NJË LIBËR I RËNDËSISHËM PËR POETIN ALI PODRIMJA

0
922
Zef Skiro Di Maxho - Ali Podrimja njeriu pa adresë

ANTON NIKË BERISHA

(Parathënie)

Zef Skiró Di Maxho është pa dyshim zëri më i fuqishëm i poezisë së sotme arbëreshe; është i vetmi shkrimtar i gjallë arbëresh që për gjysmë qindvjetshi merret vijimisht me letërsi, sidomos me poezi dhe me dramë. Botoi një varg veprash letrare e doracakë gjuhësorë të arbërishtes, po vazhdon të shkruajë e të botojë edhe sot e gjithë ditën.

Krijimtarinë e tij me poezi e kam përcjellë nga viti 1993, kur fillova punën në Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe të Fakultetit të letërsisë e të filozofisë të Universitetit të Kalabrisë.

Fryt i njohjes së poezisë së Zefit, siç e quaj atë rëndom, është përgatitja dhe botimi i vëllimit me poezi të zgjedhura të tij të botuar në dy gjuhë: arbërisht dhe italisht me titull: Dhembje e ngrirë & Dove antico dolore1. Në këtë zgjedhje përfshiva disa nga poezitë artistikisht më të ngriturat të tij të zgjedhura nga 10 (dhjetë) përmbledhje të botuara deri më 1998.

Poezinë e Zefit e studiova dhe e njoha edhe më mirë me rastin e përgatitjes së Antologjisë së poezisë bashkëkohore arbëresheAntologia della poesia contemporanea italo-albanese2 (ribotuar në Tiranë vetëm tekstet në gjuhën arbëreshe) me titull: Antologji e poezisë bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë3. Edhe në revistën “Kalendari letrar4” botova disa poezi të tij dhe një shkrim për to. Parathënien e librit të përmendur “Dhembje e ngrirë” e ribotova të libri im: Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë5.

Edhe për shtëpinë botuese “Milosao” të Sarandës, të drejtuar nga poeti Agim Mato, përgatita dhe botova përmbledhjen me poezi të zgjedhura të Zefit, Te liqeni i zemrës (2017). Këtë zgjedhje e bëra nga dy vëllimet e tij me poezi Atje kam (Vjersha dygjuhësh), La mia Morea (Versi bilingui)6 dhe Trimdita – Giorneroe7. Përgatitja dhe botimi i kësaj përmbledhjeje me poezi të zgjedhura të shkruara kohëve të fundit, nuk ishte e rastit: ai është sot i vetmi poet arbëresh që është i njësuar dhe jeton vijimisht me letërsinë.

Rëndësinë dhe aftësinë e shkrimtarit Zefi e dëshmoi dhe me librin më të ri “Ali Podrimja – njeriu pa adresë”, ku përfshiu letra, mendime, email, shënime dhe poezi të poetit tonë të shquar kushtuar arbëreshëve të Italisë, po edhe poezi të vetat kushtuar poetit të madh, Podrimjes.

Nga letërkëmbimi me Ali Podrimjen, po dhe nga të dhënat e tjera që autori i sjell në këtë libër, sidomos poezitë e Aliut kushtuar arbëreshëve të Italisë, ndriçohen një varg çështjesh dhe faktesh që kanë të bëjnë me figurën e poetit Ali Podrimja, i cili më 20 korrik të vitit 2012, në qytetin e vogël Lodève të Francës, u gjet i vdekur. Në këtë qytet ai merrte pjesë në festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée”.

Letrat dhe tekstet e tjera që Zefi i përfshiu në librin për Ali Podrimjen, sidomos poezitë kushtuar arbëreshëve, shpalosin disa nga tiparet dhe cilësitë e karakterit të poetit, dashurinë ndaj botës shqiptare dhe arbëreshe, por dhe rëndësinë e poetit arbëresh, Zef Skiró di Maxhos, jo vetëm brenda arbëreshëve, po në gjithë artin e fjalës që shkruhet në gjuhën tonë.

Në letrat që Aliu ia dërgoi Zefit nga vende e qytete të ndryshme bëhet fjalë për figura e ngjarje konkrete, të cilat kanë qenë pjesë e pandashme e jetës së Podrimjes. Në to vërehet edhe shqetësimi i poetit për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë, për njerëzit e saj dhe për mungesën e një vetëdije të njeriut tonë të veprojë sa më denjësisht në rrethana të tilla të rënda, shpesh të parrugëdalje.

Libri dëshmon të dhëna për një miqësi mbi tridhjetë vjeçare mes dy poetëve, që kishte filluar në vitin 1980 (në një takim në Palermo), ku ishte paraqitur libri me poezi të zgjedhura nga poetët shqiptarë të Kosovës “Dega e pikëlluar”) dhe zgjati deri në vitin kur Ali Podrimja ndërroi jetë në Lodève të Francës.

Letërkëmbimi midis poetëve filloi pak a shumë në vitin 1988. Rreth kësaj Zefi shkruan:
“Qysh nga viti 1988, Ali Podrimja filloi të më dërgonte ndonjë lajm për udhëtimet e tij nëpër Evropë. Me pak fjalë më tregonte situatën e tij shpirtërore. Në sfondin e skenarit që fjalët vizatonin, rrinte gjithmonë harta gjeografike e Kosovës e unë lexues e shihja posi qiell përsipër fjalëve; në brendinë e zemrës së tij përvëlonte zjarri i dashurisë për Atdheun kosovar e shqiptar e arbëresh e panshqiptar”.

Pa qëllim që të zgjatëm, po them se me këtë libër Zef Skiró Di Maxho i ngriti një përmendore të rëndësishme poetit Podrimja, të cilën ai dhe e meritonte, që provohet dhe nga këto fjalë të Zefit:

“Ali Podrimja na mësoi vuajtjen për Kosovën e pabërë si na mësoi dhembjen për Lumin, biri që u bë edhe bir yni, dhembje madhështore kjo, galaktike, të trupit e të mendjes, reale e metafizike. Aliu poet i vërtetë, i madh, poet edhe në trajtën e jashtme që pasqyronte pa ndërprerje botën e brendshme. Poet që duke folur për ndjenjat e veta, përshkroi epokën e tij”.

Me këtë libër Zefi përmbushi një detyrë fisnike më mirë se cilido mik i Ali Podrimjes me të cilin ai ndenji dhe këmbeu letra.
Në Shtojcën e parë të librit Ali Podrimja – njeriu pa adresë autori ka vënë disa nga faksimilet e letrave të Ali Podrimjes, ndërsa në shtojcën e dytë një punim të Anton Nikë Berishës, për poezinë e Ali Podrimjes, ku ndriçohen disa nga veçantitë kryesore të saj si art.

Në fund po them se libri i Zef Skiró di Maxho-s Ali Podrimja – njeriu pa adresë është për shumëçka i veçantë dhe i vlefshëm dhe jam i bindur thellë se do të mirëpritet nga lexuesit, po dhe nga studiuesit dhe nga miqtë e Ali Podrimjes.

Prishtinë, maj 2019

REFERENCA:
1. Quaderni di Biblos, Palermo 1998.
2. Përkthimet në italisht Vinçenc Belmonte. Centro Editoriale e Librario della Università degli Studi della Calabria, Cosenza 1999.
3. “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë 2002.
4. Viti 1, nr. 11 – 12, 15 korrik, Tiranë 2004, f. 1, 4 – 5.
5. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008. Botimi i dytë i shtuar, “Faik Konica”, Prishtinë 2013.
6. Presentazione di Matteo Mandalà, Palermo 2004.
7. Poezi dygjuhësh. Poesia bilingue. Pitti Edizioni. Collana Arbër, 2005-2008.