Zëri, 06 korrik 2016
Turqia ka vrarë dhe vret akoma myslimanë më shumë se sa ka mundur të vrasë Gjergj Kastrioti. Urrejtja e Skënderbeut pse paska vrarë myslimanë, që i kanë pushtuar vendin, por dashuria irracionale ndaj Turqisë që vazhdon të vrasë myslimanë edhe sot, flet për paaftësi rezonimi logjik.
Pra nuk flet më për fakte, për parime në të gjykuar, por për anim tendencioz dhe refuzim këmbëngulës për të logjikuar drejt. Turqia ka vrarë arab myslimanë për t’i pushtuar dhe vazhdon të vrasë kurdë myslimanë për t’i mbajtur nën pushteti e vet, por ndjeshmëria për osmanët, flet për ndrydhje dhe refuzim të realitetit.
Pra besohet, por nuk pranohen faktet paralele, që çojnë tek urrejtja kundër Skenderbeut për vrasje të myslimanëve dhe po ato fakte, shpijnë tek dashuria osmane duke shpërfillur myslimanët e vrarë dje dhe sot nga Turqia.
Ai qëndrim shpërfaq dy të meta: mungesën e identitetit vetjak dhe mungesë aftësie për të gjykuar drejt. Kjo ecuri përjashton islamin dhe shndërron osmanizmin në religjion, sepse refuzon dhembshurinë ndaj myslimanëve tjerë, që ka vrarë dje Perandoria dhe vret sot Turqia me krenari osmane.
Ai qëndrim paradoksal është i mundur, kur aftësia mendore është tepër e ulët, ose kur njeriut i imponohen nga financimi. Turqia e sotshme nuk mund të shahet pse ka vrarë Perandoria dikur, por duhet kundërshtuar pse vret sot njerëz, që nuk mendojnë si osmanët.
Satanizimi i mbrojtjes nga Perandoria deri në urrejtje, pse është kundërshtuar pushtimi, por injorimi i po atyre veprave çnjerëzore, që shkakton sot pushteti turk, flet më shumë për pagesën, për punësimin, se sa për mungesë parimesh. Së paku jo tek të shkolluarit. At dinë mirë pse gjakojnë një fakt dhe pse mallkojnë një tjetër fakt.
Thjesht nuk mund të urrehet Skënderbeu pse paska vrarë myslimanë, por të adhurohet Turqia e Erdoganit pse vret sot myslimanë. Skënderbeu ka mbrojtur vendin çfarë ishte, nuk mund të mbronte popullin çfarë do të bëhej shekuj më vonë. Me ato arsyetime infantile vetëm mund të fshihen, ose mund të shpresohet se po mbulohen mirë dizgjinët psikologjik, që imponojnë qëndrime të tilla kundërthënëse.
Këmbëngulja në atë qëndrim, i jep trajta fetare osmanizmit dhe e shndërron atë në religjion, por kurrë jo në fakt të pranueshëm, kurrë në fakt të logjikshëm. Kur një çështje nuk pranohet edhe pse nuk reziston një shqyrtim logjik, atëherë mund të flitet për bindje fetare, por jo për qëndrime objektive.
Fundi i fundit, edhe ata që ishin dhe janë në shërbim të Serbisë, kanë bindjet e veta, për ne paradoksale, për ata vet mirëpo logjike, ose pse janë të shtrënguar nga gjendja ekonomike.
Mund të pohohet se gjendja e rëndë ekonomike prodhon njerëz me bindje, që as ata vet nuk janë në gjendje t’i mbrojnë, sepse siç thotë një fjalë e urtë gjermane, njeriu mund ta dërgojë kalin tek lumi edhe me zor, por ta detyrojë të pijë ujë, kurrë jo.
Komentet janë mbyllur.