Xhelal Zejneli
Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ish-kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliqi dhe kryetari i përtashëm, Aleksandër Vuçiqi, ishin mbështetësit kryesorë të kriminelit të luftës, Vojisllav Sheshelit. Në këtë kohë, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte në rrethin më të ngushtë të kriminelit të luftës – Sllobodan Millosheviqit.
Në dhjetë vitet e fundit, Serbinë e kanë udhëhequr dhe vazhdojnë ta udhëheqin dishepujt e kriminelëve të luftës – Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi.
Vitet e fundit, kryekriminelët e Serbisë, Vuçiqi dhe Daçiqi, punuan pareshtur për ta bindur botën se “çështja e Kosovës” nuk është mbyllur.
Ata u përpoqën ta bindin botën, në veçanti Brukselin dhe kancelaritë e fuqive perëndimore – Parisin dhe Berlinin, se zgjidhje për “çështjen e Kosovës” na qenkësh kompromisi që u dashka të arrihej midis Beogradit dhe Prishtinës.
Me fjalën kompromis, Vuçiqi dhe Daçiqi nënkuptojnë:
– amputimin e veriut të Kosovës; ose
– krijimin e komunave me shumicë serbe, d.m.th. krijimin e një Republike Serbe në Kosovë, si ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në shikim të parë, u duk se ia dolën ta bindin botën, por vetëm në shikim të parë.
Për ta konsideruar “çështjen e Kosovës” si një çështje e hapur, Vuçiqi dhe Daçiqi kërkuan mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës.
Por, Uashingtoni, Berlini dhe Londra, mbrojtën qëndrimin se çështja e Kosovës është e mbyllur. Është mbyllur me planin e Ahtisarit.
Pavarësinë e Kosovës e njohën 116 vende të botës. Diplomacia mashtruese serbe veproi ditë e natë për ta bindur botën që ta tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Vuçiqi dhe Daçiqi thonë se 12 vende e kanë tërhequr njohjen. Por kjo s’është e vërtetë. Është një gënjeshtër e kulluar.
Diplomacia agresive serbe veproi pandërprerë për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, si p.sh. në UNESCO dhe në Interpol.
Vitet e fundit, Beogradi ndoqi ndaj Kosovës luftë speciale dhe luftë psikologjike.
Nuk ka pasur prononcim të Vuçiqit në lidhje me Kosovën, ku ai të mos jetë kanosur me mundësinë e përdorimit të forcës. Por Vuçiqi e di fort mirë se Kosova është e mbrojtur prej qytetarëve të saj si dhe prej forcave të NATO-s.
Perëndimorët e dinë se kombi shqiptar në rajon, përfshi edhe qytetarët e Kosovës, natyrshëm janë properëndimorë dhe proamerikanë. Mu për këtë arsye, shpesh ndodh që shqiptarët të mos jenë në krye të agjendës së tyre.
Serbia ndërkaq, u kanoset fuqive perëndimore, se do ta sjellin Rusinë apo edhe Kinën në gadishull.
Beogradi duket sikur i thotë Uashingtonit dhe Brukselit: “Pranoni kërkesën tonë për kompromis me Prishtinën. Ndryshe, do ta sjellin Rusinë dhe Kinën në gadishull”.
Për ta parandaluar animin e Serbisë nga Rusia, perëndimorët e marrin me të mirë Serbinë, madje edhe e përkëdhelin atë.
Duke u bazuar në dimensionin gjeopolitik të Ballkanit, Serbia i referohet edhe rëndësisë strategjike të saj në rajon.
Për këtë arsye, vitet e fundit, vendet perëndimore, sidomos Gjermania, ka investuar me të madhe në Serbi.
* * *
E ballafaquar me politikën agresive, irracionale, destruktive dhe luftënxitëse të Serbisë, Kosova vendosi mbi mallrat e Serbisë, taksën prej 100%. Kjo ka qenë dhe është një masë e drejtë dhe e arsyeshme. In ultima linea, edhe presidenti amerikan Donald Tramp i rrit tarifat ndaj mallrave të vendeve të caktuara, përfshi edhe ato kineze.
Brenda një viti, Serbia eksportonte në Kosovë mallra në një vlerë prej gjysmë miliardi euro. Me ato para, ajo blinte armë moderne nga Rusia, me të cilat armë i kanosej integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të saj.
Asnjëherë në historinë e botës nuk ka ndodhur që një vend t’i blejë mallra armikut, i cili me ato mjete financiare blen armë dhe përgatitet për luftë ndaj vendit importues. Kësaj i thonë: Ushqeje sorrën, të t’i nxjerrë sytë.
Është absurde që Kosova të blejë mallra nga Serbia e cila ka punuar dhe vazhdon të punojë për çnjohjen e pavarësisë së saj dhe e cila vepron për parandalimin e anëtarësimit të saj në forumet ndërkombëtare.
Taksa prej 100% mbi mallrat serbe, nuk ka qenë gabim dhe nuk është akt i gabuar. Gabim ka qenë që kjo taksë nuk është vendosur me kohë.
* * *
Tani në Paris, pritet të mbahet një takim midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit.
Në këtë takim, Prishtina duhet të kërkojë bashkëngjitjen e Kosovës lindore (Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës) vendit amë – Kosovës.
Sikundër shpërblim, Serbia do të fitonte perspektivën evropiane.
* * *
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, Uashingtoni, Berlini dhe Londra, duhet ta ulin Serbinë në bankën e të akuzuarve të një gjykate ndërkombëtare, për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.
Nuk ka pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa e njohur Beogradi pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të saj.
Nuk ka pajtim ndërmjet këtyre dy shteteve, pa u përgjigjur Serbia, përkatësisht udhëheqja e saj për gjenocidin e kryer në Kosovë.