“Malësori” – në majat e traditave kombëtare

0
887

Në Gjonaj të Hasit, më 3, 4 e 5 maj mbahet festivali “Hasi jehon”

Sh.K.A. “Malësori” me laramaninë e programeve kulturo-artistike, me sukses është prezantuar në shumë qendra të viseve etnike shqiptare, por edhe jashtë tyre.

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Pikërisht para plotë 44 vjetëve (1975) në Gjonaj të Hasit të Thatë, komuna e Prizrenit, u themelua shoqëria kulturo-artistike “Malësori”. Atëbotë të prirë nga një grup entuziastësh të rinj të Gjonajve, që ishin anëtarë të Sh.K.A. “Katarina Josipi” të Zymit, që ishte themeluar në vitin 1970, u kishte lindur ideja të rinjve gjonajas që edhe në vendlindjen e tyre, pra në Gjonaj, të themelojnë një shoqëri kulturo-artistike, të cilën edhe e pagëzuan “Malësori”.

Dhe, asnjë ditë deri më tash ata të rinj, tash veteranë, nuk ditën të pushojnë, kurse sot kjo Sh.K.A. ka numër të madh të anëtarëve të të gjitha moshave, që veprojnë në seksione të ndryshme. Ata janë përherë aktiv, ndaj edhe shumë shpesh paraqiten para publikut vendor, por edhe jashtë Hasit, në viset etnike shqiptare e më gjerë.

Ky ansambël i vyeshëm deri më tash ka marrë pjesë në shumë manifestime e festival, që janë mbajtur në Has, pastaj në festivale kombëtare e ndërkombëtare, si në Drenas, Prizren, Kaçanik, Ferizaj, Gjilan, Suharekë, Klinë, Gjirokastër, Peshkopi, Ohër, Zagreb, Vitoj afër Tuzit, e gjetiu. Kudo janë paraqitur në mënyrën dinjitoze, ndaj edhe janë pritur e përcjellur me duartrokitje frenetike.

Do theksuar se për vullnetin, zellin dhe punën e anëtarëve të këtij ansambli kulturo-artistik, më shumë se fjalët, dëshmonë kronikat e regjistruara, pastaj shkrimet nëpër faqet e shtypit të kohës, por mbi të gjitha flasin fotografitë artistike, që sot janë dëshmi dekorative, por edhe përmbajtësore.

Për rritën e këtij ansambli, ditë më parë biseduam me Haziz Hodaj, kryetar, i cili përveç tjerash na tha se “Sh.K.A. “Malësori” është ansambël vital. Përbëhet kryesisht nga të rinjt e këtij fshati të Hasit. Ata – anëtarët e këtij ansambli, që në numër janë të shumtë, me ëndje i janë kushtuar këngës, vallës e traditës së lashtë të popullatës fisnike të trevës së Hasit legjendar, por dhe veshjet karakteristike, pastaj riteve e ritualeve të ndryshme, si dhe lojërave të nduarnduarta popullore e të traditës, që janë shenja dalluese të këtij ansambli të vyeshëm amator që nuk dallohen pothuajse asgjë nga profesionistët.

Përndryshe, Sh.K.A. “Malësori” në Gjonaj të Hasit sot është jo vetëm trashëgimi kulturore, por është edhe atraksion turistik, përkatësisht jo vetëm që është qëmtue i vlerave folklorike, por është edhe vjelës i valleve të dalluara me korreografi të begatë artistike. Në fakt, ky ansambël tash e shumë vite, por edhe sot, shërben edhe si një pikë referuese për muzeologji, etnofolk dhe turizëm rural.

Prandaj sot me plot gojë mund të konstatojmë se Ansambli “Malësori” është ngjizur me brumin folklorik dhe të etnologjisë së rajonit të Hasit, por edhe të viseve të tjera etnike shqiptare”, përfundon Hodaj.

Ndërkaq, Mehmet Osmonollaj, nënkryetar, shton se “Sh.K.A. “Malësori” në Gjonaj, sot është visar etnokulturor hasjan, që i jep pasaportë të re kulturore jo vetëm Hasit, por edhe viseve të tjera etnike shqiptare. Në veçanti në këtë drejtim dallohen të rinjt, të cilët me vullnet shpalosin traditat dhe folklorin autokton hasjan. Përndryshe malësorët e këtij ansambli kanë shpirtëra artistësh, që kurdo që është nevoja i shfaqin herë pas here. Ndaj dhe barinjtë në mal, apo furrëtarët që gatuajnë bukë “taze”, kurdoherë e kishin me veti fyellin apo kavallin me të cilët i tjerrin meloditë e gazmendeve e të vuajtjeve që nga kohët më të largëta të antikitetit iliro-dardan”, përfundon Osmonollaj.

Ansambli kulturo-artistik “Malësori” në Gjonaj të Hasit përveç shumë aktiviteteve që i mbanë, tash e 30 vite me radhë e organizon edhe festivalin folklorik “Hasi jehon”, ku deri më tash kanë defilua mbi 100 ansamble ekulturo-artistijke nga viset e ndryshme etnike.
Të përmendim edhe faktin se në edicionin jubilar, të 30-tin me radhë të Festivalit folklorik “Hasi jehon”, që mbahet më 3, 4 e 5 maj, pritet të marrin pjesë këto ansamble e grupe artistike: Më 3 maj – Sh.K.A. “Malësori” si nkoqire, pastaj Ansambli “Mati” nga Burreli (Shqipëri), Pallati i Kulturës “Pjetër Bogdani” nga Kruma (Shqipëri), Sh.K.A. “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe, Sh.K.A. “Bresana” nga Bresana dhe Ansambli “Rugova” nga Peja. Ndërkaq, ditën e dytë, më 4 maj, marrin pjesë: Ansambli etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi, Sh.K.A. “Jahi Hasani” nga Çegrani i Gostivarit (Maqedoni), Sh.K.A. “Rapsha” nga Malësia e Madhe – Tuz (Mal i Zi), Ansambli “Drenica” nga Skenderaj, Sh.K.A. “Muharrem e Xhevat Qena” nga Ramaja, Sh.K.A. “Shqiponja” nga Shkupi (Maqedoni) dhe Ansambli “Nakem” nga Bursa e Turqisë, si dhe ditën e tretë, më 5 maj: Qendra Kulturore nga Kaçaniku, Grupi folkloric “Gurra e Kurbinit” nga Laçi (Shqipëri), Sh.K.A. “Bajram Shabani” nga Kumanova (Maqedoni), Ansambli “Gjilani” nga Gjilani, Rapsodët nga Rrësheni i Shqipërisë, Sh.K.A. “Nakem” nga Bursa e Turqisë dhe përsëri në fund Sh.K.A. “Malësori” si ansambël vëndas.

Në kuadër të këtij Fastivali folklorik do të bëhet edhe promovimi i monografisë dhe dokumentarit të Sh.K.A. “Malësori” dhe i Festivalit “Hasi jehon”.

Vlen të përtmendim faktin se në kuadër të këtij festivali tash e sa vjet, sidomos pas luftës çlirimtare të Kosovës, është mbajtur edhe sesioni shkencor (është mbajtur në bashkëpunim me Institutin Popullor të Tiranës dhe me Institutin Albanologjik të Kosovës) që i kushtohet traditave kulturave të Hasit.

Ky festival përcjellët nga numër i shumtë i shikuesve nga Gjonajt, por edhe nga mbarë Hasi e më gjerë.

Nëherësh, ky ansambël në çdo festival hap edhe ekspozita të prodhimeve të bukës, përkatësisht ekspozita të gatimeve tradicionale me të cilat mbijetojnë hasjanët, por edhe gatime për sofrën që e shtrojnë banorët e këtyre anëve si virtyt të mikpritjes hasjane. Në fakt, këto ekspozita edhe janë pjesë të pandashme të festivalit, e që janë kryesisht prodhime që nënat tona i kanë gatuar në shtëpi e deri te prodhimet më bashkëkohore të furraveve të sotmë hasjanë të shpërndarë anë e kënd trojeve etnike, por edhe nëpër Evropë e më gjerë.

Në anën tjetër, pjesë e festivalit është edhe ekspozita e veshjeve hasjane, që është karakteristikë ndër veshjet tradicionale kombëtare, si dhe pjesë e festivalit është edhe ekspozita e fotografive të aktivitetit të nduarndurta të Sh.K.A. “Malësori” që nga ditët e para e deri më sot.

Festivali përcjellet nga juria profesionale dhe në fund më të mirët laureohen me çmimin “Malësori”, përkatësisht “Malësorja”, “Lahuta”, çmimi “Nazmije Hoxha”, e shumë të tjera.

Vlen të përmendim se ky ansambël deri më tash pothuaj se është prezantuar, qoft me koncerte apo me pjesëmarrje nëpër revista e festival të ndryshme, prej atyre rajonale, republikave, mbarëkombëtare e deri te ato ndërkombëtare, nga të cilat përherë Ansambli “Malësori” është kthyer me shpërblime kulminante.