Shkruan: Isak A H M E T I
Libri: SHQIPTARËT DHE PRINCI SKABDERBEG, i autorit italian Felice CUNIBERTI (Feliçe Kuniberti), Botime REKLAMA, Tiranë, 2018, është shkruar me shumë përkushtim dhe dashuri. Ky libër kujtimesh për Shqiptarët dhe princin Skanderbeg së pari është botuar në italisht, në Torino më 1898 dhe tash së voni edhe në shqip, përkthyer nga Gent Ulqini.
Libri është pritur, edhe në Itali por edhe ndër shqiptarë, me shumë mirëdashje edhe për faktin se aty është shtjelluar veçanërisht periudha më e lavdishme për të, domethënë atë “që shpalohet përgjatë jetës së Gjergj Kastriotit, të quajtur Skanderbeg, i cili luftoi i paepur dhe me fat kunër Perandorisë Osmane, e cila qartas asokohe po përhapëj kërcënuese në Europë” (Parathënie e autorit, fq. 9).
Librit në fjalë i paraprin Parathënia e autorit (fq.9-12), ku, ndër të tjera, shkruan “Kujtesa për Heroin Shqiptar është ende sot e kësaj dite e gjallë dhe e përnderuar, ndërsa kujtimi i bëmave të tij i ngazëllen ata: edhe ndër festa, edhe ndër lojërat këndojnë për virtytet e tij, për trimërinë e tij: dhe të huajit, që përshkon dhe viziton atë vend piktoresk e malor, i tregojnë me kënaqësi dhe kryelartësi vendet ku me mijëra ranë turqit në goditjet e shpatës së pathyeshme të Skanderbegut: dhe legjenda, në kaq largësi kohe, i zmadhoi dhe i veshi ngjarjet me fantazi, aq sa ata malësorë sypatrembur thonë se atij ndër beteja i rrinte pranë një engjëll, që e mbronte nga goditjet armike” (fq. 9-10).
Dhe pikërisht rrëfimet legjendare për Shqiptarët dhe princin e tyre e kanë nxitë dhe frymëzuar autorin në fjalë për të shkruar këtë libër, që ka mjaft vlera dhe si i tillë lexohet me shumë kënaqësi.
Ky libër, të cilin po ju paraqesim këtu dhe në këtë mënyrë, përmban gjithsejt XV kapituj, ku përshkruhen shqiptarët dhe princi i tyre, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Lezha dhe Kruja, dy qytete të shenjta, që, edhe sipas autorit në fjalë, ishin përherë bazë e qendër e fuqisë së tij (fq. 10).
Në fillim të librit, te pjesa e I-rë, autori ka përshkruar pozitën gjeografike të Shqipërisë, kufizimin e saj me vendet për rreth. Flet pastaj edhe për origjinën e shqiptarëve dhe konstaton: “Mbi origjinën e shqiptarëve ka pikëpamje të ndryshme dhe kundërthënëse të autorëve që shkruajnë për të: disa bashkëndajnë pikëpamjet me Malte-Brunin dhe mendojnë se ata janë pasardhës të fiseve të ilirëve të lashtë, të tjerë, janë më të shumtë, pohojnë se ata kanë ardhur nga Azia…” (fq. 14). Por në fakt, edhe sipas autorit, mbizotëron teza e vijimësisë ilire-arbër-shqiptare.
Shqipëria, sipas këtij autori, ka nisë të shënohet nga gjeografët duke u dalluar në tre pjesë: ajo e epërme apo veriore, e mesme apo qendrore dhe ajo e poshtme apo jugore…
Te pjesa e II-të, për shembull, autori flet për Gjergj Kastriotin, më i njohur nën emrin Skanderbeg… “i rritur dhe edukuar nën Flamurin e Profetit Muhamed, por që u bë megjithatë një mbrojtës i paepur dhe një kështjellë kundër invazionit turk: jeta e tij që një betejë e të gjithë ditëve dhe një fitore e parreshtur mbi turqit; përgjatë 24 viteve, në një cep të Europës, në krye të pak mijëra shqiptarëve, mundi sulltanët që mbaheshin deri atëherë të pathyeshëm, vrau e preu trupat ushtarake më të mira të tyre dhe, deri në ditën e fundit të jetës së tij, mbajti larg Atdheut të tij pushtuesin e tmerrshëm të Konstadinopojës” (fq. 25-26).
Duke shfrytëzuar kujtimet si dhe një literaturë të gjërë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, dhe mbi të gjitha, edhe librin e Barletit, autori në fjalë, me këtë libër ia ka ngritur një permendore mjaft të bukur Shqiptarëve dhe princit të pavdekshëm të tyre, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Në Durrës, 23 maj 2019.