Aklamacionistët e LDK-së, i dhanë vulën e turpit procesit zgjedhor!

0
450
LDK logo

Shkruan: Florim Zeqa, 09.07.2019

Mbase me efektin e shkrimit autorial “Lidhja” që po e rrënon në themel LDK-në e Rugovës, të datës 23.06.2019, arrita të rikthejë tri shkronjat e arta në kuvendet e fundit zgjedhore të degëve të LDK-së, por jo edhe frymën rugoviane.

Aklamacioni, e kundërta e votës së lirë

Zgjedhja me aklamacion e kryetarëve nëpër degët e LDK-së, përveqse dhunim i demokracisë, paraqet shkelje statutore dhe shpërfillje të vullnetit te elektoratit.

Aplikimi i praktikave moniste në sistemin demokratik i ngulfati reformat dhe pengoi dryshimet aq të nevojshme në subjektin më të vjetër politik në Kosovë.

Vota e fshehtë si instrument demokratik, përveqse do t’i jepte ngjyrim të mirë procesit zgjedhor, do te krijonte besueshmëri më të lartë për kryetaret e rinjë (të vjetër) të degëve të LDK-së.

LDK-ja si parti më e vjetër e skenës politike, do duhej të ishte shembull për subjektet tjera dhe udhërrëfyese e zhvillimeve demokratike ne vend.

Jam i bindur se shumica e kryetarëve të sapozgjedhur do të fitonin edhe përmes votës së fshehtë, por jo edhe votat maksimale siq ndodhi me aklamacion.

Me këtë mënyrë antidemokratike të zgjedhjes, gjegjësisht të shmangies së votimit, aklamacionistët dhe puçistët në LDK frocuan akoma më shumë pozitat e tyre, duke u dëshmuar se janë vërtetë uzurpatorë të gjithëpushtetshëm në këtë subjekt politik.
Aklamacioni, përkatësisht shmangia nga vota e fshehtë është praktikë e regjimeve totalitare, gjegjësisht e diktatorëve dhe uzurpatorëve të pushtetit.

Mbrojta e “aklamacionit” duke u thirur në elasticitetin e statutit (të parenovuar) të partisë, është mbrojtje e klaneve mafioze dhe pengimit të reformave në këtë subjekt politik.

Zgjedhjet nëpër degë, dëshmuan se LDK-ja as kësaj radhe nuk arriti të reformohet, këndellet e forcohet ashtu siq e dëshironte elektorati i saj, përkundrazi u bunkerizua akoma më shumë pas liderit diktaorial të partisë.

Përfundimisht, me këtë produkt të zgjedhjeve të brendshme në LDK, më këto struktura udhëheqëse, më këto figura përverse politike, më shumë biznesmen milionerë sesa udhëheqës politikë, LDK-ja nuk ka gjasa të fitoj zgjedhjet në nivel vendi, kurdo që të mbahen ato (vjeshtë apo pranverë), për shkak se të sapo zgjedhurit janë figura të konsumuara, jo kredibile, të dështuara dhe të urryera nga elektorati rugovian dhe ai kosovar në përgjithësi.

“Ugiçët” ua zunë frymëm të rinjëve entuziast

Pothuajse në të gjitha degët e LDK-së u rizghodhen kryetarët paraprak, anipse shumica prej tyre janë humbës serik të zgjedhjeve komunale. Kjo rujatje e vazhdimësisë së humbësve serik të zgjedhjeve u bë për qëllime “madhore” të liderit të partisë, pasi edhe ai është humbës serik i katër plaë zgjedhjeve, por që i shërben atij për vazdimin e sundimit në parti dhe rritjen e ambicies për rikthim në pushtetin qendror.
Ndryshimet e vogla kozmetike që ndodhën në disa degë, po ashtu u bënë më direktivat e liderit të partisë, siq ishte rasti i Prizrenit. Në ishte kjo zgjedhje me marrëveshje apo pazar politik, mbetët të shihet më vonë.

Marrë në përgjithësi kryetarë të degëve u rizgjodhën “ugiçët” e LDK-së, duke ua zënë frymën të rinjëve entuziast, vullnetmirë dhe shpresëdhënës për këtë subjekt.

“Gjithçka u krye me aklamacion, pa asnjë lloj votimi…, gjithçka ishte përgatit për të penguar ndryshimin…, delegatët u ndanë të dëshpruar…, kështu e paska “demokracia”…, nuk na ka mbetur tjetër vetëm të shkojmë në Vetëvendosje…, t’i ndihmojmë Albinit, se i vetëm nuk mund të bëjë gjë, për shkak se strukturat e LDK-së nuk e duan ndryshimin, por vazhdimësinë e qeverisjes me partnerin e vjetër (PDK-në), përfundon rrëfimin delegati që nuk arriti ta bëjë ndryshimin e dëshiruar në një degë të LDK-së!
Deri në këtë situatë e kanë sjellë elektoratin rugovian grupet e interesit në LDK.

Kështu, LDK-ja, dikur parti e besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës, po zbehet e po zhbëhet shkaku i monopolit dhe privatizimit të kësaj partie nga grupet e interesit dhe urithët e nëntokës së saj.

Si produkt i kësaj situate, zgjedhjet e brendshme në LDK, përveq parregullsive dhe jo legjitimitetit për shkak të dhunimit të votës së lirë, janë shndërruar në maskaradë mashtruese dhe fyese për elektoratin rugovian.

Tradita e mashtrimit vazhdon…

Nga zgjedhjet në zgjedhje, kemi përseritje të së njëjtës “këngë”, pra kemi rizgjedhje dhe vetëm rizgjedhje me aklamacion të figurave të njëjta në krye të partisë, duke e privuar në tërësi elektoratin nga zgjedhja përmes votës së lirë.

Në kuvendet zgjedhore të degëve parregullsia e parë fillon zgjedhjen e kryetarit me aklamacion dhe pa asnjë kundër kandidatë, për të vazhduar me propozimet e kandidatëve për anëtarë të kryesisë dhe për delegat në Këshillin e Përgjithshëm, përkatësisht në kuvendin qendror zgjedhor, kur 70 përqind e të propozuarëve shkojnë drejtëpërdrejtë nga kryesitë e degëve, për të vazhduar me propozimet e njerëzve të tyre edhe për 30 përqindëshin e mbetur, duke i vendosur kështu delegatët para aktit të kryer.

Për të evituar kalimin eventual të ndonjë kandidati jashtë rrethit klientelist të kryetarit, pas kryerjes së votimit të fshehtë për kryesi dhe KP, bëhet po ashtu numërimi i fshehtë i votave, përkatësisht futja e listës nën tavolinë dhe nxjerrja e listës tjetër të përgatitur paraprakish nga grupet e interesit në kryesi.

Kjo është e vërteta e hidhur e ruajtjes së vazhdimësisë së kapjes dhe uzurpimit të LDK-së nga grupet e interesit. Për të qenë ironia edhe më e madhe, pas arritjes së cakut, eskponentët e sapozgjedhur dalin në opinion dhe tallen me elektoratin me slloganin e njëjtë “Tradita vazhdon” (tradhtia vazhdon)!

Për fund, kuvendi qendror zgjedhor i LDK-së, nuk do të jetë më shumë dhe as më pak sesa reprizë e kuvendit të VIII-të dhe përseritje e zgjedhjeve të fundit nëpër degë!