Vështrim për veprën “Sun & Sea (Marina)” fituese e çmimit “Luani i Artë”

0
525
Sun & Sea Marina - Lituania - vepra fituese

si dhe pavionin e Kosovës të prezantuar në Bienale të Venedikut

A munguan fotografitë në Bienale të Venedikut nga Kosova?

Ilir Muharremi

Se arti është filozofi dhe shkencë dhe realizim i kompletuar kjo u dëshmua edhe këtë vit në Bienalen e Venecias me performancën operistike “Sun & Sea (Marina)” të improvizuar në një plazh artificial, në të cilën pushuesit po paralajmërojnë një katastrofë ekologjike, punuar nga artistet Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte dhe Rugile Barzdziukaite. Kurator: Lucia Pietroiusti. Kjo vepër mori edhe çmimin “Luani i Artë” duke eleminuar 89 pavione të tjera në mesin e të cilave ishte edhe Kosova, përfaqësuar nga artisti Alban Muja. Çmimi shkon për një vepër përformuese, aty ku artisti nuk e ka në dorë krejt artin e tij për shembull, pushuesit lëvizin vet në plazh në pozita të ndryshme, duke u rrëzitur të veshur me fanela, të shtrirë, disa lexojnë edhe libra, janë edhe të ngrirë, nuk lëvizin fare, të tjerët lozin me rërën, muzika është shumë prekëse dhe nuk ke nevojë ta kuptosh gjuhën.

Artisti bashkë me përformuesit është një hap paraprak dhe na bind se bota mund të konsiderohet si një vepër arti e cila gjeneron veten. Shumica prej pushuesve kanë edhe telefona mobil pranë. Shihet një biçikletë e rrëzuar derisa lëvizjet e pushuesve janë të shpejta sikur të programuara apo të udhëzuara nga regjisori. Loja, kjo është e dobishme ata edhe këndojnë dhe vërehen që janë të ngarkuar me forcë dhe gjendje shpirtërore, forca është e natyrës, e realtetit dhe vet realiteti bëhet mbret i shpirtit dhe i imazhit. Vet realiteti është më i fortë se arti, mirëpo i detyruar nga vizioni dhe te njerëzit çlironë forca artistike.

Kjo vepër shikohet nga lartë, dielli depërton mbi kostumet e ndritshme, fytyrat e njerëzve dhe të fëmijëve të buzëqeshur të cilët shohin një furgon akullorësh në distancë, ata harrojnë çdo katastrofë. Muzika mundohet të shfaq një ritëm të detit qetësues, pastaj qeset e rrudhosura rrotullohen në ajër nga fryma e lehtë, ato bëhen të lundrueshme. Vërehet një kandil deti, thellë në ujë. Dëgjohet edhe vullkani, avion, krejt kjo shoqërohet nga kënga si kor i përditshem, shqetësues që shfaqë mërzinë. Poshtë këmbëve të këtyre njerëzve dëgjohet një kërcitje e ngadaltë e tokës, gulçim, tenton të na shfaq një apokalips.

Vepra ngritë pyetje filozofike të botës dhe vërehet se toka jeton nga vetvetja, mbeturinat e saja i përdorë si ushqim. Filozofia bëhet më e thellë se arti dhe vepra sepse vë në diksutim konceptin e krijimit për të cilin filozofi Friedrich Nietzsche e quan krejtëisht të papërcaktuar, të parealizueshëm. Realizmi i veprës tejkalon edhe temen. Ulërima e ndrydhur poetizohet si një aht shpirti, ose në një lot, në një psherëtimë malli. Zëri i njeriut, tonet e tij e shfaqin botën si heshtane, të madhe e cila mund ta bëj kufomë shumë shpejt këdo. Ca përformojnë të vetmuar janë shumë të qetë dhe nuk e dinë se çka po i pret.

A ka bota fund dhe krizë ekologjike? Vërtetë kjo vepër tregon mrekullinë e saj të forcës e vendos atë në pasqyrën e saj. Vërehet se bota është një mrekulli force, fillimi i mungon, atëherë edhe fundi nuk i dihet, forma dhe madhësia e saj, po dhe shkaqet apo pasojat. A harxhohet bota? Përgjigja e Nietzsches është jo, vetëm shndërrohet. Pa humbje, pa harxhime, nuk rritet, atëherë ky filozof na dërgon në asgjë sepse rrotullohet rreth kësaj arsye dhe këtu ky filozof na e vendos kufirin.

Vepra shpreh katastrofën ekologjike, që është gjigande dhe kërcënon seriozisht jetën e planetit. Pjesa më e madhe e “shkencëtarëve” (post)modernë, në njëmendësi me politikanët profesionistë, dhe kryesisht me të “djathtën” konservatore në Amerikë dhe Britani, gjithashtu dhe me europeistët , ndotësit më të mëdhenj të planetit, ngaqë ndajnë interesa fitimprurëse me industrinë e energjisë (naftë etj.) dhe me sistemin që është krijuar në modernitet, refuzojnë arsyetimin se ndryshimi i klimës në planet është shkaktuar nga industria –për mos të përmendur këtu, se industria, siç ajo shprehet, dhe jo vetëm ajo, është shkaktuar nga kuadri modern institucional, mbulojnë shkaqet e vërtetë të katastrofës ekologjike.

Kriza ekologjike fillon me nënvlerësimin e cilësisë së jetës njerëzore, e cila realizohet në bashkërendim me natyrën. Pra komunikimi është i drejtpërdrejt dhe arti bëhet shumë i vlefshëm. Katastrofa mbi jetën e deteve, lumenjëve dhe oqeaneve është më e madhe dhe ajo ka filluar që në vitet 1800 kur, me ngritjen e pushtetit të ri të shtetit modern, ideologjisë së rritjes ekonomike dhe teknologjisë, njerëzit filluan të shkatërronin balenat për vajin që ofronin. Andaj, arti arrin të bashkëpunoj me shkencën dhe kjo ngritë shumë pyetje dhe përgjigje dhe vepra bëhet shumë më e thellë. Përgjia është njeriu shkatërron botën e jo bota njeriun, por prapë njeriu është mbeturinë ose qese siç përshkruhet në këtë vepër. A mund të shkatërrohet bota nga njeriu dhe kriza ekologjika a vjen si shkak i kësaj?

Bota ka lojë forcash dhe valë forcash, vetë grumbullohet dhe vet zvogëlohet, forca e saj është rrjedhëse, lëvizëse brenda vetes dhe dikund duhet të plasë kjo. Nietzsche e arsyeton me shndërrim. “Rrjedhëse në përjetësi në drejtim prapa, një botë që ka vite të panumërt kthimi, tallaz i pavdekshëm i formave të saj”, shkruan ai. Krejt kjo në kthim, nga bollëku po kthehet të më e thjeshta e arti si duket po na e shfaq këtë dhe vepra fituese vertetë meriton duartrokitje. Vërehet një investim i arsyeshëm i kësaj vepre si nga ana teknike rëra dhe reukuizitat tjera, vepra vërtetë është e veçantë. Ka një organizim të jazakonshem të aktorëve, është teatër dhe depërton thellë te shikuesi. Bëhet fjalë për artin bashkëkohor dhe kjo vepër është më meritorja.

Përse munguan fotografitë kur u kërkuan nga populli a është dështim i konceptit?

Kosova u prezantua me artistin Alban Muja aty ishin prezent ministri i kulturës Kujtim Gashi si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Vincent Honoré, i cili është drejtor i Ekspozitave dhe Programeve në MoCo Montpellier Contemporain, është zgjedhur si kurator i pavijonit të Kosovës, bashkë me Anya Harrison, e të njëjtit institut, si asistente kuratore, ndërsa ekipi kryesor kompletohet nga komisionerja Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në fakt Agani i propozon ministrit të kulturës Kujtim Gashit artisin Muja për ta përfaqësuar Kosovën në Bienal e që nuk kishte konkurs publikë për përzgjedhje të veprës.

Me 3 prill në faqen e Facebook bëhet një kërkesë publike në kuadër të konceptit të veprës së Mujës që populli t’i dërgoj fotografitë familjare të shkrepura gjatë kohës së luftës të viteve 1998-99. Ja postimi origjinal:“Bashkëqytetarë të nderuar, artisti i mirënjohur Alban Muja, sivjet përfaqson Kosovën Bienalen e Venedikut, ngjarjen më të madhe në fushën e artit bashkëkohor. Projekti i tij multimedial i quajtur “Albumi Familjar”, flet për të kaluarën tonë gjatë luftës, e cila ndodhi pikërisht 20 vjet më parë.

Ju ftojmë që të bëheni pjesë e projektit duke na dërguar fotografitë tuaja familjare, të bëra gjatë periudhës së luftës, viteve 1998/1999.
Fotografitë duhet të jenë familjare, jo profesionale, me pamje të ndryshme të përditshmërisë suaj gjatë kësaj kohe. Ato mund t’i dërgoni në emailin tonë:
[email protected] ose në faqen në FB: https://www.facebook.com/kosovopavilion58/notifications/ Ju falemnderit!”. Si duket fotografitë munguan dhe nuk u shfaqen, madje në faqen kryesore “Kosovo Pavilion / 58th Venice Biennale 2019 / Alban Muja”, nuk ka asnjë foto të ndonjë individi të dërguar gjatë 1998-99. Në “Koha Ditore” shkruan se artisti Muja u prezantua me tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim individual i artistit Muja. “May you live in interesting time” (Të rroni në kohë interesante). Më shumë mund të flitet për videointsalacionin e Mujës i cili u shafq atë ditë. E sa i përket fotografive më shumë dominuan ato “Selfie” të ekipit kosovar se sa të refugjatëve nga lufta e fundit. A krejt qenkan tri fotografi të dy milion kosovarëve gjatë ekzodit dhe gafa më e madhe është “ti dërgojnë”. Është dashur që artisti të hulumtoj të shkoj nëpër rajonet më të prekura sepse ka me qindra fotografi, të shfaqen edhe ato të pa shfaqura. Po harroj se ne kemi dëshira të na sjellin në tavolinë, e kjo askund nuk ndodh. Ka mundur të bashkëpunoj me njerezit të cilët kanë qenë të izoluar në luftë e që kanë foto familjare.

Sipas deklaratave të artistit Muja u shfaq fotoja tashmë e njohur për krejt botën dhe që ka bërë xhiro qysh nga koha e luftës ajo e asaj nëne të raskapitur në rreshtin e refugjatëve, në një kohë dimri me borë e cila mbanë foshnjen e saj gjashtë muajshe, të mbuluar me mbulesën e saj të bardhë, derisa vështrimi i saj tenton ta tejkaloj çdo dhimbje dhe vuatje, dhe ajo mbanë qëndrimin drejt kufirit maqedon. Kjo skenë e zymtë dhe e dhimbshme më herët u bë çështje force dhe revoltë dhe kjo fotografi aq sa është e fortë dokumentare është edhe artistike dhe në vete ruan fuqinë. Ndërsa, arti duhet t’i nënshtrohet edhe imagjinatës dhe për t’ia përshtatur shijen edhe publikut.

Tjetra fotografi shihet një burrë i cili qanë teksa mbanë dy fotografi të letërnjoftimeve të fëmijëve të tij i cili i kërkon ata, ai mbanë një shpresë se do t’i gjej, sytë i mbushën më shumë me lot teksa mendon se i ka humbur përjetësisht.

Edhe fotografia tjetër është vetëm një ripërsëritje. Një djalë i vogël i ngritur lartë nga familjarët e tij për ta kaluar rrethojën me gjemba. Këto foto a u shfaqen apo vetëm u shpjeguan ose u fol për to. Si duket koncepti për fotografitë ka dështuar.

Ndrësa, në videointslalcion shihet një eksplorim për kujtesën kolektive, shtrohet edhe pyetja për imazhet dhe mediat të cilat ndikojnë në ndërtimin e rrëfimeve, identiteti historik, veçanërisht në kohën e luftës. Ata fëmijë tashmë janë rritur dhe si e shohin ata këtë tragjedi historike. Më shumë puna e Mujës është inspirim nga albumi i tij familjar se sa fotografitë kolektive. Idea më shumë është e një gazetarie ose tëndencë e seleksionuesit të fotografive se sa fotoreporterit të luftës. Sa i përket këndvështrimit njerëzor i cili tentohet të jepet përmes refugjatëve, kjo tashmë është arritur nga shumë profesorë dhe artist sidomos libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” i profesorit Nustret Pllana i cili tejkalon këtë problematik dhe për mendimin tim më mirë do të ishte të shfaqjet një album më ekstrem i cili tregon viktimat e shfrenimeve serbe, njerëzit e masakruar, të djegur, të prerë, të përvëluar e të zhdukur nga terrori serb, të shënuar me emra e mbiemra, të dhënë edhe me fotografi e dëshmi të tjera janë bërë të pavdekshëm jo vetëm për familjarët e farefisin, por edhe për gjithë kombin si dhe në përmasa evropiane e botërore.

Arsyeja përse Muja e krijoj “Family Album” ishte në 1999, me çrast ish kryeministri i Spanjës, José María Aznar, e vizitoi kampin e refugjatëve Hamallaj afër Durrësit, ku Muja dhe familja e tij sapo ishin ribashkuar. Fotografia personale e artistit, nixti një bisedë që çoi deri te krijimi. Andaj, ky projekt sipas deklaratave të Mujës ishte që të shfaqen edhe situatat më të vështira të të tjerëve, të cilët erdhen vetëm në tri fotografi (të pa shfaqura) .“Po bëja hulumtime për disa prej këtyre fotografive dhe idea ishte të xhiroja video por jo me njerëzit e moshuar në këto fotografi, por me fëmijët, të cilët nuk e mbajnë në mend domosdoshmërisht çfarë kishte ndodhur. Kujtimet që ata i kanë ndërtuar, i kanë krijuar nga informatat që i kanë marrë nga familjarët e tyre.” Nga deklaratat e Mujës ishin përzgjedhur vetëm tri fotografi: “Pasi vendosëm të shkojmë me tri fotografitë e zgjedhura, i kontaktuam katër karakterët që do t’i intervistonim në video. Janë një vëlla e një motër nga Mitrovica, Besimi dhe Jehona. Fillimisht i takova ata dhe babain e tyre, burrin në fotografi që i ka në dorë fotografitë e fëmijëve të tij. Më pas, shkova në Prizren dhe u takova me Agimin djalin që e ngritën matanë rrethojave në kampin e refugjatëve në Kukës, dhe shkova në Kaçanik ku e takova Besën foshnjen që po i jepte gji nëna e saj gjatë rrugëtimit për në kufi dhe familjen e saj.”

Në portale shkruan se Ueb-faqja “Artsty” e ka vlerësuar Kosovën në mesin e 10 më të mirëve të Bienales së sivjetme të Venecias. Kjo ishte për tu gëzuar dhe vërtetë një lajm shumë i mirë, mirëpo, kjo faqe nuk e ka renditur si vepër të mirë veprën fituese të Lituanisë. Atëherë çfarë mund të themi për këtë? Sa janë të sakta vlersimet nga kjo faqe, mbetet të diskutohet. E hulumtova në saktësi këtë ueb-faqe dhe më shumë është për shitje të punimeve se sa për vlerësime, duket sikur gjirafa.com.

Tjetra, një artikull nga Philip Kennicott, kritik i artit i cili boton një artikull në “The Ëashington post”, për Kosovën shkruan vetëm tre rreshta derisa për të tjerët më shumë. Për Pavionin tonë thotë se është shtrirë në një hapësirë të thjeshtë përmes videoinstalacionet, madje as ky kritik nuk i përmend fotografitë të cilat është dashur të shfaqen, por e tregon të vërtetën me atë se çfarë është prezantuar.

Më 2013 Kosova u përfaqësua me artistin Petrit Halilaj, i cili kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Halilaj kishte ndërtuar një fole me thupra të eksportuara nga Kosova. Kësisoj, ai vizitorëve ua krijonte ndjenjën e izolimit.

E më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër).

Në vitin 2017 artisti Sislej Xhafa u prezantua në Bienalen e Venecias me një ekspozitë të fuqishme që ngërthente fuqinë, shkatërrimin dhe vuajtjen që e ka kaluar Kosova gjatë luftës së fundit. A u dallua Xhafa? Natyrisht dhe gjithmonë është provokativ dhe ngritë problemet politike dhe historike të një vendi. “Lost and Found” titullohej vepra e tij që trajtonte luftën dhe dhunën dhe njerëzit e zhdukur në luftën e fundit të cilët edhe sot mungojnë. Këtë dhimbje e vuan gjithë kosova dhe Xhafa e nënvizoj përmes zërit të tij protestues me kërkim të drejtësisë duke e treguar se artit i takon ta trajtojë këtë temë.

Ai kërkon paqen këtu sepse donë ta zgjidh problemin ( në kërkim të zbardhjes për njerëzit e zhdukur) ende e dëgoj atë zërin e Xhafës “Ndaluni!” Vuajtja e këtyre njerëzve duhet të pushojë. Ujrat e epifanisë dhe pagëzimit duhet t’i japin shqiptarëve të stërmunduar paqen, gëzimin dhe lumturinë e munguar.
Këtë vit çmimi tjetër i madh i shkoi për pjesëmarrësin Arthur Jafa, regjisor amerikan. Filmi i tij ishte 50 minutësh në të cilin dominonte epërsia e njerëzve të bardhë. Në vitin 2017, fitues ishte pavioni gjerman, për “Haustin” e kërcënimit të Anne Imhof.

* Autori i tekstit është kritik i artit