Ministrja Gjonaj: 5 arsye pse dekreti i Metës është i pavlefshëm

0
415
Etilda Gjonaj

Nga Redaksia Lexo.al12.06.2019

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 foli për dekretin e Presidentit Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore.

Situata politike ku ndodhemi është e paprecedentë, vetë djegia e mandateve përbën një precedent të padëgjuar më parë, ndërsa tani këtij precedenti iu shtua edhe një tjetër që nuk e përmirësoi situatën: Akti i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve. Në konsideratat e mia dekreti i tij është akt absolutisht i pavlefshëm juridikisht”, – tha ministrja.

Gjonaj shpjegoi juridikisht, arsyet se pse ky akt i Presidentit Meta është i pavlefshëm juridikisht.

E para, Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta ç’dekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj. të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta ç’dekretojë këtë akt me një akt të dytë. E dyta, Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese.

E treta, Akti i tij është anti-kushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit. E katërta, Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht. Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht, ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta ta thotë një akt tjetër. E pesta, Po ashtu me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur”, – sqaroi Gjonaj.

Ministrja tha ndër të tjera që Kreut të Shtetit jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera i takon të jetë institucional dhe jo politik. “Ai është organi më i lartë që qëndron mbi palët”, – shtoi ajo.