MBRESA, NGA NJË TAKIM MJAFT MBRESËLËNËS…

0
636
Murat Gecaj - me miq, Tiranë

Nga e djathta: B.Saliasi, S.Harka, A.Quku, M.Gecaj, V.Kona e C.Kullafi (Tiranë, 7 korrik 2019)

Nga: Murat Gecaj

Kënaqësi e veçantë për ne, një grup kolegësh e miqësh krijues, ishte takimi i mëngjesit, në Lokalin “Galaxy-Bar”, ku ishte stacioni i trenit ose ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit.

Nismëtar për këtë takim u bë miku ynë i përbashkët, Agim Qoku, drejtor në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Labinotit”, në rrethin e Elbasanit. Ai është autor e bashkautor në disa libra, sidomos me përmbajtje arsimore e pedagogjike. Sot kishte sjellë, dhuratë për miqtë e pranishëm, librin e tij, “Shmili, një rrugëtim në shekuj”(Monografi), me Hyrjen nga shkrimtari i mirënjohur, Viron Kona…

Në këtë takim ishin edhe zv.drejtori i shkollës 9-vjeçare të Tiranës e autor librash, Bashkim Saliasi, me kolegun mësues Caush Kullafi. Por, si gjithnjë, nuk munguan publicisti e studiuesi Sejdo Harka dhe publicisti, prozatori e poeti, Viron Kona, autor i dhjetëra librave, me tematikë të larmishme.

Rreth tavolinës së përbashkët, duke pirë kafe, bisedat tona ishin të këndshme dhe për mjaft çështje të jetës dhe të veprimtarive tona të përditëshme. Sigurisht, parësore ishin: jeta familjare, diskutimet e të rejat për krijimet e botimet; për traditat e lashta e të reja të popullit tonë, trim e liridashës: për pushimet verore, me tërë këtë vapë të padurueshme etj. Por edhe përmendëm kolegë e miq tanë, që megjithëse nuk ishin të pranishëm, kanë respektin tonë të përbashkët.

…Për shkak të kohës së nxehtë, por dhe sepse secili nga pjesëmarrësit në këtë takim kishte për të udhëtuar edhe me autobusë (që megjithëse është kaq zagushi, shumica nuk kanë kondicionerë?!) ose kishte punë për të bërë, u ndamë përzemërisht.

Secili nga ne, shprehu mendimin se takime të tillë janë me mbresa të paharruara dhe se është mirë të organizohen, herë pas here.

– Faleminderit, që erdhët sot dhe mirupafshim, të dashur kolegë e miq, deri në takimin e radhës!

Tiranë, 7 korrik 2019