipërinë Europiane” (ku bën pjesë edhe PS-ja bashkë me 23 parti politike të tjera) si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019, duke regjistruar si kandidate të tij për Kryetare të Bashkisë Durrës Valbona Sako”;
c. “KQZ-ja me vendimin Nr. 398, datë 15.05.2019 ka regjistruar Valbona Sakon si kandidate për Kryetare të Bashkisë Durrës për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 Qershor 2019”;
d. “KQZ-ja me me vendimin Nr. 944, datë 05.07.2019 ka miratuar Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie Durrës, duke shpallur fituese Valbona Sakon si kandidate të propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Për saktësi, duhet thënë se Valbona Sako është kandidate e koalicionit ASHE dhe jo e PS-së. Nga vërtetimi lëshuar nga KQZ-ja, provohet se ndaj këtij vendimi nuk është ushtruar ankimim brenda afatit ligjor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, duke bërë që ky vendim të jetë i formës së prerë.

4. Kërkesë në kohë.

Reka shkruan se “Nga vërtetimi lëshuar nga KQZ provohet se ndaj këtij vendimi (të shpalljes së kandidatit fitues, XH.Z.) nuk është ushtruar ankim brenda afatit ligjor të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, duke bërë që Vendimi Nr. 944, datë 05.07.2019 i KQZ të jetë i formës së prerë dhe përfundimtar”.
Këtu, arsyetimi i Rekës është i saktë, pasi një vendim merr formë të prerë vetëm atëherë kur ndaj tij nuk ushtrohet ankimim brenda afateve ligjore. Në rastin në fjalë, ankimimi mund të bëhej vetëm pranë Kolegjit Zgjedhor, i cili thotë fjalën e fundit dhe ndaj të cilit nuk mund të bëhet ankimim tjetër më lart.
PS-ja, bëri një kërkesë paralele dhe me objekt të njëjtë për një kandidat të propozuar nga ASHE. Nga ky fakt, rrjedh se legjitimitetin e kërkesës e kishte ASHE dhe jo PS-ja
Reka shkruan se “Sipas Vërtetimit Nr. 196 P.B., datë 19.07.2019 të Kryesekretarisë së gjykatës rezulton se ky vendim (i gjykatëses Margjeka, XH.Z.) nuk ka marrë ende formë të prerë për shkak të mos përfundimit ende të afatit të ankimit dhe se deri në këtë datë ndaj tij nuk është ushtruar ankim”.
Saktë. Si rrjedhojë, duhej pritur afati 15 ditor i ankimimit në Apel. Dhe pas këtij afati, vendimi i mësipërm do merrte formë të prerë. Por, nëse do merrte formë të prerë vendimi, do sillte që Valbona Sako të mos mandatohej si kryebashkiake. Për këtë arsye, u dha me ngut dy ditë më pas një çvendim duke hedhur poshtë vendimin e dy ditëve më parë.

5. Probleme legjitimiteti.

Reka në çvendimin e tij shtron disa probleme:
a. “Pengesa procedurale formale për gjykatën për të rishqyrtuar kërkesën e paraqitur”.
Nuk janë në shqyrtim në të njëjtën kohë dy gjykime të njëjta, pasi u dha më parë vendimi i Margjekës me datën 17 korrik, i cili u pasua me datën 19 korrik nga çvendimi i Rekës. Objekti i gjykimit është i njëjtë, duke sjellë që edhe kërkuesit të jenë të njëjtë substancialisht, pavarësisht se nga ana formale janë të ndryshëm, pasi qëllimi final i PS-së dhe i kandidatës së saj, është mandati i kryebashkiakes. Edhe shkaku ligjor (causa petendi) është i njëjtë, që është ushtrimi legjitim i një funksioni publik të fituar me anë të votës së lirë.
b. “Legjitimiteti i kërkuesit, që është Partia Socialiste në paraqitjen e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë fitues në zgjedhjet vendore”.
Kërkesa e PS-së nuk është legjitime për dy arsye.
– Zgjedhjet për bashkitë bëhen me sistemin mazhoritar dhe si rrjedhojë mund të ankimojë vetëm kandidati direkt i interesuar dhe jo Partia që e ka kandiduar atë. Ndërsa në sistemin proporcional të zgjedhjeve politike, i interesuar direkt është subjekti politik që ka paraqitur listën e kandidatëve dhe jo kandidati.
– Kandidatja është propozuar nga koalicioni ASHE, ndërsa kërkesën e ka bërë PS-ja. Por, nëse pretendohet se kërkuesja PS është e njëjtë me kërkuesen (eventuale!) ASHE, atëherë rrjedh se PS-ja është kërkuese e njëjtë edhe me kandidaten e saj Valbona Sako.
c. “Kompetenca lëndore dhe materiale e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.
Kompetencën e vet lëndore dhe materiale, Gjykata e Durrësit e ushtroi me vendimin e saj të datës 17 korrik.
d. “Roli dhe funksioni i Gjykatës në shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë”.
Roli i Gjykatës, është ai i verifikuesit të vlefshmërisë ose jo të mandatit të fituar në zgjedhjet përkatëse, siç e parashikon edhe neni 60, par. 1 i Ligjit Nr. 139, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili parashikon se “Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”.
Po ashtu, Reka shkruan se “Duke qenë se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës është dhënë një vendim mbi kërkesën e Znj. Valbona Sako për vërtetimin e mandati të saj si Kryetare e Bashkisë Durrës, fillimisht gjykata vlerëson të analizojë nëse ekziston ndonjë pengesë ligjore për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste e Shqipërisë për vërtetimin e mandatit të Znj. Valbona Sako si Kryetare e Bashkisë Durrës”.
Bëhet fjalë për vendimin KUNDËR Valbona Sakos, të cilin Reka nuk e kualifikon si të tillë! Pasi nëse vendimi i parë do kishte qenë në favor të Sakos, nuk do kishte qenë nevoja që të mblidhej një trup tjetër gjykues i të njëjtës shkallë gjykimi për të njëjtin objekt shqyrtimi.

6. Gjëja e gjykuar (res iudicata).

Reka duke ju referuar nenit 451/a të K.Pr.C., shtron problemin se a kemi gjënë e gjykuar dhe nëse jo, mundësinë eventuale të rigjykimit të saj.
Sipas Rekës, “Gjëja e gjykuar nuk mund të gjykohet sërish nëse plotësohen njëherazi katër kushte:
– çështja i referohet të njëjtave palë;
– çështja ka të njëjtin objekt kërkimi;
– çështja ka të njëjtin shkak ligjor;
– vendimi i gjykatës mbi çështjen është i formës së prerë”.
“Nëse këto kushte plotësohen njëherazi gjykata duhet të vendosë rrëzimin e padisë. Mjafton të mos plotësohet njëri nga këta elementë që të mos ndodhemi përpara “gjësë së gjykuar“.
Në fakt, bëhet fjalë për gjykimin në shkallët më të larta të gjykimit dhe jo në të njëjtën shkallë gjykimi. Pasi neni 451/a është në Pjesën e Tretë (“Ankimet dhe mënyra e gjykimit të tyre”), Titulli i Parë (“Ankimet dhe paraqitja e tyre”), Kreu i Parë (“Mjetet dhe afatet e ankimit”). Nga leximi i normave para nenit 451/a, evidencohet se ankimimi i një vendimi bëhet në një shkallë më të lartë gjykimi dhe jo brenda të njëjtës shkallë gjykimi. Sidoqoftë, në rastin në shqyrtim, tre kushtet e para plotësohen. Kushti i katërt, dihet se nuk plotësohet, pasi duke qenë se nuk kanë kaluar 15 ditët për të apeluar vendimin e Margjekës, rrjedh që të mos ndodhemi para gjësë së gjykuar. Ndërsa sipas Rekës, ekziston vetëm kushti 2.
Si mund të kemi dy kërkues të ndryshëm në këtë rast, kur objekti i kërkimit është i njëjtë: mandati i kryebashkiakes? Kërkues të ndryshëm kemi vetëm në rastin kur seicili prej tyre pretendon që të ketë diçka në favorin e tij, duke përjashtuar tjetrin në gëzimin e tij. Në rastin në shqyrtim, kemi kërkues “paralelë” për të njëjtin objekt shqyrtimi. Kërkuese e ndryshme në këtë rast, do ishte vetëm kandidatja rivale: Valbona Sakollari. Sidoqoftë, duket veprim inteligjent fakti i shqyrtimit të çështjes pa kaluar afati i ankimimit 15 ditor tek Gjykata e Apelit.
Po ashtu, si mund të kemi shkaqe ligjore të ndryshme (causa petendi) kur qëllimi i një subjekti politik nëpërmjet kandidatit të propozuar prej tij, është ushtrimi legjitim i një funksioni publik të fituar me anë të votës së lirë? Në këtë rast, fakti që ankimimin e bëjnë dy subjekte të ndryshme formalisht, por që kanë qëllim të njëjtë, bën që edhe shkaku ligjor të jetë i njëjtë.
Nga arsyetimet më sipër, Reka kërkon të bindë veten e tij, por jo të tjerët se “Gjykata arrin në përfundimin se nuk ndodhemi në kushtet e “gjësë së gjykuar“ sipas nenit 451/a të K.Pr.C.”.
Në rastin konkret, nuk mund të jemi para gjësë së gjykuar nëse nuk ka kaluar afati 15 ditor i ankimimit pranë Apelit. Por, ky fakt nuk do thotë që të bëhet një proçes paralel nga e njëjta shkallë gjykimi.

7. Shqyrtim i të njëjtit objekt nga e njëjta shkallë gjykimi.

Reka, shqyrtimin e të njëjtit rast prej tij, e justifikon me faktin se “Vendimi Nr.(11-201904127) 175, datë 17.07.2019 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk ka marrë formë të prerë, provuar nga Vërtetimi Nr.196, dt.19.07.2019 i Kryekretarisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.
Në fakt, vërtetimi në fjalë, provon vetëm datën e regjistrimit të vendimit. Si do merrte pastaj formë të prerë ky vendim pa kaluar afati 15 ditor për t’u ankimuar në Gjykatën e Apelit? Pas 15 ditëve do dalë nga Kryesekretaria a Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës vërtetimi se vendimi Margjeka ka marrë formë të prerë. Që do thotë se pas dy ditëve të tjera nuk duhet të dalë një vërtetim tjetër nga Kryesekretaria a Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës se vendimi Reka ka marrë formë të prerë. Ose do ndodhë më e habitshmja që të dalë vërtetimi vetëm për Rekën dhe jo Margjekën!
Reka citon nenin 58 të K.Pr.C., i cili parashikon se: “Kur në të njëjtën gjykatë ose gjykata të ndryshme shqyrtohen në të njëjtën kohë mosmarrëveshje midis të njëjtave palë dhe kanë të njëjtin shkak e të njëjtin objekt, vendoset pushimi i gjykimit të mosmarrëveshjeve të paraqitura pas asaj të regjistruar më parë“.
Në rastin në fjalë, nuk kemi gjykim në të njëjtën kohë të të njëjtit objekt gjykimi, por kemi gjykim të njëpasnjëshëm të të njëjtit objekt dhe në të njëjtën shkallë gjykimi. Por, edhe nëse do kishim dy gjykime të njëjta, nga të njëjtat palë, me të njëjtin objekt gjykimi dhe pranë të njëjtës gjykatë, si rregull do i takonte që të pushonte gjykimi i Rekës i regjistruar pas gjykimit të Margjekës, ashtu siç e parashikon K.Pr.C. tek neni 58.
Por, Reka ja lejon vetes së tij të shqyrtojë kërkesën e PS-së, pasi sipas tij nuk ndodhemi para të njëjtit shkak ligjor, edhe pse palët janë të njëjta, kanë objekt të njëjtë kërkese dhe nuk ka kaluar afati i apelimit! Vetëm në shkallët më të larta të gjykimit mund të ndodhë që shkaku ligjor të mos jetë të njëjtë. Ndërsa në shkallën e parë të gjykimit, ky problem nuk ekziston. Po ashtu, duhet shtuar një fakt shumë i rëndësishëm. Në rastin në fjalë, ndodhemi vetëm para një pale, duke qenë se kemi vetëm një subjekt kërkues, që është Valbona Sako ose PS-ja, por jo edhe subjektin rival.

8. Legjitimitet kërkimi.

Reka sjell nenin 60 të Ligjit Nr.139, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore“ (i ndryshuar) i cili parashikon se: “Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij”.
Sipas Rekës “Kjo dispozitë megjithëse përcakton në mënyrë të detajuar organin kompetent për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë dhe afatin brenda të cilit kryhet ky vërtetim, nuk tregon shprehimisht subjektin që legjitimohet të paraqesë kërkesën për vërtetimin e mandatit”.
Si “nuk tregohet shprehimisht” në normën më sipër “subjekti që legjitimohet të paraqesë kërkesën për vërtetimin e mandatit”, kur bëhet fjalë për “mandatin e kryetarit të bashkisë” dhe i interesuari direkt është po vetë kandidatja që ka fituar direkt mandatin ndaj kandidates tjetër?! Po të ecet me këtë logjikë arsyetimi, atëherë i takon që kërkesën për vërtetimin e mandatit ta bëjë në mënyrë të pavarur (ose simultane!) kandidati fitues, subjekti politik që përfaqëson ai, ose aleanca politike ku bën pjesë partia politike që e kandidon atë. Deri më tani nuk ka ndodhur që vërtetimin ta kërkojnë partitë politike apo aleancat politike. Por, e ka bërë vetëm kandidati fitues.

9. Interes legjitim, apo e drejtë subjektive?

Reka thotë se “Në praktikën e zakonshme të zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore, si kërkues paraqitet kandidati fitues për kryetar bashkie, të cilin gjykatat në çdo rast e kanë legjitimuar duke vlerësuar se ka një interes të ligjshëm në paraqitjen e kërkesës”.
Saktë në lidhje me legjitimitetin e kërkuesit. Por, Reka nuk kuptohet se përse e kuailifikon kërkesën e PS-së si interes legjitim, kur në fakt kemi të bëjmë vetëm me një të drejtë subjektive. Pasi dallimi mes këtyre dy parimeve juridike është shumë i madh në substancë.
Me interes legjitim, kuptohet interesi i një subjekti që organet e administratës publike të ushtrojnë funksionin e tyre në respektim të normave ligjore për të disiplinuar dhe rregulluar aktivitetin e tyre. Më saktë, në rastin konkret, interesi legjitim ishte që zgjedhjet të zhvilloheshin në respektim të ligjeve në fuqi dhe jo fitimi i një mandati.
Kurse e drejta subjektive pretendohet kur në të drejtën objektive (tërësia e normave ligjore të një shteti për të rregulluar jetën sociale brenda kufijve të tij) ekziston një normë ligjore, e cila i lejon të interesuarit që t’i drejtohet gjykatësit për të pasur një vendim në favorin e tij. Në rastin konkret, kemi nenin 60 të Ligjit Nr. 139 datë 17.12.2015, i cili i jep të drejtën kandidates fituese për kërkuar nga gjykata vërtetimin, që i lejon asaj ushtrimin e funksionit të kryebashkiakes. Në këtë rast, PS-ja nuk ka pse të pretendojë një interes legjitim, por një të drejtë subjektive që në rastin konkret përkon me të drejtën subjektive të kandidatës së saj fituese.
Nga ky fakt, rrjedh se vendimi i Margjekës vuri në dukje një fakt shumë problematik, i cili ishte cënimi i interesit legjitim si pasojë e mos respektimit të ligjit në lidhje me regjistrimin e BD-së jashtë afateve ligjore. Nga kjo shkelje, ligjore rrodhi që të mos përmbushej e drejta subjektive e kandidates socialiste.
Po ashtu, edhe Kushtetuta është shumë e qartë kur parashikon në nenin 42, par. 2 se “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Shihet shumë qartë edhe këtu dallimi mes të drejtave subjektive dhe interesave legjitime (ose ligjore).

10. Titullaritet kërkese.

Reka vazhdon “Përsa kohë dispozita nuk përcakton shprehimisht subjektin që duhet të paraqesë kërkesën për vërtetimin e mandatit, gjykata i referohet rregullave të përgjithshme të përcaktuara në nenin 32 të K.Pr.C., i cili përcakton: “Padia mund të ngrihet: a) për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur; b) për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënieje juridike ose një të drejte; c) për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin” dhe parashikimeve të Kodit Zgjedhor në lidhje me legjitimin në kërkime të kandidatëve, partive politike dhe koalicioneve zgjedhore”.
Në rastin e pikës b) të nenit 32 të K.Pr.C., duke qenë se më parë bëri kërkese kandidatja fituese dhe më pas PS-ja, të cilën ajo e përfaqëson, sjell si rrjedhojë që të kemi mbivendosje kërkuesish për të njëjtin objekt gjykimi dhe të drejtë subjektive, në kohë të ndryshme dhe jo njëkohësisht. Në rastin konkret, PS-ja ka paraqitur në Gjykatë rikërkesën për të vërtetuar mandatin e kryetares së bashkisë të kandidates fituese. PS-ja mbase mund të legjitimohej në kërkesën e saj vetëm nëse kandidatja e saj fituese nuk do kishte bërë kërkesën përkatëse. Po ashtu, neni 32 i K.Pr.C. i referohet rasteve kur ngrihet një padi dhe jo faktit se kush legjitimohet që të kryeje padinë.
Sipas Rekës “Në ato raste që kandidati për kryetar bashkie regjistrohet në KZQ si kandidat i një subjekti politik, legjitimimin për të kërkuar vërtetimin e mandatit e ka si vetë kandidati, ashtu edhe nga partia, koalicioni apo partitë politike përkatëse”.
Në fakt, par.1 i nenit 60, është shumë i qartë, pasi legjitimon vetëm kandidatin fitues që të kërkojë vërtetimin. Dihet pastaj se kandidatin e propozon partia politike ku ai bën pjesë apo koalicioni partiak. Në këtë pikë, legjislatori ka qenë shumë i qartë me normat ligjore përkatëse. Por, ky fakt nuk mund të çojë në përfundimin se ai subjekt politik apo koalicion politik që propozon kandidatin e tij, mund edhe të bëjë kërkesën për vërtetimin e mandatit. Ky nen vlen edhe nëse do kishim një kandidat të pavarur. Po ashtu, Rekës i “rrëshqet” një fakt pa u vënë re: Valbona Sakon e ka propozuar si kandidate “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, kurse kërkesën për të njohur mandatin e saj e ka bërë PS-ja dhe jo ASHE-ja. Nga ky fakt, rrjedh se legjitimitetin për mandatin duhej ta kishte ASHE-ja dhe jo PS-ja.
Reka vazhdon se “Neni 145, par. 1 i Kodit Zgjedhor, parashikon se: “Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cënojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi. Të drejtën e ankimit, sipas këtij neni, e kanë edhe individët ose partitë politike, të cilëve u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor”, etj.”
Përsëri Reka ngatërron të drejtën subjektive me interesin legjitim! Ose nuk e njeh aq mirë dallimin mes këtyre dy parimeve! Rekës nuk i bie në sy diçka, ose e harron me qëllim. Ndryshon rasti kur kërkohet vërtetimi i një mandati të fituar në zgjedhje nga e drejta e një ankimimi në lidhje me cënimin e një interesi legjitim. PS-ja nuk ka bërë asnjë ankimim në zbatim të normave të mësipërme, por ka bërë një rikërkesë për vërtetimin e mandatit të fituar nga kandidatja e saj.

11. Vetëm “noterizues”?!

Sipas Rekës “Referuar këtyre dispozitave (neni 60/1 i Ligjit Nr. 139, datë 17.12.2015, XH.Z) rezulton se roli i gjykatës së rrethit gjyqësor në vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është verifikimi i plotësimit të kushteve formale të aktit që ka shpallur fitues kryetarin e bashkisë”. Më tej, Reka shton se “Gjykata arrin në konkluzionin se i vetmi element që duhet të analizohet prej saj në shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë është ekzistenca e vendimit të formës së prerë dhe përfundimtar të KQZ për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit për Zgjedhjet për Kryetar Bashkie Durrës”.
Po të ishte roli i gjykatës vetëm ai i verifikimit formal të vlefshmërisë së mandatit, fare lehtë këtë rol mund ta bënte KQZ-ja në momentin e shpalljes së fituesit pa qenë nevoja e “ndërmjetësimit” të gjykatës. Reka vihet në rolin e Gjykatës së Lartë, duke i njohur (dhe imponuar!) gjykatës së shkallës së parë vetem rolin formal të një nëpunësi të Gjendjes Civile, apo “noterizuesit” të një vërtetimi. Por, ai harron (ose mbase edhe nuk e din) se një noter, i cili është zyrtar publik, KURRË nuk mund (dhe nuk duhet) të firmosë një AKT mes palëve, nëse dokumentacioni në funksion të këtij akti nuk respekton, ose më saktë shkel ligjet përkatëse. Noteri është një funksionar publik jo vetëm formal, por më e rëndësishmja ai është një funksionar publik substancial. Por, edhe nëse do merrej në konsideratë varianti i Rekës, i cili i cakton gjykatësit vetëm rolin e “noterit” formal, atëherë bën çudi fakti se si Ligji Nr.139, datë 17.12.2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, tek neni 60, par. 1, parashikon “vërtetimin e mandatit të kryetarit të bashkisë nga gjykata e rrethit gjyqësor”, ndërsa tek par. 2 parashikon edhe “deklarimin e pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë”. Nga ky fakt, rrjedh se “noteri” e paska edhe tagrin e “deklarimit të pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë” për arsye të parashikuara nga ligji! Reka mbase mund të kishte të drejtë vetëm nëse nuk do ishte par. 2(….)!
Në rastin konkret, roli i gjykatësit është ai i verifikuesit substancial jo vetëm të mandatit të fituesit, por edhe i procedurës së arritur deri tek fitimi i këtij mandati. Nëse në rastin konkret askush nuk bëri një ankimim pranë KQZ-së për procedurën e ndjekur në zgjedhjet lokale, kjo gjë nuk do thotë që gjykatësja së cilës ju kërkua vërtetimi i mandatit të mos verifikonte që në fillim këtë procedurë. Dhe jo vetëm të mjaftohej me firmosjen e vërtetimit të kërkuar nga kandidatja fituese. Gjykatësja Margjeka nuk kundërshtoi në vetvete një vendim të formës së prerë, por kundërshtoi procedurën antiligjore, që u ndoq dhe nga e cila doli fituese kandidatja socialiste. Çfarë vlere do kishte atëherë vetëm çertifikimi formal i një mandati të fituar në bazë të një vendimi të KQZ-së, kur procedura e fitimit të këtij mandati nuk mund të shqyrtohej nga organi i cili ka tagrin përkatës në bazë të ligjit? Në këtë rast, do mjaftonte vetëm fakti që një mandat është fituar, pa qenë nevoja e firmosjes së këtij vendimi nga një organ tjetër. Kështu do evitohej mbivendosja e organeve, duke mos ngarkuar kështu gjykatën civile për vërtetimin e mandatit të fituar.

12. Gjykues dhe “noter”!

Sidoqoftë, rolin e “noterit” formal çertifikues në rastin konkret e mori gjykuesi Reka, duke vendosur:
1. “Të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste e Shqipërisë si pjesë e koalicionit zgjedhor Aleanca për Shqipërinë Europiane”;
2. “Të vërtetojë mandatin si Kryetare e Bashkisë Durrës të Znj. Valbona Simo Sako në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019, sipas Vendimit Nr. 944, datë 05.07.2019 të KQZ”.

13. Përfundim.

Në çvendimin në analizë, gjykuesi Reka ka vënë në plan të parë arsyet dhe vlerësimet e tija personale (ose të sugjeruara!) në vend të aplikimit të ligjit, duke shkelur atë.
Ndryshon rasti kur një çështje gjykohet njëkohësisht nga trupa të ndryshme gjykuese të së njëjtës shkallë gjykimi nga gjykimi i së njëjtës çështje në kohë të ndryshme nga trupa të ndryshme gjykimi të së njëjtës shkallë gjykimi. Aq më shumë kur është dhënë gjykimi i parë, i cili përmbyset nga gjykimi i dytë.
Gjykuesi Rama në rastin konkret kur “shorti” (apo fati!) i caktoi atij gjykimin e çështjes, duhej t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese që të interpretonte kushtetutshmërinë e faktit nëse një trup gjykues mundet (apo duhet) të gjykojë një çështje të gjykuar më parë nga nga një trup tjetër gjykues i të njëjtës shkallë gjykimi. E gjitha kjo në respekt të parimit NE BIS IN DEM (mos përsëritja e të njëjtit gjykim më shumë se njëherë).
Nëse gjykuesi Reka do i nështrohet ndonjëherë vettingut(!), ai jo vetëm nuk mund të kthehet në Shkollën e Magjistraturës për t’u ritrajnuar si ndonjë koleg i tiji(!), por ka mundësi që të përjashtohet përjetë nga funksioni i tij. Pasi çvendimi i tij, përbën një precedent shumë të rrezikshëm për më vonë, sepse mund të ndodhë që në të ardhmen këtë precendet ta përdorë ndonjë subjekt tjetër politik (ose pse jo edhe i njëjtë: PS-ja!). Aq më shumë po të marrësh parasysh edhe faktin që ky çvendim nuk u ankimua nga kandidatja rivale Valbona Sakollari! Ose të ankimohej edhe nga Patozi në cilësinë e Kapos së BD-së, i cili ka deklaruar se “Do shkojë deri në Hagë, duke qenë se zgjedhjet janë vjedhur”, por nga ana tjetër ai nuk begenisi që të shkojë deri në Durrës për të ankimuar ketë çvendim skandaloz!
Por, problemi tjetër më i madh është se Reka me çvendimin e tij nuk e pati tagrin që të shfuqizojë vendimin e koleges së tij Margjeka. Kështuqë, ne ndodhemi përpara dy vendimeve me rezultate të kundërta (duke qenë se deri më tani vendimi i parë nuk është hedhur poshtë nga një shkallë më e lartë gjykimi).
Nuk duhet harruar edhe fakti tjetër se vendimi i Margjekës do marrë formë të prerë dy ditë para çvendimit të Rekës, duke e bërë kështu të pavlefshëm atë. Në këtë rast, vendimi i parë duhet zbatuar. Nëse PS-ja do pretendonte që të merrte zbatim çvendimi Reka, më parë do duhej të investonte Gjykatën Kushtetuese për të zgjidhur ngërçin e krijuar nga Reka (me “sugjerimin” e PS-së!). Por, Gjykata Kushtetuese për momentin nuk ekziston dhe nuk dihet se kur do ekzistojë! Nuk duhet harruar se një vendim të një shkalle më të ulët gjykimi, mund ta ndryshojë apo ta hedhë poshtë vetëm një shkallë më e lartë gjykimi, por KURRË e njëjta shkallë gjykimi.
Duke qenë se çuditë shqiptare nuk marrin fund, merret vesh se Valbona Sako ka deklaruar se “Të hënën (29 korrik) do ta apeloj vendimin në Gjykatën e Apelit Durrës, për të kërkuar të drejtën time që kam arritur me mund”! Supozohet se Valbona Sako i referohet vendimit të Margjekës! Që do thotë se as ajo nuk është akoma dakord me çvendimin Reka!

Sidoqoftë, komplimenti stakanovistit Reka!

28.07.2019