1.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

PRESIDENTËT E SHQIPËRISË NËN HIJEN E FRIKËN E GREQISË

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Pse nuk i dhanë e nuk i japin Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”?

Nga KOLEC P. TRABOINI

Që nuk gjen një grek në botë që të bëjë lojën e Shqipërisë e të shqiptareve kjo po dihet. Dhe është e natyrshme. Çdo kush punon e sakrifikon për kombin e atdheun e vet. Grekët bëjnë aq shumë për Greqinë madje duke i tejkaluar edhe të drejtat që kanë e duke spekuluar e imponuar siç është rasti me minoritetin grek në Shqipëri. E veçanta është se grekët minoritarë që kanë jetuar e jetojnë në Shqipëri, pavarësisht regjimeve që ka pasur ata kurrë nuk e kanë ndjerë veten inferiorë. Populli shqiptar është shumë dashamirës dhe nuk kemi pasur në histori ndjesi apo shfaqje racizmi. Përkundrazi mirësi dhe respekt për të huajt kjo edhe për shkak të traditave që shqiptari ka pasur në shekuj “Shtëpia e Zotit dhe e miqve!”. Këta kanë qenë shqiptarët në histori.

Por le të shohim e analizojmë veten në një kënd tjetër vështrimi, pra anën tjetër të medaljes. Si sillemi ne si shtet dhe institucione në lidhje me interesat e shqiptarëve në Ballkan e më gjerë. Sa i mbrojmë interesat e bashkëkombësve tanë jashtë Shqipërisë ? Sa e si punojmë ne, si sillemi, si shfaqemi përpara atyre që kanë gjak e gjuhë shqiptare e jetojnë anë e mbanë Ballkanit apo dhe në hapësira e shtete të tjera? Në këtë vështrim mund të them se ne jemi mjerimi i mjerimeve. Jemi shteti më i papërgjegjshëm në Europë. Ne mburremi e rrahim gjoksin “O sa mirë me qenë shqiptar!” nëpër koncerte folk a mitingje politike populiste dhe me këtë sikur e kemi kryer detyrën tonë ndaj kombit.

E them këtë sepse e kam konstatuar në Atdhe, por edhe gjatë disa dekadave në mërgim. Mjerisht ne kemi shtetarë që shohin vetëm interesat e ngushta të klaneve, grupimeve, tarafeve dhe fare pak ose aspak përkujdesje për atë që na mban në këmbë si komb e si shtet. Dua të vë në dukje e të sjell në vëmendje një shëmbëllesë mjerane për të kuptuar çfarë ndodh në Shqipëri dhe sa të papërgjegjshëm janë shtetarët e këtij vendi ani pse formalisht kanë krijuar një ministri e kanë shpallur një ministër të Diasporës që nuk bëjnë asgjë. Dhe rasti më tipik është qëndrimi ndaj një figure madhore, arvanitasit më të madh të shekullit të 20-të, veprimtaria e vepra e të cilit bën krenar çdo shqiptar kudo që ndodhet në botë. Ai është Aristidh Kola.

Nuk themi se ishte, edhe pse ka vdekur i helmuar nga qarqet ultra nacionaliste të vendit fqinj, nuk themi ishte se për ne mbetet gjallë e kështu do ta konsiderojmë gjithmonë. Kam shkruar vite më parë, madje botuar edhe një libër me titullin “Vrasja e dytë e Aristidh Kolës”, i kemi rënë kambanave, por pushtetarët shqiptarë kanë bërë kinse janë shurdhë e nuk dëgjojnë se për të folur nuk bëhet fjalë, se Aristidh Kolën fizikisht e kanë hequr mizorisht nga jeta, por ai ka lënë veprën e tij të cilën edhe atë duan ta vrasin. Plot përpjekje kanë bërë. Për të vrarë historinë nuk bën punë as plumbi e as helmi. Mjafton të shuhet kujtesa. Dhe për këtë punojnë me mënyrën më të sofistikuar falangat e shovinizmit.

Ne shqiptarët nuk jemi aq të pamend të mos kuptojmë se pse grekët e mbajnë marrëzishëm Ligjin e Luftës me Shqipërinë, por ndërkohë nuk e kanë ligjin e luftës me Italinë ushtria e të cilës e sulmoi Greqinë. Mirë ata, po ne vetë çfarë bëjmë? Si e trajtojmë ne problemin e ekzistencës së shqiptarëve të Greqisë të cilët janë jo thjesht komunitet, por shtet formues. Çdo veprimtari për arvanitët dhe Aristidh Kolën është bërë me iniciativa private të atyre që e kanë njohur apo kanë bashkëpunuar me arvanitasin e madh. Vetëm një rast, edhe ky i inicuar nga grupimi “Miqtë e Aristidh Kolës” u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar një përkujtimore. Asnjë veprimtari nga Akademia e Shkencave ku gëlojnë eunukë të mendjes, njerëz me nivel kulturor të dyshimtë. Pse ky indiferentizëm?

Mos vallë një harresë sklerotike pleqërishte? Është e thjeshtë për t’u kuptuar se nuk ka të bëjë me harrimin e rastësishëm. Megaloidheja skutave të Athinës i ka tentakulat e gjata. Arrin deri në zyrat e institucioneve të shtetit shqiptar duke përhapur idenë kinse do t’u prishet oreksi fqinjëve nëse bëjmë veprimtari për arvanitët, apo nëse e përkujtojmë apo botojmë veprat e Aristidh Kolës. Ndaj nuk duhet as ta përmendim e jo më ta dekorojmë. Kjo tregon se kemi pasur e kemi qeveritarët më të papërgjegjshëm në planet. Ministria e Kulturës së këtij vendi kur i paraqitëm projektin për të mbështetur botimin e një libri për Aristidh Kolën e refuzoi ndërsa financonte filma për djathin kaçkavall, apo për historinë pa histori të muzikës rok në Shqipëri!!!

Çmenduria institucionale nuk mund të ketë trajtë tjetër më diskredituese. Ky mjerim është i përshkallëzuar. Le të ngjitemi më lart në kupolën e shtetit. Në Presidencë. Nëpërmjet këshilltarit të presidentit Bamir Topi kemi sugjeruar shpalljen e Aristidh Kolës “Nderi Kombit”. Afrim Krasniqi u përpoq të na bindë se nuk ishte e mundur të bëhej kjo për disa arsye që kurrë nuk i mora vesh. Kam bërë debat të gjatë me këtë këshilltar të presidentit Topi, i cili më kërkoi që këtë debat të mos e bëja objekt të medias publike. Deri më sot nuk e kam publikuar, por këtë edhe mund ta bëj sepse papërgjegjësia e presidencës së Republikës ka arritur deri në nivel katastrofal. Kështu presidenti Bamir Topi me ekipin e tij që dekoroi e daroviti të gjithë ata më të cilët hante pilaf e karavidhe pa harruar fërgesën tiranase, i refuzoi Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”.

Bashkë me një grup miqsh nuk hoqëm dorë nga kjo dëshirë që në të vërtetë është dëshirë e qindra mijëra shqiptarëve që kanë njohur dhe lexuar veprat e arvanitasit të madh. Iniciativën e institucionalizuam nëpërmjet një fushate e veprimtarie në linjën Tiranë-Prishtinë. Arritëm të marrim firmat e 1800 intelektualeve ndër të cilët mbi 40 me titull Profesor, pedagogë universiteti, artistë, gazetarë, kineastë, studiues. Bashkuam edhe peticionin e bërë në internet ku kishin firmosur me qindra shqiptarë në Greqi, Itali, Zvicër, Gjermani, Kanada dhe Amerikë. I përgatitëm dhe siç na rekomanduan në presidencë i dërguam me postë në adresë të Presidentit Bujar Nishani.

Por as gjegje nuk na dhanë dhe asgjë nuk u bë. Biseduam me këshilltarin e tij Ndriçim Kulla, i cili ishte pesimist dhe na dha të kuptojmë se presidenti Nishani nuk do të ndërmerrte një hap të tillë. Por ne ndërkohë vumë re se ky president dekoroi plot njerëz mediokër duke i shpallur “Nderi i kombit” apo dhe mjeshtra të mëdhenj tallavaxhijtë që këndojnë këngë të frymës anadollake osmane. Po pse këto dy presidentë erdhën e ikën dhe e refuzuan nderimin e Aristidh Kolës? Nga biseda që kemi zhvilluar me ata që u rrinin afër këtyre presidentëve kemi kuptuar se ka një konspiracion të madh kundër arvanitasit të madh, se ka grupe të interesuara që shqiptarët jashtë Shqipërisë të mos nxiten në linjën e gjakut të tyre shqiptar kinse për të mos hapur plagë historike.

Në të vërtetë i gjithë ky konspiracion ka të bëjë me agjenturat e Greqisë në Shqipëri. Që Greqia shpenzon miliona euro për agjenturat e veta në Shqipëri kjo nuk është gjë e fshehtë, por e paditura është si kanë arritur të ndikojnë deri tek kokat e shtetit shqiptar të cilët duhet të ishin në mbrojtje të identitetit shqiptar e jo si faktor për fashitjen e shqiptarizmës në Ballkan. Gjithsesi nga refuzimi që i është bërë Aristidh Kolës një tregues është i qartë, edhe presidentët shqiptarë bëjnë lojën e Greqisë. Nuk ka asnjë shkak tjetër. Greqia nuk do që Aristidh Kola të lartësohet në atë piedestal që të fashiten përgjithmonë ndjenjat e shqiptarëve të Greqisë, të cilëve u mohohen të gjitha të drejtat kombëtare. U mohon kësisoj shqiptarëve shtetformues të Greqisë që janë me miliona, atë çfarë e kërkon për minoritarët grekë që nuk shkojnë më shumë se 200 mijë banorë. Ne e kuptojmë Greqinë, por nuk e kuptojmë Shqipërinë.

Pse presidentët tanë nga frika apo nga interesa të caktuara personale bëjnë lojën e Greqisë?! Pse tradhtojnë interesat kombëtare? Interesi ynë kombëtar është që të gjithë ata që kanë gjak shqiptar, kudo ku ndodhen, t’u krijojmë kushte e mundësi të ndjehen mirë për gjakun e prejardhjen e tyre. E dimë se peshku qelbet nga koka, por ka një ndryshim në rastin e shqiptarëve- vërtet kanë kokat e shtetit të qelbura, por trupi i shqiptarisë është i shëndoshë. Mendoj se turpi duhet t’i mbulojë këta dy ish presidentë të papërgjegjshëm që kanë vënë axhendën e Greqisë mbi ndjesinë e shqiptarisë. Tani ne kemi në institucionin më të lartë të shtetit presidentin Meta. Duke ditur prejardhjen dhe karakterin e tij mbetemi me shpresë se ai do ta bëjë sfidën e madhe duke i dhënë Aristidh Kolës titullin “Nderi i Kombit”, çfarë është dëshirë jo vetëm e ne miqve të tij, jo vetëm e miliona shqiptarëve në Greqi, por edhe gjithë shqiptarëve në botë.

Presidenti i sotëm ka rastin që më shumë se Aristidh Kolën me dhënien e këtij titulli, të nderojë veten e ne të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhemi dhe e kemi shqiptarinë një gjë të shenjtë e të patjetërsueshme. E mbyllim këtë shkrimi në përvjetorin e lindjes së arvanitasit të madh duke ritheksuar se ai qëndron madhërishëm në panteonin e kombit shqiptar, anipse i mohuar nga shtetarucët dhe palikarët e politikës. 1860 firma intelektualësh e njerëzish të shquar në të gjitha fushat e dijes, Profesorë e Doktorë shkencash, artistë por edhe njerëz të thjeshtë, katër shoqata në Shqipëri e Kosovë nuk mjaftuan për të akorduar një titull të propozuar në fillim të vitit 2016. Gjithsesi, duan apo nuk duan mizat e vogla në kalin e pushtetit e politikës, Aristidh Kola, është e do të mbetet Nderi i Kombit Shqiptar në jetë të jetëve.

8 korrik 2019

- Reklama -

Më shumë shkrime

1 KOMENT

  1. Me të lumtë ajo PENË, atdhetari i atdhetarëve Kolec P.Traboini, për këtë shkrim të shkëqyer për të ndjerin Aristidhe Kola, një nga Arvanitasit më aktiv deri në krye te atij Komuniteti,deri shet formues në Greqi, Ai ndarë nga jeta në kulmin e veprrimtarisë Tij. Si krye mik i atij, gjak shqiptari Arvanitas, në dejet e tij. kam patur fatin, si e dini dhe Ju, qëndruar në Athinë pas fëmijeve, aktivë në Shoqatën Tone *Vllazërimi* ku i ndieri Aristidh Kola, na rinte pranë, deri në Tiranë, ne bërë aktivitet për Dilindien e tij… Ju mes nesh, sa Albert Zholi nderuar… Ju përgëzoj për sa shktuani deri ajo tërheqia e vëmendies e organeve kopetente qëndrore, per ta nderuar pas Vdekies të pa harruarin Aristidh Kola, me titullin *NDERI KOMBIT*. Mirësitë ju shoqërofshin PENE-ARTI për atdhetarizmin tuaj.

    Nga Toronto ju përshëndes. 83 vjecari *Pasues veteran* Dhimitër Xhoga.

Komentet janë mbyllur.

Shkrimet e fundit