POEZIA PËRBALLË TRANSFORMIMEVE KULTURORE

0
591
Shefqet Dibrani

(Ky shkrim është lexuar në Manifestimin “Takimet letrare pranverore”, të organizuar nga Shoqata e Krijuesve Shqiptar në Zvicër, që u mbajtën më 8 qershor 2019, në Zürich – Zvicër!)

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 10 Qershor 2019

Librat jetojnë edhe pasi autorët të kenë kaluar në botën e përtejme, atje ku nuk flitet më, gjeneratave iu shërbejnë librat që ata lënë pas tyre! Sot, nuk dihet sa po jetojnë librat për të gjallë të autorëve, sidomos në këtë kohën e ndryshimeve politike, ekonomike dhe konceptuale që njihet si kohë e tranzicionit. Ky tranzicion kulturor që nuk po bëhet si e dëshirojmë dhe si ne e duam. Transformimit kulturor si duket i kanë shpallur luftë të ashpër mediokracia dhe mediokritetet të cilët udhëheqin me shtetin dhe institucionet përkatëse që stimulojnë kulturën dhe librin në përgjithësi.

Kjo gjendje groteske bëhet kur kuptojmë se shkrimtarët janë ata që u shërbejnë analfabetëve të veshur me petkun e udhëheqësit zyrtar. Në një shikim përtej horizontit nacional, duket se të gjitha vendet e dala nga diktatura, detyrimisht iu kanë nënshtruar tranzicioneve konceptuale dhe ideologjike, pastaj atyre ekonomike e sociale, duke mos përjashtuar as zhvillimin e librit! Në këtë rrafsh, gjama dhe ankesa jonë për librin dhe kulturën duhet të shikohet përtej kufijve nacional, për të parë se si ato vende kanë tejkaluar kriza të ngjashme!

Tashmë dihet se ky transformim kulturor po përballet edhe me një luftë tjetër më të ashpër se ajo që theksuam më parë, e kjo ka të bëjë me zhvillimin e hovshëm dhe marramendës në industrinë e internetit dhe digjitalizimit, kundrejt të cilit kanë pësuar edhe shumë zhvillime të tjera, andaj s’ka mundur t’i shpëtoj as letërsia, as libri dhe me këtë edhe poezia. Pa dyshim, libri ka pësuar disfatë edhe në vendet më të zhvilluara, andaj statistikat për librin alarmojnë kur shkruajnë se sot konsumi për librin ka rënë dukshëm e bashkë me të ka pësuar edhe industria që merret me prodhimin dhe shtypjen e tij.

Ashtu siç kanë ndryshuar kohërat, po aq ka ndryshuar edhe qasja ndaj librit, e bashkë me këtë ka ndryshuar poezia në planin global dhe detyrimisht edhe ajo në planin nacional. Nëse gjërat shikohen në retrospektivë, por përpiqemi nga ajo kohë të nxjerrim vlerësime pozitive, mund të konstatojmë se pavarësisht dogmave të sistemit diktatorial, gjysma e dytë e shekullit të kaluar ishte koha e artë e poezisë, ajo periudhë është baza kur u krijua një letërsi dhe poezia elitare nga e cila ne mund të mësojmë, sidomos për të parë se si janë trajtuar vlerat që krijoheshin në ato rrethana të cilat nuk ishin të favorshme.

Thyerja e këtyre konvencave sikur ka vënë përball sfidave edhe poezinë. Vitet e nëntëdhjeta janë manifestuar nga një fobi që kishte të bënte me vërshimin e librave që për autor kishin emra të ndaluar, pavarësisht se ata botime patën plotësuar një vakum institucional përkitazi me letërsinë e burgut për një kohë janë shikuar me sy kritik. Së këndejmi kemi edhe një ngarendje për të botuar libra të tjerë të cilët ndoshta për shijen e kritikëve klasik nuk përfaqësonin vlera, pasi ata libra nuk kishin sjellë ndonjë risi. Megjithatë, të paktën për një gjë duhet falënderuar autorët që kanë bërë përpjekje për të botuar libra dhe për tu identifikuar, nëse jo kritika, të paktën u janë mirënjohës botuesit dhe shtypshkronjat pasi në saje të tyre është shtuar prodhimi i punës për sajimin e librit e deri tek fabrikat për prodhimin e letrës dhe ngjyrës.

Pasi asgjë nuk është e përjetshme, as suficiti i librit nuk mbeti si mall i përjetshëm, por të gjithë e dimë se sytë dhe vëmendja kthehet kah ylberi që lidh kodrat dhe durimi që afron kohërat, në këtë prizëm, vetëm shkëlqimi ylberor mbetet gjatë në kujtesën e vrojtuesve, të tjerat harrohen bashkë me ata libra që sjellin vlera të pakta. Gjithsesi secila kohë, pra edhe kjo e tranzicionit kulturor është shënuar me libra të vyeshëm e bashkë me ta janë dalluar autorët e arsyeshëm, të cilët me kalimin e kohës janë identifikuar për pasionin dhe dhuntin krijuese, që nuk shkruanin e botonin sa për të realizuar ndonjë pozitë zyrtare a për ndonjë pozicionim jashtë kulturor, ata krijonin për më gjatë, për t’iu shërbyer kohërave, madje edhe atyre kohërave që do të vijnë kur autorët nuk do të janë më në mesin e të gjallëve.

Më duket se ngjashëm me shqetësimet për nivelin e poezisë së sotme që ka atdheu etnik, janë edhe autorët që jetojnë në mërgim, të merakosur se ku është poezia e sotme shqipe e cila krijohet dhe kultivohet nga shkrimtarët që jetojnë jashtë hapësirës etnike? E ky shqetësim i shtruar në formë pyetjeje nuk mund të marr përgjigje të saktë dhe të qëndrueshme, aq më pak një përkufizim që do ti kënaqte mendjet e secilit autor.

Kur flasim për „vlera?!“, askush nuk mundet me thënë se me cilën „masë“ e kemi matur atë vlerë, rreth së cilës mbështillet një tog fjalësh që kryesisht ndjell zi e mbjell dyshime se çdo gjë ka përfunduar. Autorët që jetojnë të mërguar duhet të kenë qasje pozitive për poezinë e krijuar në diasporë dhe të argumentojmë se çdo gjë nuk ka mbaruar?!…

Në këtë prizëm, nëse gjërat shikohen me syrin kritik, dhe nëse do të kemi synim për të gjetur vlera të dallueshme, mendoj se ato nuk mungojnë, pasi i kemi kudo dhe i hasim kurdo, vetëm duhet kërkim e përkushtim, kurse qasja të ketë synim pozitiv, e kundërta është dëshpërimi që na mbyt në pesimizëm dhe skepticizëm antivlerash.

Për ta ilustruar këtë mendim të shfaqur më lartë ne po përmendim disa libra dhe autor të cilët jetojnë dhe krijojnë në Zvicër, për të përforcuar mendimin e theksuar më parë: 1. Në fushën e poezisë do ti veçoja: Shemsi Makolli: “L’ANATOMIE DU RÈVE – Anatomia e ëndrrës”, Isuf Sherifi: “DIE WEISSE FILZKAPPE – Plisi”, Brahim Avdyli: “ARENA E DHEMBJEVE”, Besnik Camaj: “STREHË DASHNIE”, dhe ndonjë tjetër autor. 2. Në fushën e prozës së shkurtër – tregimit, vlen t’i përmendim: Muharrem Blakajn: “MENDESHA” dhe Gani Bytyçin: “MAKTH”, 3. Prozën e gjatë e kultivojnë me pasion: Miradije Maliqi: “DITËT E HESHTJES SIME”, roman, dhe Muharrem Blakaj, me romanet e tij. 4. Ndërsa për eseun artistik e kisha veçuar librin: “FLETËZA DHEMBJEJE”, të Gani Bytyçit… etj.

Këta libra dhe autor, janë vetëm disa nga shembujt pozitiv për të dëshmuar se letërsia e krijuar në diasporë nuk dallon gjë nga niveli i asaj që krijohet në Kosovë ose tutje në hapësirën etnike… Ndarjen që bëra sa për të ilustruar mendimin e sipërshënuar, ka të bëjë me shijen personale, me nivelin e njohjeve dhe me aspekte të tjera, kryesisht jashtë letrare, çka do të thotë se ka edhe të tjerë autor dhe libra me nivel të arrirë. I përmenda ata libra që i kam lexuar ose kam bërë ndonjë shënim për ta.

Janë këto arsye pse apeloj për afri kulturore në mes autorëve, për dashuri të shtuar rreth krijimeve të tyre letrare, e pse jo edhe për vlerësim më real dhe më racional përkitazi me librin dhe poezinë që krijon secili prej tyre!…

Zürich, 08.06.2019