Shkarko librin e plotë në PDF: “ISLAMI, religjion agresiv (?!)”
[Për t’ua lehtësuar agjërimin viktimave rastësore të indoktrinimit islam, si dhe për të ndihmuar ata që nuk po agjërojnë, që t’i kuptojnë agjëruesit, pse po bëjnë kaq shumë sakrificë, po sjell vlerësimin për librin tim, bërë nga një Lexues kritik, emrin e të cilit nuk po e publikoj për momentin, sepse nuk dëshiroj të shahet e kërcënohet në odën time.]
Vetë ideja e z. Kelmendi për t’iu rrekur një pune të tillë është për çdo lakmi, e lëre më puna e përkushtimi për t’u përballur me turmën e madhe të njerëzve, të cilët kurrë nuk e provuan mundësinë e përballjes me kritikën kaq të hapur ndaj një religjioni të pareformuar, siç është tani islami. Në fakt, populli ynë, pavarësisht përkatësisë religjioze, nuk ka fare përvojë me kritikën ndaj religjioneve, sepse, shekuj me radhë, një kritikë e tillë ishte e ndaluar. Të kritikosh profetët dhe librat e «shenjtë» përbënte vepër amorale – punë shejtani! Vetë fakti se si trajtohet ose si shihet një ateist nga religjionet tona, tregon se motikohë publiku ka pasur nevojë për një Ibrahim Kelmend – për një «shejtan» të admiruar nga njerëzit me mendje të hapur.
PYETJA QË HUTON
Që në fillim të librit, autori e vë në sprovë mendësinë dogmatike, sepse që në titull Ibrahim Kelmendi vë pikëpyetje! Pra, le të dihet, titulli i librit është pyetje e jo konstatim. Autori sikur na thotë me sa zë që ka: «Nëse bëhesh lexues i këtij libri, eja ta konstatojmë nëse pyetja ime ka bazë. Eja shih e lexo, nëse libri im nuk ofron fakte, unë e ti, lexues i dashur, do të përgjigjemi njëzëri: ‘Jo, islami nuk është religjion agresiv!’ Por, nëse faktet janë kokëforta, të lutem lexues i dashur, dorëzohu para tyre, sepse e vërteta është vlera më sublime për njerëzimin»
Duke e njohur autorin, në fillim e paragjykova e thashë më vete: ndoshta do ta ketë përdorur një fjalor të ashpër në atë libër. Nuk doli ashtu. Ibrahim Kelmendi kishte përdorur gjuhën e fakteve, të krahasimeve dhe të faksimileve të pafundme të nxjerra nga librat e fesë islame. Tani, nëse citatet e faksimilet janë të ashpra, atëherë dijeni se kjo çështje nuk është më në dorë të Ibrahim Kelmendit, por është në dorë të atyre që i kanë shkruar para mijëra vitesh. Ndër të tjera, në këtë libër dhe në polemikat me të cilat nuk ndalet tash e sa vite, Ibrahimi tregon për dijet e tij shumë të thella për dhe rreth islamit.
LIBËR QË EDUKON
Nëse besimtarët marrin guximin për ta lexuar librin me pyetjen: «Islami, religjion agresiv?», një gjë e kanë të garantuar: edukimin e munguar për mendjen kritike. Natyrisht, e di që sapo një besimtar ta ketë lexuar këtë libër, ai do përjetojë shembjen e miteve brenda tij. Do të përjetojë pak tronditje shpirtërore, sepse libri është tundim që të çon kah drita, aty ku tani secila shkronjë do të lexohet pa syze. Mirëpo, nëse lexuesi ka urtinë që faktet të mos i shohë si armiqësore, si shpërblim të fundit, domosdo, e ka përndritjen.
MOS U FRIKËSONI, LEXOJENI «SHEJTANIN»!
Europianët, para shumë shekujsh, e kanë kritikuar dhe e kanë reformuar të menduarit religjioz. Ata, pa ndihmën e askujt, kanë filluar përballjen me «të shenjtët» e tyre kishtarë. Kur Martin Luteri «ngriti dorë» kundër Papës, secili e dinte se Martinin e priste shpata dhe asgjë tjetër. Ndërsa sot, duhet të jemi falënderues që shteti ynë shekullar (cilido shtet në Europë) na e garanton jetën dhe mendimin kritik. Sepse, sa më kritik që bëhemi, aq më shumë njerëzorë e të sinqertë do të jemi kundrejt njëri-tjetrit.
RESPEKTI NDAJ BESIMTARIT
Personalisht mendoj se edhe Ibrahim Kelmendi ka respekt ndaj besimtarit, pavarësisht se vetë është ateist. Mirëpo, respekti ndaj besimtarit, nuk nënkupton frenim ndaj hulumtimit të fenomenit që quhet religjion. Nëse një religjion kritikohet dhe me kritikë e analizë goditen anët e errëta të tij, ky veprim nuk duhet të kuptohet si goditje ndaj besimtarit. Dihet mirëfilli që besimtari ka investuar devotshmëri shpirtërore ndaj një besimi të caktuar dhe tani nuk duhet pritur që një besimtar, sapo ta lexojë librin e Ibrahim Kelmendit, të nesërmen të ndryshojë mendje. Jo. Mjafton që besimtari të fillojë me shtrimin e pyetjeve tjera…, përveç atyre që Ibrahim Kelmendi i shtron në librin e tij.
ATEIZMI HUMAN AFRON NJERËZIT
Një ateist nuk bëhet shpejtë shpejt, i tillë. Ateisti është rezultat i dijeve të thella humane si dhe i mendjes kritike e shqyrtimeve të gjata mendore. Si i tillë, ateisti e do dhe beson në NJERIUN. Në fakt, nga dashuria e madhe që ateisti ka për njeriun, ai e hap mendjen dhe zemrën për t’i shërbyer atij e jo zotave, ekzistencën e të cilëve, deri më sot, askush nuk arriti ta dëshmojë. Me këtë dua t’i them çdo besimtari: mos e konsidero Ibrahim Kelmendin si armik tëndin, sepse ateisti është ekskluzvisht në shërbimin tënd si njeri. Prandaj, lexojeni dhe na dëshmoni nëse islami – apo cilido religjion – nuk është religjion agresiv. Na jepni këtë lajm kaq të mirëpritur e gjatëpritur.
* * *
1. Mos u frikësoni të debatoni me një ateist, mysliman, katolik apo budist. Të gjithë njerëz jemi.
2. Po e ndjejë si obligim t’u bëjë një sqarim rreth ateizmit human.
Sa herë që e përdor fjalën ateist, me dëshirë ia shtoj kallzuesin human. Këtë e bëj për një arsye. Ne shqiptarët ateizmin e kemi parë e përjetuar përmes ideologjisë dhe pushtetit komunist. Dihet si ishte dhe pse u shfrytëzua ai lloj ateizmi. Pra, dallimi në mes ateizmit komunist dhe atij të sotëm (human) është, ta zëmë, si dallimi në mes një fetari të devotshëm, të ndershëm dhe të përkushtuar – me fetarin fanatik dhe urrejtës të çdo gjëje tjetër që nuk është si besimi i tij. Komunistët, ateizmin e kanë përdorur për ta luftuar religjionin sepse, komunistët, tek religjioni kanë parë konkurrentin doktrinar. Nuk është se komunistët ishin ateistë të mirëfilltë, jo. Ata ishin kryesisht MOHUES vlerash, mohues të të gjitha vlerave, të cilat e rrezikonin mendësinë komuniste. Pra, ateizmi i vërtetë është thellësisht human dhe nuk është mohues banal.
Në fakt, ateisti ka të drejtë ta amohojë vetëm ekzistimin e Zotit, por jo fetë, kultet fetare, kulturën, artin dhe historinë. Këto nuk mund të mohohen sepse ato JANË të prekshme. Edhe sot, kam përshtypjen se ateistët mohues nuk ndjehen stabil në shestat e tyre filozofike, prandaj “argumenti” i parë i tyre është mohimi i tjetrit. Së këndejmi, ateisti human, ndjehet komod dhe pa asnjë kompleks futet në dialog me religjionin, e respekton atë dhe flet për fenomenet filozofike të pazbërthyeshme deri më tani. Ateisti human, i viziton sinagogë, kishë e xhami, i nderon besimtarët e vërtetë, flet me ta e për ta dhe nuk ndihet i huaj brenda tyre. Ateisti human është shembull konkret i tolerancës dhe mirëkuptimin me të kundërtën e tij. Ai harmonizon bashkëjetesën e kundërtive, sepse, për ateistin, vlera më e lart është NJERIU, pa dallim feje, race apo gjinie. Sot, ateizmi është rrjedhë logjike e jetës. Ai rritet në proporcion me zhvillimin intelektual të një shoqërie.
Unë e kuptoj që një besimtar ka dëshirë që numri i besimtarëve të mos zvogëlohet, por kjo gjë nuk është e mundur në një botë ku NDRYSHIMIT i nënshtrohet çdo qenie e gjallë dhe jo e gjallë.
Ateizmi është vlerë njerëzore, i cili në shoqëritë më të zhvilluara të botës ka arritur deri në 60%. Pra, aty ku dominon bindja ateiste, ai vend është i bekuar për të pasur paqe, harmoni dhe dashuri mes njerëzve (shih: Suedinë, Finlandën, Norvegjinë, Zvicrën, Danimarkën, Japoninë etj.). Rritja e ateizmit human nuk është kërcënim për botën, përkundrazi, është bekimi i botës, bekim që vjen nga NJERIU për NJERIUN e jo nga ndonjë „dorë“ e panjohur.
Ateisti human, njeriun e ka në qendër të të gjitha preokupimeve dhe aktiviteteve, pa dallim race, face apo religjioni.
* * *
Ata që nuk i kanë 5 euro për ta ble librin, mund ta shkarkojnë versionin elektronik:
Shkarko librin e plotë në PDF: “ISLAMI, religjion agresiv (?!)”