Ferri në bronx – Nji roman mbi Absurdistanin ballkanik

0
646
Gjergj Jozef Kola - Ferri në bronx, roman

Ose: A doni më për Brahon?

Në nji qytezë të humbun ballkanike ka ardhë nji trupë e TV-së shtetnore për me realizue nji film mbi nji personazh të diktaturës komuniste: „multiartistin disident“ Brahon.

Në këtë qytezë nuk punon askërkush ma, pleqnija vegjeton me pencione qesharake, të aftit për punë merren me kultivimin e drogës, rinia ka ikë në perëndim e ata që janë këtu, janë të kthyem, mbasi janë dënue për drogë, vrasje, vjedhje e përdhunime e nuk mund të lëvizin ma.
„Për idealistët e njerëzit e tjerë normal nuk ka mbetë as edhe nji hapësinë sado e vogël me mbijetue në kët qytezë. Pra ose me u përshtatë me të keqen ose me vdekë!“, thotë mësuesi i qytezës,“ kështuqë lajmi se do xhirohet nji film asht i barazvlefshëm me atë të lajmit të vizitorëve nga kozmosi.“

Nga nji dikature majtiste, qyteza ka kalue ne disa dikatura njiherësh, fanatike, mafioze, nacionaliste, feudale. Kryetari i bashkisë ditën mbjellë pemë në shkambijtë përreth dhe natën i shkulë, për me mbjellë prep ditën, pemë të tjera, me fondet e shtetit e të BE-së. Gjatë gjithë kohës mban nën presion qytezën me anë të thirrjes: „MOLOT-OFF! MOLOT-OFF!“

Mbi T-short ka edhe simbolin e shishes së mbushun me lang e me fitil te ndezun. Kur ai asht në kulmin e delirit të tij, zakonisht për festa, vesh barnavekët e epokës osmane, këpucët Adidas të shekullit 21 e parakalon nëpër sheshin kryesor. Kici ballkanik ka gjetë mishërimin e vet në kët person tragjiko-komik. Ky Kryebashkiak asht perfaqsuesi tipik i preciozeve qesharake qe luhen sot ne qytezat ballkanike prej ketyne tipave qe kane krijue simbiozen shtet-mafia-krim.

Proselitizmi e ka prekë gjithashtu fasadën e kësaj qyteze e i ka dhanë ngjyrat e tija me nji perespektivë të qartë transhendente qiellore porse aspak integrative tokësore…

Asnjiherë në Ballkan nuk ka pasë nji situatë ma absurde e kicike se sa sot në shekullin e 21.
Në malin mbi qytezë ndodhen edhe rrënojat e kampit të burgosunve politikë, të herojve të vërtetë që luftuan nji jetë të tanë kundra diktaturës komuniste. Porse sot askujt nuk i bie ndër mend për to, sot gjithcka sillet rreth figurës për të cilën do të gjirohet nji film, mbi heroin e famshëm, te djeshëm e të sotëm: Multiartistin BRAHO.

Po kush asht ky Brahoja?
Brahoja kishte qenë nji „artist proletar“ në kohën e dikaturës komuniste, ai ishte marrë me „pak nga te gjitha“, me pikturë, me shkrime letrare nëpër gazeta dhe i kishte dashtë gratë aq fort, saqë në cdo qytet e kishte pasë nga nji dashnore.
Sjellja e Brahos me sa duket nuk i kishte pëlqye shumë partizanëve të vjetër te luftës së dytë, që kishin instalue nji diktaturë komuniste dhe nji ditë komiteti i partisë kishte marrë masë dënimi per të „me punë socialiste“ tue sjellë në kët qytezë që dikur kishte qenë shembullore e socializmit.

Absurdi tjetër qëndron në faktin se në kët qytezë nuk funksionon shteti me standartet e shekullit 21, porse me nji sistem ligjësijet që nuk asht ndeshë më parë askund në botë e pikërisht këtu duhet xhirue nji film për Brahon dhe heroizmin e tij, këtu duhet me u gjykue e kaluemja dikatoriale, ketu e verteta duhet me i librue njerëzit…

„Ne jetojme ne nji kohë tjetër që ju nuk mund ta kuptoni e ne vetëm kësaj kohe i falemi.“, asht kjo motoja e kryebashkiakut.
Përgjatë romanit merret vesht se Brahoja kishte guxue në nji portret me i dhanë dikatorit nji pamje femnore tue aludue për prirjen e tij Homoseksuale. Kjo për ditët e sotme në demokraci përbante edhe heroizmin e vërtetë të Brahos. Këtu trupa gjiruese kërkon me gjetë edhe shkakun e vërtetë të dënimit të Brahos dhe me e dhanë atë në artin filmik.

Me çka mundesh me e përpunue të kaluemen e diktaturës ma mirë, se me nji artist që ka vuejtë për lirinë e tij të LGBT-së në art?
Prej regjizorit te filmit që asht njiherësh edhe skenaristi mësojme se: „Fundja cdo diktatori i rrëmohet deri në fund jeta, Hitlerit për incest, Stalinit për kompleksin e Kronosit, Titos për Poligami, Caushesku për Dragulizëm, Hoxhës për perversitet e të gjithëve së bashku për „maninë e persekucionit“.

Autori thotë me anë të personazhit të mësuesit se „ Dobësia ma e madhe e filmave sot qindron pikërisht në atë që filmat bahen nga njerëzit e „gjithanshëm“, megjithse nji regjizor asht poet ne mënyren si e ndërton filmin, porse jo në poezinë e skenarit. Multiartisti në botën e kinematografisë asht ma së shumti nji diktator që zotënon pak nga të gjitha, porse nuk mund të jetë kurrë poet origjinal“.
Kështu në roman nji dimension të vecante ka edhe rroli i diktatorit, sepse fundja sot shumica e qyteteve ballkanike janë të mbushuna nga diktatorë të vegjël që sundojnë si feudalë mesjetarë, megjithse detyra e tyne asht me ju shërbye njerëzve e shtetit.

Mësuesi i qytezës që përcon edhe zanin e Autorit ban edhe „autopsinë e gjallë“ të qytezës:
„Qyteza jonë ndodhet në nji rreth vicioz. Për zgjedhje kryebashkiaku dhe partia e tij ju blejnë njerzve nji javë përpara votat këtu në mes të pazarit, për rreth 40 euro e bajne këtë. Mbas nji jave njerëzit ju ankohen perëndimorëve e mbas dy javësh nisin e shajnë Europën se nuk ja terhjekë veshët kryebashkiakut në pushtet. Mbas tri javësh vijnë perëndimorët e bajnë kontrata projektesh me kryebashkiakun e nuk i thojnë asgja për drogën që ai nise me tonelata në perëndim me të cilën vriten me mijra njerëz…Pra këtu në qytezën tonë asht e vështirë me gjetë nji person të pastër…“

Gjithcka shkon mirë e bukur e në vendxhirim angazhohen madje edhe statista me pagesë të mirë, hoteli i vetëm privat gëzohet gjithashtu dhe bashkia e vogël e kësaj qyteze ju hapë dyer e dritare.
Ky asht shanci i shekullit e nji i dytë nuk ka me ardhë ma, jane te bindur të gjithë. „Kështu vazhdojmë prodhimin e drogës nga njena anë nën hije e nga ana tjetër i kallxojmë botës faqen tonë të dritës. Fundja a nuk vepron edhe Hana kështu që nga koha e krijimit të saj?“, thotë kryebashkiaku.

Filmi arrin pikën e tij ma kulmore e të ngarkueme me konflikt shpërthyes kur për rrolin e të burgosunve, si statistë angazhohen disa ish të kthyem të kalifatit islamik nga Siria, disa të rij që kërkohen nga Interpoli për vrasje e krime të ndryshme e milicë të luftës ballkanike…

Skenat spontane, reale që ndodhin gjate xhirimit te filmit, porse nuk bajnë pjesë në skenar, rrjedhin direkt nga jeta e ato e shtyjne producentin me ja bashkanjitë filmit. Kështu realiteti e gjen rrugën në filmin që kërkon me e fallsifikue atë.

Me anë të „heroizimit të Brahos“ e xhirimit të filmit të jetës së tij prej „disidenti“ kundra komunizmit e fashizmit, pikërisht në hijen e varreve të paemën kur janë vra me dhjetra të burgosun politikë, shpaloset realisht debati për përpunimin e të kaluemes komuniste.
„Gropa e thellë që asht krijue mbasi stuhija e kohës ka zhgulë pemën e diktaturës po mbushet me shpejtësi me korrupsion, proselitizëm e ballkanizem absurd.“, thotë mësuesi mendjekthjellët i qytezës, „Në Ballkan të merret fryma e të duket sikur je në fund të nji oqeani ku mungon oksigjeni. Artisti i vërtetë apo edhe njeriu i thjeshtë e i ndershëm, ka nevojë me notue me peshqit e plotë në ujin e kthjellët, lerg ujit të turbullt, ku rriten peshq të vegjël, te keqformuem, mishngranës!“

„A doni më për Brahon“ asht nji roman tipik i postrealizmit ballkanesk dhe i përpunimit të së kaluemes komuniste në këto vende që aspirojnë për në Bashkimin Europian.

Ky roman kallxohet në dy dialektet e mrekullueshme shqiptare, toskërisht dhe gegnisht, ashtu sic rrjedh kjo gjuhë në jeten e përditshme, larg standartit artificial, tue i hapë kështu rrugë zhvillimit të natyrshëm të dy dialekteve të shqipes, të ndaluem nga diktatura enveriste. Ky standart e ka shartue deri në rranjë pemën dydegëshe të gegës e toskës tue ndërpre brutalisht zhvillimin normal e të natyrshem të gjuhes shqipe. Kështu romani i qindron besnik realitetit e shmangë natyrshëm standartin e dhunshëm e artificial të diktaturës.

Kush ka dëshirë me lexue në këto pushime vere nji roman që të ban me qeshë e me kja njiherësh me absurditetin e postdikaturës komuniste ballkanike e ka rastin me kët libër të shkruem me nji sens kici-tragjik që të prekë deri në nervin ma të hollë.

Prof. Mag. Ferdinand Nikaj.
London 2019

PS
Falenderim të perzemert mikut, multiartistit Leke Tasi per afrimin e piktures se tij per cover.
Shpite botuese shqipe që janë të interesueme për romanin e kanë ofertë serioze munden me u lidhë në inbox.
Romani afrohet për lexim, pjeserisht, me 1 Korrik ne www.gjejokola.com
Miqësisht.
Gjergj Jozef Kola.