Libri “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” edhe në Arkivin Shtetror të Shqipërisë

0
967
Hysen Ibrahimi - Endrit Musaj - DPA

Hysen Ibrahimi, Tiranë, 13 korrik 2019

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dy institucionet të bashkëpunojnë në fushën e botimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore dhe kulturore.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Trajnimit z. Endrit Musaj tha se ndihej i lumtur që pas takimit dhe njohjes me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Konferencën e III Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shkup u ndërmorë ky hap cilësor për bashkëpunim. “Kjo marrëveshje ka të bëjë me hulumtime, botime, simpoziume, veprimtari të përbashkëta, qoftë në Shqipëri, Suedi apo Kosovë. Uroj që kjo marrëveshje nuk do të jetë vetëm formale dhe të ngelet në letër por të konkretizohet me punë” tha Musaj.

Foto nga e majta: Hysen Ibrahimi dhe Endrit Musaj

Kryetar i shoqatës “Papa Klementi XI Albani” z.Hysen Ibrahimi falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për mirëpritjen dhe për këtë bashkëpunim shumë të sinqertë. “Marrëveshja e bashkëpunimit mes institucioneve ka të bëjë dhe me shkëmbimeve të ndryshme të materialeve të arkivistikës apo punëve studimore, madje ne i kemi sjellë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në formë digjitale 10 numra të librit “Thesar Kombëtar i Mergatës Shqiptare, i cili përmban shumë shënime dhe dokumente, kryesisht për veprimtari dhe çështje të Kosovës, të Shqipërisë por edhe të gjitha viseve shqiptare” tha Ibrahimi.

Të dy nënshkruesit e marrëveshjës ranë dakort që marrëveshja të jetë e përdorshme edhe për qëllime dokumentare, në mënyrë që t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve dhe të interesuarve të tjerë.

Kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, z. Hysen Ibrahimi tha se libri “Thesar Kombëtar i përgatës shqiptare në Suedi” është produkti kryesor që ka çuar deri në arritjen e kësaj marrëveshjeje me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri. “Libri ka shumë dokumente të botuara tashmë dhe kjo ka bërë që ne të arrijmë këtë marrëveshje, të shkëmbejmë dokumente të arkivave, me qëllim të përdorimit të tyre për studime të mëtutjeshme. Ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë marrëveshje dhe urojmë që ajo të mos mbetet në letër por të bashkëpunojmë dhe ta konkretizojmë këtë bashkëpunim”, tha Ibrahimi.

Me këtë rast. Z. Ibrahimi shpjegoi se temë boshte e këtij libri është çështja shqiptare, ka qenë Pavarësia e Republikës së Kosovës, pastaj integrimi i shqiptarëve në shoqërinë suedeze, e tema të tjera. “Synim parësor kishim që çështjen shqiptare ta sensibilizojmë tek shoqëria suedeze dhe duke i prezantuar vlerat tona kombëtare ne kemi dëshmuar tek popujt tjerë se kemi prejardhje pellazgo-ilire me qëllim që të dëshmojmë para botë së përparuar se shqiptarët nuk janë popull i prapambetur”, tha ai.

Hysen Ibrahimi e cilësoi si ditë shumë të rëndësishme për shoqatën “Papa Klementi XI Albani”, arritjen e marrëveshjës me Arkivin Shtetror të Shqipërisë, duke besuar që do ta konkretizojnë çdo formë të bashkëpunimit midis dy asociacioneve.

“Për ne është një gëzim i madh, sepse të gjithë dokumentet tona do të ruhen në vende të sigurta, dhe ato do të jenë në sherbim të studiuesve të ndryshëm. Ata që mund të kenë objekt studimi për shqiptarët në Suedi, dokumentet mund t’i gjejnë tash e tutje edhe në arkivin shtetror të Shqipërisë, përveç në Suedi tek ne dhe në Kosovë”, tha Hysen Ibrahimi.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjës ishin edhe Arben Dervishi, drejtor i Financnave dhe Sherbimeve Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), Pashk Alia, drejtor i Drejtorisë Shtetërore vendore në DPA. Kurse në delegacionin e SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, ishin edhe Naim Latifi, anëtar i kryesisë, Kadrije Gurmani, Dashurie Drindari, Tefta Musaraj dhe Hyrë Tejeci Murati.

Marrëveshja me DPA ishte në kuadër të marrëveshjeve që SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, ka realizuar tashmë me disa institucione dhe organizata tjera si në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri.