Martin Camaj (1925-1992) – Biografia

0
2392

Martin Camaj (1925-1992)

Biografia

Martin Camaj, u lind më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afirmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi.

Pas disa peripecish, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike “Nji fyell ndër male” (Prishtinë, 1953) dhe “Kanga e vërrinit” (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij filologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe “Mesharin” e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua.

Erika e Martin - histori dashurie

Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze “Shêjzat”(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.”

Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Vdiq larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lengries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes dr. Erika Camaj. Me gjithë ndryshimet e ndodhura në vendin tonë, me përmbysjen e regjimit monist, për arsye shëndetësore, ai nuk arriti të shohë vendlindjen e tij Temalin e largët malor, por edhe Shkodrën, me të cilën e lidhnin shumë kujtime, kryesisht, nga qëndrimi i tij në kolegjin Saverian.

Veprimtaria Gjuhësore

Dyzet vjet më parë Martin Camaj botoi në gjermanisht “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”(Lehrbuch der albanischen Sprache, Otto Wiesbaden, 1969, 136 f.) (ribotuar, më 1991 dhe1997). Ky botim do t‘u shërbente të huajve për të mësuar gjuhën shqipe, krahas edhe të librave të tjerë të botuar në atë kohë me të njëjtin qëllim. 15 vjet nga botimi i parë, më 1984 Martin Camaj doli me një botim tjetër me titull “Gramatika shqipe” (Albanian Grammar with eksercises, chrestomathy and glossaries, Wiesbaden, 337 f.) Botimi në anglisht është më i plotë, më i hollësishëm e më i gjerë si vëllim se “Libri i mësimit të gjuhës shqipe”. Me të drejtë mund ta konsiderojmë vepër të re të autorit. Botimi i vitit 1984 njohu edhe një ribotim të saj, të përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu dhe të botuar në Kozencë, më 1995. Këtë vepër përkthyesi e shoqëron me një parathënie të shkurtër, ku vlerëson punën e veçantë të autorit në rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht Martin Camaj vlerësohet si një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës.

Martin Camaj ka një veprimtari të pasur shkencore dhe botuese. Janë me dhjetëra studimet dhe veprat me karakter gjuhësor nga fusha të ndryshme të gjuhës shqipe që përgjithësisht i përkasin historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht studimit të autorëve të vjetër, dialektologjisë, përqendruar te të folmet arbëreshe të Italisë, hartimit të teksteve etj., të cilat autori i botoi, përveç Romës dhe Mynihut, edhe në Firencë, Palermo, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Nju York etj. Ata u botuan në disa gjuhë, si në italisht, gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht etj. Duke qenë se krijimtaria e tij gjuhësore është në gjuhë të huaj, lind nevoja e përkthimit në gjuhën amtare të veprës gjuhësore të Camajt, gjë që do të ishte një shërbim i mirë për studiuesit e lexuesit

Studimet

Studimet për fjalëformimin

Një ndër shkrimet e para me karakter gjuhësor është artikulli prej 9 faqesh, shkruar në serbokroatisht me titull “Kontribut për njohjen e grafisë së Gjon Buzukut”. Është një punim i shkurtër, por me interes për shpjegimet që ka dhënë Martin Camaj për disa shkronja të veprës së Gjon Buzukut. Por monografia e parë gjuhësore, që ka qenë tezë e doktoraturës, ka si titull “Meshari” i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre”, shkruar në italisht. Ky studim i M.Camajt do të botohej në revistën “Shejzat” në vitin 1960. Nuk është një botim i gjatë, ka rreth 89 faqe. Ka vlerë për historinë e gjuhës shqipe dhe veçanti për disa probleme të diskutueshme për veprën dhe autorin e “Mesharit” në atë vit dhe më vonë. Në veçanti kontributet për studimet buzukjane të M.Camajt i ka analizuar akademiku kosovar, Rexhep Ismajli. Që në fi llim të veprimtarisë së tij shkencore M.Camajn e kanë tërhequr autorët e vjetër. Kështu, duke punuar edhe me studiuesin gjerman, Rudolf Trofenikun, i cili në vitin 1977 botoi veprën e Pjetër Bogdanit “Cuneus prophetarum” të shoqëruar me një parathënie nga vetë Trofeniku dhe me një paraqitje të shkurtër nga Zef Valentini në italisht, Martin Camaj në pesë faqe në shqip jep një pasqyrë të hollësishme të alfabetit të P.Bogdanit që e titullon “Çelës për leximin e veprës”.

Martin Camaj Interesi për veprën e Pjetër Bogdanit vazhdoi edhe më pas, kur në vitin 1990, në prag të daljes në pension botoi një artikull për këtë autor në revistën “Albania”, nr.1 që dilte në ShBA. Të gjitha planet e tij nuk u realizuan, pasi vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Ai së bashku me studiuesin Valter Braun dhe dr. Elvira Graser kishin piketuar platformën e një botimi të plotë për veprën “Çeta e profetëve”, në tri vëllime, që do t‘u kushtoheshin veçorive gjuhësore të veprës, si: grafia, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe fjalori. Në vitin 1966, Martin Camaj botoi monografi në gjermanisht “Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër.” 1966, 175 f.) Është një vepër që paraqet interes edhe sot në disa çështje të fonetikës historike dhe të studimeve etimologjike, ndonëse disa probleme të trajtuara këtu janë kapërcyer nga gjuhësia jonë gjatë 40 vjetëve nga koha e botimit. Sidoqoftë, në disa anë ruan edhe sot vlerat e saj.

Studimet dialektore

Autori, duke jetuar larg atdheut-mëmë, në disa raste, duke mos u njohur edhe me të gjitha botimet dialektore, të kryera në Shqipëri, edhe nga vetë mundësitë që kishte, u mor me studimet dialektore arbëreshe të provincës së Avelinos, të Falkonares, të Bariles, të Vila Badesës etj. Camaj nuk kishte si qëllim më vete që të paraqiste vetëm veçoritë gjuhësore të këtyre të folmeve. Në mënyrë të veçantë, duke ndjekur metodat bashkëkohore, donte të paraqiste edhe historinë e tyre, por edhe aftësinë që kanë pasur këto të folme për të ruajtur traditën, duke pasqyruar përmes gjuhës, zakoneve, riteve identitetin, ndonëse kishte disa shekuj që kishin lënë atdheun e të parëve. Dy dialektologë të afirmuar, J.Gjinari e Gj.Shkurtaj kanë vërejtur se Martin Camaj që nga fillimi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar deri në fund të viteve ‘80 kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes.

Me interes janë tri monografitë e hartuara nga Martin Camaj me karakter dialektologjik, si: “E folmja shqipe e Grecit në krahinën e Avelinos”, Firenze, 1971, 120 f. italisht. Është një ndër monografitë e para të shkruara për një të folme arbëreshe. Gjashtë vjet më vonë botoi në gjermanisht monografinë e dytë me karakter dialektologjik të titulluar” “E folmja shqipe e Falkonares në krahinën e Kozencës”, në gjermanisht 1977, 148 f. dhe më 1991 botoi monografinë e tretë “E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në krahinën e Potenzës”, në italisht. Gjithashtu, Camaj ka shkruar edhe artikuj të tjerë me karakter dialektologjik. Gjithashtu, nga kjo fushë janë me interes shkrimet për probleme të bilinguizmit dhe të plurilinguizmit gjuhësor.

Gramatika e gjuhës shqipe

Një ndër veprat më të rëndësishme në rrafshin gjuhësor është botimi në anglisht “Gramatika shqipe” (1984), duke u përfshirë kështu Martin Camaj në hartuesit e gramatikës së gjuhës shqipe, por në gjuhë të huaj. Ky botim është me vlerë, ndonëse destinacioni është i përcaktuar për studentët e gjuhës shqipe të Universitetit të Mynihut, si dhe për shqiptarët e diasporës në ShBA, Australi, për arbëreshët dhe për shqiptarët kudo që do të ndodhen. Ky botim i kalon caqet e një manuali gjuhësor, pasi autori reflekton në këtë gramatikë edhe erudicionin e tij gjuhësor, ndonëse larg shqipfolësve. Për mendimin tim, vepra është me vlerë në disa aspekte: së pari, një gramatikë që e paraqet gjuhën shqipe me gjithë potencialin, funksionet dhe aftësitë shprehëse, duke e dhënë atë në tri variantet të shqipes (gegërisht, toskërisht dhe arbërisht). Ideja e autorit ishte e tillë, se gramatika do t‘u shërbente shqiptarëve me prejardhje nga troje të ndryshme, së dyti, është një model për gegërishten letrare, por me prirje afruese me toskërishten.

Është me interes të vihet në dukje se Martin Camaj, ndonëse larg atdheut për shumë vite, por, duke ndjekur botimet shqiptare dhe duke parë ndryshimet që po ndodhnin në evoluimin e gjuhës në këtë periudhë, na dha një gramatikë që duhet të na shërbejë për të marrë disa elemente të gegërishtes dhe për t‘i përfshirë në standardin gjuhësor. Nëse themi se gegërishtja duhet të zërë vendin që i takon në standardin e sotëm gjuhësor, vepra e Martin Camajt peshon mjaft rëndë në këtë fushë, sigurisht duke u studiuar dhe evidentuar ato trajta që janë më të prekshme dhe me një valencë më të madhe që të përfshijë një areal sa më të gjerë shqipfolësish. Pse ndodh një dukuri e tillë? Ai kishte botuar deri në atë kohë disa studime me vlerë gjuhësore dhe tashti po hartonte një gramatikë të gjuhës shqipe, faktor me shumë rëndësi për çështjen që po diskutojmë.

Ai erdhi gjithnjë e më shumë ta përsosë gjuhën e tij në studimet dhe botimet e tij, larg trajtave të ngushta dialektore. Kjo solli që në botimet e dekadave të fundit, kryesisht, në publicistikë të ecë edhe më tej, duke mos e përdorur pothuajse fare theksin hundor, gjë që ishte një tregues i një hapi përpara që po bënte drejt standardit gjuhësor, ndryshe nga autorët e tjerë gegë. E treta, ndonëse është një gramatikë, por autori në parathënien prej 6 faqesh jep disa të dhëna të shkurtra për prejardhjen e gjuhës shqipe si gjuhë indoevropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët ballkanike në kontakt. Gjithashtu, jep edhe historinë e formimit dhe të zhvillimit të gjuhës letrare shqipe prej 500 vjetësh. Pastaj vepra ka këtë strukturë: fonologji, morfologji dhe sintaksë. E veçanta e kësaj gramatike, siç e theksuam, është se disa forma gramatikore Camaj i paraqet në dy variantet: në gegërisht dhe toskërisht. Por ajo që duhet të theksohet është se gjuha e kësaj vepre i përket gegërishtes veriperëndimore, kryesisht të folmes së Shkodrës.

Por Camaj nuk ka qenë konservator, ai është përpjekur që të gjejë një të mesme të pranueshme, duke zgjedhur pikërisht ato forma dhe trajta që janë të gjithëmbarshme me prirjen për t‘iu larguar formave të ngushta dialektore. Prof. K. Topalli ka vërejtur se për nga drejtshkrimi dhe trajtat gramatikore, gjuha e Camajt është një gegërishte letrare e kodifikuar me prirje afrimi ndërdialektor. Dhe autori sjell shembuj se ku vërehet ky afrim ndërdialektor në aspektin fonetik, gramatikor dhe leksikor. “Me këto përpjekje për afrim ndërdialektor, shkruan K.Topalli, sigurisht pa përzier strukturat, Martin Camaj tregoi qartë pikëpamjen e tij se kjo ishte rruga e vetme, që çon në krijimin e njësisë gjuhësore kombëtare.” Ndërsa për prof. B.Beci, gegërishtja në gramatikën e Camajt është një gegërishte e standardizuar. Gjithashtu, në këtë gramatikë autori ka sjellë fjalë të reja dhe fjalë të rralla të shqipes, të cilat përbëjnë një ndihmesë të autorit në fushën leksikore. Ai ka parasysh këshillën e shkrimtarit Ernest Koliqit që në romanin “Shija e bukës së mbrume” shkruan: “Me dyqind fjalë të mësueme në rreth shtëpiak nuk krijohet një letërsi”.

Në shkrime të ndryshme Camaj ka përdorur fjalë të tilla të krijuara nga ai ose me origjinë popullore, si: heshtoj, qellimoj, kunuroj, gjegjësisht, komtarisht, mbresje, i ngjyrëshëm ose ka përdorur fjalë të vjetra e krahinore, si: gjalloj, plang, vrumulis, terratis, periqên, mujshí etj. Autori ynë në fund të këtij botimi ka përfshirë edhe një fjalorth shqip-anglisht prej më shumë se 2000 fjalësh të përdorura në vepër dhe anglisht – shqipe mbi 1000 fjalë. Mbyllet vepra me një krestomaci, me tekste të autorëve shqiptarë dhe arbëreshë, si: De Rada, Skiroi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Konica, Noli, Koliqi, Migjeni, Xoxe dhe A. Gajtani.

Cilat janë pikëpamjet e Martin Camajt për gjuhën letrare shqipe?
Autori ka ndjekur nga larg zhvillimet dhe vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) për standardin gjuhësor. Duke qenë se botimi i gramatikës së vitit 1984 ishte më i plotë dhe i drejtohej një mase më të gjerë, në këtë libër autori gjen vend për të shprehur pikëpamjet e tij për gjuhën letrare shqipe, duke mos u pajtuar me atë zgjidhje që dha Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe në vitin 1972. Martin Camaj mbron tezën e tij që konsiston në atë që gjuha e mirëfilltë letrare shqipe fillon me veprën e Pjetër Bogdanit “Çeta e profetëve”, me poezitë popullore dhe fetare të veprës së Pjetër Budit, me “Gjellën e Shën Mërisë Virgjër të Jul Varibobës” (1762). Për autorin duhet të shfrytëzohen të gjitha potencialet gjuhësore që ekzistojnë, traditën gojore etj. Kështu, sipas Camajt, gegërishtja e këngëve epike në rajonin e Shkodrës më pas ndikoi në mënyrë të dukshme në gjuhën e shkruar dhe se fillimet për normalizimin e gjuhës letrare shqipe duhet t‘i kërkojmë në shekullin XVI.

Autori për problemin e gjuhës letrare shqipe i referohet edhe përvojës dhe traditës të gjuhëve të tjera evropiane se pasuria gjuhësore e një kombi duhet të përfshihet në standardin gjuhësor, se një dialekt i vetëm nuk mund të përmbushë nevojat e një gjuhe kulture. Duke qenë se autorët e vjetër Camaj i ka studiuar, edhe në këtë rrafsh i drejtohet përvojës së tyre, veçanërisht Pjetër Bogdanit, i cili, ndonëse ishte prej Hasit, por, duke parë se e folmja e tij nuk po i përmbushte të gjitha nevojat për të paraqitur një vepër sa më dinjitoze që t‘i shërbente një mase sa më të gjerë, iu drejtua “dheut të Shkodrës”, duke huazuar jo vetëm fjalë dhe fraza, por edhe ndërtime sintaksore dhe stilistike. Gjithashtu, ai ka mendimin se “njohja e plotë e teksteve të vjetra, veçanërisht atyre gegërisht, që janë afër me strukturën e toskërishtes, do të kishin ndikuar për të zgjidhur shumë probleme për standardizimin e gjuhës letrare lehtë e pa dhimbje”.

E shqetëson Martin Camaj fakti se gegërishtja nuk u shfrytëzua me atë potencial që kishte. Megjithatë, Martin Camaj nuk shkroi një shqipe larg standardit gjuhësor, por përdori një gjuhë tepër plastike dhe të zhdërvjelltë, duke parapëlqyer, kur ka qenë e mundur, të përdorë më shumë trajtat e përbashkëta se ato dialektore dhe nëndialektore, si në fonetikë, por edhe në nënsistemet e tjera të gjuhës. Fillimisht, Martin Camaj u udhëhoq nga ato zgjidhje që kishte bërë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) që për gjuhën e shkruar kishte pranuar të folmen e Shqipërisë së mesme, të Elbasanit, pasi ajo shërbente “si urë në mes të dy dialekteve”.

Por Martin Camaj nuk veproi si disa autorë gegë, që zbatuan thuajse me rigorozitet zgjidhjet e Komisisë Letrare të Shkodrës, por duke jetuar edhe më vonë, si dhe duke pasur një sens dhe përgatitje gjuhësore, arritjet e kësaj komisie i çoi edhe më tej, gjë që na bën ta vlerësojmë pa lëkundje se Martin Camaj është nga shkrimtarët gegë ose një nga ato që gjuha e veprës së tij i afrohet mjaft standardit gjuhësor të sotëm që, siç e përmendëm, ai ka shumë për të marrë nga gegërishtja e autorit tonë. Këto ndërhyrje të Martin Camajt në këtë gramatikë vinin se ai dhe kolegët e tij nuk pranonin rrugën e zgjidhjes së gjuhës standarde, duke mos i dhënë vendin që i takonte gegërishtes dhe duke theksuar se në përcaktimin e normës letrare kanë ndikuar faktorët jashtëgjuhësorë, si ato ideologjikë dhe politikë.

Veprimtaria gjuhësore e Martin Camajt është mjaft e pasur dhe më shumë interes, por jo shumë e njohur, pasi është në gjuhë të huaj. Sot në Shqipëri po bëhen përpjekje më tepër që vepra e M. Camajt të njihet nga lexuesi shqiptar më shumë në fushën e krijimtarisë së tij letrare sesa gjuhësore. Megjithatë, vepra e tij edhe në aspektin gjuhësor paraqet vlera të veçanta. Ajo duhet të studiohet me përparësi të veçantë dhe të popullarizohet që të njihet më mirë nga lexuesit dhe studiuesit.

Veprat

Djella: tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë.
Rrathë: roman, Mynih 1978
Shkundullima: prozë, Mynih 1981
Karpa: Romë 1987
Loja mbasdrekës: dramë Mynih, 1981
Kandili argjandit: dramë, Kozencë 1983
Dranja: madngale, Mynih 1991
Një fyell ndër male: poezi, Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit: poezi, Prishtinë 1954
Legjenda: poezi, Romë 1964
Lirika mes dy moteve: poezi, Mynih 1967
Njeriu më vete e me të tjerë: poezi, Mynih 1978
Poezi: 1953-1967: poezi, Mynih 1981

Të huaja
Poesie: Palermo, 1985
Selected poetry: Nju Jork, 1990
Palimpset: Nju Jork 1991, Gedichte, Mynih 1991.

Proza e Camajt

Martin Camaj e nisi prozën, ashtu siç thotë shkrimtari i madh francez Flober “në moshën e prozatorit”, pra në prag të dyzetave. “Djella”, tregim në prozë e në vjershë, Romë 1958, është përpjekja e tij e parë, që do të pasohet me veprat: “Rrathë”, roman, Mynih 1978; “Shkundullima”, proza, Mynih 1981; “Karpa”, Romë 1987.

Romani Karpa e vendos subjektin në brigjet e lumit Drin në vitin 2338, ndoshta për këtë autori ka parapëlqyer ta quajë “Parabolë”. Ky roman si dhe vëllimi me proza “Shkundullima” shquhet për një kërkim strukturor në rrënjët e zanafillave, jo vetëm si përsiatje e vazhdueshme, por edhe si gjuhë, në të gjitha dimensionet e saj. Pesë novelat e vëllimit “Shkundullima” janë zgjedhur prej shumë shkrimesh, sipas disa cilësish të përbashkëta, por ato kanë dhe ndryshime.

Këto proza paraqesin dy mjedise: i pari lidhet me atmosferën në disa vise të Shqipërisë së Veriut, ku thellësia e bjeshkëve ndahet nga qafa malesh prej fushave të gjera. Ndërsa në tregimet “Shkundullima” dhe “Katundi me gjuhë të fshehtë” pasqyrohen brigjet bregdetare të Italisë së Jugut, treva ku jetojnë arbëreshët e lashtë. Edhe “Gjon Gazulli” anon nga ky mjedis. Ngjyra të përbashkëta janë kataklizmat natyrore, si Shkundullima (tërmeti), apo rrëzumja e bores (orteku), që trandin një vend, ashtu si edhe vdekja ose prania e saj: mbarë këto dukuri i ndërrojnë faqe dheut e shoqërisë.

Nga veprat e tjera letrare të Camajt me interes të veçantë janë “Loja mbasdrekës” dramë Mynih, 1981; “Kandili argjandit”, dramë, Kozencë 1983; “Dranja”, madngale, Mynih 1991.
Drama “Loja mbasdrekes” trajton disa shkaqe të shthurrjes së kanunit të Lek Dukagjinit nga fillimi i shekullit XX. Ajo u shkrua në atë mënyrë që të lexohet lehtësisht, thuaj si novelë, për t`u kuptuar drejtazi dhe pa u vënë në skenë.

Poezia e Camajt

Martin Camaj është poet lirik me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme të krijimtarisë poetike dhe kjo nga shkaku, sepse ka kaluar nëpër kultura të ndryshme. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi e Kosovë do të botojë njëri pas tjetrit dy vëllimet e para me poezi “Një fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kanga e vërrinit” Prishtinë 1954. Në Itali vëllimin “Legjenda”, Romë 1964 dhe në Gjermani librat e fundit poetikë “Lirika mes dy moteve”, Mynih 1967, “Njeriu më vete e me të tjerë”, Mynih 1978, “Poezi 1953-1967”, Mynih 1981.
Dy vëllimet e para të Camajt të botuara në Prishtinë frymëzoheshin nga motivet e vendlindjes dhe ishin në frymën e së ashtuquajturës “Shkollë letrare e Shkodrës”, pjesë e së cilës u bë dhe ai.

Në përmbledhjet “Legjenda dhe lirika mes dy moteve” Camaj dëshmon me të gjitha mjetet stilistike e estetike të gjendurit nën ndikimin e poezisë hermetike. Ky ndikim lidhej me kohën studentore në Romë, kur Camaj kishte profesor poetin e madh hermetik Xhuzepe Ungareti.

I ndjeshëm tej mase ndaj motiveve të vendlindjes e fëmijërisë ai në gjithë poezinë e tij përpiqet të universalizojë elementet thellësisht shqiptare, si peisazh, mitologji, mentalitet e karakter. Pjesa më e rëndësishme e poezive të Camajt i është bërë e njohur edhe lexuesit të huaj me anë të botimeve “Poesie”, Palermo 1985; “Selected poetry”, Nju Jork 1990; “Palimpset”, Nju Jork 1991; Gedichte, Mynih 1991.

Jo vetëm po të nisemi nga vendet e botimit, por mbi të gjitha nga mënyrat e ligjërimit poetik, stilit dhe frymës, mund të vihen re qartazi tri faza të krijimtarisë poetike veçanërisht e letrare përgjithësisht të Martin Camajt:

Faza kosovare (ose klasike)
Faza italiane (ose paramoderne)
Faza gjermane (ose moderne)
Të tria këto faza kanë lënë shenja të qarta në krijimtarinë e tij:
Në fazën e parë ndihet mbështetja e fuqishme në mjetet shprehëse tradicionale e folklorike. “Mali e vërrini” përbëjnë botën rreth të cilës sillet e rreh nervi poetik.
Në fazën e dytë kemi pasurimin e elementeve shprehëse me struktura më të komplikuara gjuhësore, duke mos iu larguar kurrësesi tharmit të motiveve vendase.
Në fazën e tretë motivi vendas mitizohet, “thahet” e shndërrohet në një substancë me esencë të fortë.
Nga njëra tek tjetra arti i tij bëhet përherë e më formal larg strukturave tredicionale e ideve të ditës dhe synon të bëhet universal.

Analizë Poezish

Rrathë

Romani u botua më 1978. Autori i njohur si lirik, me Rrathët, paraqiti veprën e parë të madhe, prozaike dhe më të gjerë deri atëherë, për të cilën kishte punuar 15 vjet. Romani përbëhet nga tri pjesë: “Rrathë uji”, “Rrathë zjarri”, “Rrathë gjaku”. Pjesët lidhen me njëra-tjetrën përmes figurave kryesore Bacit dhe veçanërisht Agonit.

Pjesa e parë fikson paraqitjen e hollësishme të tyre dhe të personave të tjerë, të cilët prezantohen të gjithë për arsye të ndryshme, në një ditë vjeshte në të njëjtin qytet. Këtu tregohen anët e ndryshme të jetës pasrevolucionare, në një fshat malor të quajtur “Dheu i Arbënit” (Një aluzion i historizuar për Shqipërinë ndën sundimin komunist). Agoni që i përket brezit të ri, nga profesioni agronom, ndërkaq gazetar dhe shkrimtar, dërgohet prej Partisë për një reportazh mbi ardhjen e traktorëve të rinj, si dhe për marrjen e njoftimeve mbi një kundërshtim në thelb të sistemit në Malësi, në fshatin Ripë.

Pjesa e dytë, në qendër të së cilës janë ngjarjet dhe përshtypjet e Agonit, fillon me nisjen e tij në Ripë dhe përfundon me mbërritjen e traktorëve atje, pak ditë më vonë. Ndërkaq Agoni ka bërë të dështojnë përpjekjet e ilegalit për të përdhunuar bareshën e bukur Sose, vajzën e virgjër të rapsodit. Pasi Sosen e ka zënë në befasi natën tek burimi, ai do të pushtohet vetë nga dashuria e zjarrtë për të, që përcakton qëndrimin e tij të mëtejshëm. Ai nuk shqetësohet më për reportazhin dhe heq dorë nga takimet e planifikuara me mësuesen e zgjuar Zojën, së cilës kishte dashur t`i bënte një deklaratë dashurie.

Pjesa e tretë vendoset pas mbërritjes së traktorëve. Agoni pushohet nga redaksia dhe pret për një emërim të ri, si agronom. Pas një vizite në kishën e një sekti ilegal në Ripën e Poshtme, rituali i kërcimit, i përgjakshëm, e shtyn atë dhe i zhvillon gjithnjë e më tepër dëshirën për të jetuar me Sosen. Në kohën kur pas shtegtimeve të përbashkëta në male nuk ka mundur të caktojë me të vendin e martesës, e përdhunon. Një bari që qëllon atje i ndalon atij qëndrimin e mëtejshëm ndër male. Agoni shkon në Ripën e Mesme dhe bie në një letargji të thellë, pasi tashmë kishte humbur ndjenjën e kohës. Pas kohës së gjatë të pacaktuar i mbërrin një kërkesë për t`u paraqitur në redaksinë e mëparshme. Drejtori i ri e qorton atë për shkak të tendencës armiqësore të një dorëshkrimi “Shtëpia pas maleve” që është përshtatur si pjesë teatri kukullash me sukses të madh. Para kthimit të tij në Ripë bëhet takimi me Sosen si dhe me regjizorin e teatrit të kukullave. Prej tij Agoni mëson që ai kishte jetuar pothuajse 20 vjet në “ëndërrën e vetmisë”.

Romani përfundon me kthimin në Ripën e Mesme të Agonit, të cilit i është zgjuar sërish dëshira për të shkruar. Krahas këtij trajtimi kryesor romani përmban një varg trajtimesh të tjera që tregojnë jetën e popullsisë vendase në periudhën e ndryshimit rrënjësor e të vrullshëm. Këtu qëndron vlera e veçantë në përshkrimin e mënyrës së të menduarit, të ideve dhe motiveve të personave.

“Rrathë” u vlerësua si romani i parë psikologjik shqiptar. Krahas kësaj është karateristik elementi liriko-folkloristlk, që shfaqet veçanërisht në përshkrimet e Malësisë e të zakoneve. Krahasimet popullore dhe frazeologjizmat, si dhe një variant i pasur gjuhësor i gegërishtes, fjalori i zgjedhur janë karakteristike për gjuhën e tij. Baza e tregimit qëndron në monologët e pasur, të brendshëm dhe bisedës së gjallë. Tendenca bazë e romanit, që tingëllon në titull, është të tregojë sesi njerëzit janë të lidhur në rrathë të ndryshëm shoqërorë e metafizikë, ku qëndrojnë simbolet e ofruara: uji, zjarri dhe gjaku. Simboli i rrathëve rimerret larmishëm.

Kushtet konkrete social-ekonomike qëndrojnë më fort brenda kuadrit të jashtëm. Temat e mirëfillta janë përgjithësisht: natyra, vetmia, humbja e traditës, kërkimi i fatit dhe i suksesit, lidhja me vetë rrënjët. Mbizotërimi i karaktereve poetike letrare dhe komentimi i gjerë i problemeve të gjuhës, letërsisë dhe artit në përgjithësi, mund të përbënin gjithashtu nëntema të veprës artistike. Romani me figurën kryesore Agonin e, me gjithë problematikën e tij në kërkim të identitetit, tregon më në fund se “Ne më kot përfaqësojmë një epokë të re”.

Dranja

“Dranja” u fillua së shkruari rreth vitit 1975 dhe mbaroi më 1979. Është vetë fati i poetit i ngjashëm me fatin e Dranjës, breshkës së mitizuar në madrigalet e tij, perëndeshës së kujtimit të dalë nga Dheu:

Po e kapi dikush si për lojë ta marrë me vete ndër dhena tjera, aio mbaron me të tana! Për Dranjen buzëhollë, lëpusha e laknës së huej nuk e ka shijen e duhun e njimsinë e avullit, i cili si me qenë pëlhurë, i mveshet bimësisë buzë Drinit në mëngjes. Larg këtij vendi edhe shpirtin e jep e s`prek gja me gojë”. Breshkë, rruzull më vete “s’prek gja me gojë” dhe “shpirtin e jep”, më vërtetësisht se në metaforë, ashtu si njeriu dhe shpirti i tij, që kur s`ka ç`të prekë me gojë mbahet me ngjizje: kur kujtoi këtë jerm nuk lyp shpjegim të një andrre, por me jepet me rrëmue mbi sende e frymorë të mbrumë me tharmin e gjakut tim.
“Dranja” ndonëse nuk është në vargje si madrigali tradicional, në përmbajtje i përket kësaj gjinie dhe si e tillë i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe.

Në lexim e sipër, mundësisht të ngadalshëm, duhet patur parasysh se trajta e jashtme, historia e një breshke dhe e rrashtës së saj, lidhen me nënkuptime simbolike, me fjalë të tjera me zbërthimin e përmbajtjes së brendshme apo “teoremës”. Me rëndësi për autorin është fjala e bukur poetike, ku bëhen përpjekje që gjuha t`i përshtatet lakueshëm çdo situate.

“Dranja” është një formë e re letrare për kulturën e shkruar shqiptare. Duke qenë thellësisht vepër simboliste, madrigalet mund të jetojnë edhe si copa më vete.

Poezitë

Elegji e Parë

Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa `i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.

Mosha e Qenit apo Ditëlindja

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s`do të lypi gjak
për të.
Ajo nuk ishte festë, por drekë!
Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.

Mbramja ashtë Larg

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.
Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.

Lule

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.
Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.
Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

Drekë Malsore

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

Fill i Gjetun

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n`agim.
Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s`i gjetën në terr.
Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.
Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

Aty si tash para se me ardhë Fiset

Aty si tash para se me ardhë fiset
Ishe
Me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.
U zgjove e përgjakun sa herë
E u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
T`lumenjve dhe ndeje me petka të reja
Në shkamb
E ndritun ballë diellit mbi fusha.