Të ishte lodër e verbër e erës

0
588
Kristaq Turtulli - Puthje e pamundur

fragment nga romani PUTHJE E PAMUNDUR me rastin e 15 vjetorit të botimit.

KRISTAQ TURTULLI

Ajo si erdhi iku, se ndjeva dhe as e pashë. U rrëqetha dhe, më duket e pamundur për puthjet si njëzet e pesë vjet më parë…

…Fëmijë arrakatë kemi qenë ne, çamarrokë të vegjël të lagjes së vjetër të ‘Çezmave të reja’. Bridhnim zhurmshëm dhe të shkujdesur skutë më skutë, gërmadhë më gërmadhë, qilar më qilar. Përmbysnim kazanët e plehrave, mblidhnim kuti konserve, shishe plastike të shtypura, ndyra, të hedhura rrëmujshëm anës trotuareve. Qëllonim drejt e në kokë me gurë të rrumbullakët minjtë e mëdhenj bojë hiri, teksa zgjasnin kokat majuce nga vrimat e ngushta të qilarëve. Mbërthenim për zverku macet kobashe dhe flaknim prej katit të dytë. Për të gjetur se ku fshihej shpirti i dymbëdhjetë i tyre. Po ku, ato mjaullinin me potere dhe zhdukeshin sakaq. Fshehtazi pa zhurmë kacavirreshim nëpër drurët frutorë të sanatoriumit, dendeshim me mollë, pjeshka dhe kajsi.

Dallohesha mes shokësh për trazovaçe dhe shkathtësi. I fshihesha mjeshtërisht rojës së sanatoriumit, një burri të gjatë, si gërdallë, mjekër çekiç. Ne fëmijët e mëhallës e thërrisnin me ‘dashamirësi’:

“Mama dhi”.
Por kjo ndodhte vetëm kur largoheshim nga territori i rrezikshëm, dhe krahu i tij i gjatë.
Ato vite të fëmijërisë ishin kohë të shkujdesura pa zap e pa stap. Bridhnim me potere nëpër sokakë. Në duar mbanim një çapë bukë thatë, të na skuqeshin faqet. Herë me sheqer e me ujë, ose vaj kikiriku me kripë. Flaknin sandalet diku në qoshe dhe luanim zbathur me top prej lecke.
Por një ditë e patëm vërtet pisk. ‘Mama dhia’ na përgjoi i fshehur, kur ne hipëm nëpër pemë dhe të shkujdesur po mbushim xhepat dhe kanatjeret me pjeshka. ‘Mama dhia’ u shfaq befasisht si katana, dhe bërtiti me sa zë kishte në kokë:
– Dreqër të vegjël, po ju kapa do ju bëj pestil.
– Mama dhia,- bërtitëm ne të lemerisur dhe u varëm me zhurmë nga pemët.

Unë vrapoja sa më hanin këmbët si i çakardisur, për të mos rënë në duart e pamëshirshme të”mama dhisë”. Hapat e tij gjëmonin mbas meje, zemra më harbonte në gjoks. Pa e bërë të gjatë shtyva derën, u fsheha në një dhomë të veçuar, larg godinës masive të spitalit, fare pranë pemëve frutore. Nga plasat e derës vështroja vrapimin dhe shfryrjen e tërbuar të rojës së tmerrshme “mama dhi”. Ai u vërtit një copë herë, duke shfryrë dhe rënkuar. Më pas u largua tutje, mes drurëve duke tundur kryet me inat . Mora frymë i lehtësuar, më në fund u gremis tutje ‘mama dhi.’ Gjuhën e kisha të tharë, kafshova pjeshkën dhe goja m’u mbush me lëngun e ëmbël. Ç’faj kishim ne që na pëlqenin pjeshkat, dardhat dhe kajsitë! Prindërit nuk kishin aq të holla sa të blinin për ne pjeshka dhe kajsi. Kafshova pjeshkën prapë dhe u ktheva ngadalë duke u përtypur ngeshëm. Pjeshka ishte e mrekullueshme ia vlente të rrezikoje.

Tre hapa larg meje mbi tavolinë dallova diçka të mbuluar me çarçaf të bardhë. Gjithë shkujdesje u afrova. E zbulova. U mpiva. Pjeshka e thërrmuar më shkau nga goja dhe u rrokullis në kanotiere. I gozhduar, pa mundur të lëvizja duar e këmbë, as qerpikët, vështroja. Përpara meje qëndronte një njeri i shtrirë, një krah ndehur drejt meje. Ishte një vajzë e bukur flokëverdhë. Dukej sikur flinte, pas një lodhje të gjatë.

Isha gati të kthehesha të vrapoja jashtë, drejt mama dhisë. Mbas një copë here e mora veten. Vajza ishte shumë e bukur, përse duhej të trembesha! U ktheva mekanikisht, thërrmijat e pjeshkës më vërtiteshin nëpër gjuhë. Zgjata dorën e preka ta zgjoja. Ndjeva ftohtësinë e mermertë. U drodha. Qerpikët e saj të gjatë krijonin hije të lehtë si tastiera piano mbi mollëza.

Isha i bindur, vajza flinte. Por ajo ishte krejt lakuriq, mbuluar me një çarçaf të hollë, në ambient të ftohtë pa diell!
Ndjeva një farë keqardhje për këtë moskokëçarje të pamëshirshme të njerëzve. Ishte pa dyshim e dhimbshme, për njeriun që flinte, si dhe për të tjerët që e kishin lënë ashtu. Një lakuriqësi e zbehtë dhe indiferencë e plotë…

Mbi të gjitha nuk kisha parë kaq afër dhe ngeshëm një femër lakuriq dhe paturpësisht duke treguar gjithçka, që kushdo mundet ta fshehë me sa mundet. Përpara se ta zgjoja, duhej ta këqyrja me nge. Ajo ishte aq e bukur, si një lule pranvere. Qerpikët e saj vazhdimisht të lëshonin hije mbi molëzat e zbehta, si një sinfoni e pandierë. Mora guximin, duardridhur preka gjoksin e vogël, m’u duk shumë i fortë dhe tmerrësisht i akullt. Nuk i vura rëndësi dhe faj vajzës së bukur. Kështu lakuriq në ambientin e ftohtë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. E akullt e largët e pakuptueshme. Matanë rrugës dëgjova ulërima dhe dallova vërdallosjen e nervozuar të rojës së spitalit, ‘mama dhi’. Nënqesha i kënaqur me tërbimin e rojës së spitalit dhe u mbështeta pas murit me ndjenjën e frikës, se ndoshta rojës i shkrepej, shtynte derën, hynte rrëmujshëm brenda, zgjonte vajzën e bukur prej gjumit. Mama dhia u përdrodh mes pemëve frutore dhe humbi tutje.

U afrova kujdesshëm drejt lakuriqësisë femërore, shtrirë aty mbi tavolinë. Fillova ta prekja, pa i vënë rëndësi ftohjes së mollëzave të gishtërinjve. Vërtet nuk isha plotësisht i rritur, por dhe fëmijë nuk isha sepse kisha ndjerë së thelli hovet e brendshme trupore. Çuçurisnim qosheve me shokët, qeshnim me zë, kur dallonim fërfëritje apo zbulim kofshësh. Një ditë pata vënë bast me një shok, për të vrojtuar kujdesshëm nën fustanin e Kostaqes, pastrueses së shkollës. Sipas fjalëve besohej se ajo nuk mbante asnjëherë mbathje. Bastin e fitova, vërtet nuk mbante mbathje. Mes shalëve dallova diçka tmerrësisht të errët. Nuk munda të zhbiroja gjatë, mbasi Kostaqja u kthye e tërbuar nga unë:

– U bëre ti spurdhjak të gremisesh nën fustanet e grave,- bërtiti dhe që qëlloi me fshesë pas kokës, gati sa u gremisa nëpër shkallë.
Një hop më mbërtheu drithërima. Kjo vajzë ishte vërtet shumë e bukur. Isha plotësisht i bindur, nuk më kishin zënë kurrë sytë të tillë dëlirësi, ndoshta bukurinë ia shtonte lakuriqësia e shpenguar, pa kokëçarje. Mbase vajza ishte mërzitur së fshehuri nën petka trupin e derdhur si mermer. Kështu i shkrepi në kokë, të futej në këtë dhomë të mënjanuar, të zhvishej krejt lakuriq, të shtrihej mbi këtë tavolinë. E atëherë kur ndjeu se po mërdhinte u mbulua me çarçaf.

I shtrëngova gjirin e plotë, dallova mollëzat e gishtërinjve që ngelën mbi të. Me siguri duhej të kishte pirë ilaç për gjumë, përderisa nuk ndjeu shtrëngimin e gishtërinjve të mi. Në fillim prekjen dhe vëzhgimin e vajzës e mora si lodër, befasi e këndshme, të pa hasur kurrë më parë. Sigurisht për mendimin tim ishte një privilegj i jashtëzakonshëm. Krejt ndryshe nga zhbirimi i trembur, nga poshtë fustanit të pastrueses, apo nga një trazim i rrëmbyer i ndonjë çapaçuleje të klasës. Ky ishte një hap i hatashëm, për të shqyrtuar gjithçka që nuk mundja më parë. Për të gjithë shokët e mi ishte pamundësi. I preka flokët e gjatë e të verdhë, m’u duk sikur kërcitën, lëshuan një shkëndijim ndër gishtërinj, aq sa u tremba dhe nxitimthi largova dorën.

Kaq mjekim i fortë për gjumë të ishte vallë sa vajza s’po zgjohej, të vështronte përreth dhe praninë e dikujt që këqyrte lakuriqësinë e shkujdesur dhe marramendëse!

Vështrova hijen që krijonin qerpikët e gjatë mbi mollëza, nuk më ngjanë më si tastiera pianoje, hija po shtrihej ngadalë, po bëhej gjithnjë e më sunduese. I preka mollëzat, si ta largoja këtë hije, të ishte e ndritshme si më parë. Gishtërinjtë e mi shkanë lehtazi gati pa ndjerë mbi hundën e drejtë, të gdhendur, lëvizën pak më poshtë, butë, ëmbël mbi buzët e plota, të zbehta, të ftohta. Gishtërinjtë qëndruan një copë herë aty, me drithërimë të lehtë, me habi, me ndrojtje, si për të vërtetuar plotësisht në ishin prej mishi, apo prej diçkaje tjetër, që e bënte të pazbërthyeshme, ashtu siç flinte tmerrësisht të largët, e jo përballtë, në një ambient kaq të ngushtë.

Për herë të parë në jetën time po ndjeja topitje të gjithanshme dhe dëshirë të çakorduar njëherësh…Sikur isha tjetër njeri dhe jo ai djalkë i Çezmave të reja, që kisha mbushur me pjeshka kanotierën e vjetër dhe të shqyer tek cepi nga nxitimi kacavjerrës nga pema, që vrapova sa më hanin këmbët prej frikës së mama dhisë.

Një çast më mbërtheu frika. Po sikur vajza të zgjohej, të më sulej me tërsëllëm e pa përmbajtur e fyer, ngaqë unë po i trazoja pa takt qetësinë dhe gjumin. Fytyra e saj do të tjetërsohej nga marazi, do të bërtiste me të madhe e mund të më zgërlaqte me gjithë rroba. Por ajo përsëri qëndronte pa lëvizur, e zhveshur e papërsëritshme e mrekullueshme, magjiplotë, indiferente, provokuese, si një shtatore antikiteti dhe unë kisha kohë që ta sodisja me nge.

Me siguri doza e ilaçit për gjumë ishte shumë e fortë, ndaj e mposhta frikën. Me thanë të drejtën s’do të kisha kurajë të përballesha me këtë femër, paçka se ishte krejtësisht lakuriq. Mbi të gjitha do të ishte ndjenja e fajit.

Nuk kisha guxim t’i prekja flokët përsëri, më trembte shkëndijimi. U zgjata ngadalë, me shumë kujdes, me frikën e zgjimit të vajzës dhe përgjegjësisë së fajit, vendosa buzët mbi cepin e buzëve të saj. U largova vrulltas. S’u ndje asnjë reagim. Atëherë mora guximin dhe i puthita buzët mbas buzëve të saj. Çuditërisht nuk ndjeva asgjë përveç një akullsie të lemerishme. Ishte puthja e parë, buzë për buzë, ndaj fajësova mosnjohjen time dhe asgjë më shumë… megjithatë nuk guxoja ta puthja më. Gjithsesi atë çast puthjet buzë për buzë m’u dukën marroke, të pakuptimta, përderisa ishin aq të ftohta, të shpëlara. Buzët e plota të vajzës m’u dukën të njomura, të dridhshme, ankuese…

Gati harrova dimërimin e buzëve të vajzës, të cilat nga ftohtësia më ngjasuan me copërat e akullit, që këpusnim nga streha e shtëpisë, i lëpinim gjithë kërshëri, aq sa na mpiheshin buzët, dhëmbët dhe na digjte gryka. Edhe pse nuk ndjenim ndonjë shije të veçantë, përsëri i lëpinim me ngulm. Lëpirja vazhdonte derisa akulli shkrihej dhe uji na hynte tinëzisht në mëngë…

Një hop m’u bë sikur vajza po përpëliste qerpikët e gjatë, gati sa nuk më ngriu gjaku nga frika. Bëra tre hapa prapa. shpina m’i ngjesh mbas murit të pa suvatuar. Sikur ajo të ngrihej dhe të gremisej drejt meje? Të bërtiste, të më hakërrohej:
– Mistrec i prapë, çdo këtu! Përse ma prishe qetësinë? Hajt gremisu!
Pse jo, mund t’i mi ngulte prej inatit dhe gishtërinjtë në fyt. Unë arrakati i pabindur i lagjes së Çezmave të reja do të përpëlitesha fare pranë lakuriqësisë, si një zog i trembur e pa shpresë. Hutimi t’i shkurton krahët.

Prita një copë herë. Asgjë nuk ndodhi. Vajza vazhdonte të qëndronte shtrirë, krejt zbuluar, me çarçafin, që ia kisha flakur ndër këmbë. Përderisa po shqyrtoja ngeshëm e me qëllim nudizmin e femrës, nuk isha më fëmijë që kacavirresha nëpër pemë për të vjedhur pjeshka. Duhej të mblidhja veten, ndryshe të ikja me vrap e të lija këtë vajzë qetësisht. Mora guximin iu afrova sërish. Përsëri habia më cyttë në mendime, si mund të qëndronte kaq gjatë, zhveshur dhe të mos ndjente ftohtë! E puthura ishte e fortë, si të ndjeja njomësinë e buzëve të saj. Kaq e vështirë ishte puthja! Vetëtimthi më mbiu një mendim. Preka me kujdes trupin e vajzës qe nga majat e gishtërinjve të këmbëve, në gjunjët, kofshët. Në vendin vezak, sekret dhe me qime të buta si të kadifenjta. Aty dorën e mbajta me gjatë si të gjeja magjinë e fshehur. Pastruesja e kishte ndryshe, bubuzhele, si të shkalafitur dhe tmerrësisht të errët! Shkëndijimi i qimeve të buta, të vendit sekret, prej prekjeve të mia më verboi dhe unë u shkunda. Doja të vija dorën përsëri aty, nuk guxoja. Kështu shkëndijojnë vendet sekrete të femrave!

Vajza kishte kohë që qëndronte e ngrirë, palëvizur, pafrymë. Ndërkohë dita po thyhej. Dhoma kish vetëm një dritare të vogël, krah murit të lartë të spitalit. Drita depërtonte si e mekur, ambienti po përmbytej ngadalë prej territ. Trupi i lakuriqtë i vajzës, dukej sikur po zhvendosej, po largohej flluidshëm, mbështjellë me errësirë.

E dridhura mi mbërtheu fillimisht majat e këmbëve, u përhap me shpejtësi në gjithë trupin. Ç’mund të bënte kjo vajzë gjithë natën e zhveshur, mbuluar me një çarçaf fare të hollë! Ta hajë dreqi, a mund të ishte kaq budallaqe kjo vajzë e bukur. Ajo nuk duhej të qëndronte kurrsesi kështu e zhveshur, për orë të tëra, në një dhomë shumë të ftohtë. Dëshira për të zgjuar ishte shumë më e fortë se gjithçka tjetër, ndaj e shkunda nga shpatullat. Vajza nuk u zgjua!
– Zgjohu,- i thashë zë ulët,- të lutem zgjohu.

Si të ik, si ta lë vetëm të pa zgjuar! Dhoma po përfshihej nga një errësirë e madhe. Më mbërtheu ankthi. Ngrita çarçafin e mbulova, duke e vështruar me frikë dhe me keqardhje vajzën e hijshme. Eca nxitimthi së prapthi. Hapa derën. Dola. Befas u gjenda në duart eshtake të mama dhisë.

– Të zura zuzar, – hungëriti mama dhia dhe më spërkati me pështymë.
– Më zure, – fola i përhumbur.
– Dreq i vogël ishe fshehur në dhomën e të vdekurve hë, kujtoje se do të më shpëtoje.
Trupi m’u drodh si gjeth dhe murmurita me naivitet.
– Aty ishte një vajzë.
– Çfarë!-ia pat mama dhia dhe ia plasi të qeshurit me të madhe: Me të vërtet po rritet një brez i çmendur. Çfarë doje të gjeje zotrote aty, Ufo?

Roja vazhdonte të qeshte me të madhe, gishtërinjtë po dobësonin shtrëngimin prej supeve të mia. U shkëputa me vrull dhe ia krisa vrapit. Mama dhia as që çau kryet për ikjen time, vazhdonte të qeshte pa ndërprerje.

Për të larguar topitjen dhe të papriturën, hipa në murin e lartë të sanatoriumit, kërceva furishëm prej aty, për pak sa nuk ndrydha këmbën. Turravrap në çezmat e reja. Futa duart në ujin e rrjedhshëm, fillova t’i kruaja mbas postafit me furi, fërkova fytyrën, buzët, duke përhapur gjithandej cërka pështyme.

Dreqi ta hajë, murmurisja me vete, pa ndërprerjeje, a ishte e mundur, një vajzë kaq e bukur të ishte e vdekur! Më bëhej sikur mama dhia ishte tallur keqas me mua, sepse sipas arsyetimit tim, vajza ishte aq e paqme dhe e hijshme sa me s’bëhej…

Vonë më ra mendja, e kur pyeta me imtësi. Dhoma e veçuar ishte morgu i spitalit, ku liheshin të sëmurët e vdekur nga turbekulozi. Aq më tepër kjo hollësi nuk kishte si të dihej, mbasi mbi derë ishte shkruar pakujdesshëm në një tabelë fibre “Dhoma e analizave”.
Thellë ndjeva pendesë që isha larë me kruar dhunshëm, nga prekjet dhe puthjet që i pata dhënë asaj krijese lakuriqe. Edhe pse e vdekur ishte mrekulli, një ëndërr. Qenë prekjet dhe puthjet e para. Ndoshta s’ishte e vdekur. Mbase vegim…

Korçë, 1997 – Toronto, 2004