Zymer Mehani
Pndërit, kur ishim të vegjël, na patën mësuar se shokun duhet ta ruajmë, sepse ai është një njeri, me të cilin jemi lidhur me miqësi gjatë jetës, në një punë a në një veprimtari të përbashkët ose në luftë për një çështje të përbashkët; njeri me të cilin kemi pikëpamje, mendime e interesa të përbashkëta, kemi moshë pak a shumë të afërt dhe shkojmë mirë njëri me tjetrin.
Po ashtu dhe në shkollë mësuam se shoku i mirë, i vërtetë, i rrallë, është shok i ngushtë dhe i pandarë. Atë e kemi shok që nga fëmijëria (vegjëlia). E kemi edhe shok shkolle (klase, banke). Por mbi të gjitha, e kemi dhe e quajmë shok të zemrës.
Gjatë jetës fitojmë edhe shoqen e jetës (bashkëshorten) apo shokun e jetës (bashkëshortin), varësisht nga gjinia, së cilës i takojmë. Por, na ndodh që të kemi edhe shok lufte, shok armësh, bashkëluftëtar për një çështje të përbashkët revolucionare e patriotike… Po ashtu mund të kemi edhe shokë vuajtjesh (mjerimi). Prandaj, meqë është kështu, duhet ta kuptojmë se atij që i thërret shok, i ke thirrur vëlla, sepse ai është i ngjashëm me ty nga aftësia a nga zotësia për një punë ose nga një veti e karakterit, nga një virtyt yti etj.
Është e njohur thënia “Vëllezër jemi, shokë s’jemi”. Ne mund të jemi vëllezër a të kemi lidhje gjaku të afërta me të tjerët, por mund të kemi tipare, veti, interesa, pikëpamje e synime të ndryshme dhe të mos shkojmë mirë njëri me tjetrin. Prandaj ta kujtojmë edhe urtinë tjetër, që na mëson: “Shtëpinë shite, shokun mbaje”! etj. etj. Nga e tërë kjo, mësojmë se për shokun e vërtetë mos kurse asgjë, sepse miqësia e vërtetë s’ka të paguar. E miqësia e interest është miqësia e djallit a dreqit. Kush i bën varrin shokut, bie vetë brenda tij.