Faslli Haliti – Viz. S. Kamberi, «Artist i Popullit»
TRANSPARENCË
Nuk lulëzojnë lule të zeza
Mbi pemë,
Mbi pjeshkë,
Mbi lëndina.
Nuk i fut të zezë pranverës natyra.
SHI MAJI
Shiu bije,
Shushurin,
Si një e çarë shalqiri,
Vetëtima, vetëtin.
Shiu bije,
Shushurin.
Bulon buzëqeshja nëpër bujqër,
Bulon buzëqeshja nëpër bimë.
Si e një e çarë shalqiri vetëtima, vetëtin…
1967
NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
1984, Drita
RRUGA ME PLEPA
Nirvanës
Plepa të zverdhur.
Gjethe të shtruara mbi rrugë.
Duke shkelur mbi gjethet e verdha po vi.
Çfarë surprize, moj e dashur,
Ti ma paske shtruar rrugën me flori?
1964
PRANVERË
Sythi shkrin dëborën me zjarrin e lules
Lulja pohon pranverën,
Lidh frutin
Dhe bie me nderim.
Toka e pret me blerim.
1984, Zëri i Rinisë
RETË
Retë
Si kope buajsh
Ikin në Veri,
Ikin në Jug,
Duke pëllitur me zë bubullimash.
Vjeshta, si bareshë bionde,
I fshikullon me shkopinj vetëtimash.
1986, Drita
PJELLORI
Gjer në trung ka lulëzuar pjeshka,
Gjer poshtë,
Gjer në tokë.
Në degët e familjes sonë vetëm një lule.
Ç’është kjo koprraci me ne grua ?
1972, Drita
NATË MAJI
Hëna varet si vath në veshin e natës,
Neonet ndriçojnë me dritë dëbore,
Ne bisedojmë nën një mimozë bionde
Si nën një hënë tokësore.
Pranë nesh kalon një makinë,
Dy buqeta dritash na dhuron
Dhe ikën nëpër natë e gëzuar,
E gëzuar nga dashuria jonë.
1984, Drita
ÇAST VJESHTE
Plepat po ia dorëzojnë gjethet tokës
si florinj.
Kuptohet,
Bujarisht, jo si fajdexhinj…
1986, Drita
LULJA
Shkencëtarët janë thinjur ndër shekuj,
Duke përsosur kokrrën e mollës,
Pjeshkës,
Qershisë,
Me përsosjen e lules
Asnjë shkencëtar s’është thinjur deri sot.
Lulja është kaq e përsosur siç duket sa s’mund të përsoset dot.
1986, Nëntori
TABELAT
Njerëz:
Ruani pemët dhe lulet!
Njerëz:
Ruani njerëzit nga njerëzit!
1994
ERRËSIRA
Netët
Hanë
Hënën
Hëna s’mbarohet
Netët nuk ngopen.
1991
HOLTËS
Buzë liqenit artificial të Tiranës
Kam dashur të shëtis me ty, Holta.
Po ti gjithmonë më shmangeshe aq shumë,
E përpiktë me mua buzë liqenit
Ti ke shëtitur vetëm në gjumë.
Të kam pritur me vite të më doje,
Të më dashuroje të kam prita kaq gjatë…
Ti asnjëherë s’më ngope me dashuri, moj Holta
Sa e përpiktë, sa e dashur më tregoheshe ti në ëndërr çdo natë.
Unë e di pse ndodhte fatalisht kështu
Unë dashurinë e kisha tek ti,
Ti e kishe diku…,
Sa vite kanë kaluar që atëherë…
Në ëndrra ti më je si përherë
E dashur,
E përpiktë
Edhe tani.
Vetëm në ëndërr më ke dashuruar, moj Holta.
Vetëm në ëndërr më ke çmendur me dashuri…
KALLAMAT
Vjeshta
Tremb kallamat me bubullima,
I qëllon me breshër,
Rrufe,
Shira…
Nga frika kallamat
Para kohe gjethet i zverdhin
Si pupla të verdha kanarinash
Mbi pellgje dhe ujëra kanalesh hedhin
I gëzon kallamat,
Pas shiut,
Boria e një makine,
Nga gëzimi kallamat
Shpupurisin gjethet si pupla kanarine.
1986
EJA
Eja
Unë të pres,
Siç pret bjeshka prillin
Që të çmendet, pastaj, në lulëzim,
Pasi ka duruar dëborëra,
Shira,
Erëra,
Stuhira.
Pritmë bjeshka ime, pritmë,
Unë do të të vi,
Jo si bar i zverdhur, i thatë,
Por unë do të vij tek ty si blerim i blertë, i ri !
PRITJA
Bleta
Pret
Të çelin lule për mjaltë,
Miza pret të hapen plagë.
2004
NGROHJA
Helena
Dridhej.
Kishte një të ftohtë përvëlonjës
Agamemnoni i vuri zjarrin, flakën Treojës…
2004