D-DAY — DITA QË SHËNOI FILLIMIN E MBARIMIT TË ADOLF HITLERIT — 75-VJETË MË PARË

0
406
Takim në Franceë për D-Day - liderët botërorë

Nga takimi i 16 udhëheqësve botërorë në jug të Anglisë për të shënuar 75-vjetorin
e një prej betejave më heroike të Luftës së dytë Botërore

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Beteja e Normandisë më 6 qershor, 1944 çoi në çlirimin e Evropës dhe mundësoi edhe mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, vitin që pasoi. Ishte dita që shënoi operacionin e përbashkët më të madh tokësor, ajror dhe detar të forcave aleate perëndimore – e që 75-vjetë më parë shënoi fillimin e mbarimit të Adolf Hitlerit. Sulmi tokësor, ajror dhe detar i mirë bashkrenduar me aleatët — i udhëhequr nga Komandanti Suprem i Forcave Aleate, Gjenerali amerikan Dwight Eisenhower dhe Komandanti i Armatës së parë amerikane, Gjenerali Omar Bradley – ndër më të mirët që ka njohur ndonjëherë historia — çliroi Francën që kontrollohej nga forcat nazizte dhe më vonë tërë Evropën, duke hapur rrugën drejt Berlinit dhe duke çuar në triumfin përfundimtar të aleatëve mbi forcat nazizte të Hitlerit dhe duke i dhënë kështu fund njërit prej regjimeve më të këqia që ka njohur historia e njerëzimit.

Ndërkohë që ky përvjetor shënohet më së shumti në Normandi të Francës, aty ku edhe u bë zbarkimi 75-vjetë më parë, i nja 156,000 ushtarëve amerikanë, britanikë, kanadezë dhe aleatëve të tjerë, ceremoni përkujtimore zhvillohen edhe në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.

15 udhëheqës botërorë, përfshirë edhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u mblodhën të mërkurën në Angli, nën kujdesin e Kryeministres britanike, Teresa May, për të shënuar 75-vjetorin e asaj që Presidenti Trump e cilësoi si një betejë që, “mund të ketë qenë më e madhërishmja në histori”. Udhëheqsit e vendeve të përfaqësuara në këtë takim, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke u angazhuar që, “tmerret e pa-imagjinueshme” të Luftës së Dytë Botërore të mos përsëritën më. Vendet nënshkruese, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, u zotuan se do të punojnë bashkarisht për të “Zgjidhur tensionet ndërkombëtare, në mënyrë paqësore”, ndërsa Kryeministrja britanike bëri thirrje, me këtë rast, për bashkim në radhët e vendeve perëndimore, për të përballuar ato që ajo cilësoi si, “kërcënime të reja ndaj sigurisë” së përbashkët.

Të ënjtën Presidenti Trump dhe Presidenti i Francës Macron shënuan 75-vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi, ndërkohë që të dy ata nënvijuan rëndësinë e aaleancës trans-Atlantike. Të dy udhëheqsit e lartë morën pjesë në ceremoninë që u zhvillua me këtë rast në Varrezat Amerikane në Normandi, ku Presidenti Trump iu drejtua veteranëve amerikanë, “Si krenaria e Kombit” dhe u tha se “Legjenda juaj nuk do vdesi kurrë”. Ndërsa Presidenti i Francës, Emmanuel Macron lavdëroi veteranët amerikanë për guximin, për bujarinë, për fuqinë dhe shpirtin zemërgjërë për të “Ndihmuar një popull që nuk e njohnin, për të çliruar një vend që shumica nuk e kishin parë kurrë më parë, për asnjë kauzë tjetër, përveçse për kauzën e lirisë dhe të demokracisë”, ka thënë dje në udhëheqsi francez, në kujtim të zbarkimit të forcave amerikane në brigjet e Normandisë, 75-vjet më parë.

Frank Shkreli Si në çdo përvjetor tjetër të kësaj date të shënuar në historinë e Evropës dhe të botës, udhëheqës të ndryshëm botërorë – përfshirë edhe presidentët amerikanë — e kanë kujtuar dhe e kujtojnë këtë ditë me fjalime që tanimë kanë hyrë në historinë e fjalimeve më të rëndësishme dhe më historike. Ashtu do të ndodhë edhe në këtë 75-vjetor, megjithse duke marrë parasyshë nivelin e udhëheqësve të sotëm botërorë, nuk ma merr mendja se ndonjëri prej tyre do të mbajë një fjalim që mund të meritojë të cilësohet si historik e që përshkruan rëndësinë historike të betejës së Normandisë dhe çlirimin e Francës nga forcat nazizte, 75-vjetë më parë.

Por, një nga fjalimet që janë mbajtur në përvjetorët e kaluar të kësaj beteje në D-Day — bota ende kujton, ose të pakën ne që kishim privilegjin të ishim dëshmitarë të asaj kohe – ishte fjalimi i ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, me rastin e 40-vjetorit të betejës së Normandisë, me 6 qershor të vitit 1984, i cili iu është drejtuar veteranëve të asaj beteje, të pranishëm aty, me fjalët: “Këtyre djemëve të “Pointe du Hoc. Këta janë burrat që iu ngjitën këtyre shkëmbave të thepisur. Këta janë kampionët të cilët çliruan një kontinent dhe heronjtë të cilët i dhanë fund luftës.”

“Burrat që zbarkuan në Normandi kishin besim të plotë se ajo që po bënin ishte e drejtë, kishin besim se ata po luftonin për njerëzimin, besim se një Zot i drejtë do u jepte atyre mëshirën dhe ndihmën e nevojshme, në këtë vend ose në një tjetër. Ishte besimi i thellë i tyre — për të cilin falënderojmë Zotin që ata nuk e kanë humbur besimin në Zotin – se ekziston një ndryshim i madh moral midis përdorimit të forcës për çlirim dhe përdorimit të forcës për pushtim. Ju ishit këtu për të çliruar dhe jo për të pushtuar, kështuqë ju dhe të tjerët nuk kini dyshuar në kauzën tuaj”, ka thënë ish-Presidenti Reagan në fjalimin e tij me rastin e 40-vjetorit të betejës kundër forcave nazizte në Normandi të Francës, 35-vjetë më parë.

“Ju e dinit se për disa gjëra ia vlen të luftohet dhe të jepet edhe jeta. Ja vlen të vdesësh për vendin tënd, ja vlen të vdesësh për demokraci, sepse është forma më e ndershme e qeverisjes, e krijuar nga njeriu. Të gjithë ju dashuronit lirinë. Të gjithë ju ishit të gatëshëm të luftonit tiraninë dhe e dinit se e kishit mbështetjen e popujve të vendeve tuaja”, u ka thënë veteranëve Presidenti Reagan, në fjalimin e tij në Normandi me 6 qershor, 1984.

Për më tepër, Presidenti Reagan u ka thënë të pranishëmve me atë rast se atë ditë më 6 qershsor, 1944, ushtritë që zbarkuan në Normandi kishin aleat Perendinë, kishin “Ndihmën dhe mbështetjen e Perendisë për kauzën e tyre të madhe”.

Ishin të gjitha këto, ka thënë Ronald Reagan, që i shtyri ata të bënin të pamundurën. “Ishin të gjitha këto që, në të vërtetë, i kanë dhënë formë unitetit të aleatëve.” Në emër të atyre që dhanë jetën në Normandi, aleatët morën guxim dhe vendosmëri. Ata rindërtuan së bashku një Evropë të re… së pari u arrijtë pajtimi midis atyre që kishin qenë armiq, e të cilët kishin humbur aq shumë. Shtetet e Bashkuara bënë atë që u ka takuar, duke themeluar Planin Marshall për të ndihmuar në rindërtimin e vendeve aleate tona, por edhe të vendeve që kishin qenë armike tonat. Plani Marshall çoi në krijimin e Aleancës së Atlantikut – NATO – një aleancë e madhërishme e cila deri në ditët e sotëme shërben si mbrojtëse e lirisë, e begatisë dhe e paqës”, ka theksuar Reagan.

Duke nënvijuar se megjithë sukseset dhe fitoren kundër nazizmit, Presidenti Reagan –duke iu referuar vendosjes së komunizmit në Evropën Lindore e Qendrore — ka thënë se fatkeqsisht disa vende të çliruara i humbëm. “Forcat sovjetike që erdhën deri në qëndër të këtij kontinenti nuk u larguan kurrë më, madje as kur u vendos paqa. Ato janë gjithnjë këtu, të paftuara dhe të padëshiruara, pothuaj 40-vjetë pas mbarimit të luftës. Për këtë arsye, forcat aleate perëndimore gjënden gjithnjë në këtë kontinent. Sot, ashtu si edhe 40-vjetë më parë ushtritë tona janë këtu vetëm për një qëllim – për të mbrojtur demokracinë. Të vetmet territore që ne kontrollojmë janë memorialet si këto këtu dhe varrezat ku pushojnë heronjtë tanë” gjithsejt 9,388, ka theksuar Ronald Reagan, më 6 qershor, 1984, në njërin prej fjalimave që tani konsiderohet si ndër fjalimet presideniale më klasikë të Amerikës.

Presidenti Reagan përfundoi fjalimin e tij në Normandi 35-vjetë më parë duke theksuar vlerat dhe angazhimet e aleatëve ndaj lirisë, ndaj njëri tjetrit dhe ndaj aleancës që mbron këtë liri – si atëherë ashtu edhe sot. “Jemi të lidhur sot nga gjërat që na kanë lidhur edhe 40-vjet më parë,” ka thënë Presidenti Reagan në kujtim të D-DAY më 6 qershor, 1984, duke shtuar se “Jemi të lidhur edhe nga realiteti që ekziston. Fuqia e aleatëve të Amerikës është jetësore për Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që garancia amerikane për sigurinë e aleatëve të saj është gjithashtu jetike për lirinë dhe demokracinë në Evropë.

Ne ishim me ju atëherë, ne jemi me ju edhe sot. Shpresat tuaja janë shpresat tona dhe fati juaj është fati ynë”, ka përfunduar një ndër fjalimet presidenciale më me rëndësi, ish-presidienti amerikan Ronald Reagan, me rastin e 40-vjetorit të zbarkimit të forcave aleate perëndimore në brigjet e Normandisë në Francë, më 6 qershor, 1944, një sulm ky tokësor, ajror dhe detar i paparë deri atëherë në historinë e njerzimit – sulm ky që shënoi fillimin e mbarimit të nazizmit Hitlerian — e që më në fund çoi në fitoren kundër regjimit nazizt të Hitlerit në mbarë Evropën dhe më gjërë.