JU, ME GJOKSE TË GURTA…

0
472
Adem Jashari

Zymer Mehani

Përkushtim për heronjtë e kombit, me rastin e 12 Qershorit-Ditës së Çlirimit të Kosovës…

POEMA PËR JU

(Luftëtarëve të lirisë)

Seç ju rrahën furtunat
E s’ju thyen dot,
Ju shanë e deshën t’ju digjnin
Me flakë dhe me barot,
Nën qiellin e mërrolur
Të atij moti zemërak,
Kur atdheut tonë të shtrejtë
Po i bënin lak,
Po i bënin në qafë,
Po e bënin me gjak
E popullit të robëruar
N’vetull po i merrnin gjak.
Ju me gjokse të gurta
E me zemrën sa bjeshka,
E mbytët kuçedrën
Me pesë a gjashtë kreshta.
Kësaj toke i dualët Zot,
Si në Motin e Madh
Ai Gjergj Kastriot.
Me sytë tanë vetë ju pamë,
Në atë natë të zezë,
Kur hasmit i bëtë mandatë,
Me ato armët e gjata
Krahët kur jua thatë,
Kur i goditët e i dëbuat
Me breshëri plumbash u ratë.
Ata duart lart,
Të dëshpëruar,
Të trishtuar,
Të tmerruar.
Ç’rrëfim llahtarie të dëshpërimit,
Ç’neveri t’i shikoje ata xhelatë të krimit!
Ata zëra të çjerrë,
Ata gjakësorë të mjerë!
Si jehonin,
Si kumbonin,
Ulurinin,
E mallkonin
Midis sokëllimës,
Rektimit,
Ofkëllimës.
E ju, o trima çlirimtarë,
O zemra atdhetare,
Ditë dhe netë i kaluat në istikame,
Në zjarrin e luftës,
Nën breshëri të armëve,
E të urrejtjes së gjakatarëve.
Ju përmendsh e dini
Simfoninë për Atdheun
E fjalorin e lirisë,
Me ngrohtësi të atdhedashurisë.
Ju kurrë s’u dorëzuat
Në luftë kundër errësirës,
Brutalitetit e mynxyrës,
Por e mbollët shpresën
Dhe me besa-besën
I thirrët emrit liri
Për këtë tokë arbërore,
Për nënën Shqipëri.
Ju që asnjëherë
S’ndryshuat qëndrim
E përjetësisht mbetët
Gjerdan n’vargun tim,
N’vargjet e mia t’ ndërtuara
Me dashuri t’përshkruara!
Zemra juaj mbeti përherë trime
Sepse ju dhatë të verbërve
Dritë përplot dritësime
Dhe i dogjët telat e zërave tuaj
Në lule të rinisë,
Që t’na bëni ta dëgjonim
Jehonën e hapave të lirisë.
Dhe ju vetë, o trima
Kënduat këngën e së vërtetës
E ju jeni kujtimi ynë i përjetshëm.
Ju jeni gjaku ynë shumë i vlefshëm.
Lavdi Ju qoftë, Shaban,
Adem,
Hamëz
Zahir,
Edmond,
Hakif,
Ilir
Dhe Ty o SANDOKAN-
O trim xhevahir!