Faruk Myrtaj
Shërbesa e mëveçme për ta përmendur njeriun, pse jo edhe kombin, si qenie me mision, në një prozë të tillë si romani “Gjin Bardhela i arbresh, Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës, ofrohet si kujtesë, si shpërgjumje, kujtimore dhe ringjallje përmes së bukurës. Këtë rilindje, autori e shëmbëllen madhërisht si “lindja e parë e gruas”. Lindja e Parë e Gruas…!
Kur sapo e lexojmë këtë sentencë, këtë urtimë fjale ngjyer me vlagë jete, urdhërohemi ndjesisht të heshtim për pak dhe ta dëgjojmë sërish, edhe një herë së brendshmi: lindja e parë e gruas!
Është njëra nga frazat më tronditëse të romanit, për fat jo aq të rralla në këtë prozë, qartazi të pazakonshme dhe, njëherazi, të stisura, të shtjelluara me përkushtim deri në ind poetik. Dihet se poetika është thelbi i gjërave. Nëse e vazhdojmë edhe më tej, perifrazimin, “vetëm mbasi prek disa herë pjesët e trupit…”, pas përgjumjes së gjatë në merak mos jemi shndërruar në diçka të huaj, ndjejmë e pranojmë – që pastaj të bindemi- se ende i takojmë botës tjetër…
“Bota Tjetër”, në këtë prozë poetike intuitive – më shu-më se imagjinare- përshtypje që duhet përsëritur si mirënjohje lexuesi- pra njëherazi e pa pushim reale, përfy-tyrohet e ndarë në dysh: në brigje kapërcyer deti. Të një deti që rrëfyesi merr përsipër dhe ia del ta hyjnizojë për ç’ka ndodhur që s’mund të mos ndodhë sërish. Tërë atë përmasë të ujtë midis, distancë ujore kapërcyer si në ëndërr të rreptë, në përpjekje të pafundme shprese dhe mos-tëhuajësimi, Anton Nikë Berisha e shenjtëron duke e quajtur jo “deti” por “dejti”. Gati-gati si për një qenie të mbinatyrshme, përderisa përmes masës së ujtë mund të preket ndjesisht mëmëdheu andej, matanë, që sërish njëherazi e ke marrë pashmang-shëm me vete…
E Shkuara dhe e Ardhmja, kurrë nuk braktisen (dot), jeta vazhdon kudo ku Atdheu mbetet e ruhet ndërmend, ndër fjalë, emra, emërtime, valle, mite, dhe para së gjithash në sy të dashurisë të udhës për ku shkon ajo, jeta…
Është në çdo germë shqipja, ndonëse nuk është thjesht shqipja, puro-shqipja, s’është e vetme vetëm gjuha, sado që përderisa bëhet fjalë për letërsi si ekzistencë të tillë, individuale për t’u përjetuar si kombiare, kjo është shumë…
Nuk dimë a kemi edhe më tej shkrimtarë të mjaftë të nderojnë si gjuhë- shqipen…
Ti, mik i bukur lexuesi të joshur, e ke dhe e përcjellë ndjesinë më të thellë të krenarisë legjitime për të qenë, për ta pohuar dhe për ta bërtitur heshtazi, natyrisht, me zë të ulët krejt si puls zemre, qenien arbër…Oh sa e moshuar tingëllon kjo qenie në të shkruarën tënde…
Do gëzohesha nëse e paskam kapur në ajri ndonjë shenjë, u bënë kohë prej kur s’kisha folur fare, tërë këto vite kur, meqë më dhuruan të bëja lexuesin, më saktë kënduesin e këtyre faqeve proze krye-kreje poetike, thashë PO, dhe ndjeva se trazova ca ujëra, trazova veten… hyra në lezetet e fjalëve me ligje, siç shprehesh Ti, duke u lutur në pa-fja-lë, malluar që ndarja të mos ndodhte, së paku të mos shpej-tojë… Sërish u shpreha, le të më falet nëse bëj ndonjë shaka vrikthi, teksa shprehem, nuk lexoj më libra të kohës, nuk lexoj libra të pas kongresit të drejtshkrimit, që të mos e shpallë kutin se nuk lexohen njëllojshëm librat botuar pas shkruarjes nën ’44-ën!
Oh, sa i hershëm duket libri që sa-lexova, kaq i sigurt ndjehem, do të jetë nga të rrallët libra që do lexohen si po aq të rinj edhe postmodern edhe pas dyqind vjetësh të tjerë…
Sikur të mund ta provoja, ta ilustroja, këtë ndjesi përgjatë leximit, do më duhej të citoja shumë tekst, në të vërtetë do rrëfeja në vargje të argjendtë udhën e arbrit gjatë shekujsh, me dridhje të pafshehshme buzësh njomur lotësh, historia shndërruar në mite të cilëve me se s’bën u mbetet një gji a një krahë jashtë meitit të kohës së pavarrosur dot pikërisht për shkak të arkivimit si mite dhe rimarrjes së tyre në letërsi të tillë… E tëra e rrëfyer vetëm shqip, shqipen tonë, e para dhe e tëra që s’mund të mos e marrësh me vete, përderisa je vënë në udhë ikjeje…
“Njeriu dy herë vishet më bukur në jetë: kur martohet dhe kur vdes”, shkruan autori, teksa duke lexuar më tej mund të pyesësh thirr-a-vajshëm nëse e ka po këtë kuptim, të vishesh kësisoj, kur je vënë në udhë për të ikur…përderisa “në varrin e secilit hedhim dhé nga dheu i atdheut” a thua sikur ashtu e mbjellim kudo ku jemi?
Djegia e pyllit për ta shndërruar në tokë jete, rimarrja ngjethëse e Valles së Vajzave të Sulit që i lëshohen greminës që të mos bien në duart e të Huajit, pandehma e tjetërfartë e Rozafës gjer edhe si patria-komplot, ftesa e ajërt që i bëhet heroit, Gjin Bardhela i arbresh, për në Vallen e Vashave dhe ndërprerja për pak e shkuarjes nga dëgjohet rrahja e dheut nën ritmin e tyre, nga mësuesja si e gdhendur në shkëmb (për të shpëtuar prej syrit të ligë të një magjie –se, çuditërisht magjistare dihet një ish-mësuese) dhe, më në fund, si premtim shtuarje jete, një dashuri edhe fizike, në pink të bekuar – po aq e beftë për këtë stil sqimatar rrëfimi- e shndërrojnë prozën në kumt…jete.
Përderisa “…heshtja është hapi i parë, që pjell vdekjen. Me rrjetin e saj të mugët ajo i bën vend territ, i cili kapet, pastaj, nëpër trup si jargë e përgjumur kërmilli ose bie si pingërrimë e plagosur shiu. Nëpër fijet e kësaj errësire tfillet vdekja si hije lakuriqi tinëzar… -“ atëherë duhet folur, duhet ngritur zëri, duhet qenë gjallë, përmes dashurisë dhe fjalës, që shfaqen në një trup në virtytin e Poetit…
Anton Nikë Berisha nuk u druhet ringjalljes në roman edhe të emrave të poetëve të bekuar, por edhe miteve më të njohur: I ringjall, si prej një etjeje të gurëzuar. Besohet fare kollajshëm: vetëm për shkak të shqipes dhe vetëm përmes shqipes…
Ngaqë vetëm kështu shpirti është e do të mbetet gjithmonë “me shpirtra të tjerë…”, mund të shpresohet. Po, a vërtet mund të mbetemi thjesht tek thënia se Shpresa vdes e fundit?!
“…Unë shkruaj, po Tanët lexojnë pak, fare pak…Ata bëjnë punët e veta të mbijetesës…Mendojnë se mund të mbijetojmë vetëm me kulturë gojore!?” bëhet se dëgjojmë fjalët e Poetit.
Kulturë gojore është edhe letërsia shërbëtore, edhe kultura e mendje-mbylljes, edhe domosdoja e Njëshave të përgjithnjëshëm…
“Po gjindja? Çka bëjnë gjindja në rresht? – Presin të marrin e të pinë qumështin shërues…qumështin që rrjedh nga gjiri i nuses së murosur…” Dhimbja që pikon prej bala-dave. Baladave të pakujdesura, në mos të lexuara në të kun-dërtën e domethënies së vërtetë. Siç ndodhi edhe me vakjen e vobektësimin e Gjuhës, me mpakjen dhe rrëgjimin e Saj…
Aq më rreptë, kur “…rojat dhe eprorët e burgut janë të gjakut e të gjuhës… Pse vallë sillen kështu?!”
“- Poeti i madh, kudo, lë gjurmët e shpirtit të vet. Pa art jeta është një hiç – thotë Gjini teksa kujtoi mendimin e poetit se kultivimi i së bukurës është kërkesa më e lartë e çdo vepre të artit. Edukimi i shpirtit me të bukurën është punë e lodhshme dhe e gjatë sa dhe vetë jeta. – Kjo rrasë pergamenë e dëshmon këtë – pëshpëriti më vete dhe pa nënshkrimin, lexohej qartazi: Poeti i Darenjve.”
Lexues, je gati të shquash në kopërtinë të këtij libri pikërisht nënshkrimin: Poeti i Radenjve!
“- O Zot, ç’është ky shpërndërrim i historisë me ëndrrën dhe i ëndrrës me historinë?! – bëri Gjini i habitur nga ajo që i ndodhte. – Mbase janë gjërat që një herë shndërrohen në mit e pastaj rilindin në ëndrra kurdo që njeriu ndien nevojë për to? Ose është e kundërta: ëndrrat i rilindin dukuritë e ngjarjet që shndërrohet në mite e pastaj ato kthehen përsëri në ëndrra për t’u prehur në to kur lodhen nga pesha e ditëve dhe e moteve?”
Në prani të kësaj gjuhe, ia vlen të mbyllësh gojën, edhe sytë, dhe të bëhesh i tëri vesh…
Prill, 2019
Shënim: Anton Nikë Berishës, Gjin Bardhela i arbëresh, etja e gurëzuar. Roman. “Faik Konica”, Prishtinë 2002.