A N A – tregim

0
2571

KRISTAQ TURTULLI

Më dukej sikur më mbahej fryma. Fillova të ngjitja shkallët me ngadalë. Para derës së qëndrova një hop. Edi me siguri punon me përkthimet, ose për temën, njëlloj si unë, gati sa s’fola me zë. Kapa dorezën e derës dhe e shtyra lehtë. Hyra në korridor. Nga dhoma flisnin me zë të lartë, mbajta këmbët e trembur. Një çast mendova të ikja. Por veshi më kapi emrin tim që më bëri të mos lëvizja nga vendi.
-Po moj Suzi, po. Këmbënguli si mushkë të më merrte në shtëpi. Ia preva shkurt. Mu ngjit si shushunjë… Lëre mos e pyet ç’më gjeti,- zëri i trashë e nervoz i Vironit.
– Shumë mirë bëre që s’vajte, ata s’durohen,- zëri i grindur i Suzanës.
– Nuk e merr me mend, qelbej i gjithi. Unë i shmangesha, më vinte për të vjellë, por merrte pykë ai. I fola zë ulët; ‘Krushk, s’e sheh, kam ardhur për punë të rëndësishme.’ Më pyetën miqtë, kush është ky grënxho me kominoshe që qelbet, e na vërtitet si hije. I vështrova një moment gojëhapur dhe pastaj e çova bisedën gjetkë. Më beso Suzanë, e pata shumë të vështirë tu thosha, krushku, i ati i nuses së djalit…
-Të shmangeshe,- zëri i Suzanës ishte i ngritur, e nevrikosur.
-S’kisha se si. Ishim te sheshi i minierës dhe inxhinieri po tregonte skicat.
-E përcolle, këtë thuaj?- hungëriti Suzana dhe shtoi me përbuzje:- Po si, nuk shkulej, sa gjë e trashë.
– Ç’ ti bëja ndryshe,- foli me zë të bezdisur Vironi:- I bëra shenjë inxhinierit ta largonte prej andej.
Unë isha e sigurt, mashkulli i futur në kallëp akulli, shpifte pa turp për babin tim. Ai si gjithnjë vdes ti japë rëndësi vetes, në sytë e djalit dhe gruas. Partiaku i dreqit. Kapërdiva inatin me vështirësi dhe mbajta vesh.
-E, o Viron, krushqi të bukur bëmë! Kështu është kur ti merr perëndia mendtë. por ky derdimeni tonë ngulte këmbë si mushka. O atë, o rashë e vdiqa. Sikur u sosën çupat. Ja, vetëm në pallatin tonë ka tre-katër. Në familjet e të cilëve ke qejf të hysh dhe të dalësh. Të bësh krushqi. Ja, miku yt i vjetër, deputeti Zihni, ka një çupë të mirë, studente në elektronikë. Po edhe e Vangjelit nuk shahet vajza, ta pish në kupë. Është dhe e bija e Janit, goxha doktoreshë, është dy vjet më e madhe por është për marshalla. Jo si këta tanët. S’më ngrohën o Viron, qysh në fillim. Sa herë e kanë sjellë kokën, më duket sikur më ndyjnë shtëpinë. Edhe ky gargulli ynë, s’ma sikteris, po ia zgjat akoma… Njeriu sheh perspektivën, bëjnë krushqi me familje për të qenë, që ti kenë krah. Të rendin të dy palët, për ti rregulluar fëmijët. Po këta tanët?! Hë? Këta tanët?! Eh, ç’them unë. Këta janë kothere, s’ka ku ti kafshojë qeni. Kush ua fërshëllen atyre? Kush?!
-Ke të drejtë Suzi!
-Sigurisht kam të drejtë. Dëgjon Edi? Verua veshin këtyre fjalëve se s’të duam të keqen. Vendos: shkëputu sa është akoma shpejt.
-Mirë e mora vesh! Mi ke thënë njëmijë herë,- zëri pasiv i Edit.
-Ta marrësh vesh mirë, nuk ecet kështu. Na, se mos na bën ndonjë hata, e lë me barrë. Kur të bëhet kular nëpër këmbë, me fëmijë, do ti biesh kokës me grushte. Hë, ç’thua. Hekuri duhet të rrihet sa është i nxehur. Edhe me barrë po të jetë ja bëjmë avazin.
-Nuk është me barrë jo, por më lini rehat, – Edi heshti një hop dhe shtoi:- Më duket se dje mbrojti një temë.
-Kush i pyet temat sot. Po s’pate para sot, ëhë-ë-ë, fshiji buzët me qeramidhe!- foli me ironi Suzana:- Nejse është punë e saj.
-E di që është punë e saj.
Zëri i tij mu duk krejtësisht indiferent. Si të fliste për një njeri që e kishte hasur dje në rrugë.
Përnjëherësh pyeta veten, çfarë bëja në mes të korridorit e ngujuar? Mos vallë bëja gabim që përgjoja bisedën e tyre? Por ajo kishte të bënte me mua, me dashurinë time, me prindërit e mi. Me dinjitetin tim dhe të tyre. Të hyja apo të ikja? E ndodhur midis këtyre të dyjave, s’po vendosja ende. Ndërkaq frika më shtohej: Po sikur dikush prej tyre të dilte e të më gjente aty në korridor duke përgjuar?! Ata ishin aq të paskrupullt dhe të pacipë sa më rrëqethej trupi dhe më ngrinin nervat në qiell. Po masakronin ëndrrën time të bukur. Mundin dhe djersën e babait. Buzagazin e humbur të vëllaçkos tim të dashur, Beniaminit. Vogëlushi i gjorë po tretej nën dhe.
Sterjo kishte të drejtë. Në ranishtën e ligësisë ishin shpërndarë kakërdhi e çudi dhe me keqardhje një fustan vjeshte të vonë, të Entelës. E gjora e la pas me përgjakjeje, përpara se të ikte.
Një lëmsh i madh mu nguc në fyt dhe s’më linte të merrja frymë. Me mundim e mblodha veten. Nuk dua kurrsesi të krahasohem me milingonat e derrkucët dhe nuk jam ngjalë e zënë në rrjetë të mëndafshtë. Dora ime rëndoi mbi dorezën e ftohtë të derës dhe hyra në dhomë. Vironi dhe Suzana ishin ulur në kolltukët ngjyrë vishnjë.
-Mirëmbrëma!- thashë me zë të mekur.
-Ah, je ti?! Mirëmbrëma!-mërmëritën nëpër dhembë.
Qëndrova në këmbë pranë derës. Me siguri fytyrën e kisha të zbehtë.
-Si gjithmonë, Edi, kur hyn derën e pasiguruar e le,- i tërhoqi vërejte Suzana të birit.
-E mirë, e mora vesh,- foli ultas Edi, pa ngritur kokën të vështronte nga unë.
Askush prej tyre s’më tha të ulesha. Mu duk vetja e tepërt. U kapërdiva me vështirësi. Kërkova një çast sytë e Edit. Ato vështronin gjetiu.
-Edi, s’po më flet,- ngrita zërin.
Ai hapi krahët, vetullngrysur, si të më thoshte, çfarë do nga unë. Çfarë dua nga ty? S’e di ti çfarë dua unë nga ty, në këtë amulli? Po ti more Edi, je njeriu, me të cilin mendova dhe dëshirova me gjithë shpirt të lidhja jetën.
Sytë e zmadhuar të Suzanës bridhnin vetëtimthi sa te unë, te Edi.
-Si të duash Edi, mos folë. Sigurisht, nuk ke ç’të thuash, ngaqë je i mbytur deri në grykë me punë të mëdha!
Edi më shigjetoi me shikim, si të më hante. S’foli. Të tre i kishin ngulur sytë te unë sikur të më përpinin. Por unë kisha vendosur t’u thosha deri në fund atë që më mundonte
-Ju si familje mendoni shumë keq për njerëzit,- thashë zë plotë.
-Kujdes vajzë! Mos keni erdhur të zbrazni vrerin te ne…
-Vrerin e keni ju në shpirt, për mua e familjen time dhe është për të erdhur keq. Por duhet ta dini mirë, nuk është posti dhe kamja që e bën njeriun njeri dhe të lumtur. Për fat të keq ju ngatërroheni në leshterikët e kënetës së ligësisë, ku zhgërryen këmbët tuaja.
-Si guxon ti vajzë, ti dreq! Hy, moj rrëmbythje e djallit, pa na u sikteris një sat e më parë!- hungëriti Suzana:- Ku gjete që theve këmbën dhe solle kokën në shtëpinë tonë.
-Nuk e solla. Yt bir mu lut ta prurja dhe unë pranova. Por si guxoni ju, të paskrupullit…
-Ana!- dëgjova sokëllimin e Edit:-Po të duroj shumë. Hesht, ta marrë djalli, hesht.Mos më detyro të ndyj gojën…
Nervat mu ngritën në qiell dhe vazhdova:
-Sa vlerë ka, në e ndyeni gojën apo jo.Asgjë nuk ndryshon. Ju e qelbët gojën pak më parë, ngaqë jeni të pamoralshëm, hipokritë. Pa sy e faqe përgojoni, fyeni, nëpërkëmbni të ndershmit. Ju nuk keni kurajë të vështroheni në pasqyrën e së vërtetës, do trembeni nga shëmtira juaj!
Ata krakërinin të tre si sorra, në të njëjtën kohë. Unë mezi mbushesha me frymë prej dertit të madh dhe tronditjes së madhe. Dhoma filloi të më vinte rrotull, së bashku me sendet dhe orenditë. E dija që ndodhesha në mezin e një uragani të tmerrshëm. Fytyrat e tyre të ngërdheshura turreshin me rrokopujë drejt grykës së honit. Por nuk kishte më kthim prapa. Kapërdiva me vështirësi kombin e madh që kisha në fyt dhe u thashë:
-Me keqardhje ju them, por juve jeni shpirti i errësirës.Kënaqeni kur plotësoni ambicien tuaj të keqe. Urrejtjen tuaj, pseudo dashurinë tuaj të ndyrë. Ju jeni një pjesë e shtyllës kurrizore të djallit… Prej jush u mbars mali i ëndrrës sonë dhe polli një mi…
Ndër veshë mu përplas ulërima e Suzanës. Klithmat dhe sharjet e ndyra të Edit.
Dola. Ikja me nxitim, gati me vrap. Herë pas
here ktheja kokën pas, me merakun se ndonjë kopaçe mund të më binte pas koke. As vetë nuk e mora vesh se si u gjenda në dhomë dhe ashtu e veshur siç isha, u plasa në shtrat. Fillova të qaja pa vështruar përreth. Nuk mendoja më për asgjë tjetër. Dy çurgje të nxehtë filluan të më rridhnin nga sytë në fytyrë dhe nga mënyra se si binin lotët, pa ndier poshtë, as në mjekër, as në qafë, e kuptova se isha brinjas.
U ngrita gati me tërbim dhe fshiva lotët. Përse qaja, unë çfarë kisha për tu thënë u thashë?! Dhe përnjëherësh mu kujtua, si në film gjithçka që kishte ndodhur më parë. Mbi komodinë ishte zarfi i madh i portokalltë që më la Lida. Fytyra e Edit zbehej dhe zbehej në ekran sikur papritur të dobësohej rryma elektrike…