Zymer Mehani
Milazim Kadriu, mësimdhënës, publicist e shkrimtar, pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë, sot, më 13 korrik 2019…
Milazim Kadriu ka shkruar këto vepra letrare:
“Lindi dielli” (poezi për fëmijë)-2000;
“Flakadani i lirisë” (50 autorë-100 poezi)-2012;
“Tri shkronja” (poezi për fëmijë)-2014;
“Uragani i lirisë” (20 autorë-55 poezi)-2017;
“Refleksione letrare” (kririkë)- 2017;
“Vështrime letrare” (kritikë)-2017;
“Përsiatje letrare” (kritikë)-2018;
“Ata që për liri u flijuan”-2018;
“Një krismë pushke për liri”-2019;
Bashkautor i monografisë “Feniksët e lirisë” (deri më tash janë botuar 17 libra).
Është përfaqësuar me poezi në mbi 50 vëllime poetike të autorëve tjerë (libra përkushtues), që janë botuar në Kosovë, Shqipëri, Preshevë, Maqedoni dhe në diasporë.
Milazim Kadriu ishte bashkëpunëtor i gazetave “Bota Sot”, “Epoka e re”, “Kosova Sot” etj… etj…
Shkruan Zymer Mehani
U ZHVILLUA CEREMONIA E VARRIMIT TË SHKRIMTARIT
MILAZIM KADRIU
Fshati Revuq-Podujevë
Sot, më 13 korrik 2019, në Varrezat e fshatit Revuq të Podujevës, në prani të shumë qyterarëve, të afërmve e miqve, iu dha lamtumira e fundit, mësimdhënësit, veteranit të UÇK-së, publicistit e shkrimtarit llapjan Milazim Kadriu. Me fjalë lamturmirëse u paraqitën OVL e UÇK-së e Podujevës, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Kolektivi i SHF&MU “Hamit Sejdiu” e Kërpimehut, ku punoi z Milazim Kadriu.
Në emrin e tij personal dhe të Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i të cilës ishte i ndjeri Milazim Kadriu, fjalën lamtumirëse e mbajti shkrimtari Zymer Mehani, i cili ndër të tjerash tha:
“Qenka vështirë ta përjetojmë dhimbjen tonë për vdekjen tuaj të parakohshme, miku ynë, publicist, shkrimtar e mësimdhënës i dalluar,
Milazim Kadriu!
Mungesën tuaj s’mund ta përshkruajmë me fjalë, sepse ndarja juaj nga kjo botë është e rëndë, madje edhe më e rëndë sa vetë globi, por ne: familja, miqtë, dashamirët jemi të gjithë krenarë që ju patëm, ngase ju ishit dhe mbetët simbol i burrërisë, i mirësisë, i bujarisë, mësimdhënës i dalluar, atdhetar i flakët dhe shkrimtar i talentuar, e mbi të gjitha prind, vëlla e mik i denjë. Prandaj virtytet tuaja neve na bëjnë të fortë dhe të jetojmë me kujtimin për ju, sepse fjalët dhe veprat tuaja, vërtet ju bëjnë të pavdekshëm.
Koha ikën duke shkaktuar e shëruar plagë. Kështu ishte, është dhe do të jetë përherë, por dhimbja, malli dhe plagët tona nuk na janë aspak të lehta, ngase ju ikët, kur na u deshët më së shumti.
Ashtu siç ishit prore i fortë në çdo situatë, po ashtu na mësuat edhe neve që të jemi kurdoherë të fortë, e ky fakt na obligon që dhimbjen që ndiejmë për juve ta kthejmë në forcë, ngase ju ishit shok ndër shokët e ëmbël në fjalë, qëndrestar në situata të rënda, punëtor i madh dhe besnik në punë…. Ne do të jemi gjithmonë krenarë me ju, edhe pse ikja juaj nga kjo botë na shkaktoi plagë e vrragë, pikëllim të thellë në zemrat tona.
E nderuara familja Kadriu!
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i së cilës ishte edhe Milazimi ynë, në emër të komunitetit artistik të Podujevës dhe në emrin tim personal, ju shprehim ngushëllimet tona të thella për vdekjen e z Milazim Kadriut:
Ju bëhuni të fortë, sepse dhimben e kemi të përbashkët!
U prehtë në paqe!
Zoti ju lashtë shëndoshë!”
Në emrin e LSHK-së kurorë mbi varrin e mikut Milazim Kadriu vendosën poetët Bajram Bashota, Shaban Pllana, Rexhep Halimi e Zymer Mehani