Nuk ka dhimbje që të njohë kufi – poezi të zgjedhura

0
628
Nei Duclos

NEI DUCLAΌS
1948

Nei Carvalho Duclós (Uruguajana, 29 tetor 1948) Gazetar, poet, shkrimtar brazilian. Është diplomuar në histori në USP. Është katólik. Ka botuar katër libra me poezi si dhe ka shkruar e botuar një numër të madh tekstesh në shtypin brazilian.

ATDHEU I HUMBUR

Po të braktis ty, Brazil
Bregdetet e tua të ndotura më ndoqën larg
Karpentierët e tu më përgojuan
Revolucionarët e tu më denoncuan
Të pasurit e tu të shërbyen mbi një pjatë
Të argjendtë

Po të braktis ty, Brazil
Jo për një komb tjetër
Jam i mërzitur nga kombet, pas teje
Jo për një trajtim tjetër
Nuk besoj më në asnjë qytetari

Po të braktis ty, Brazil
Ndonëse e di që unë do jem përherë yti
Sepse më damkose me zjarr në brinj
Sepse skicove gjestin tim të papastër
Sepse e bëre krevatin tim të hidhur

Po të braktis ty, Brazil
U lodha nga sovraniteti yt fodull prej
Skllevërish të maskuar si zotërinj
Të rri gatitu në kufi
Nga forca e kotë e krahut tënd

Po të braktis ty, Brazil
Vend i hapur për çdo dhune
Mbyllur për çdo kompetencë
Larg nga përmasat e veta të mëdha
Si një avion që ka ngecur në baltë

Po të braktis ty, Brazil
Nuk ka fanar për honet
Nuk ka britmë që të sjellë ndihmë
Nuk kadhimbje që të njohë kufi
Nuk ka hije që dorëzohet

Po të braktis ty, Brazil
Ndonëse unë s’do doja të kthehesha kurrë
Jam i tepërt në çdo rrethanë
Trokas në dyer përherë të mbyllura
Jam lodhur së thirruri në zbrazëti

Po ë braktis ty, Brazil
Kam vendosur të çlirohem nga djepi yt
Jam një i ezilant pa pasaportë
I ngatërruar prapa barrierave eterne
Jam nxjerrë jashtë nga fati yt

Po të braktis ty, Brazil
Mbase pa mua diçka do të ndodhë
Fitorja më në fund do ta tregojë fytyrën e vet
Trupi i humbur në luftë
Do të shpërblehet në thellësi

Atëherë ti do të jesh një tjetër Brazil,
Sepse i lirë nga prania ime ti
Do mund të vjelësh frutat e tua
Dhe do mbjellësh në paqe të ardhmen tënde
I mërzitur nga fama që më përjashtoi

Por të gjithë do të kthehen tek ti, Brazil
Përveç meje dhe fjalëve të mia
Përveç poezisë dhe barrës së saj
Përveç dëshirës që më shtrëngon
Çdo herë që ty të shkelin, Brazil.


NINA BERBEROVA
1901 – 1993

Nina Nikolayevna Berberova (Rusisht: Ни́на Никола́евна Бербе́рова) (26 korrik 1901 – 26 shtator 1993); ishte shkrimtare ruse, ezilante në Paris që kronikoi robërinë e jetës ruse në romanet dhe në tregimet e saja të shkurtër. Ajo vizitoi Rusinë post sovjetike dhe vdiq në Filadelfia, më 1993.

NDARJA

Një ndarje është si një tregim i tmerrshëm.
Fillon një natë
Dhe s’mbaron më.
Kuajt bënin zjarr me potkonjtë e tyre
Disa fëmijë të pagjumë bërtisnin
Gjeli ngjirej më kot kur shihte një agim të tillë
Në zjarret muzgëllore,
Rruga vraponte pas pluhurit
Dhe ti niseshe. Ndarja
Është si një tregim i tmerrshëm
Kur ikën përtej detit
Nuk mbaron kurrë.

Ndarja është si kërcëllimë nate
I varganit të karrove. Zhduken përgjithmonë
Në hendekë të thellë me ujë, të burgjeve,
Në burgjet e akullt të Bukenvaldit,
Në ferrin tifoid të Ravensbrukut.
Mbaj mend si shqyheshe
Për këtë botë të dashur,
Mbaj mend si qeshje
Si bekoje ata që kishe përreth,
Për mua qielli gjelbërosh,
Qyteti, kalimtarët…
Shpresa, është si kërcitja
E rrotave – mbi zemër.
Shpresa është si një vajtim i gjatë
Që murmurit për dikë:
Është përlotim i rrethimit të Moskës,
Rrethuar si nga një unazë
Nga të shtënat e topave
Mbi monumentet, mbi pallatet,
Mbi kufomat, mbi akullin
Ndërsa atje
Mbi bregun e detit të kaltër
Jetonte një plak dhe plaka e tij…
(Nëna ime shpesh më fshinte sytë
Me cepin e dantellës së saj )
Ndarja është si një vajtim i gjatë
Kurse takimet nuk ekzistojnë.


AMÉRICO FERRARI
(1929)

Ameriko Ferrari ( Lima, 1929) është autor librash me poezi dhe kritikash letrare, si dhe përkthyes në spanjisht të Novalisit dhe Georg Traklit, përkthyes i poezive në frëngjisht të poetit peruvian César Moro. Më 1998 i përmblodhi librat e tij me poezi në një botim të vetëm. Ferrari jeton prej më shumë se 40 vitesh në Evropë, Gjenevë, ku ka qenë profesor titullar i përkthimit pranë Universitetit të Shkollës së Përkthimit dhe Interpretimit. Botimi i tij më i ri poetik është Noticias del deslugar, (Lajme të shkëputura), El Bardo, 2002

ASGJË MË SHUMË

Ashtu si të vdekurit kthehen që të banojnë te ne
natën
ashtu si netët na thërrasin
në mesditë
dhe si kamarja jonë hapet çdo natë
gjithë ditën
dhe si ditë dhe natë gjithçka na thërret
dhe na kërkon me ngulm
dhe na lajmëron
agoninë –
aty gjendemi
dhe shihemi dhe
presim
me një gotë në duar plot natë
dhe një si etje dite
e derdhur –
asgjë më shumë

Përktheu: Faslli Haliti