Shkruan Zymer Mehani
Monografia “Sahit Shala- ky uragan i pandërprerë” është një libër i konceptuar në tre kapituj dhe me një album fotografish e materialesh tjera, që lexuesve do t’u ofrojë fizionominë dhe rrugëtimin jetësor e letrar të shkrimtarit Sahit Shala. Pra, ky libër është një kontribut modest imi për studimin e jetës dhe të veprës (së derisotme letrare) të këtij autori të talentuar të letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një një formë të përmbledhur e me shënimet dhe materialet më të rëndësishme është ravijëzuar profili jetësor dhe letrar i autorit Shala, që me emrin e tij po i bën nder letërsisë sonë shqipe dhe kombit përgjithësisht.
Ky libër, pra do të na njohë me shkrimtarin Sahit Shala, me vendlindjen e tij, Dubovikun, fshat i komunës së Deçanit, si dhe me veprat letrare të këtij autori, të botuara gjer më sot (2019).
Nga faqet e para të librit (kapitulli I) do të njihemi me karakteristika të përgjithshme të komunës së Deçanit (pjesë e Rrafshit të Dukagjinit), siç janë pozita gjeografike, numri i popullsisë, zhvillimi ekonomik, bukuritë natyrore etj., pastaj në kapitullin II do të njihemi hollësisht me jetën e shkrimtarit Sahit Shala, shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar, si dhe me ngritjen e tij si intelektual dhe mjeshtër i fjalës së bukur artistike; me vlerat morale dhe me përkushtimin dhe dashurinë e ngrohtë që ai ka për vendlindjen, njerëzit dhe lirinë.
Po ashtu në këtë kapitull (II) do të njoftohemi edhe me peripecitë e autorit gjatë viteve ’80 të shekullit XX, kur iu imponua nga regjimi totalitar serbosllav që ta lërë Kosovën dhe të mërgojë bashkë me familjen e tij në Norvegji, ku jeton e punon edhe sot.
Në kapitullin III do ta gjejmë studimin e veprave të botuara gjer më tani të shkrimtarit Sahit Shala.
Është tepër i vlefshëm edhe materiali jetësor i autorit Shala, që në libër paraqitet nëpërmjet fotografish dhe materialesh tjera, si mirënjohjet dhe falënderimet, që autorit i kanë ndarë insitucione dhe individë nga Republika e Kosovës, në shenjë nderimi ndaj tij për kontribut të dhënë pasurimit të fondit librar të shumë bibliotekave tona.(Këto materiale janë paraqitur në shtojcën e librit, që lirisht mund të llogaritet edhe si kapitulli IV).
Si autor i këtij libri monografik jam përpjekur ta paraqes ambientin dhe rrethanat e përgjithshme, në të cilat u lind, u rrit dhe u burrërua shkrimtari Sahit Shala, duke pasur shumë kujdes në ruajtjen e fizionomisë origjinale të autorit.
Përmbajtja e fotografive dhe e materialit tjetër e ruan dhe e përcjell frymën e ngrohtë të përjetimit, duke na e paraqitur fizionominë biografike dhe letrare të shkrimtarit Sahit Shala. Pra, në faqet e këtij libri ndriçohet në mënyrë paksa më të plotë edhe qëndrimi njerëzor, intelektual e kombëtar i autorit, sidomos kundrejt ngjarjeve politike dhe ekonomike të viteve ’80 e ’90 të shekullit të kaluar, ngase ai vetë qe aktiv me atdhetarizmin dhe humanitetin e vet ndaj realitetit të kohës.
Në faqet e këtij libri do të gjejmë gurrën e pashtershme të shembullit etik, human e kombëtar të shkrimtarit Sahit Shala.
Dhe krejt në fund, theksojmë se ky libër do të ishte e pamundur që të realizohej, po mos të ishte gatishmëria dhe ndihma e shkrimtarit Sahit Shala, si dhe bashkëpunimi i tij miqësor e korrekt që pati dhe ka me ne.