TRANDAFILE MOLLA, E SHKURTOI LARGËSINË ME MIQTË KRIJUES…

0
431

Nga e djathta: Çifti T. Molla e R. Baja dhe M. Gecaj…

Reportazh:

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
U bënë disa vjet, qëkur durrsakja Trandafile Molla, me bashkëshortin Ramazan e dy vjazat, u larguan nga vendbanimi i tyre dhe shkuan emigrantë, në qytetin Novara, të Italisë fqinje. Sigurisht, e përjetuan me dhimbje këtë largim të tyre. Por ashtu u krijuan kushtet dhe dëshironin që të gjenin një mundësi të re, për një jetesë më të mirë. Siç është e kuptueshme, u desh të kalonin vështirësi, që të mësoheshin me mjedisin e ri, ku shkuan, si për një banesë të përshtatshme, gjuhën e huaj, punën e shkollimin e fëmijëve. Por, me ngulm e aftësi, arritën t’i kalonin pengesat, që u dolën përpara.

Por, me gjithë kushtet e krijuara në Novara, me mendje e zemër, ata ishin e janë gjithjë në Durrësin bregdetar. Prandaj, kurdo që u krijohen mundësitë, kthehen plot mallëngjim dhe emocione. Aty takojnë familjarë e të afërm të tyre, por dhe kolegë, miq e dashamirë.

Vetë Trandafilja, duke e përjetuar me dhimbje këtë largim nga vendlindja, gjeti qetësi shpirtërore, duke thurur poezi. Këto ndjenja i shprehu aty me thjeshtësi, por në to gjeje përjetimet e saj, nga fëmijëria dhe deri te plagët e emigracionit. Megjithëse me paksa ngurrim, nisi që poezitë e saj t’i bënte të njohura për lexuesit e interesuar. Së pari, publikoi ndonjë poezi prej tyre, në faqet e Internetit. Pastaj i lindi dëshira që t’i tubonte ato në një vëllim të veçantë. Në këtë punë të dobishme, iu gjend pranë miku e dashamiri matjan, publicisti e krijuesi, Hamdi Hysuka.

Pasi ai bëri redaktimin e poezive të zgjdhura nga vetë Trandafilja, librin e dërguan për botim.Ai mban titullin “Atje dua…”(Tiranë,2017). Kështu, ai erdhi jo vetëm në duart e saj, por dhe të lexuesve të tjerë. Ndjeu emocionet e para të tyre, që ia shprehën gojarisht, por dhe me anë të mesazheve, që i dërguan.

Në vazhdim, për lexuesit, Trandafilja përgatiti e botoi librin tjetër poetik, “Mall për gjithësinë” (Tiranë, 2018). Në adresën e saj të Fb-ut i erdhën mjaft kërkesa për miqësi, pasi u njohën me krijimtarinë e saj të bukur. Një ndër ta, isha dhe unë e shpejt u njohëm me jetën dhe krijimtarinë e njëri-tjetrit. Me mirëkuptim, përgatitëm një bisedë modeste, të cilën e publikuam, në faqe të ndryshme të Internetit, me titullin “Trandafile Molla, me mallin për vendlindjen, shoqëruar me disa libra poetikë…”.

2.
Me anë të mesazheve në Fb, Trandafilja na e bëri të ditur, se do të kthehej përsëri, këto ditë, në qytetin e vendlindjes, pra në Durrës. Por dhe shprehu dashamirësinë që, me një grup të vogël krijuesish, të vinte e të takoheshim në afërsi të banesës sime, aty ku ishte stacioni i trenit dhe filllon Bulevardi i Ri i kryeqytetit.

Dhe ja, para 2-3 ditëve, ata mbërritën këtu, në një mëngjes të bukur pranvere. U takuam ngrohtësisht, si të ishim njohur shumë vite më parë, si unë dhe Trandafilja, me Ramazanin. Gjithashtu, ishte kënaqësi që, në këtë “ekip”, ishin edhe miqtë e mi të kahershëm, publicistë e poetë, por dhe me njohje të përbashkët me Trandafilen: Nikolla Spathari, Faik Xhani e Hamdi Hysuka.

Megjithëse tani jam me pak ankesa shëndetësore, çifti i ardhur nga Durrësi e më parë nga Italia, “më rrëmbyen” (ha,ha) edhe mua, me veturën e Xanit. Kështu, ne shkuam e pimë kafen e parë, në lokalin “Migena”, i cili ndodhet në krah të Hotelit “Tirana” të kryeqytetit. Aty erdhi, për të na përshëndetur Sejdo Harka, arsimtar veteran, publicist e studiues.

Bisedat tona, rreth tavolinave të atij lokali, ishin të këndshme dhe me tamatikë të larmishme. Këtë takim të ngrohtë e të paharuar e fiksuam në disa fotografi, me aparatet tona. Çaste të bukura ishin, kur ne shkëmbyem dhuratat me njëri-tjetrin. E para, Trandafilja, shoqëruar me shënimet e saj dashamirëse, më dhuroi dy libra të vetë poetikë: “Aje dua…”(Tiranë, 2017) dhe “Mall për gjithësinë”(Tiranë, 2018). Po kështu, ky çift më kishte sjellë, për respekt, një shishe me verë të mirë. Ndërsa unë i dhurova Trandafiles librat më të rinj: Antologjinë time të tretë, për disa femra krijuese, “Si ujëvarë bjeshke”(Tiranë, 2017) dhe librin e 2-të jetëshkrimor, “Gjurmë, nëpër udhë…”(Tiranë, 2018). Ndërsa autori Hamdi Hysuka më dhuroi librin e tij poetik, “Pa moshë…”(Tiranë, 2015), bashkë me fletëpalosjen, me titullin: Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pjetër Budi”, të Matit, të cilin e drejton ai.

Nga e majta: R. Baja, F. Xhani, H.Hysuka, N. Spathari, M. Gecaj e T. Molla-Baja
(Tiranë, 2 maj 2019)

3.
Po nuk u ndamë me kaq, nga miqtë tanë të nderuar, Trandafilen e Ramazanin. Ata na ftuan, me dashamirësi e respekt, që të drekonim bashkërisht, në lokalin me emrin “Kukësi”, ku do t’i vazhdonim më tej bisedat e filluara. Xanit iu desh të bënte dy udhëtime, për të na çuar atje, duke kaluar dhe vështirësitë e trafikut të rënduar të kryeqytetit.

Më në fund, përsëri u rehatuam, rreth dy tavolinave të atij lokali.Duke shijuar pijet e dëshiruara nga secili dhe mezetë e freskëta, biseda vazhdoi për jetën familjare e shoqërore.Por, kryesisht, u fol për krijimtarinë e secilit dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e ndyshme, në vendbanimet tona.

Kishte se çfarë të na tragonte arsimtari veteran dhe publicisti e krijuesi i njohur, Nikolla Spathari. Ai drejton me aftësi profesionale “Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve” të qytetit të Durrësit. Janë të njohura disa nga veprimtaritë e organizuara prej saj. Synimi i tyre është nxitja e krijimtarisë së poetëve, shkrimtarëve e artistëve dhe mbështetja për publikimin e librave të rinj ose çeljen e ekspozitave me piktura etj. Këtij qëllimi i kanë shërbyer edhe “Mirënjohjet” e shpërndara për krijuesit, sidomos duke nxitur ata më të rinjtë.

Miku Nikolla na tregoi se po punonte për botimin e disa librave, pra kolanën e krijimtarisë së tij shumëvjeçare, publicistike e letrare.

Për pjesëmarrësit në këtë takim, Faik Xhani na shpërndau nga një kopje të numrit të ri të gazetës “Zëri i Pensionitit”, botim periodik i Shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensonistëve të Shqipërisë”, të cilën ai e drejton me kënaqësi. Por dhe unë u fola miqëve krijues, për veprimtaritë shumëvjeçare të “Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë”, me kryetare të ndjerën Yllka Beçi dhe ku jam sekretar i Përgjithshëm.

Megjithëse dëshironim të rrinim përsëri bashkë, erdhi koha për t’u ndarë. Hamdiu u kthye në vendlindjen e tij, Burrel, me një mjet udhëtimi. Ndërsa ne të tjerëve na solli Xani, deri te banesat tona, gjë për të cilën i jemi mirënjohës.

4.
Me shkathtësinë e një krijueseje të vëmendshme, poetja e nderuar durrësake, Trandafile Molla-Baja, publikoi në Internet një shënim të gjatë, kushtuar këtij takimi të paharruar. Ai ishte me fjalë dashamirëse, për secilin nga ne dhe shoqërohej me disa fotografi, shprehëse e domethënëse.

…Në mbyllje të këtij shkrimi të thjeshtë, në nderim të poetes Trandafile Mola, si dhe të bashkëshorit, Ramazan Kaja, duke shprehur dhe mendimet e dëshirat e tre miqëve tjerë krijues, pjesëmarrës në takimin tonë të paharruar, u drejtojmë atyre falënderimet e mirënjohjen tonë. Me këtë rast, të dyve ju urojmë:

Shëndet të mirë, gëzime e lumturi, bashkë me dy vajzat e tyre! Dhe, veçanërisht, Trandafiles i urojmë krijimtari sa më të begatë e të bukur poetike, duke u dhënë lexuesve libra të tjerë të rinj.

Më pëlqen, që këtë reportazh modest, ta mbylli me pak vargje, nga një poezi, që ajo shkroi e publikoi për mua, në Fb, me këtë rast, shoqëruar me falënderimin tim:

TI, JE VETË “BOTA E RE!…”
Edhe pse bie një shi i imët, si vesë,
si vëllezër gëzueshëm u mblodhëm,
me dëshirën të takonim këtë mëngjes,
fjalët mjaltë,nga zemrat e arta rrodhën.
Ky ishte një agim i freskët pranveror,
çelur lule petale dhe të njoma fletë…

– Mirupafshim përsëri, të nderuar e të dashur miq, në takime të tilla dhe në përurime librash e në veprimtari të bukura letrare-artistike, në kryeqytetin tonë!

Tiranë, 4 maj 2019