O Hyji im, Trini që adhuroj…
Një lutje e shenjtes Elizabeta e Trinisë
21 nëntor 1904
O Hyji im, Trini që adhuroj! Më ndihmo ta harroj krejtësisht vetveten që të zë vend në Ty, e palëvizshme dhe e qetë sikurse shpirti im të ishte tashmë në amshim!
Asgjë mos e shqetësoftë paqen time, as mos më bëftë të dal prej Teje, o i Pandryshueshmi im, por që çdo çast më çoftë më larg, në thellësitë e Misterit Tënd! Paqësoje shpirtin tim, bëje të jetë qielli yt, banesa jote e dashur dhe vendi i pushimit Tënd! Kurrë mos të lëshofsha unë vetëm, por qofsha aty tërësisht, krejtësisht e zgjuar në fenë time, krejtësisht në adhurim, krejtësisht e lëshuar në veprimin Tënd krijues!
O Krishti im i dashur, i kryqëzuar për dashuri, do të doja të isha një nuse për Zemrën Tënde, do të doja Të të mbuloja me lavdi, do të doja Të të dua… sat ë vdes! Por ndiej pafuqinë time e të kërkoj të “më mbështjellësh brenda Teje”, të përputhësh shpirtin tim me të gjitha lëvizjet e shpirtit tënd, të më përpish, të më pushtosh, të zësh vendin tim, në mënyrë që jeta ime të mos jetë tjetër veçse një rrezatim i jetës Sate! Eja në mua si Adhurues, si Riparues, si Shpëtimtar! O Fjalë e amshuar, Fjalë e Hyjit tim! Dua ta kaloj jetën duke Të të dëgjuar, dua të bëhem krejt butësi, që të mësoj gjithçka prej Teje! Pastaj, nëpërmjet të gjitha netëve, të gjitha boshllëqeve, të gjitha pafuqive, dua Të t’i ngulë sytë gjithmonë e të qëndroj nën dritën Tënde të madhe; o i dashuri Ylli im, më rrëmbe, që unë të mos mund të dal më prej shkëlqimit të rrezeve të tua!
O Zjarr që djeg, Shpirt dashurie! “Zbrit përmbi mua”, që të kryhet në shpirtin tim si një mishërim i Fjalës: që unë të jem për Të një njerëzim i shtuar, në të cilin Ai të vazhdojë Misterin e Tij! E Ti, o Atë, përkulu mbi të varfërën krijesën Tënde të vogël, “mbuloje me hijen Tënde” e mos shiko në të veçse të “Dashurin në të cilin ke vënë të gjitha kënaqësitë e tua!”.
O Tre të mitë, Gjithçkaja ime, Vetmi e pafund, Pafundësi ku tretem! Si një pre Ju dorëzohem Juve. Varrosuni në mua që unë të varrosem në Ju, tek pres të vij për të kundruar në dritën Tuaj humnerën e madhësive Tuaja!
Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri
Zhytem në pafundësinë1
Shenjtja Elizabeta e Trinisë
«Atë i pafund, Bir i pafund,
Shpirt Shenjt i pafund!»2.
Barka e vogël e “Laudem gloriae-s” (Lavdit të lavdisë) sate,
o Nënë3, e kthyer nga një udhëtim kaq i bukur!…
Në heshtjen e thellë të një nate të kthjellët
endej ëmbëlsisht mbi oqeanin e pafund…
Nën qiejt me yje, në paqen e botës,
dukej sikur jehonte “zëri i madh i Hyjit”.
Pastaj papritmas u ngritën dallgë gjiganteske
dhe barka e brishtë u zhduk në mes të dallgëve.
Në gjirin e Trinisë Shenjte u rrokullisa
dhe kam gjetur qendrën time në humnerën hyjnore.
Kurrë askush nuk do të më shohë tek kthehem në breg,
në Qenien e pafund zhytem:
ja trashëgimi im!
Në këtë oqean të pafund fryma ime pushon,
me të Tre të vetët tashmë jeton përjetësinë e saj!
Dëgjo tani, o Nënë, fundin e kësaj historie,
që ta gëzosh më shumë Lavdin e lavdisë sate:
Që të të festojë më shumë është hedhur në Hyjin
dhe dëshiron të banojë “në det të hapur”.
E meqenëse ky është vendi i të pandryshueshmit,
ja kushti shumë i lartë që gufon nga zemra ime:
do të zgjasë festa jote deri në ditën e kremte
në të cilën Laudem gloriae do të niset për në qiell,
por për të rifilluar, më e bukur se në këtë botë,
në sekretin hyjnor të fytyrës së Atit.
Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi
1. Poezi mistike e shkruar nga shenjtja Elizabeta e Trinisë, më 24 shtator 1906.
2. Krh. Simboli «Quicumque» ose pseudoatanazian (DS 75).
3. Bëhet fjalë për Nënë Gjermanën e Jezusit.