NUK KA SHOQËRI TË MIRË E IDEALE, POR NJË TË KEQE MË TË VOGËL TË MUNDSHME

0
713
Herbert Spencer - Njeriu kundër shtetit

DUKE LEXUAR LIBRIN “NJERIU PËRBALLË SHTETIT” TË HERBERT SPENCER

Arben Çokaj

Përkthimi me “kundër” sikur tregon që shqiptarët gjithmonë e kanë idenë e kundërshtisë…

Disa përvijime të shpejta, pasi Spencer trajton shumë gjëra aty. Spencer është për një shtet të vogël, konservator, ku ka një administratë të vogël dhe qytetarët janë të lirë të vetërregullohen, brenda disa normave e ligjeve të caktuara të përbashkëta, duke paguar taksa të ulëta.

Spencer del kundër fryrjes me ligje e administratë të shteteve, se kjo rrit tatimet, gjë që ai përdor termin hiperlegjislacion dhe thotë se kur bëhet një ligj, ai gjithmonë nënkupton se duhet edhe një administratë për ta zbatuar atë.

Sipas përfundimeve të Spencer, shoqëria zhvillohet përmes së keqes, prandaj shumë shqiptarë që shajnë komunizmin kanë të drejtë, por nuk kanë të drejtë kur humbin sensin e realiterit, kur fluturojnë me pras, ose kur kujtojnë se bota është e drejtë ose e mirë. Bull-shit, nuk është bota as e drejtë, e as e mirë! Mos rrini si qaramanë vetëm duke sharë. Bota rregullohet më mirë përmes kontributit pozitiv, e jo përmes sharjeve… Prandaj për Spencer, shteti është i keq e sa më shumë shtet, aq më shumë rritet e keqja.

Atëherë pra, e morëm vesh: komunizmi ishte i keq se ishte gjithçka në shtet. Mjafton me kaq. Pse u dashka gjithë kohën të rrimë duke e sharë komunizmin, jo se nuk e meriton, por sepse po humbasim vëmendjen nga problemet e përditshme… Ne si shqiptarë nuk po mundemi të bëjmë shtete të rregullta as në Shqipëri e as në Kosovë e rrimë duke sharë gogolin?!…

Për Spencer, koncepti i shoqërisë ideale ose të mirë nuk ekziston, por ai priret që njeriun ta lërë të lirë. Dhe njeriu ka liri natyrale kur e lë nën ligjet e natyrës. Nëse njeriun e sundon për arsye të caktuara një njeri tjetër, atëherë liria e tij kufizohet…

Në këtë kontekst sipas Spencer, e duket se jo vetëm sipas tij, ka dy mënyra që njeriu të punojë e jetojë në këtë jetë, ose punë me detyrim, që ka ardhur gradualisht duke ikur, ose punë me kontratë, me marrëveshje. Realisht të dyja janë një formë skllavërie, por te kjo e dyta, njeriu e pranon atë me dëshirë, bën komtratë, marrëveshje me vetë-dëshirë.

Se forma e punës me detyrim tregoi se dështon më shpejt e tragjikisht në shumë raste. Kemi rastin e komunizmit për këtë.

Por as kapitalizmi nuk është kushedi çfarë, vetëm se të skllavëron përmes imazhit të lirisë, ose iluzionit të lirisë. Ti punon se duhet të punosh, në SHBA psh. edhe dy punë dhe në fund, çfarë mbërrite me gjithë këtë? Nuk ke para as sa për të rregulluar dhëmbët, ose jeton gjithë jetën në një shtëpi dërrasash si barakë… Ironike në shumë raste kjo, e amerikanët bëjnë humor prej hallit! Mirë amerikanët, po ne shqiptarët?! Ne kënaqemi, çlirohemi duke sharë shtetin, në vend që me kontributin tonë të përpiqemi për ta bërë atë, edhe kur e dimë se shtet të mirë nuk ka…

Pra, kur koncepti i shtetit të vogël nuk mund të realizohet as në SHBA, ku shkalla e lirisë është më e madhe, paramendo se mund të realizohet kund tjetër. Është thjeshtë një iluzion. Tatimet e banimit në SHBA tamarrin frymën dhe i bëjnë presion të madh shoqërisë amerikane drejt punës si skllevër dhe uljes së cilësive të jetesës…

Psh. në SHBA nuk të detyron kush të punosh, por je i detyruar me vetë-dëshirë ta bësh këtë, se nuk të mban kush e duhet të jetosh, duhet të paguash qeranë ose kredinë e shtëpisë, makinës etj. Kështu kthehesh gradualisht në skllav i punës, gjithë jetën dhe imiton lumturinë… Por kjo është jeta në komunitet… nuk ka iluzione, veç fesë…

Suksesi amerikan sipas Spencer qëndron te fakti se amerikanët janë njerëz të pavarur dhe janë mësuar e mësohen, që punët t’i bëjnë vetë, kjo përkundër turqelive shqiptarë që presin, që punët t’ua kryejnë tjerët, madje edhe shtetin t’ua bëjnë të tjerët… Absurde, e këta pretendojnë në fund, që gruan e tyre ta kënaqin vetë… Nuk shkon kështu, jo. Duhet kujdes, duhet t’i thërrasim mendjes…

Por suksesin amerikan me nuanca megalomanie e vëren sidomos te sistemi i tyre politik dhe ekonomik, rendja pas fitimit, pas dollarit. Kjo i fut shumë stres shoqërisë amerikane, ia mpin energjitë individit, e shterrë komplet dhe në fund e gjuan, e hedh si diçka të papërdorshme…

Pra, duhet energji e madhe, ruajtje e energjisë dhe vazhdo, përpjekje të mëdha gjithë jetën, për të kapur, për t’u mbajtur, për të mos e lënë veten të biesh, se nuk të mban kush. Prandaj sheh në Amerikë zhvillime që nuk i sheh kund tjetër dhe miliarderë më shumë se popullsia e Suedisë, kështu që sistemin amerikan edhe po të duash, nuk e injoron dot.

E megjithatë, në fund, nëse nuk ia paguan taksën shtëpisë apo pronës, shteti ta merr dhe ta shet në ankand, e blen ai që është në gjendje të paguajë taksat… Kjo dihet! Dhe varrin në varreza ta lënë aty për aq kohë sa e ke blerë tokën në varreza… edhe pse Amerika ka tokë mjaft…