Dr. Oltsen Gripshi
Studiuesi i historisë së Arteve shqiptare Dr. Oltsen Gripshi, ka sjellë punimin “Peizazhi në pikturën shqiptare”
Në këtë studim, si element ndërlidhës shërben filozofia mes metodave dhe metodologjisë së studimit të tij. Një temë e trajtuar me pasionin e artistit dhe këmbënguljen e studiuesit, për të përfaqësuar tërësinë e mozaikut shumëngjyrësh të pikturës shqiptare ndër shekuj
Dr. Rovena VATA
Në vend të prologut
Studiuesi i Historisë së Arteve Shqiptare Dr. Oltsen Gripshi, ka sjellë si tezë të doktoratës së tij, temën me titull: “Peizazhi në pikturën shqiptare”, të mbrojtur më 23.11.2017, pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit-Akademia e Studimeve Albanologjike-Tiranë.
Në këtë studim, si element ndërlidhës shërben filozofia mes metodave dhe metodologjisë së studimit të tij. Një temë e trajtuar me pasionin e artistit dhe këmbënguljen e studiuesit, për të përfaqësuar tërësinë e mozaikut shumëngjyrësh të pikturës shqiptare ndër shekuj. Ky studim ndahet në katër hapësira të ndryshme, duke përfshirë jo vetëm periudhat përkatëse, por edhe për të përçuar të ardhmen e historisë së pikturës shqiptare, duke nisur nga vitet e fundit të shekullit të XIX deri në fillim të shekullit të XXI.
Shpirti i tij artistik vjen i miksuar edhe përmes njohës së historisë së kulturës shqiptare, por edhe analizës psikologjike të popullit të tij. Arti për të është shpirti i një kombi dhe si i tillë arti në përgjithësi, por edhe arti pamor në veçanti është një dukuri shpirtërore, plotësi e ndjesive dhe ndjenjave të përjetuara brenda vetë krijesës njerëzore, që në zanafillën e vetë ekzistencës së njeriut dhe si e tillë është pjesë e pandashme nga njeriu. Për të nxjerr në pah vlerat artistike të pikturës së peizazhit në Shqipëri, autori ka sjellë studim analitik falë gërshetimit të periudhave historike, stilistike dhe estetike, duke përdorur një strukturë dualiste, për të bërë kështu zbërthimin psiko-filozofik të 370 artistëve shqiptarë.
Periodizimi i studimit të periudhave të zhvillimit të pikturës
Një ndarje studimi e tillë në katër boshte, siç e quan vetë autori, ka të bëj me gjithëpërfshirjen e temave, tematikave dhe periudhave, duke filluar me periudhën e Lindjes apo Ri-lindjes së pikturës shqiptare, e cila përkon me një hark kohorë, duke nisur rreth vitit 1883 me realizimin e veprës “Motra Tone”, deri nga fundi i viteve ’20 të shekullit të XX, të përfaqësuar nga piktorët Kolë Idromeno dhe Spiro Xega. Periudha e pikturës së Pavarësisë në vitet 1920-1940 ishte pikërisht ajo, e cila zhvilloi më tutje krijimtarinë laike në pikturën tonë kombëtare me një gjuhë sa lirike aq dhe romantike e impresioniste të frymëzuar nga realiteti. Një rol të rëndësishëm në pikturën e Pavarësisë patën piktorët, si: Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Zef Kolombi, Vangjush Mio dhe Nexhmedin Zajmi.
Piktura e Realizmit Socialist është zhvillimi i tretë shumë i rëndësishëm për pikturën shqiptare, ndonëse e kodifikuar nën ndikimin e ideologjisë dhe propagandës Marksiste-Leniniste gjatë sundimit të regjimit komunist midis viteve 1940/41-1989. Një periudhë historike të cilën mund ta zbërthejmë nëpërmjet krijimtarisë së artistëve Qamil Grezda, Foto Stamo, Zef Shoshi dhe Gavril Priftuli.
Ndërsa zhvillimi i katërt në formulimin e këtij kërkimi ka të bëjë me lëvrimin e peizazhit në pikturën e pas viteve ‘’90. Një periudhë e përfaqësuar nga artistët Maks Velo, Ali Oseku, Artan Shabani dhe Toni Milaqi. Sigurisht jo të vetmit, por që në atë çfarë unë synoja të arrija, këto katër artistë sollën katër “shkolla” të ndryshme stilistiko-estetike mes tyre në mënyrën se si ato e filtrojnë natyrën në peizazhet që krijojnë. Artistë këta ende aktiv në lëvrimin e peizazhit në pikturën e tyre, por ajo që vërtetë e pasuroi këtë studim ishte grupi i peizazhistëve të Plein air-t shqiptar të cilët në vitet e fundit kanë mbajtur gjallë pikturën në një marrëdhënie të drejtpërdrejt me natyrën. Grup ky i përbërë nga artistë të mirënjohur në trajtimin e gjinisë së peizazhit, si: Kujtim Buza, Pashk Përvathi, Agron Dine, Xheneta Kadillari, Vangjo Vasili, Qamil Prizreni, Sadik Kasa, Sefedin Stafa, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli dhe Nikolin Ivanaj.
Peizazhi bibliko-filozofik i Kolë Idromenos
Peizazhi bibliko-filozofik i Kolë Idromenos paraqitet në tablonë “Rrugët e jetës”, si pjesë e peizazhit në pikturën e ri-lindjes shqiptare. Tabloja “Rrugët e jetës” apo Paraja dhe Ferri, vjen e jetësuar si vepër e artistit shkodran Kolë Idromeno. Vlerë për historinë e arteve shqiptare në lidhje me këtë vepër arti, ishte pikërisht krijimi i një gjendjeje emocionale brenda vetes, që të prek thellë në zemër, pasi autori i kësaj tabloje kishte sjell këmbëkryq rrethanat historikë që të zinte vend në atë kohë.
Peizazhi midis naivitetit dhe amatorizmit e piktorit Spiro Xhega
Peizazhi midis naivitetit dhe amatorizmit në tablonë “Çeta e Shahin Matrakut” të piktorit Spiro Xhega, duke e materializuar këtë tablo me gjurmë shqiptare, për të tentuar të jetësonte një fenomen të përhapur shoqëror, me një gjuhë piktoreske realiste. Kjo vepër në rrafshin krahasues historik shpërfaq një dimension tjetër të rëndësishëm për historiografinë e pikturës shqiptare, siç ishte portretizimi i jetës, zakoneve, veseve dhe përditshmërisë së shqiptarëve.
Peisazhi në periudhën e pavarësisë i Buzës dhe romantiko realist i Kolombit
Peizazhi në periudhën e pikturës së pavarësisë, ku mbizotëronte peizazhi i ngjyrtë pre-kubist, rasti i pikturës së Abdurrahim Buzës, arti i të cilit gërshetohet me grimcat e mendësisë, ku koha në atë çfarë ai krijojë nuk njeh kohë. Krejt ndryshe paraqitet peizazhi i butë lirik në pikturën e Sadik Kacelit, ku ky peizazh në pikturën e tij thërret paqësisht natyrën me të gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj, duke nxjerr në pah ndërthurje gjurmësh piktoreske të një grup artistësh në kapërcyell midis fundit të shekullit
XVIII dhe fillim shekullit të XIX, të ashtuquajtur piktorët e “sinqertë”. Peizazhi romantiko-realist në pikturën e Zef Kolombit, piktori shkodran, në peizazhet e tij, e sheh natyrën drejtpërdrejt, duke krijuar “peizazhe të pastra”, ku çdo element në natyrë pikturohet me vërtetësi dhe paraqitje “dinjitoze”.
Peizazhi midis impresionizmit të Vangjush Mios dhe pas-kubizimit të Ibrahim Kodrës
Trajtimi i çështjes së peizazhit midis impresionizmit të Vangjush Mios dhe pas-kubizimit të Ibrahim Kodrës… Një rastësi në jetën e dy piktorëve, e cila me njohuritë që përftuan mbi pikturën dhe arritjet e tyre do të ndikonin edhe në pikturën shqiptare të shekullit të XX. Një përgatitje artistike të huazuar në akademitë e arteve të Italisë, ku në atë të Romës me prirje realiste u ndikua piktori Vangjush Mio dhe në atë të Milanos me prirje moderniste u shkollua piktori Ibrahim Kodra. Ndonëse të dy të shkolluar jashtë vendit, përsëri “Muza” frymëzuese e tyre do të mbetej Shqipëria me folklorin, kostumet dhe natyrën magjepse të saj.
Në peizazhet e Ibrahim Kodrës lexohet lehtësisht ndikimi nga lëvizja artistike e kubizmit. Në përballjen e parë me peizazhet e realizuara nga këta dy piktorë, ajo që më nxit për t’u thelluar në një analizë krahasuese mes tyre është gjuha artistike dhe mënyra se si ato e interpretojnë natyrën. Kjo analizë krahasuese mes tyre, i vendos piktorët përballë dhe përkrah njëri-tjetrit, duke kërkuar në hulumtimin dhe zbulimin e tipareve të përbashkëta dhe ato dalluese. Tipare këto të cilat e bëjnë në vetvete këtë analizë krahasuese ende më ndjellëse e të guximshme. Sepse, ato e pasurojnë historiografinë e artit pamorë shqiptar me frymën e dy “shkollave” të mëdha të artit perëndimor, atë të Impresionizmit dhe Kubizmit.
Piktori Mio, shpesh tregon një vëmendje të veçantë edhe në pikturimin e shtëpive karakteristike dhe monumenteve të ndryshme arkitektonike nga trashëgimia kulturore, duke ndërthurur njëkohësisht brenda peizazheve pamje nga e shkuara antike dhe e tashmja e tij.
Ibrahim Kodra i ndërton peizazhet e tij me një thjeshtësi të papërsëritshme. Drita si burimi i jetës, e cila i jep vëllim realitetit tonë në peizazhet e dy artistëve është harmoni. Është ritmi i ngjyrave që krijon pamjen apo të parin e qenies njerëzore. Aspekti i të parit mbanë një peshë të rëndësishme në perceptimin e dritës ku syri është ndjeshmëria më e lartë për te dy ata, sepse falë syrit, i cili përcjell në mënyrë të drejtpërdrejt tek truri atë çfarë ai sheh në realitet, këta artistë arritën të gërshetonin efektet e dritës me vetëdijen.
Peizazhi në pikturën e realizmit socialist
Peizazhi në pikturën e realizmit socialist i viteve 1953-1990, spikat fizionominë e natyrës në peizazhet e Qamil Grezdës, ku raporti i këtij artisti me natyrën ndërtohet mbi bazat dhe virtytet universale të njeriut. Natyra një element dominues përmes socializmit real të Zef Shoshit, ku gjurmët e ndikimit të artit totalitar ndjehen dhe janë lehtësisht të prekshme, ndonëse piktori Shoshi ka tentuar që në pikturën e tij të krijojë një alkimi disi të veçantë mes asaj çfarë ai ndjenë (botës së tij të brendshme) dhe asaj çfarë ai sheh (realiteti si një ekzistencë të pandryshueshme)… dhe kjo vendos në lëvizje një proces të ndërlikuar, aq sa përmes një filli të padukshëm përthithen dhe përcillen energji të mëdha plot elektricitet! Proces i ndërlikuar ky, sepse piktori Shoshi frymëzimin e ushqen, duke vëzhguar natyrën, si hapi i parë i këtij procesi. Peizazhi në pikturën dekadente të Gravil Priftulit, ku arti i tij vjen sa i qetë dhe i sinqertë. Një aspekt tjetër jo shumë i trajtuar dhe i hulumtuar në pikturën e artistit Gavril Priftuli, i cili po me aq pasion dhe mjeshtëri ka trajtuar peizazhin rural dhe jetën në fshat me të gjithë madhështinë që e karakterizon.
Peizazhi modern-bashkëkohor
Peizazhi modern-bashkëkohor në pikturën post-komuniste shqiptare të viteve 1990-2017, është konkretizuar me peizazhet e Maks Velos, ku piktura për të ishte një dritare e munguar, për të parë jashtë vezullimin e dritës, për të ndjerë freskinë ledhatuese të flladit pranveror, por dhe magjinë e borës së bardh të dimrit.
Peizazhi i mugët ekspresionist-abstrakt paraqitet në pikturën e Ali Osekut, i cili ndriçoi botën me analizën e katër elementeve Aristotelian (zjarri, uji, ajri dhe toka). Ashtu si e kuqa, bluja dhe e verdha lindën nga toka, ashtu lindi dhe metamorfoza e krijesave të tij. Metamorfoza e pikturës së Ali Osekut në transkriptimin e ndjenjave përmes nxehtësisë, ftohtësisë, lagështirës dhe thatësirës.
Në vend të epilogut
Dhe së fundi për ta mbyllur këtë tezë kaq të ngjeshur me interesante për Historinë e Arteve Shqiptare ishin artistët e pikturës En plein air shqiptare, ku dallonin prej ngjyrave, emocioneve, ndjenjave, energjisë dhe penelatave, të cilat dilnin nga shpirti, duke u modeluar dhe përjetësuar peizazhet nga veriu dhe jugu apo nga lindja dhe perëndimi i gjithë Shqipërisë. Ky është universi i artistëve peizazhist shqiptar të cilët në ekspozitën “Plein air II” prezantohen me tablo të realizuara në një marrëdhënie të drejtpërdrejt dhe nga natyra mahnitëse shqiptare.
Marrë nga gazeta NACIONAL