Haki Rugova përshëndet Kuvendin e Degës të LDK-së në Gjermani
– U mbajt Kuvendi i Degës të LDK-së në Gjermani –
IDRIZ ZEQIRAJ
Në Frankenthall, afër Ludwigshafenit, të Landit Rheinland Pfalz, u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së LDK-së në Gjermani. Intonimi i Hymnit Dardan, hapi punimet e Kuvendit të 9-të. Moderatori Xhevat Berisha u uroi mirëseardhje delegatëve të Kuvendit si dhe përshëndeti mysafirët nga Kosova, zotërinjtë Haki Rugova dhe Sali Morina, të cilët kishin ardhur, enkas, për të monitoruar punimet e Kuvendit të 9-të, të Degës të LDK-së në Gjermani. Ai ftoi në foltore Nënkryetarin e LDK-së, Haki Rugova, i cili përshëndeti familjet e dëshmorëve, veprimtarët e shquar dhe delegatët e Kuvendit.
“Vijmë për herë parë, së bashku me anëtarin e Kryesisë të LDK-së, Sali Morina, për t`i monitoruar, mbikëqyrë punmet e sotme, në Kuvendin tuaj zgjedhor. Nuk kemi ardhur me misionin për të imponuar persona apo ide. Jemi të hapur, për të ndihmuar, në mbarëvajtjen e Kuvendit të radhës. Dega e LDK-së në Gjermani, është e veçantë për shumëçka, qoftë në shumësinë e mërgimtarëve tanë, që kap shifrën 400 mijë, qoftë në volumin e kontributeve financiare dhe bërjen e politikës cilësore. Kuvendit tuaj i uroj punë të mbarë”, – tha, në mes tjerash, zoti Rugova.
Sali Morina, duke përshëndetur delegatët e Degës të LDK-së në Gjermani
Nënkryetari Rugova pranoi pyetjen e parë të delegatëve: “Pse është bërë reduktimi nga 9 (nëntë) delegatë në Kuvendin e shkuar, në 2 (dy) në të tanishmin?!” Kjo ngjalli pakënaqësi të madhe. Delegatët shpërthyen në akuza të drejtëpërdrejta, duke e konsideruar si ndëshkim politik. Kritikat u adresuan ke kreu i partisë, i cili i ka humbur të gjitha zgjedhje radhazi. Dhe, përsëri pretendon ta vazhdojë serinë e humbjeve!!
Monitoruesi Rugova reduktimin e delegatëve e arsyetoi me numrin e votave të dërguara nga Mërgata. Delegatët reaguan, faktueshëm, se LDK-ja Qendër, nuk ka arritur t`i mbrojë votat e mërgimtarëve. Ata përmenden falsifikimin, vjedhjen industriale e kriminale të shumë qindra votave të Mërgatës, nga partia-bandë, AAK-ja, në zgjedhjet e fundit lokale në Istog.
Çuditërisht, drejtuesit Qendrorë të partisë, në vend të procedimit penal të kryekriminelëve, e kanë heshtur rastin. Njëjtë kan vepruar edhe me akuzat e bazuara të kryetarit të dyfishtë të Pejës, Gazmend Muhaxheri, cili denoncoi krimet, korrupsionin dhe haraçin masiv të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të bandës së tij partiake. Kur debati u nxeh, nënkryetari Rugova, tërhoqi vërejtjen se “nuk lejoj të shahen Isa Mustafa me shokë”.
I radhës i foltorës ishte anëtari i Kryesisë të LDK-së, Sali Morina. “Ju përshëndes me përzemërsi dhe ju uroj suksese të mëtejme në punën tuaj fisnike. Dega në Gjermani është sa e suksesshme, po aq e rëndsishme për LDK-në dhe Kosovën. U jemi shumë mirënjohës, që punoni në vijën institucionale për Kosovën. Disiplina partiake, është premisë e suksesit të pritshëm. LDK-ja ka qenë dhe mbetet fuqi e parë në Kosovë. Pavarësisht se, aktualisht, LDK-ja është në opozitë, pa LDK-në, nuk ka shtet të mirëfilltë. Së bashku me aleatët, këtë qeveri të krimit dhe të korrupsionit, së shpejti do ta çojmë në shtëpi. Kuvendit tuaj të 9-të, i uroj punë të mbarë dhe suksese të mëtejme”, – tha, veç tjerash, antari i Kryesisë të LDK-së, njëherësh edhe koordinator i Degëve të Mërgatës, me Qendrën e LDK-së, në Prishtinë, Sali Morina.
Kryesia drejtuese e Kuvendit: Abaz Imeri, Mehmet Zymeri, Behxhet Krasniqi, Isa Shabani, Fazli Hajdaraj, Shyqëri Berisha
Raportin për veprimtarinë e Degës, në mes të dy kuvendeve, e mbajti ushtruesi i detyrës së kryetarit të LDK-së, Abaz Imeri. Në mes tjerash, ai foli për rolin drejtues dhe shtetformues të LDK-së, përgjatë tri dekadave: themelimi i Fondit Humanitar apo i mbijetesës, në Aachen; aksionin “ta ndihmojmë Kosovën për vetëmbrojtje”; krijimi i institucioneve paralele; organizimi i Qeverisë në mërgim; themelimin e Fondit të 3%-it; themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK); organizimi i luftës për çlirim. Për të gjitha këto nisma, LDK-ja në Mërgim dhe sidomos LDK-ja në Gjermani, ka pasur rolin parsor dhe shumë domëthënës.
Misioni i Degës të LDK-së në Gjermani ka qenë dhe mbetet fisnik. Fryma e dlirë rugoviane e përshkon në çdo veprimtari të saj. Periudha e angazhimeve të sforcuara financiare, është përmbushur suksesshëm. Veprimtaritë janë reduktuar:
– në informacionet politike, me qëllim të rritjes të anëtarësisë dhe të elektoratit, në Mërgatë dhe Atdhe, nëpërmjet të familjeve dhe të farefisnisë së tyre në Kosovë;
– angazhimi për mbarëvajtjen e shkollës shqipe në Gjermani dhe hapjen e këtyre shkollave në mjedise tjera, ku punojnë e jatojnë mërgimtarët tanë, pra, masivizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe;
– pjesëmarrja në organizimet festive ditore apo javore, të grupeve artistike të fëmijëve shqiptarë, prezantimi i folklorit dhe i kulturës shqiptare, në organizimet vendore gjermane si dhe konkurimet në aktivitetet, që organizohen për komunitetet botërore në Gjermani;
– festimi i datave kombëtare e historike, me pjesëmarrjen masive të mërgimtarëve tanë, në veçanti, të botës femërore dhe të rinisë,
– organizimi i akademive përkujtimore për burrështetasit tanë, në veçanti, për Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova, për heronjtë markantë kombëtarë si dhe veprimtari të tjera, me bazë historinë tonë kombëtare;
E gjithë kjo veprimtari voluminoze, kjo gamë aktivitetesh, që organizohet, cep me cep të Gjermanisë, vështirë se mund të realizohej, pa angazhimin dhe përkushtimin e veprimtarëve dhe të anëtarësisë simpatike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësisht, Dega e saj në Gjermani”. – pëmbylli raportin, në emër të Kryesisë, Abaz Imeri.
Anëtari i Kryesisë Xhevat Berisha, foli për “dështimin e dy ministrave të Diasporës, Valon Murati dhe Dardan Gashi, si dhe të diplomatëve të Hashim Brojës, për riaktivizimin e shkollës shqipe në Mërgatë. Me forcat tona vetanake, arritëm aktivizimin e sërishëm dhe hapjen e disa shkollave fillestare.
Nëndega e Rheinland Pfalzit, e kryesuar nga Fazli Hajdaraj, është përgjigjur në aksionin e udhëhequr nga kryetari i Shoqatës “Sali Çekaj”, Osman Ferizi, për ndërtimin e Kompleksit Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin e origjinës Malaj në Rugovë, me ç`rast u shtri edhe në Landet tjera gjermane, duke tubuar shumë mijëra euro”, tha anëtari i Kryesisë, Xhevat Berisha.
Kryetari i Nëndegës të LDK-së në Nordheim Westfalen, Jakup Gërguri, denoncoi aleancat konspirative për votim, gjë që nuk ka qenë praktikë në Kuvendet tona. Ai bëri thirrje të zhbëhen ato aleanca të turpshme. Përndryshe, do të flas me emra. Dhe, vërtet, delegatët e manipuluar reflektuan, duke bërë përzgjedhjen e duhur, që nga kryetari, kryesia dhe delegatët për Kuvendin e LDK-së Qendër. Zoti Gërguri i bëri një shërbim të mirë Kuvendit. Tendenca e kalkuklimeve të pista, u bart nga disa kuvende zgjedhore farsë të Kosovës, të cilat u shoqëruan me dhunë e përleshje fizike. Zoti Gërguri dorëzoi Raportin me shkrim, për veprimtarinë e Nëndegës së tij.
Osman Ferizi, kryetar i Degës të LDK-së në Gjermani, në fjalën e rastit
Delegatët propozuan Komisionet: kandidues, zgjedhor, verifikues si dhe dy proces-mbajtësit, të cilët edhe u votuan dhe zunë vendet përkatëse. Ndryshe nga praktika e shpikur dhe e shpifur në Kuvendin “Zgjedhor” të LDK-së në Kosovë, ku klani brenda Kryesisë propozon kryetarin, edhe nëse ai është humbës serikë, sepse, ata, realisht, zgjedhin vetën, duke zgjedhur shefin e tyre, delegatët e Kuvendit zgjedhor të Degës të LDK-së në Gjermani propozuan 4 (katër) kandidatë për kryetar.
Me votë të fshehtë e demokratike, delegatët, me shumicë absolute, zgjodhën Osman Ferizin kryetar të Degës të LDK-së në Gjermani. Një veprimtar i dëshmuar përgjatë tej tri dekadave: nënshkrues i peticionit, së bashku me 7 studentë, kundër dhunës millosheviçiane; njëri nga djemtë e Kosovës, pjesë e grupit ushtrimor ushtarak në Surrel të Tiranës, i cili bëri hyrjen e parë të armatosur në Kosovë; bashkë-themelues dhe kryetar shumëvjeçarë i Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane, “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen të Bavarisë, njëra nga shoqatat më të suksesshme të Mërgatës shqiptare; pjesë dhe realizues i nismave madhore, që nga Fondi i 3 %-it e deri ke ngritja e shtatores të bashkëluftëtarit të tij, Sali Çekaj, në Deçan; udhëheqës i aksionit në Gjermani, për ndërtimin e Kompleksit Memorial, “Dr. Ibrahim Rugova”, në fshatin e origjinës, Malaj të Rugovës dhe, së fundi, nisma aktuale për begatimin e Fondit për Sanxhakun.
Kryetari i sapo zgjedhur, Osman Ferizi, zuri vendin në mesin e Komisionit drejtues zgjedhor. Ai përshëndeti monitoruesit nga Kryesia Qendrore, Haki Rugova dhe Sali Morina, duke i falenderuar për praninë e tyre në këtë Kuvend, dikur i anatemuar padrejtësisht. Gjithashtu u shprehu falenderime e mirënjohje delegatëve, për besimin e dhënë, me premtimin se nuk do t`i zhgënjejë. Në mes tjerash, tha: “Unë vazhdoj ta kryesoj edhe Shoqatën “Sali Çekaj”, por do mendoj e veproj, për ta bërë një zgjidhje, duke i ndarë përgjegjësitë me kolegët. Në këtë mënyrë, qasja ime për LDK-në, do të jetë më përkushtuese. Do të jem i parë, ndër të barabartët, duke marrë vendime kolegjiale, pa abuzuar me kompetencat e kryetarit, të cilat ia jepë statuti aktual”.
Kryetari Ferizi vazhdoi bashkë-udhëheqjen e Kuvendit me anëtarët drejtues. “Nuk dua ta shfrytëzoj të drejtën statutare, për përqindjen e propozimeve për anëtarët e Kryesisë. Ju i njihni më mirë aktivistët brenda Nëndegëve tuaja. I propozoni nga dy kandidatë nga Nëndegët, për Kryesinë e Degës. Të gjithë do t`i nënshtrohen votimit të fshehtë. Ndërkohë, unë po e propozoj kandidatin e parë”,- tha kryetari fjalëpak e punë shumë, Osman Ferizi. Dhe, propozoi një veprimtar të hershëm të LDK-së, i cili, në rrugëtim e sipër me makinë, në një fshat të Pejës, u shënjestruan, në pritë, me kallash, duke mbetur i plagosur ai me djalë, ndërsa vëllai i vrarë, pjesë e UÇK-së. Arsyeja: pse kjo familje nuk braktisi LDK-në, siç i detyroi banda kriminale e Dukagjinit, shumë familje të fshatit të tij.
Anëtari i Kryesisë Qendrore, Sali Morina, bëri një ndërhyrje-porosi, sa të virgjër, aq edhe të mençur: renditja e emërore e kandidatëve të propozuar, të bëhet me renditje alfabetike. Në Çarshi u përfol për mundësinë e renditjes të gërmave I dhe V, në Kuvendin e Qendrës!? Monitoruesit Haki Rugova dhe Sali Morina ishin bashkëpunues dhe udhëzues të suksesshëm e korrektë, përgjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit Zgjedhor dhe u mirëpritën, u falenderuan nga delegatët e Kuvendit të Degës të LDK-së në Gjermani.
Kuvendi zgjodhi Kryesinë e Degës: Blerim Hajdaraj, Isuf Çetaj, Agim Aliçkaj, Halil Zemaj, Abaz Imeri, Bujar Lajçi, Isa Shabani, Fazli Hajdaraj, Tahir Buçolli, Brahim Rexhaj, Xhevat Berisha, Milaim Gërvalla, Enver Musa, Azem Kelmendi, Ibrahim Potoku, Lush Canaj. Delegatë për Kuvendin e 9-të të LDK-së në Kosovë, u zgjodhën Idriz Zeqiraj dhe Behxhet Krasniqi. Kryesia e ngushtë, përkatësisht, nënkryetarët, sekretari, arkatari dhe kryesuesit e komisioneve, do të emërohen pas pushimeve verore.
Kuvendi zgjedhor në Degën e LDK-së në Gjermani, u bë në vazhdën e traditës rugoviane, duke përmbushur tri kërkesat, normat bazë të demokracisë, por, edhe të Këshillit të Partive Popullore të Evropës (PPE): debat parazgjedhor, konkurrencë, për të gjitha strukturat e Partisë si dhe votim të fshehtë e demokratik.
Delegatët e Kuvendit: ish-kryetari Qazim Bajgoraliu, Jakup Gërguri, Smajl Çekaj, Enver Musa, Behxhet Muçolli, Abaz Imeri, Ilir Makolli me delegatët tjerë
Në mesin e shumë mesazheve uruese, për kryetarin Osman Ferizi, po veçojmë atë të dërguar nga Donikë Gërvalla, ish-kryetare dhe Nënkryetare shumëvjeçare e Degës të LDK-së në Gjermani:
“Përgëzoj delegatët e Kuvendit Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjerman,i për Kuvendin e sotëm. Një zgjedhje më e mirë vështirë të imagjinohet.
Osman Ferizit ia uroj zgjedhjen në krye të Degës.
Osman Ferizin e njoh si personalitet me integritet dhe karakter të fortë, të paluhatshëm, në qëndrimet e tij parimore dhe të drejta.
Me Osman Ferizin Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjermani, do të përfaqësohet nga një idhtar i vërtetë i parimeve të LDK-së së Ibrahim Rugovës, nga një luftëtar i paepur për demokraci dhe kundër korrupsionit dhe krimit në Kosovë.
Punë të mbarë Osman burri! Donika Gërvalla“.
Delegatët në përgjithësi, por, veprimtarët e hershëm, në veçanti, e ndjenë fort mungesën e ish-kryetares, Donikë Gërvalla, veprimtarja më e zëshme e Mërgatës shqiptare, për çështjen e Kosovës.