(Botuar në Aplennews Etc, marrë nga facebook, 03.06.2019)
Miku im i Policisë!
Nuk ka asnjë ngjasim, në përmbajtje, sulmi kriminal i sotëm, në vitin 2019, kundër policisë së një shteti demokratik, me kundërshtimin e policisë së vitit 1991, të një shteti diktatorial; ngjasimi është veç sipërfaqësor.
Në 1991, protesta ishte kundër një regjimi ku nuk kishte prej dhjetëra vjetësh asnjë lloj lirie, veç shtypje, dhunë e diktat të një klike sunduese që vendoste se kush e si do të qeverisej, pa dhënë asnjë mundësi votimi a vendosje për qeverisjen, me votë individuale, të lirë, të barabartë për secilin. Në atë regjim, policia i shërbente jo vendosjes së rendit publik e qetësisë, por i shërbente mbajtjes me dhunë të një regjimi kundër zgjedhjeve të lira dhe kundër lirive të njeriut. Pra, në 1991 policia keqpërdorej politikisht për të mbajtur, me dhunë, gjendjen e një burgu masiv, që ishte Shqipëria komuniste.
Sot në 2019, policia po sulmohet praktikisht nga një klikë sunduese shumë e ngjashme, në përmbajtje, me atë klikën sunduese të vitit 1991 e para. Sot po ngrihet një pakicë për të përmbysur me dhunë një pushtet të ardhur si rezultat i zgjedhjeve krejt të lira, të secilit shqiptar, si kudo në vendet demokratike të botës. Këta që protestojnë duan të shkatërrojnë themelin e demokracisë, votën e lirë, duke e zëvendësuar atë me vendime personale të disa individëve që humbën votën e shqiptarëve, për zullumet që benë, e që sot i tremben faktit se po përgatitet një sistem drejtësie më i pastër, që i rrezikon të përballen me Ligjin, përballje që kishin arritur ta shmangnin për shumë vite me radhë, si rezultat i korrupsionit galopant të Drejtësisë sonë.
Sot policia është duke kryer një detyrë patriotike: po ruan qetësinë, pa u përfshirë fare në politikë, veç duke siguruar lirinë, që populli të mund të vazhdojë të ushtrojë i lirë të drejtën e tij themelore: votimin e lirë.
Ndryshimi i policisë së 2019, me policinë e 1991 e para, është si dita me natën.
Nderime pafund për performancën aktuale të Policisë shqiptare.
Bashkim Kopliku
Ministri i Policisë
Viti 1992-93
Bashkim Kopliku
Mobile&Whatsapp&Viber: +355(0)672858090
(In DEUTSCHLAND: 004915771187972)
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: [email protected]