Prof. dr. Mustafa Ibrahimi
Universiteti “Nëna Terezë”
Shkup
Vepra “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” e autorit Dr. Sejdi Gashi, vlerë e re për gjuhësinë shqiptare (Studim monografik, botoi: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2018, f. 332.)
Recension
Monografia me titull Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë e autorit Dr. Sejdi Gashi, në plan të parë, është një vazhdimësi e kërkimeve prej dekadash në studimet dialektologjike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), të cilat kanë filluar në vitet ’60. Studimet e kësaj natyre kanë filluar shumë më herët edhe në kolonitë e vjetra ndër arbëreshët e Italisë e të Greqisë dhe vazhdojnë të studiohen e rivlerësohen ende me metodat më bashkëkohore shkencore.
Dalja në dritë e veprës së Dr. Sejdi Gashit, Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë zgjeron edhe më tej studimet e dialektologjisë shqiptare. Studimi për të folmen e Istogut vjen pasi autori kishte bërë shumë studime që kur ishte student dhe më vonë duke botuar me dhjetëra artikuj nëpër gazeta dhe revista shkencore, në të cilët janë trajtuar dukuri dialektore për të folmen e kësaj krahine.
Autori Gashi kërkimet e tij në fushë të dialektologjisë i bashkon sa me ruajtjen e traditës së kërkimeve dialektore në Kosovë, aq edhe me metodat bashkëkohore të traditës së kërkimeve dialektore, duke sjellur analiza dhe përshkrime deskriptive të përmasës fonetike dhe morfologjike, të fjalëformimit, si dhe me strukturën e formimeve sintaksore.
Struktura e punimit
Monografia e Dr. Sejdi Gashit paraqet një pamje të plotë mbi arealin gjuhësor të Istogut, si një prej të folmeve më periferike të gegërishtes verilindore dhe është konceptuar në tetë njësi tematike: I – Të dhëna të përgjithshme për Istogun me rrethinë, II – Fonetika, III- dukuritë fonetike, IV – Morfologjia, V – Fjalëformimi, VI – Sintaksa, VII – Tekste dialektore, VIII – Fjalorthi dialektor, si dhe përfundimet e bibliografia.
Në kreun e parë, autori shqyrton të dhënat e përgjithshme për Istogun me rrethinë, duke na dhënë të dhënat historike, ekonomike, politike, arsimore, demo-grafike dhe etimologjike të qytetit të Istogut dhe të dhënat e shumta për 52 fshatrat e komunës së Istogut dhe të dhëna demografike për popullsinë që jeton në ato fshatra. Autori Gashi, në pjesën e studimit të tij na prezanton edhe autorët që janë marrë me studimin e kësaj treve.
Kreu i dytë – Fonetika
Autori përqendrohet në veçoritë fonetike dhe fonologjike të së folmes së Istogut me rrethinë, me theks të veçantë edhe në dukuritë fonetike. Në vija të shkurta analizon karakteristikat e kësaj të folmeje në rrafshin fonetik, duke studiuar: theksin, sistemin zanor, gjatësinë e zanoreve, nazalizimin dhe denazalizimin, reduktimin e zanoreve, dallimet e kushtëzuara të tyre, diftongjet dhe togjet zanore, sistemin bashkëtingëllor, grupet e bashkëtingëlloreve.
Kreu III – Dukuritë fonetike
Pjesë e këtij studimi janë edhe dukuritë fonetike, si: metafonia, apofonia, kontraksioni, shurdhimi, sonorizimi, asimilimi, disimilimi, metateza, elizioni, aglutinacioni, palatalizimi, reduktimi, kontraksioni i zanoreve dhe bashkëtingëlloreve dhe anologjia.
Autori Sejdi Gashi të gjitha këto analiza i ka bërë, pas mbledhjes së materialit në terren duke përdorur Pyetësorin e Atlasit Dialektologjik.
Nga shembujt e dhënë vërehet se studiuesi Gashi me mjaft sukses ka bërë analiza të rëndësishme fonetike dhe fonologjike, duke ilustruar çdo përkufizim me shembuj dhe duke cituar literaturë bazë, sipas kritereve që i kërkon shkenca. Punimit i jep një rëndësi të veçantë edhe përdorimi i një numri të madh metodash shkencore.
Tingujt i studion nga aspekte të ndryshme, duke dhënë shembuj për alternimet e tyre, pra na ofron shumë dukuri fonetike, me shembujt e vrojtuar në terren për karakteristikat arkaike të kësaj të folmeje.
Kreu IV – Morfologjia
Në këtë fushë, autori Gashi na sjell studime rreth pjesëve të ndryshueshme dhe të pandryshueshme të ligjë¬ratës, duke theksuar se ndryshimet morfologjike në arealin gjuhësor të Istogut me rrethinë janë më të pakta se ato fonetike, ndërkaq edhe ato që ekzistojnë janë të ngjashme me grupin e të folmeve të gegërishtes verilindore. Ndër të tjera analizon emra asnjanës prejfoljorë, të tipit: t bërtítnit, t íknit; Shumësi i emrave mashkullorë me mbaresën –a doktorra, profesora. Përveç 5 rasave të shqipes letrare, këtu përdoret edhe rasa thirrore oj, moj, mori, p.sh. /O Hysen o/ŋutu more/ se na nxuni nâºta//. Punimi vijon me mbi¬emrat, përemrat; sistemin foljor, disa trajta foljore të diatezës pësore-vetvetore pjéka-póça, njéka-nóça, kurse për përdorimin e pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës në të folmen e Istogut, sipas autorit gjithnjë e më shumë po bëhet më i dendur dhe më i zakonshëm, çka do të thotë se kjo e folme, por edhe të folmet e tjera të shqipes përditë e më shumë po ndikohen nga shqipja letrare (standarde).
Kreu V – Fjalëformimi
Në studimin e tij, Sejdi Gashi rëndësi të veçantë i kushton edhe fushës së fjalëformimit. Sipas tij kjo fushë paraqet interes dialektor, sepse përmes shqyrtimit dhe analizimit të mënyrave dhe mjeteve fjalëformuese mund të hetohen më imtësisht shumë aspekte dhe veçori dialektore të këtij krahu të shqipes. Mënyrat më të shpeshta fjalëformuese në trevën gjuhësore të Istogut janë: Formimi parashtesor-prapashtesor i fjalëve a:t (-atë), a:v (-avë) ăvt; – Paranyjëzimi: i msúm, i árdhŭn; Kompozimi shpĭrli:g, sýkeç, Përngjitja: mozomokeç (mos+o+Zot+ma+keq); Kon¬ver-sioni krip hap, çull.
Kreu VI – Sintaksa
Nga shembujt e dhënë vërehet se autori Gashi me mjaft sukses ka bërë analiza të rëndësishme sintaksore të së folmes së Istogut, duke ilustruar çdo përkufizim me shembuj dhe duke cituar literaturë bazë sipas kritereve shkencore, p.sh.: paskajorja del pas foljes gjysmëndihmëse duhet, p.sh.:// Duhet me msu: për me pêrparu; – Kur krye¬fjala shprehet me një emër kolektiv, atëherë edhe kallë¬zuesi del në numrin shumës, p.sh.: // Njerzįa shóhin se çka po ndo:dh n kĭt vên// etj.
Kreu VII – Tekste dialektore
Me anë të teksteve dialektore të vjela drejtpërdrejtë nga goja e popullit, autori bën dokumentimin e kësaj të folmeje, duke theksuar se ky material duhet të mblidhet sa më shpejtë, sepse po zhduket. Në këtë studim autori na sjell 20 tekste dialektore në prozë dhe këngë popullore. Si¬pas studiuesit Gashi, në trojet shqiptare janë të gjitha mundësitë që ky dokumentim gjuhësor të bëhet i plotë, sepse specialistët e mirëfilltë nuk mungojnë.
Kreu VIII – Fjalorthi
Studiuesi Sejdi Gashi na sjell një thesar të çmuar me fjalë dhe shprehje të rralla të kësaj ane. Fjalësi i kësaj idiome gjuhësore është mjaft i pasur dhe përmban një varg dukurish vetjake, të trashëguara nga fazat e hershme të shqipes. Kështu, janë përvijuar një varg njësish leksikore që shquhen për autoktoninë dhe lashtësinë e tyre siç janë: xhakbâºme (grua me moral të ulët, për shkak të të cilës mund të lindin konflikte të shumta), ballgur (miell misri i bluar trashë që përdoret për ushqim kafshësh), japâº: nxh- veshje barinjsh në formë të palltos e prodhuar nga leshi i deleve), pázêm (grumbull penjsh), kukêl (gjendje e rëndë, krizë) etj.
Literatura dhe përfundimet
Ky studim monografik kompletohet me bibliografinë mjaft të pasur dhe të gjerë, të ndarë sipas fushave të studimit nga autorë të vendit dhe të huaj.
Në studim janë përdorur të gjitha shkurtesat dhe shenjat fonetike të nevojshme për t’i lexuar tekstet dialektore që janë të veçanta për këtë të folme. Autori jep përfundime të qëlluara për të gjitha tezat e ngritura në fillim duke dëshmuar për pjekurinë e analizmit dhe përfundimit të një studimi.
Përfundimi është i përkthyer në gjuhën angleze.
Përfundime
Sikur mund të shihet edhe prej kësaj strukture, studimi i Dr. Sejdi Gashit hapet si kërkim antropogjeografik, një traditë kjo e pranishme pothuajse gjatë gjithë shekullit XX, vazhdon me identifikimin e dukurive fonetike përmes komunikimit të drejtpërdrejtë në terren, duke përdorur edhe përshkrimin sa më të saktë përmes shenjave diakritike, pastaj sjell një sintezë të analizës morfologjike dhe sintaksore dhe përmbyllet me një numër tekstesh popullore e një fjalorth dialektor, me të cilin e bën të mundshëm jo vetëm leximin e teksteve me interes për intonacionin dhe kuptimet morfosintaksore, por edhe bën të mundur njohjen e gjithë korpusit leksikor të kësaj treve.
Autori përdor disa metoda, me mjaft sukses siç janë: metoda e analizës teorike, metoda e analizës së dokumentacionit, metoda përshkruese, metoda krahasuese dhe metoda statistikore. Nga rezultatet dëshmon se i njeh metodat, duke filluar nga përzgjedhja e pyetësorëve, analiza teorike e tyre, krahasimi i rezultateve, përshkrimi i tyre dhe dhënia e statistikave nëpërmjet dhjetëra tabelave dhe grafikoneve të ndryshëm.
Autori ka shfrytëzuar literaturë të nevojshme dhe me titujt e shfrytëzuar ka dëshmuar se ka njohuri për pro¬blemin që ka ngitur. Citimet i ka përdorur sipas stilit APA. Studiuesi Gashi në këtë punim ka dëshmuar se është mjaft i përgatitur në aspektin teorik për termet kyçe të punës së tij hulumtuese, siç janë: vjelja e materialit në terren, analiza teorike gjuhësore e të folmes së Istogut etj.
Duke e përfunduar recensionin mund të arrij në përfundimin se studimi monografik Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë i studiuesit Sejdi Gashi, me origjinalitetin e tij, me të dhënat e shumta teorike, me disa veçori të përbashkëta midis të folmeve tjera të gegërishtes, me materialin e pasur dialektologjik, me leksikun e pasur dhe me vështrimet fonetike, morfologjike dhe sintaksore të së folmes së Istogut me rrethinë, paraqet një kontribut të çmueshëm në fushën e studimeve të dialektologjisë shqiptare, e cila hap shtigje të reja për studime teorike, në këtë fushë të gjuhësisë shqiptare dhe studimeve dialektore në përgjithësi. Në këtë mënyrë autori Sejdi Gashi me këtë vepër të rëndësishme shkencore, e pasuroi dialektologjinë dhe gjuhësinë tonë në përgjithësi.
Shkup, 26.04.2019
Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu, gazetar