“BLUF” PRESIDENCIAL?!

0
491

AV. XHABIR ZEJNUNI

Me datën 2 korrik, Presidenti Meta mbajti një konferencë shtypi, ku ndër të tjera ai deklaroi se “Me 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do kandidoj për President me këto kompetenca që janë, s’kam asnjë shqetësim. Dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që s’më duan mua, të verë kandidat kë të dëshirojnë. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë”.

Ja vlen që të merret në analizë vetëm kjo fjali e Presidentit Meta.
Për etikë, kjo frazë mund të kualifikohet jo si një GAFË, por si një “BLUF” presidencial!
Supozohet se me zgjedhje të përgjithshme në të njëjtën ditë, Presidenti ka parasysh zgjedhjet parlamentare dhe ato administrative. Në këtë rast, do nevojitet një çdekret tjetër! Dhe ad hoc!

Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri, Meta u tregua shumë evaziv. Duhet supozuar se Meta i referohej zgjedhjes së Presidentit nga populli, përderisa ai hodhi edhe kandidaturën e tij. Pasi me sistemin aktual, edhe 20 propozues vështirë se do i kishte në favorin e tij në Parlament.

Por, që të zgjidhet Presidenti nga populli, duhet që në radhë të parë të ndryshohet Kushtetuta, duke filluar që nga neni 1, par. 1, i cili nga “Shqipëria është republikë parlamentare” të bëhet “Shqipëria është republikë presidenciale”. Ose gjysëm presidenciale! Po ashtu, duhet të ndryshohet edhe Pjesa e Katërt e Kushtetutës, që ka të bëjë me Presidentin e Republikës(…)!

A mund të ketë atëherë Presidenti i një Republike Presidenciale (apo gjysëm presidenciale!) ato kompetenca onorifike që ka Presidenti i një Republike Parlamentare? Ose ato kompetenca onorifike që ka Presidenti aktual? Natyrisht që jo.

Ja vlen më parë një krahasim modest mes tre modeleve të republikave.
Në republikën parlamentare, Kryeminsitri dhe Presidenti janë dy persona të ndryshëm. Qytetarët votojnë Parlamentin, i cili më pas i jep votëbesimin Qeverisë.

Në republikën presidenciale, Kryeministri dhe Presidenti janë i njëjti person. Në këtë rast, Kryeministri (ose Presidenti) zgjidhet nga qytetarët dhe nuk ka nevojë për votëbesimin e Parlamentit. Këtë model republike presidenciale, e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në republikën gjysëm presidenciale, Presidenti zgjidhet nga populli dhe më pas ai emëron Kryeministrin, i cili formon Qeverinë. Këtë model qeverisjeje e ndeshim në Francë (por, edhe në Serbi, Rumani e Hungari).

Në republikën parlamentare, prevalon Parlamenti.
Ndërsa në republikën presidendiale (ose gjysëm presidenciale) prevalon Presidenti.
Të tre sistemet qeverisëse, kanë të përbashkët demokracinë përfaqësuese.

Nuk kuptohet se përse Meta pretendon të rikandidojë për President dhe jo të kandidojë për Kryeministër me LSI-në, duke qenë se ai ka mundësi ta fuqizojë akoma më shumë atë lidhje! Pasi të dorëhiqet nga posti i Presidentit më parë.

Kush do ndryshojë dhe votojë atëherë Kushtetutën në lidhje me zgjedhjen e Presidentit nga populli? Natyrisht që Parlamenti aktual, ku përveç pozitës bën pjesë edhe opozita, që hyri aty me anë të listës pritëse, duke qenë se opozita e mëparshmë i dogji mandatet! Por, nga ana tjetër, opozita aktuale parlamentare nuk njihet nga opozita jashtë parlamentare. Dhe jashtëbashkiake tashmë. Do ketë vallë interes (më saktë përfitim!) kjo opozitë parlamentare që të votojë ndryshimet kushtetuese, pa marrë asgjë në këmbim ajo paraprakisht? Natyrisht që jo.

Minimumi që ajo mund të pretendojë, do ishte përfshirja e saj në listat e ardhshme zgjedhore. Dhe në vendet e para! Kush do ja japë kësaj opozite parlamentare garancinë e përfshirjes së saj në listat zgjedhore të ardhshme? E ka këtë tagër opozita aktuale jashtëparlamentare dhe jashtëbashkiake? Por, arsyeja KRYESORE është se këto ndryshime do shndërronin tërësisht sistemin qeverisës aktual në favor të Presidentit të ardhshëm. Të parët kundërshtarë, do jenë partitë politike. Për këtë arsye që ndryshimet kushtetuese nuk do bëhen.

Mund të supozohet nga ndokush që sugjerimi e tij Presidenti e bëri në mënyrë që të shtyjë (apo evitojë) sa më shumë shkarkimin eventual (dhe grotesk) që po i përgatit atij Parlamenti aktual.

E pamundshme për arsyet që vijojnë.
Parlamenti e ka vlerësuar si antikushtetues çdekretin e Metës dhe për këtë arsye që ka kërkuar shkarkimin e tij pranë Gjykatës Kushtetues, e cila për momentin nuk ekziston. Edhe nëse në rastin më të mirë do ekzistonte Gjykata Kushtetuese, ajo do e hidhte menjëherë poshtë ankimimin pranë saj të Parlamentit për arsyen e thjeshte se është ajo dhe jo Parlamenti që ka tagrin të vlerësojë antikushtetues apo jo çdekretin e Presidentit.

Kështuqë, rruga më kushtetuese do ishte që Parlamenti të ankimojë pranë Gjykatës Kushtetues çdekretin e Presidentit. Pastaj, do jetë Gjykata Kushtetuese nëse do e kualifikojë këtë çdekret si antikushtetues apo jo. Nëse Gjykata Kushtetuese do e vlerësojë antikushtetues këtë çdekret, atëherë do jetë Parlamenti që do kërkojë më pas shkarkimin e Presidentit. Pastaj, do jetë përsëri Gjykata Kushtetuese, e cila kësaj antikushtetushmërie do i japë “pikëzimin e saktë” antikushtetues.

Nëse ky “pikëzim” nuk do e kalojë “stekën antikushtetuese”, atëherë Presidenti nuk shkarkohet. Në rast të kundërt, Presidenti do shkarkohet. Por, duke qenë se aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk ekziston, atëherë duhet pritur krijimi i saj me 3 propozime nga Parlamenti, 3 proprozime nga Presidenti dhe 3 propozime nga Gjykata e Lartë, e cila nuk ekziston akoma. Në bazë të ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2016, krijimi i Gjykatës së Lartë nuk mund të pengohet nga Presidenti.

Ndërsa po në bazë të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 krijimi i Gjykatës Kushtetuese mund të pengohet nga Presidenti. Nga ky fakt, rrjedh se krijimi i Gjykatës Kushtetuese do vonohet akoma më shumë.

Zgjedhjen e Presidentit nga populli e kërkoi edhe ish Presidneti Topi, por pa hyrë në detaje të sugjerimit të tij (…)!