Nga Kujtim Mateli
Poeti, shkrimtari Tyran Prizren Spahiu ka një prurje të gjerë poetike. Poezia e tij lartëson gjuhën e bukur shqipe, njeriun e përkushtuar që është në lëvizje të pandërprerë në kërkim të dijes. Ajo u kushtohet njerëzve që u flijuan për atdheun, të cilët lartësohen mbi njerëzit shpirtvegjël që ua ka mbuluar ndërtesën ku banojnë errësira e padijes. Pushtuesit serbë, i krahason me lukuninë e ujqve, të cilët shumë kobe e gjëma i sollën truallit të Kosovës deri në vitin 1999, ku shënohet dhe fundi i robërisë për këtë pjesë verilindore të trojeve shqiptare.
Në poezinë e Tyran Prizren Spahiut i këndohet natyrës së bukur që përcjell aromën dhe freskinë e jetës që rrjedh si burimet e maleve tona, u këndohet flladeve pranverorë që na përshëndesin nën dritëzat e yjeve dhe kënga e poetit përcillet deri në pafundësi . Aty gjen gjithë dinamizmin me të cilën shoqëria ecën përpara, aty gjen detaje nga më intimet në jetën e përditshme, aty gjen prindërit që janë të rënduar nga jeta dhe mosha, por gjen pranë tyre dhe fëmijët e përkushtuar për t`ua bërë dhimbjen sa më të lehtë. Në poezinë e Tyran Prizren Spahiut zhndrit si gur diamanti vendlindja e tij, Prizreni historik, vatra dritëpashuar e kombit tonë që ka ushyer ndjenjën e lirisë. Në vëllimin poetik “Kështjella e poezisë” poeti godet me vargun e tij, mbledhur kamzhik, ata që qeverisin me premtime boshe. Kritikon ashpër politikanët që kanë harruar dhimbjet e të sëmurëve dhe miqtë e dikurshëm të punës.
1.
Tek Poezia “Kosovë më merr…”, poeti i këndon me dashuri dhe dhembje atdheut të vet, i këndon Kosovës për të cilën i lutet asaj fuqisë hynjore që ankthin, frikën, terrorin, dëbimet, eksodin, t`i zëvendësojë me mirësinë. Edhe pse e vuajtur, edhe pse në shekuj e robëruar, ajo mbetet: “bukuroshja e Europës, magjistarja kuqezi”.
Kosova është këngë që zbret nga gjithësia për të plotësuar shpirtin njerëzor, për t`i dhënë atij përmasat e lirisë, mesazhe të dosmosdoshme për kohën në të cilën jetojmë. Që njerëzit të jetojnë në harmoni dhe miqësi duhet që çdo njeri të ushqehet nga:
“dashuria shekullore, lënë amanet nga shqiptarët” (Poezia “Kosovë më merr…”)
Poeti ngre një problem të rëndësishëm para atyre që kanë marrë detyrën e vështirë të shkruajnë. Realiteti nuk duhet zbukuruar, nuk u duhen dhënë njerëzve merita të nuk i kanë sepse, nëqoftëse nuk i meritojnë, do të jenë jetë shkurtër dhe do të humbasin në stuhitë e historisë. Poeti i porosit ata që e kanë marrë përsipër këtë detyrë të vështirë:
“Mos e ngrini njeriun lart në yje, e panjohura mund ta kapërdijë”. (Poezia “Shkronjat e shenjta të poezisë”)
Poeti na kujton gjithashtu se nuk duhet të nxjerrim gjoksin për punën që bëjmë, duhet të jemi të sinqertë, të respektojmë njëri-tjetrin. Vijmë nga thellësitë e shekujve, me fise të dëgjuar në histori që nga koha e ILIRISË. Luftëtarë dhe heronj që presin vargun e poetëve, sepse:
“Artistët e fjalës gjendur mbi kohën,
jetëgjatësinë e atdheut kurorëzojnë”. (Poezia “Pena kujton”)
2.
Tek poezia “Nuk kam kohë” autori e vështron jetën njerëzore në këndin filozofik. Vitet përsëriten në të njëjtën mënyrë dhe i ngjasojnë njëri-tjetrit, kurse njeriu është ai që e bën ndryshimin: rrudhat tregojnë se koha ka ikur dhe qënia njerëzore ka pësuar ndryshime. Në trupin e çdo njeriu ndjehet tik-taku i orës njerëzore. Njeriu i planetit Tokë ndjehet zot jo vetëm aty ku jeton, por dhe i kozmosit, sepse gjithë kjo hapësirë i përket atij, pavarësisht se ku jeton dhe sa jeton, pavarësisht se e ka mundësinë të vizitojë ndonjërin prej planeteve ose jo. Bota ka krijuar njeriun të ndihet zot dhe të eksplorojë gjithë hapësirën e Universit.
Kënaqet apo jo me botën ku jeton, njeriu duhet të lërë të shkruar diçka, si dëshmi e ekzistencës së tij në botën ku jetoi. Në këtë botë ne i lëmë dëshmi botës dhe brezave që vijnë atë që krijuam, në fushën ku çdo qënie njerëzore derdhi kontributin e saj. Nuk ka kohë për të humbur. Çdo qënie njerëzore duhet të bëjë detyrën për të cilën ka ardhur në jetë: të ruaj vazhdimësinë biologjike dhe kulturore. Autorin e mundon mendimi se a lamë gjëra të vlefshme për brezat që vijnë? A i ndryshuam hapësirat e ngushta që trashëguam dhe a u dhamë frymëmarrje? Më tej vazhdon:
“Kohë nuk kam të humbas pa mëshirë,
në jetë të çoroditur, fjalë pa kuptim,
me biseda shterpe të begatoj ditën e gjorë,
veshur i llastuar, i humbur në jetëgjatësi të endem”. (Poezia “Nuk kam kohë”)
3.
Poezia e Tyran Prizren Spahiut na përcjell mesazhe respekti e dashurie, ta duam fort njëri-tjetrin, sepse jetojmë në tokën e etërve tanë dhe i kemi të përbashkëta si: dasmat, ceremonitë fetare e gjithçka tjetër. Jetojmë nën qiellin tonë dhe jemi të vendosur t`i qëndrojmë besnik tokës së etërve tanë. Mes nesh nuk ka vend urejtja :
“jo më, themi ndalu,
nuk do ndodhë Roma e djegur,
vëllazëruar jemi me drejtësinë,
nisur shtegut të shtet-përjetësisë,
dhe një ditë…
do ngjallemi në tokën e Etërve”. (Poezia “Ndaluni dhe kujtoni”)
Poeti i këndon dashurisë. Ajo e pushton fort dhe jeta kthehet në simfoni nga përshpëritjet ledhatuese dhe ngrohtësia e trupit të saj. I këndon dashurisë dhe ruan prej saj përjetimet më të bukura, buzëqeshjen e shpirtit dhe botën e bukur të fjalëve të cilat tingëllojnë magjishëm dhe duket sikur kanë një origjinë qiellore.
Poeti u këndon me vargje ndjenjave që ndridhen posi telat e jetës, ndjenjave të dy njerëzve të dashuruar. Por ndodh që kjo dashuri të ndodhet para të papriturave, kur çifti nuk e ka zgjedhur njëri-tjetrin mbi një dashuri të pastër zemrash. Atëherë mëkatet e pushtojnë jetën në çift, edhe natyra e ndien trishtueshëm këtë që po ndodh, edhe cicërimat e zogjve:
“humbën melodinë,
u zbeh bukuria, dielli u dorëzua,
zymtësia u derdh në parajsën tonë,
me perde gri peizazhi u mbulua…”. (Poezia “Perde gri”)
4.
Për poetin Prizreni dhe kështjella janë të lidhura si binjakët mes tyre, kur kujton njërin patjetër do të vijë në përfytyrim dhe gjysma tjetër. Qyteti dhe kështjella e frymëzojnë dhe poeti derdh vargje nga gurra e shpirtit të tij. Nga rrugët e qytetit, nga dritaret e shtëpive vështrojnë:
“Magjinë nxitëse të muzgut, mbi bjeshkët e Sharrit,
rrëmbej madhështinë, të nënshtrohem i etur,
me dashuri të pashuar, të dorëzohem agut” (Poezia “Jetë”)
Poeti i këndon asaj ditës së shënuar për shqiptarët, të 10 qershorit 1878, që në Prizrenin legjendar, do t`u thoshin fuqive evropiane: largoni duart nga trojet shqiptare. Në vargje vijnë dhe fjalët lapidare të Abdyl Frashërit në takimin e tij me Bismarkun. Kjo përplasje i kujtoi arenës botërore se shqiptari dhe Shqipëria do të bëheshin si qëmoti, në motin e madh të Skënderbeut. Me gjithë vështirësitë që kapën hapësirën e një shekulli e gjysmë, shqiptarët e fituan edhe këtë betejë. Tashmë dhe kjo pjesë verilindore e trojeve shqiptare ndodhet e lirë dhe siç thotë poeti:
“Në lartësitë marramendëse shpresë,
rron fuqia e pamposhtur qëndresë”. (Poezia “10 qershor 1878”)
Dimensioni poetik i Tyran Prizren Spahiut e ka begatuar letërsinë shqipe, e ka pasuruar atë me motive që shprehin aspiratat e shqiptarëve në rrjedhë të historisë sonë të gjakosur nga pushtues të egër dhe barbarë. Poezia e tij, nga pikëpamje kohore, u thur himne përpjekjeve të shqiptarëve në dy periudha të rëndësishme historike: atë të luftës për liri dhe pavarësi që i mbarojnë kufijtë në vitin 1999, si dhe atë të pas këtij viti, ku vërehen përpjekjet e shtetit dhe shoqërisë për t`i dhënë dritë dhe hapësirë evropiane kësaj pjese të çmuar të trojeve shqiptare.
Poezia tregon për lidhjet e ngushta të poetit me popullin e vet: trishtohet kur sheh se ecuria e vendit të tij nuk është në atë lartësi për t`u bërë ballë sfidave ekonomike e politike me të cilat përballet kjo pjesë e rëndësishme e trojeve tona dhe gëzohet e brohoret fort, kur sheh që edhe Kosova po bëhet pjesë e rëndësishme në këtë hapësirë juglindore të Evropës së Bashkuar.