PËRBALLJA ME TË SHKUARËN OBLIGIM I SHTETEVE DEMOKRATIKE

0
361
Dr. Nail Draga

Diskursi politik

Vetëm ato shtete të cilat kanë hipotekat nga e kaluara kanë frikë të përballën me të shkuarën, sepse janë të vetëdijshëm për krimet e bëra nga strukturat qeveritare në kohën e monizmit, përkatësisht të diktaturës e cila ka lënë pasoja të mëdha të qytetarët e vendeve të ish kampit socialist ku as Mali i Zi nuk është përjashtim.

Dr. Nail Draga

Miratimi i pluralizmit politik në Europën Juglindore përkatësisht në vendet e ish kampit socialist filloi me shëmbjen e Murit të Berlinit(8 nëntor 1989) duke u legalizuar në vitin 1990, që ishte fitore për popujt e vendeve përkatëse. Ishte kjo fillimi i një frymarrje të re, duke legalizuar fjalën e lirë e cila ishte e ndaluar për rreth pesë dekada. Me paraqitjen e subjekteve të ndryshme politike, skena politike tash njihte pozitën dhe opozitën si binome të çdo vendi me demokraci pluraliste.

Mali i Zi me hipotekat e kaluara

Ndonëse po bëhën tre dekada nga miratimi i pluralizmit, Mali i Zi ende është i mbyllur për të trajtuar çështjet nga e kaluara e kohës moniste, që ka të bëjë me denimet ndaj qytetarëve për pikëpamjet e tyre politike të cilët pushteti i trajtonte si armiq të sistemit të kohës. Kemi të bëjmë me mungesën e guximit të pushtetit për tu ballafaquar me të kaluarën, që është obligim moral për viktimat dhe trashëgimtarët e tyre. Në sajë të të dhënave që disponojmë në sajë të burgosjeve si mbeshtetës të Informbyrosë(1948), Mali i Zi në përqindje ka pasur numrin më të lartë të të burgosurve politik në Jugosllavi, të cilët kanë vuajtur denimin në ujdhesën-burg në Goli Otok në Kroaci, ku janë trajtuar në mënyrë çnjërëzore dhe janë likuiduar si kundërshtarët e sistemit komunist.

Deri më tash në Mal të Zi nuk është miratuar asnjë ligj i cili do të rehabilitonte apo ti kompensonte ish të burgosurit në Goli Otok apo antarët e familjeve të tyre, edhe pse disa herë Qeveria ka premtuar që këtë çështje do ta vendosë në agjenden e saj, që e obligon edhe Deklarata e miratuar në Kuvendin e Malit të Zi.

Por, ndarja politike në Mal të Zi nuk mund të jetë arsyetim për mos trajtimin adekuat të pasojave të krimeve, të cilat në Mal të Zi, nuk janë vetëm nga viti 1948, por duke filluar me marrjën e pushtetit nga komunistët nga viti 1944. Andaj në rrethana të reja shoqërore në pluralizëm, është e nevojshme që institucionet përkatëse duhet të kujtojnë viktimat politike nga koha e sistemit komunist në Jugosllavi, sikurse veprohet në vendet demokratike, sepse kultura e kujtesës është ndjenjë e obligim qytetarie.

Në këtë aspekt Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2006 ka miratuar Rezolutat e Këshillit të Europës: nr. 1096, nga viti 1996, “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, dhe nr. 1481, nga viti 2006 “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

Po ashtu, Parlamenti europian ka miratuar rekomandimin ku theksohet që çdo vend duhet të përcaktojë kohën dhe mënyrën e shënimit të kujtimit ndaj viktimave të regjimeve totalitare, duke ia përshtatur historisë dhe traditës së tyre. Por, me gjithë obligimet e detyrueshme deri më tash në Mal të Zi kemi një heshtje në këtë drejtim, andaj edhe sot nuk ekziton një datë e cila do të shënohej si Dita e kujtesës së viktimave të komunizmit, sikurse kanë vepruar vendet tjera nga ish kampi socialist.

Mungon vullneti politik i pushtetit

Është praktikë e obligueshme se në lidhje me trajtimin e çështjeve te ndryshme shoqërore fillimisht duhet të konsultohet baza ligjore për ngritje të procedurave përkatëse përmes projektligjeve dhe miratimit të tyre në kuvend, për avancimin e çështjeve përkatëse. Por, të gjithë jemi dëshmitarë se për çështjet e tilla nuk mjafton inicimi nga një individ apo subjekte të ndryshme por duhet të ekzistojë vullneti politik i pushtetit, përkatësisht i shumicës parlamentare.

Por, duke marrë parasysh se partia politike DPS, është vazhduese e të vetmës parti politike LKJ-së në monizëm, nisma është dashur të fillojë nga ato. Sepse ato përveç përvojës politike kanë pasur obligim moral dhe shoqëror për të qenë shëmbull për të tjerët. Ndërsa pse nuk kanë vepruar në mënyrë të tillë, mund të jenë shkaqe të ndryshme ky më kryesorët mendoj se janë: a/koha e shpejt e kalimit nga sistemi një partiak në ate shumëpartiak, b/mbajtja e zgjedhjeve te para pluraliste parlamentare(9.12.1990) në prag të fillimit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, c/vazhdimësia e politikës proserbe e udhëheqjës malazeze deri në vitin 1997 dhe ç/ mos konsolidimi i Malit të Zi në aspektin politik/shtetëror deri në referendumin për pavarësi me 21 maj 2006.

Por, nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006 dhe miratimi i Kushtetutës në vitin 2007 kanë ekzistuar mundësitë reale të punohet në aplikimin rezolutave përkatëse që është në favor të dënimit të krimeve të komunizmit, por ka munguar vullneti politik i subjektëve politike dhe pushtetit në këtë drejtim.

Refuzohet emërtimi i rrugës “Viktimat e komunizmit”

Ndonëse Këshilli për dhënien e propozimit të emrave të rrugëve, sheshëve e institucionëve për komunën e Ulqinit kishte miratuar regjistrin përkatës, ishte obligim që në lidhje me këtë çështje të konsultohet dhe merret mendimi nga komisioni përkatës nga Ministria e kulturës së Malit të Zi. Nga takimi i mbajtur në Podgoricë pasi u shqyrtuan propozimet tona në kuadër të regjistrit të përgjithshëm, në mënyrë kategorike u refuzu propozimi ynë që një rrugë në qytetin e Ulqinit të emërtohet me Viktimat e komunizmit.

Duke marrë parasysh së ishte caktuar data e mbajtjës së mbledhjës së Kuvendit të Ulqinit, ku në rend të ditës ishte edhe miratimi i regjistrit me emërtimet përkatëse, në foltorën e kuvendit të Ulqinit me 20 korrik 2015, të pranishmëve iu sqarova procedurën e ndjekur deri më tash në bazë ligjore, dhe kam informuar se propozimi i jonë nuk është mbeshtetur nga komisioni përkatës nga Ministria e kulturës, ku në mënyrë identike ishte reagimi edhe nga këshilltarët nga Kuvendi i Ulqinit.

Një veprim i tillë nga komisioni përkatës në kuadër të Ministrisë së kulturës, si pjesë e Qeverisë shtetërore, nuk është për të çuditur, sepse në nivel shtetëror deri më tash nuk është marrë asnjë vendim përkatës, qoftë në formë rezolute apo ligji në lidhje me krimet e komunizmit. E pse nuk janë ndjekur shëmbujt nga vendet e ish kampit socialist edhe këtu në Mal të Zi, nuk është vështirë të kuptohet sepse, këtu ende kemi të njëjtin mentalitet të pushtetit si në monizëm me disa ndryshime kozmetike si rezultat i pluralizmit politik që paraqet rast unik në kohën postmoniste në Europën Juglindore.

Por, duke marrë parasysh së në Mal të Zi ekziston emërtimi Sheshi i viktimave të Goli Otokut(Trg zrtava Goli Otoka) në Podgoricë, është paradoks që mos të miratohet edhe një rrugë apo shesh me emërtimin Viktimat e komunizmit, që do të ishte dëshmi e respektimit të viktimave që pësuan në kohën e monizmit(!).

Mungon ligji i lustracionit

Po ashtu në këtë aspekt ka qenë e udhës të miratohert në kuvend edhe ligji i lustracionit, që do të ndikonte në pastrimin e skenës politike nga ata persona të cilët kanë qenë pjesë e strukturave qeveritare në nivel lokal e shtetëror, që kanë marrë pjesë në veprime diskriminuese ndaj qytetarëve për bindjet e tyre politike që janë dënuar me burg. Një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë, vetëm me frigën për pasojat e tyre dhe mbetjës jashtë skenës politike edhe në kohën e pluralizmit.

Nuk ka dilemë së çdo veprim në këtë aspekt tash është i vonuar, por është i pa pranueshëm qendrimi indiferent i subjekteve politike opozitare, të cilat është dashur që një çështje të tillë ta trajtojnë me përparësi vite me parë, duke marrë vendime ligjore, ku ballafaqimi më krimet nga e kaluara do të ishte në favor të pluralizmit sikurse në vendet me demokraci të konsoliduar.

Përgjëgjësia e subjektëve politike shqiptare

Ndërsa në këtë aspekt nuk mund të amnistohen as subjektet politike shqiptare të cilat si pjesë e pushtetit qendror nga viti 1998, nuk kanë punuar asgjë, duke ditur se një numër i konsideruar i shqiptarëve në monizëm kanë pësuar për bindjet e tyre politike, duke pasur pasoja personale, familjare dhe shoqërore.

Shqiptarët e kanë përjetuar në lekurën e tyre politikën diskriminuese nga viti 1944 e më pas, përmes dënimeve, vrasjeve dhe montimeve të proceseve gjyqësore të motivuar politikisht. Raste të tilla ka pasur si në Ulqin, Anë të Malit, Krajë, Malësi e Plavë-Guci, ndërsa masakra e Tivarit me 1 prill 1945 ndaj kosovarëve në Monopolin e duhanit paraqet dosje të veçantë, e cila duhet të hulumtohet në të ardhmën.

Në gamën e përsekutimit të shqiptarëve në Mal të Zi rast tipik paraqet viti 1981, kur ka filluar fushata antishqiptare e organizuar nga pushteti i kohës, si shkas i demonstratave në Kosovë, duke dënuar, burgosur e larguar nga puna një numër të konsideruar të shqiptarëve, që tërësisht ishte me motivacion politik dhe në shërbim të politikës serbomadhe, për të luftuar gjoja “nacionalizmin” shqiptar.

Andaj, subjektet politike nacionale të shqiptarëve në Mal të Zi e kanë pasur obligim që çështjet e tilla me i trajtuar me strukturat qeveritare dhe ato përkatëse ndërkombëtare, duke ofruar përfundime të pranueshme përmes institucionit të rehabilitimit moral dhe kompensimit material sikurse kanë vepruar vendet demokratike.

Por, nga pushteti aktual edhe tash në pluralizëm, ka munguar guximi për të kërkuar falje për krimet e bëra gjatë monizmit që do të ishte gjest qytetarie për t’u ballafaquar më të kaluarën, por jemi dëshmitarë se ideologjia komuniste këtu është ngulitur thellë në vetëdijën e strukturave të pushtetit si në asnjë vend tjetër nga ish kampi socialist, që meriton hulumtim të veçantë.

(Maj 2019)