Një “ofertë” historike, turistike e më gjërë që nuk duhet refuzuar…

0
1678

Rreth librit të autorit Skënder Farka ”Lugina e Kërrabës, njësia administrative Bërzhitë”

Nga Gëzim Loka

Takimi me Skënder Farkën, veprimtarin e shquar të shoqatës aktive “Tiranë” është gjithmonë suprizues, mbushur me dialogje “me bukë”, që prekin hallet, shqetësimet dhe kauzat e tij në shërbim të një komuniteti, hapësirën e të cilit duket se e ndjen në çdo pore lëkure dhe rrahje zemre. Por ende më suprizues dhe befasues m’u duk udhëtimi në “librat” e tij, shpalimet e kujtesës së tij në kohëhapësirën e një ëndrre njerëzore, mbushur me detaje të imëta dhe përshkrime e zhbirime të holla të mjediseve që përshkruan me penën e tij të hollë.

Teksa lexoja librin e tij “Lugina e Kërrabës, njësia administrative Bërzhitë”, mu shpalosën si në një ekran të gjërë pamje vendesh të virgjëra, plot bukuri e sharm natyror, perla në hije të një bukurie dehëse, turistike dhe të shpirtit njerëzor, që ia vlen të njihen, eksplorohen e shijohen.

Skënder Farka bën në këtë libër një “udhëtim” kujtese dhe përvoje, duke shetitur me këmbë e me mendje nëpër zona të caktuara të Tiranës, kryesisht në fshatrat e saj, ku ka një njohje të thellë dhe ku kanë mbetur gjurmët e tij në kohë.

Në këtë libër Skënder farka prek konkretisht realitetin gjeografik, historik, aktual; por duke e sjellë këtë prekshmëri në mënyrë të bollshme, të studiuar e të detajuar edhe për lexuesin e pasionar, që kërkon të dijë më shumë rreth vendeve të ndryshme,për monumentet natyrore, konfiguracionin gjeografik, të ndodhurat e djeshme dhe të sotme, të njohë njerëz të këtyre vendeve etj.

Vështruar në këtë aspekt, Farka me librat e tij, e veçmas me këtë libër, konturon dhe plotëson një enciklopedi turistike, ku shënimet e tij, përshkrimet dhe analizat e imëta, mbeten një gur themeli në këtë fushë, duke tejkaluar parimet dhe normat e një këshërie të thjeshtë në formatin vetëm të guiditimit turistik.

Nga vetë titulli, ky libër i tij i kohëve të fundit flet për luginën e Kërrabës, për ato magji gjysëm të fshehta, që përbëjnë një kurorë brilante të bukurisë mjedisore të Malësisë së Tiranës e më gjërë…Kushdo që kalon nga kjo luginë piktoreske, me një pamje mahnitëse, ngjitur me qytetin e Tiranës dhe pjesë e tij, përkatësisht sot: Njësia administrative Bërzhitë, pjesë e bashkisë së Tiranës, nuk mund ta përmbajë klithmën e emocionit që vjen nga përballja me një bukuri të virgjër, për fat të keq të refuzuar. Themi “të refuzuar”, pasi dora e njeriut dhe përkujdesja e shtetit nuk kanë qenë as në kuota minimale, që të mund t’i përgjigjeshin këtij destiancioni turistik, histiorik dhe entnokulturor. Në Tiranë, thotë Farka, kam vizituar 70 fshatra të saj, që nga Qafë Shtama, malet në kufi me Krujën, deri në fund të vargmalit të Dajtit, dhe Malësisë me Kërrabën”.

Sot turizmi po merr një vlerë,një prioritet nga shoqëria jonë, por pakkush e njeh Malësinë e Tiranës dhe Skënder Farka sjell detaje të rëndësishme, për ta njohur dhe vlerësuar këtë pasuri trevore, lokale e kombëtare. ka sjellë një kontribut në këtë lëmë,duke dhënë një seri librash që rrezatojnë për materialin faktik të bollshëm, por edhe për rrezatimin që i bëjnë përmes fjalës së mençur intelektuale e me kompetencë shkencore gjithë vlerave natyrore e bukurive njerëzore të ndërthura në harmoni dhe të spikatura.

Libri përcillet në hyrje të tij me një aradhë emrash dhe kontrubutorësh të spikatur, që kanë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e shoqatës “Tirana” si: Arben Tafaj, Ismail B. Demneri,Evelina B. Kerçiku, Xhelal H. Ahmetaj, Ismail Varroshi, Ihsan I.Lezha, duke na dhënë për secilin, me disa penelata të “kursyera” portretin e tyre dhe jo vetëm, por edhe kontributin e tyre në shoqatë, që spikat sidomos në njohjen e vlerave të Tiranës, kësaj toke të bekuar nga natyra, me njerëz duarartë, punëtorë e bujarë, që po mban mbi një milion shqiptarë të ardhur nga vise të ndryshme të atdheut.

Dhe me të drejtë autori gjykon se kjo pasuri gjeografike, etnopsikike dhe etnokulturore e malësisë së Tiranës, e bën më të dashur dhe më kreative kryeqytetin tonë të dashur dhe jo vetëm për për tiranasit e vjetër, por edhe për ardhësit, por duhet më tepër ajo të njihet për bukurinë, vlerat që ka, si gjeografike ashtu edhe etnografike. Këta nismëtarë dhe vazhdues së kauzës së një shoqate shumë akitive, spikatin në cilësinë e jetës së tyre profesionale për studimet e shumta dhe vlerat e mirëfillëta shkencore apo për historinë e suksesit aty ku japin këtë dije në zbatim dhe paraqitje.

Një vend të konsiderueshëm zë në librin e Skënder Farkës reforma administrative, “sekretet” e së cilës duket se autori i njeh mirë dhe na përcjell të dhëna interesante për këtë, sidomos për Tiranën, e cila duke qenë një zonë e rëndësishme dhe me intesitet të madh zhvillimor, paraqet një interest ë veçantë në këtë rrafsh.

Ndër pjesët më të bukura dhe më emocionante të librit janë përshkrimet e bukura e të gjalla, me një stilistikë të thjeshtë dhe të ngjeshur të historive të vjetra të Tiranës, bie fjala si erdhi dhe u zmadhua ky qytet, duke e fituar dita ditës rëndësinë. Karakteri informues dhe fakti i pakundërshtueshëm vihen jovetëm në penën e një analisti të hollë investigues, me fjalë të kursyer, po dhe të një studiuesi që nuk ka hulumtuar pak. Pasi bën një përshkrim konciz të këtyre çështjeve, Farka hidhet direkt në temë: në luginën e Kërrabës ose lugina e Erzenit. Kjo Luginë nuk mund të shihet e shkëputur, ajo është pjesë e Tiranës dhe duke sjellë të dhëna interesante për rrugën e vjetër Tiranë –Elbasan, autorinuk harron të na japë të qasje po kaq interesante, madje të detajuara për autostradën e re që përshkon këtë luginë të bekuar, si shenjë zhvillimi luginor, por edhe si akses ndërlidhës kombëtar me rëndësi jetike për pjesë të tjera të vendit.

Në të gjitha qasjet e tij parnaromike, turistike e zhvillimore, Farka nuk i ndahet “këmba këmbës” historisë, kumteve që vijnë që nga lashtësia deri në kohën tonë, për të shpjeguar me zellin e një studiuesi toponiminë e vendeve, duke mbledhur të dhënat dhe sistemuar ato me këmbëngulje. Jo pa interes paraqitet qyteti i Kërrabës dhe dy fshatrat e tij. Sipërfaqe tokash,pyje, numër shkollash, banorësh, biznese, gjenden saktësisht në këtë kapitull dhe trajtohen hap pas hapi me një kriter informues dhe përshkrues të mirëpërcaktuar.Historiku i minierës së Kërrabës vjen nga një interesim i hershënm i një korçari për të dhe vijon më pas në kohë të Luftës dhe në kohë të komunizmit.

Duke udhëtuar në përshkrimet mrekullore që autori iu bën fshtarave Mushqeta, Dobresh, Sukterrë,Ibë e Poshtme, Ibë e Sipërme, Pëllumbas, Pashkashesh, Rozaverë,Fravesh, Kllojkë,Mihajas, Kus, Lugë-Shalqizë, lexuesi e ndjen veten të përmbushur me jetën e banorëve të tyre nëpër kohë, por edhe duke dhënë kohën e sotme, ku bien në sy ndërtimet e reja që gjithëkush i ka parë teksa udhëton në këtë luginë fantastike.

Figura ing. e arsimtarësh, mjekësh e kuadrove drejtuese dalin në librat e tij me njohjen që ka autori për ta, por edhe me dëshirën dhe aftësinë e tij për t`i portretizuar larg zmadhimit e në realitetin e begatë të suksesit të tyre.

Edhe pse një libër me shtrat tekstor shkencor, nuk mungojnë përshkrimet poetike dhe idilike të bukurive të natyrës, pa haruar për asnjë çast që t’i japë ato të veçanta nga një fshat në tjetrin.

Skënder Farka është një njeri i ditur dhe i shetitur, me një përvojë të madhe intelektuale dhe njerëzore, ish pedagog, studiues aktiv, veprimtar i shquar dhe njeri human, që komunikon me miq e shokë të shumtë në të katër anët e Shqipërisë, ku në fshatra më të thellë, si në disa fshatra të Lurës së Dibrës, ka çuar herë pas here ndihma dhe ka përkrahur fëmijët dhe të rinjtë për të gjetur vetveten në prirjet dhe talentet e tyre natyrale.