TREGIME TE PJEKURA NE DIELLIN E ZEMRES

0
562

FASLLI HALITI

ESE

Në euromaksin e letërsisë shqipe, përmbledhja me tregime Rruga e Dibrës ose Broadway, e shkrimtarit Konstandin Dhamo, përbën pavijonin narrativ më me jetë, e jo vetëm më me jetë, por më me jetë shqiptare; me personazhe e mjedise shqiptare të djeshme e prezente, me ide dhe filozofi të kohës. Personazhet, edhe pse asnjerin nuk e shohim me qeleshe në kokë, apo të veshur me gunë e me paraqitje të tjera etnografike, të gjithë kanë karakter, temperament dhe integritet shqiptar, por edhe tipik ballkanik dhe europian. Shkrimtari përqëndrohet te shpirti dhe jo tek etnografia apo te dekori, aparenca e këtij apo atij personazhi.

Lexuesi këtë e vë re menjëherë, sapo nis te lexojë faqet e para të përmbledhjes së tij dhe e ndjek autorin gjatë rrëfimit timgullor, ritmik e koloristik, e dëgjon, bisedon e dialogon me të. Dhamo tregon por nuk përpiqet të ndikojë me dhunë në veprimet, bëmat, mendimet, shijet, bindjet e personazheve apo të lexuesit; nuk imponon lexuesin që të pranojë idetë, shijet, bindjet, qëndrimet e veta ndaj botës e jetës. Ai e lë të lirë lexuesin që të ndalet atje ku i pëlqen,të dëgjojë ato që i duken më domethënëse e kumbuese, të aprovojë e të disaprovojë, të kalojë me indiferentizëm zonat që atij i duken me më pak interes.

Dhamo gjithçka e jep reale, natyrshëm. Ai nuk ndreq me artin e tij, por emancipon, iluminon, të ndriçon rrugën, nuk të pajis me këmbë. Tregimet ai nuk i ka çekanë që ngulin apo drejtojnë gozhdë të shtrembëruara, apo bisturi për të operuar zemrën apo trurin e njerëzve.Me narracionin e tij, ai bën që zemra të rrahë më gëzueshëm apo më revoltueshëm dhe truri të rrisë gjykimin dhe arsyetimin në maksimum. Pothuaj në gjithë tregimet e librit shihet menjëherë sensi i plotë , konkret material i fjalës.

Nuk e ka fare shijen e të ashtuquajturës frazë e bukur, edhe pse frazën ai e ndërton me fjalë të zgjedhura, të paezauruara, të gjalla, gjithë estetikë, me qëllimin e vetëm që të jepet e plotë dhe e bukur e vërteta, e shoqëruar kjo me hedonistikë, me sens. Optika e personazheve dhe e narratorit protagonist është e qartë, e kulluar, me kapacitet intelektual. Tregimet mund t’i marrësh si të thjeshtë, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një thjeshtësi të pasur e të thellë. Ndodh pak a shumë si me ujin e kulluar të liqenit që ta afron fundin duke të krijuar një optikë iluzore, për thellësinë apo cektësinë.

Dhamo ka një stil e teknikë kompozicionale shumë origjinale në tregimet e tij. Ky origjinalitet vjen, sepse autori komunikon drejtpërdrejt me jetën, me realitetin, duke qenë përherë i vëmendshëm dhe i përqëndruar në maksimum. Ai është si ai magneti që s’lë pa thithur asgjë metalike. Tregon për të tjerët dhe për veten. Zbulon virtytet dhe dobësitë e vetes dhe të tjerëve, pa asnjë lloj mëshire dhe kompromisi…

Gati, në tregimet e librit nuk gjen pothuaj, përdorimin e asnjë flash – back, mjet ky i forcës dhe kompozicionit që përdoret zakonisht në filma, romane, novela e tregime. Kjo bën që rrjedha e tregimit të mos bëjë indietro, por të rrjedhë siç rrjedh burimi, mes gjetheve të vjeshtës e mes blerimit pranveror. Autori ka për zemër Paustovskin, Çehovin, Bukovskin, Mopasanin, Heminguejin, por kur ulet të shkruajë, ai ka shok vetëm veten.

Tregimet janë jo vetëm polivalentë, por edhe polifonikë.
Shkrimtari ka disa fije në dorën krijuese, dhe me to thurr e modelon tregime gjithë kolor, dinamikë dhe përfytyrime të pastra qytetare edhe kur ato vijnë nga bota rurale.

Tregimet e Dhamos nuk janë të homogjenizuara, ato krijohen e zhvillohen nën diellin e zemrës dhe seliten nën një kujdes tepër racional. Kjo i bën të kërkuar tregimet e tij midis morisë së tregimeve të modifikuara, të homogjenizuara që qarkullojnë në tregun libror; regimet flasin shqip, kundërmojnë erë bliri, kanë fërfërimën e plepave, shelgjeve të peisazheve tona plot fole zogjsh, kanë vrullin e lumejve tanë, nervin dhe bonsensin shqiptar.Janë tregime alerte.Në to has të parin realizmin lakuriq e të ashpër, por aty këtu edhe hiperrealizmin , morinë e detajeve si sytha me lulen dhe frytin në gojën e fjalës. Por këto detaje dhe imtësi, ruajnë masën që të mos mbyten e të mos konkurrohen dhe eklipsohen personazhet prej këtyre imtësive dhe detajeve.

Personazhet merren kryesisht nga jeta, ose nëpërmjet ngjarjeve që ndodhin e tregohen.Këto personazhe të krijuar me thjeshtësi, me sintagma dhe fraza të gjalla, të ngjyrosura me fjalë dhe lokucione narrative, të godasin në shpirt në mënyrë të beftë, sa ti ke dëshirë të rrish e të kolovitesh mes tyre. Personazhet janë të individualizuara në kulm, janë pesonazhe të tillë si Vinçierja banale dhe delikate sipas mjedisit, Meri, librarja e bukur, që bën një martesë surprizë dhe të beftë, Silvi, poetesha apokrife;

Semi që më në fund martohet pas një operimi të rëndë, Aksinja që harbontërbon në çdo muaj prill grunjave të kooperativës me gazetarin e internuar, Fatma lubia, lakmuesja e lavdisë letrare, Ed Fregeni i dashuruar, që pranon se s’ishte dhe aq e rëndë ndarja ; doktor Kondi, me ndergjegje dhe përgjegjshmëri të lartë profesionale, i gjendur e human; Sara, bestsellerja që shkruan romane si Daniel Still, për lavdi dhe para dhe përkrahet nga disa filistinë, por mbi të gjithë spikat Shefi i Shtabit, edhe pse ushtarak, tolerant dhe pa korniza të disiplinës së bezdisshme ushtarake.

Marinari poet, që gëzimi i botimit të librit të parë iu kthye në kob dhe, e degdisi në ishullin e Sazanit, duke iu kthyer në një dramë fatale, Muratori që u ngrit në detyrë, gjer në majën e piramidës së artit, i shastisur nga lartësimi i papërballueshëm, marramendës duke harruar të ecë, përfundon në rrotat e një makine, pranë monumentit të Partizanit të Panjohur; Gëzim Gjergji, lakmues i protagonizmit; Leifenist, autori teknologjisë Leifeniste të heroizimit; Dramaturgu që i traskuruar nga shteti dhe bosët vendos të botojë dramat me lekët e hequra mënjanë për varrimin e tij, duke menduar se pas botomit të dramave do të bëhej i pavdekshëm.

Disa nga personazhet përdorin fjalë banale, por që nuk tingëllojnë të tilla brenda kontekstit, gjendjes së krijuar në çastin e përdorimit të tyre.Madje disa nga banalitetet tingëllojnë të pranueshme si kur përdoren brenda kontekstit , si dhe kur përdoren jashtë tij, më vete… lexuesi i pranon sit ë natyrëshme shprehjet: Taksisti kishte vënë një kasetë me recitimin e poemës Kallashi. Autori i poemës dhe shoku i tij në taksi, pasi dëgjojnë recitimin e saj, e pyesin taksistin: po si e ka emrin autori e di, ? “ E kush ia qiu t’ëmën “Këtu shprehja nuk tingëllon aspak banale, sepse thuhet natyrshëm, pa të keq. Po kështu shprehjet e hetuesit “Të dhjefsha librin ! Tani shporu ! Tani t’u fry ty të paraqitesh ? Edhe këto shprehje duke u thënë natyrshëm, në nervozizëm e sipër, nuk tingëllojnë banale por prepotente.

Tjetër është kur disa krijues i mbushin tregimet apo poezitë e tyre gjithë fjalë banale, për t’u treguar të kohës e modernë. Ata janë jo vetëm të panatyrshëm në përdorimin e banaliteteve, por edhe imitues të rëndomtë të autorëve me emër.

Dhamo nuk ka vetëm temperamentin e revoltuesit, protestuesit, por edhe të një vëzhguesi jo skeptik e të qetë me natyrë të thellë e të gjerë njerëzore… Autori nuk e përsërit, por e pasuron veten nga tregimi në tregim me prurje të reja. Edhe kalimi i ndonjë motivi nga poezia në tregim, tregon se ai nuk i ndahet poezisë, edhe kur shkruan tregime.

Karakteristikë e dukshme në të gjithë librin dhe krijimtarinë e Dhamos, është prania e peizazhit. Peizazhi vendoset kudo, në hapësirat e tregimit, ose në fillim ose në mes ose në fund si konkluzion qetësues apo sinjifikativ. Kjo prani e peizazhit nuk është manieriste apo romantizante, ajo buron natyrshëm nga shpirti ekologjist i shkrimtarit. Edhe në jetën e përditshme Konstandin Dhamo, ndalet dhe sodit mahnitshëm një copë blerim, një radhë me plepa kavakë, rrape buzë rrugës, trotuarit, bulevardit dhe, kënaqet si me leximin e një poezie, tregimi, apo si me dëgjimin e një sonate, sinfonie, por dhe revoltohet kur për të vendosur një tabelë reklamë, apo për të mos i zënë pamjen vitrinës së dyqanit, njerëz të papërgjegjshëm, i presin ose i thajnë pemët. Kjo dashuri për natyrën është në çdo ind të tregimeve dhe s’ka të bëjë me hipokondrinë e autorit. Kjo dashuri për natyrën jepet magjistralisht në tregimet Kumbullat e Kuqe, Ed Fregeni, Pjergulla, Lasgushi, Rrugicë Tiranase, Prilli i një Aksinje etj.

Si edhe në poezinë e tij, shkrimtari dënon e demaskon me intransigjencë imoralitetin politik e dyfytyrësinë ideologjike të atyre që dje ishin të parët në shembjen e kulteve fetare, dhe sot i sheh duke u falur të dielave në kishë apo ditët e xhumave në xhami. Janë të famshëm për këtë tregimet Të dielën në mëngjes, Qoftexhinjtë e Presidentit, Një teknologji heroizimi, et j. Shkrimtari është në anën e ndryshimit, por jo me kthesat pelivaneske, zhongleriane të të pafytyrëve.

Një karakteristikë tjetër është dhe mungesa e emrave në disa tregime, ku në vend të emrit të personazhit, ai përdor një ndajshtim të veçuar për ta bërë më të gjallë , më interesant personazhin ose për ta mbajtur mend më lehtë, autori në vend të emrave thotë: muratori, shefi i shtabit, marinari, dramaturgu, vinçierja, qoftexhinjtë, etj. Ka dhe tregime tabllo, ku s’ka emra, por ka diçka poetike, pak nostalgji për atë që s’është më në rrugicë, në periferi dhe për ndryshimet në peizazh e aty – këtu në natyrë.

Në përmbledhje ka edhe ndonjë tregim si Libri i parë, që premton për roman apo ka staturën e romanit.

Proza e Konstandin Dhamos, sidomos tregimi, nuk duhen kaluar me një lexim vertikal, sa për t’u kontrolluar ose sa për të marrë informacion. Edhe pse krijimtaria e Dhamos, është një krijimtari realiste, realizmin ajo nuk e përcjell varfërisht, por me shtresime të dendura, fine artstike. Proza e tij është e kondensuar, ajo s’të lë t’i kalosh shkel e shko fjalët, pasi çdo fjalë ka funksion kuptimor, estetik, edukues, hedonistik në krejt tekstin. Ka një mendjemadhësi të disave që kanë marrë kot e traskurojnë kolegët, që ose nuk i lexojnë ose hiqen sikur s’i lexojnë dhe, kështu e kanë më të lehtë që të flasin rroma përtoma, gjuhë që e ka tallur prej kohësh Servantesi.

Me Dhamon ndodh si me Paustovskin, që nuk të lë të ecësh më tej, sikur të kapërcesh qoftë edhe një fjalë. Autori dashuron njëherësh idenë dhe fjalën. Duke qenë se është fjala ajo që bën të duket qartë mendimi, ideja, filozofija, autori impenjohet shumë me fjalën. Në libër ka shumë fjalë që përdoren nga ky autor për herë të parë. Këtë autori e bën me guxim, pa merakun se kjo e vështirëson tekstin, kuptimin; përkundrazi, ky është më tepër një pasurim, sesa një vështirësim, kështu që ia vlen barra qiranë që lexuesi të lidhet pak e të ketë durim.

Kolanës së tregimit të zgjedhur shqip, i mungon ky lloj tregimi i pahomogjenizuar, i pjekur në diellin e zemrës dhe jo në zemrën e librave. Këtu kemi të bëjmë me një libër që ka për burim jetën dhe, jo librat të cilët nga ana e tyre, janë një rrëke që e kanë një burim.
Përmbledhja Rruga e Dibrës, e pasuron kolanën e tregimit të zgjedhur shqip. Këtë do ta dëshmojë koha.